Krejt rastësisht m’u kujtua
Dikush na ha bukën e fëmijëve tanë për çdo ditë, iu trashen barqet aristrokratike, shëtisin me vetura luksoze ku ne nuk mund t’i shohim ata, veçse ata mund të na shohin neve, nga brenda.
Arbër A. Rexhaj
Krejt rastësisht mendova se Kosovën e bën të padurueshme, apo ne e bëmë vetë konceptin e mosdurimit mbi supet tona. Ajo çfarë thuhet se në vendin tonë asgjë nuk shkon mirë, mund të jetë plotësisht e vërtetë. Në vend të asaj se diçka duhet të shkoj mirë, sado pak, një grimëz megjithatë nuk na del e vërtetë, sepse këtu në Kosovë asgjë, me plot kuptimin e fjalës mund të mos shkojë mirë.
Me një diskurs të përgjithshëm do të mund të thoshim se kur t’i teket KEK-ut, na prish kompjuterët, televizorët, makinat e larjes, zorrët tona, lukthin, mendjen, na bie frikën, i lë fëmijët në errësirë, na krijon pakëndshmëri. Vetëm ne në Kosovë mund ta përjetojmë sërishmi në retrospektivë antikitetin e hershëm, mund të na sjellin edhe jetesën e hershme të shpellave. Këtu, vetëm në Kosovë ne mund ta përjetojmë lashtësinë dhe të ndihemi si në lashtësi. Me plot kuptimin e fjalës dhe qe besa edhe jemi mësuar, saktësisht si te ”Shpella” e Platonit. Ajo që mund të na bëjë çudi nuk është se ne jemi të furnizuar me rrymë, por përkundrazi kur kemi rrymë dhe ajo nuk ndalet për një kohë relativisht të gjatë.
Na ndalet uji, nuk mund ta bëjmë nevojën tonë si duhet, nuk mund të lahemi kur të dëshirojmë, orarin e seksit duhet ta bëjmë në përpikëri sepse të nesërmen nuk ndihemi mirë, sepse duhet të punojmë të trullosur dhe të indinjuar nga vetvetja. Kur zgjohemi në mëngjes mund të mos kemi ujë për t’i larë dhëmbët e fytyrën, duhet ta shtyjmë dikë krejt natyralisht të na marrë kundërmimin e gojës sonë. Vaj halli të na vijë nevoja kur s’kemi ujë sepse duhet t’i përdorim shishet e mbushura me ujë, të cilat poashtu mund të kundërmojnë papastërti. Pastaj na vijnë sëmundjet, lloj – lloj sëmundjesh, bile që nga ato infektive dhe deri tek ato nervore e super psikologjike.
Kur marrim pagat, e tani na rritën me qykë të zorit, duke e shkatërruar drastikisht ekonominë e vendit, (Hashimi me shokë e shoqe), ato nuk na çojnë as gjysmën e muajit. Pjesën tjetër e jetojmë pa asnjë para në xhep. Marrim hua nga njëri-tjetri. Madje edhe huat tani janë bërë të vështira, sepse në realitet, nuk kemi më ku të marrim sepse të gjithë ata që na jepnin tani nuk kanë më. Na janë harxhuar edhe huat. Nuk kemi para as për gjërat elementare, sa për ta ngirë veten dhe familjen me bukë, sigurisht edhe me ndonjë gjë që e qullav bukën sepse ajo nuk mund të hahet e terur dhe tërësisht e thatë. Kur na kërkojnë fëmijët para, iu bërtasim sepse nuk kemi dhe nuk e besoj që e meritojnë piskamën tonë, sepse edhe ata kanë nevojë. Ata shkojnë nëpër shkolla dhe barku iu rri i terur në lak derisa të vijnë në shtëpi, për të ngrënë bukën e qullavtë.
Krejt rastësisht ndodhin këto në Kosovë, në vendin tonë ku seriozisht ndoshta nuk shkon asgjë ashtu siç duhet sepse dikush duhet të pasurohet aq shumë mbi kurrizin tonë. Krimi ekonomik përherë na del si pis i harbuar dhe tejet i fryrë në mediet tona ndërsa ne nuk i shohim ata që e bëjnë. Krimi ekonomik, po na del se po u bëka pa asnjë subjekt, por po qëndruaka vetëm si objekt. Ajo po u kryeka vetvetiu. Deri më tani nuk e pamë asnjë kriminel. Organet e drejtësisë na flasin përditë, ndërsa nuk e zënë asnjëri edhe pse ne mund ta dimë se atyre ata iu sillen ndërhundë. Ndoshta kanë ngapak edhe brenda vetes, sepse ne e dimë se edhe brenda organeve të drejtësisë vidhen droga të mëdha dhe kriminelë s’ka, sepse ato vidhen vetvetiu dhe nuk kemi asnjë subjekt, vetëm objektin e drogës së vjedhur.
Dikush na ha bukën e fëmijëve tanë për çdo ditë, iu trashen barqet aristrokratike, shëtisin me vetura luksoze ku ne nuk mund t’i shohim ata, veçse ata mund të na shohin neve, nga brenda. Domosdoshmërisht ata na hipin mbi supe dhe ne nuk i bëjmë asgjë. Ata përditë e hanë nga një copë bukë, ua marrin nga goja e fëmijëve tanë dhe ne heshtim. Ata përditë pasurohen, e ne varfërohemi. Krejt rastësisht m’u kujtua se Kosovën e bënë të pajetueshme, sepse gjakun ia pinë dhe mishin ia hanë. Krejt apoliptike na doli Kosova e pasluftës, tamam sikurse dilet nga apokalipsi dhe hyhet në xhehenemin e ri.
Comments (0 posted)
Post your comment