Home | Opinion | GAGA-izmi shqiptar

GAGA-izmi shqiptar

image
Fytyra e mirë e një vendi propagandohet me transparencë qeverisjeje, zgjedhje normale, me fushata milionëshe lufte kundër korrupsionit e trafikut, me programe milionëshe në edukimin e ekspertëve të shumë fushave, kuadrove mjekësore, inxhinierëve.

 

 

 

Safet Krasniqi

 

 


Të reklamosh apo bësh branding për të promovuar vendin është një investim i rëndësishëm. Sidomos në kohët moderne kur të gjitha shoqëritë qoftë ato në zhvillim apo ato të zhvilluara bëjnë shumë për imazhin e tyre. Kosova e Shqipëria s’bëjnë dot përjashtim në këtë lojë imazherie. Por për dallim nga shtetet tjera demokratike ku përgjegjësitë për promovim të imazhit janë të ndara në mes qeverive dhe komuniteteve të artit, në Kosovë e Shqipëri ndodh e kundërta.

Kryeministri i Shqipërisë ka muaj të tërë që përmend emrat e yjeve botëror me qëllim promovimin e Shqipërisë para botës. Dukej shumë entuziast në të gjitha mbledhjet e Këshillit të Ministrave apo në Kuvend prej nga sinjalizonte mundësinë e prurjes së emrave të famshëm. Por përkundër të gjithave momenti i përfolur nuk erdhi. Nuk erdhi se gjërat nuk vajtën si duhet. Skandalet e korrupsionit dhe krizat e thella politike s’lanë vend për festime. Në fund të ditës qëllimi i vërtetë i gjithë kësaj historie ngjan sikur të jetë tjetër. I dyanshëm. Sigurisht, për opinion e brendshëm, sepse amullia dhe konfuzioni në të cilin vërtitej realiteti duhej të pudrosej me titujt “Beyonce në Tiranë” apo “Gaga në Durrës”. Si dhe për opinionin e jashtëm, se gjërat në Shqipëri ecin në rregull!

Gaga-idetë

Gjetja e ideve për promovimin dhe reklamimin e vendeve, kauzave, ka vështirësitë e veta, sidomos në një kohë kur shoqëritë e zhvilluara kanë avancuar dhe pothuaj kanë konsumuar idetë si këto. Që një ide të jetë e qëlluar dhe të godasë aty ku duhet, kërkohet kreativitet dhe gjetje origjinale. Por problemi qëndron pikërisht këtu. A mungojnë ekspertët shqiptarë kreativë për të gjetur formulën e duhur të promocionit. Apo na mjafton një ide që vjen nga Lindja e Mesme dhe shoqëritë me diktatorë në rënie, që me blerje milionëshe të këngëtareve që përdridhen tentojnë të tregojnë se sa mirë i kanë punët e sa demokratikë janë.

Ideja e ngjashme që po qarkullon ditëve të fundit edhe në Kosovë, për sjelljen e emrave të famshëm të muzikës botërore, më shumë se çdo gjë tjetër ngre shumë pyetje. Vërtet, për çfarë promocioni ka nevojë Kosova tani? Dhe a është kjo gjetja e duhur?

Në kulturën urbane, prurjet e yjeve e bendeve muzikore me nam janë pjesë e një procesi të vazhdueshëm zhvillimor social e kulturor të shoqërisë. Përkundër numrit të madh të rinisë shqiptare dhe nevojës për evente artistike të mëdha, prapëseprapë këto aktivitete nuk duhet të jenë punë qeveritarësh. Ka kohë që të rinjtë entuziastë në Prishtinë e Tiranë me sukses kanë sjellë yjet e muzikës botërore, prandaj këto prurje nuk do të përbënin lajm. Mbase brenda Ballkanit dhe vetëm kaq.

Imazhi i dy shteteve tona nuk përmirësohet pse vjen Rihana në Tiranë, sepse që të nesërmen sërish nëpër ballina do shfaqen tituj me lajme jo të mira nga Shqipëria. As Venezuela, Spanja e Irani nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës meqë erdhi Shakira apo Gaga në Prishtinë. Dhe sigurisht as Catherin Ashton s’do të pyeste se si ia kaluam me pop-yjet! Sepse yjet e muzikës nuk e çrrënjosin korrupsionin, nuk bëjnë reforma e shtet ligjor nga skena e muzikës live.

Gaga-produkti

Dy qeveritë shqiptare me shefat e tyre në krye na shfaqen kontroverse e të papjekura në vendimet dhe mënyrën se si menaxhojnë me mjetet publike. Dhe gjithnjë e më shumë po ngjajnë me njëra-tjetrën.

Fytyra e mirë e një vendi propagandohet me transparencë qeverisjeje, zgjedhje normale, me fushata milionëshe lufte kundër korrupsionit e trafikut, me programe milionëshe në edukimin e ekspertëve të shumë fushave, kuadrove mjekësore, inxhinierëve. E çka është më e rëndësishme qeveritë duhet të orientohen në zhvillimin e produktit, brandit shqiptar, e jo gaga-produkteve. Bashkimi Evropian dhe bota vetëm në këtë mënyrë bindet se qeveritë po punojnë si duhet. Dhe integrimi, njohjet s’do të vonojnë.

Gaga-qeveritë

Zhvendosja e vëmendjes së opinionit publik nga aktualiteti i vrazhdë shqiptar ka hyrë zyrtarisht në politikën ditore andej e këndej kufirit, dhe si fenomen ka modelet e stërkequra gjithandej nëpër botën e tretë. Që ka humbur sensi moral dhe estetik në paraqitjet e liderëve tanë para masës, është e vulosur. Njëkohësisht, mungesa e ndjeshmërisë dhe deri diku injoranca e medias në trajtimin e këtij gagaizmi politik u jep hapësirë të mjaftueshme veprimi ideatorëve jokreativë të këtij marketingu joprofitabil.

Ndërkohë gaga-qeveritarët të kenë kujdes se mos një ditë to të përfundojnë në gjykata keqpërdorimesh, e pastaj Beyonce e Shakira do t’i mohojnë ato para, apo do t’i japin për bamirësi sikur po ndodh kohëve të fundit. Sepse në fund të fundit yjet duhet të sillen për të festuar suksesin, e kurrsesi për të maskuar dështimin. Kjo po që do të ishte qershia mbi “tortën e imazhit shqiptar”!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00