Home | Opinion | Krizën duhet ta zgjidhin ata që e krijuan

Krizën duhet ta zgjidhin ata që e krijuan

image
Përfaqësuesit politikë të Bashkimit Europian e kanë bërë të qartë se pa zgjidhjen e krizës politike nuk ka status kandidati dhe as hapje negociatash me atë organizatë. 

 

 

    


 
Nga Sadedin Çeliku

 

 

Kriza politike mund të zgjidhet nga ata që e krijuan, pra mazhoranca dhe Partia Demokratike. Shanset për zgjidhjen e shpejtë të saj e humbi PD-ja. Edhe një gjyq të thjeshtë të kesh, ke disa mundësi të kërkosh të drejtën
nëse nuk ke arritur mirëkuptim apo kompromis. Mazhoranca i kishte të tëra mundësitë ti tregonte opinionit publik, zgjedhësve dhe faktorit ndërkombëtar se forca që përfaqëson është moderne dhe e demokratizuar. Pra të hapte kutitë e votimit, të bënte transparencën e zgjedhjeve dhe ti jepte në dorë opinionit publik njëherësh dhe opozitës materialet zgjedhore për ti hetuar. Ky veprim do ti kthente besimin e humbur qytetarëve se edhe në vendin tonë mund dhe duhet të bëhen zgjedhje të ndershme e të lira. Pse nuk u bënë? E thjeshtë, manipulimi u vërtetua dhe çdo kush e kuptoi se zgjedhjet u deformuan, u vodhën dhe tashmë kemi një mazhorancë copë-copë që qeveris vendin me votat e socialistëve. Turp!

Kriza politike e Shqipërisë që pati impakt mjaft negativ në ekonomi është pranuar si e tillë ndërkombëtarisht, zgjidhja e së cilës ju la faktorëve të brendshëm politikë. Shqipëria ka përparuar në proceset integruese që nënkupton një shkallë të mjaftueshme pjekurie demokratike për t’i zgjidhur vetë problemet e brendshme të vendit. Në fakt u duk kështu, sepse për ata që e njohin mirë realitetin shqiptar, kjo gjë ka tingëlluar gjithnjë e më shumë si jo realiste. Sigurisht që krizën duhet ta zgjidhin shkaktarët, vjedhësit e votës së lirë dhe ata që nuk janë mësuar të marrin përgjegjësitë për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme. Po përgjegjësi a kanë sado pak dhe ndërkombëtarët që jo vetëm që nuk u bënë pjesë e zgjidhjes, por e kuptuan me vonesë se zgjedhjet e fundit çeduan. Natyrisht, këtu nuk e kam fjalën për koka turku dhe as për bashkë-përgjegjësi me Berishën. Por, të vetmen gjë që bëri “mirë” Berisha, ishte lobingu me individë të caktuar deri në joshje të faktorit ndërkombëtar, për të krijuar idenë se fajin e ka opozita dhe se kërkesat e saj janë absurde.

Sigurisht që bëmë dy vjet që flasim për krizën e nuk na dëgjon njeri, për deformimin e votës, gjendjen e mjerueshme ekonomike kur Berisha deklaron rritje ekonomike tamam si në kohën e lulëzimit të piramidave (edhe atëhere të njëjtën gjë thoshte), papunësinë, orientimin e gabuar të ekonomisë, koncesionet nepotike dhe pa efektivitet, informalitet në shëndetësi, arsimin universitar jo publik, ekonomi, e kudo tjetër. E megjithatë më duket se kriza jo vetëm që nuk ka gjasa të zgjidhet, por në këtë prag zgjedhjesh ajo po jep shenja të këqija të thellimit saj. Vendimet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për prodhimin e vulave rezervë dhe miratimin e disa qendrave zgjedhore në ambiente private tip kasolleje e lavazhe ishin një turp i vërtetë që tregon tendencën e mazhorancës dhe presionin mbi KQZ-në për të realizuar turpin e rradhës. Me sa duket ky spektakël mund të vërehet edhe gjetkë.


Ndryshimi i listave zgjedhore, shtimi fiktiv i tyre pa qenë banorë në zonën zgjedhore, prodhimi i kartave të identitetit fiktive të shfaqura në emisionin fiks, mungesa e pastrimit listave e të tjera, kanë vënë në dyshim e rrezik të madh legjitimitetin e zgjedhjeve. Mungesa e alternativave dhe e modeleve të zhvillimit është një tjetër përpjekje e mazhorancës dhe e kandidatëve të saj për të mashtruar e gënjyer zgjedhësit. Për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur dhe ato që po ndodhin, do ta ngarkojnë popullin shqiptar me një faturë të shtrenjtë që nuk do të mund ta paguajmë dot. Përfaqësuesit politikë të Bashkimit Europian e kanë bërë të qartë se pa zgjidhjen e krizës politike nuk ka status kandidati dhe as hapje negociatash me atë organizatë. Zgjidhja duhet të vijë pas zgjedhjeve vendore të 8 majit në se ato certifikohen si të ndershme e të lira nga zgjedhësit shqiptarë, e më pas nga përfaqësuesit e delegacionit OSBE e ODIHR, nga faktorët e brendshëm dhe nga vetë ata që e krijuan këtë lëmsh. Politikanët që prodhojnë kriza të panevojshme në demokraci dhe krizat e politikanëve nuk ka pse t’i mbajë akoma në shpinë populli dhe vendi, të cilët presin zgjidhje.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00