Home | Opinion | Rëndësia e votës së 8 Majit

Rëndësia e votës së 8 Majit

image
Se “çdo qytetar duhet të mbaje mend se në momentin që hedhë votën e vet, ai nuk është duke i dhënë dhuratë ose duke i bërë kompliment ndonjë individi (ose partie)…, por është duke zbatuar një prej detyrave me solemne të shoqërisë njerëzore, për të cilën je përgjegjës para Zotit dhe para atdheut”.

 

 

 


Frank Shkreli

 

 

 

“Që e keqja të triumfojë, e vetmja gjë që nevojitet është, që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë” Edmund Burke, burrështetas dhe filozof i shekullit të 19-të.

Këtë të diel, anë e mbanë Shqipërisë u mbajtën zgjedhjet vendore. Rëndësia e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e Shqipërisë nuk mund të theksohet sa duhet. Fatkeqësisht, si edhe në të kaluarën, shqetësimi kryesor i shumë shqiptarëve dhe miqve perëndimorë të Shqipërisë, është që procesi i këtyre zgjedhjeve të zhvillohet në paqe, e pa ndonjë incident dhe dhunë.

Megjithëse ky ishte një shqetësim real për të gjithë, në këto zgjedhjeve vendore, dua të përdorë rastin e të theksoj rolin e votuesit, rëndësinë e privilegjit të votës dhe të pjesëmarrjes në votime. S’ka dyshim se, në një shoqëri demokratike, e drejta e votës është ndër të drejtat themelore të njeriut. Çdo votë e ka rëndësinë e vet. Mirëpo druaj se shumë shqiptarë që mund ta ndjejnë veten të zhgënjyer nga gjendja e përgjithshme politike, nga mungesa e mundësive më të mira ekonomike, si dhe nga mungesa e përparimit në fushë të ndryshme në përgjithësi, që ata mund të pritshin nga premtimet e bëra prej zyrtareve te zgjedhur më parë të të gjitha partive politike. Shumë janë lodhur nga ndasitë dhe përçarjet e thella, që ekzistojnë tani ne vend, midis partive dhe fraksioneve të ndryshme politike. Shumë votues shqiptarë janë të lodhur nga retorika e acaruar në fushën politike, e për fat të keq edhe në media, detyra e së cilës është të mundësojë dhe të lehtësojë dialogun konstruktiv në shoqëri, e jo ta egërsojë atë -retorikë kjo e cila nuk ka aspak të bëjë me zgjidhjen e problemeve reale të jetës së përditshme të qytetarit të thjesht shqiptar.

Apatia në radhët e votuesve, e sidomos në radhët e rinisë, është e dëmshme. Angazhimi i përbashkët, sidomos me rastin e zgjedhjeve, është gurthemeli i përmirësimit të jetës shoqërore dhe politike për të ardhmen afatshkurtër dhe afatgjatë të vendit. Thomas Xhefersoni ka thënë se “instrumenti me i mirë, me racional dhe me paqësor për të reformuar shoqërinë, është vota e popullit”. Dhe ish-Presidenti amerikan Xhejms Garfild, megjithëse shërbeu në shekullin e 19-të, fjalët e tija janë gjithnjë te vlefshme. Duke iu referuar Kongresit amerikan të saj kohe, Garfild ka thënë : “Tani më shumë se kurrë votuesit kanë përgjegjësi për karakterin e anëtareve të Kongresit të tyre. Në qoftë se ata (anëtarët) janë injorantë, mospërfillës të vullnetit të popullit dhe të korruptuar, kjo ndodhë sepse vet populli toleron injorancën, arrogancën dhe korrupsionin e tyre”.

Shumë zëra të brendshëm dhe të jashtëm, me të drejtë, po i bëjnë thirrje klasës dhe aktorëve politikë shqiptarë që të garantojnë një administrim dhe zhvillim të denjë të zgjedhjeve dhe rezultatit të tyre. Unë si një shqiptar në mërgim, që Shqipërisë dhe kombit shqiptar i dëshiron të jetë ndër të parët dhe të zë vendin e denjë midis kombeve të kontinentit të vjetër evropian, dëshiroj t’i bëj thirrje dhe ta porosis votuesin shqiptar se vota e jote është një angazhim dhe investim në atdheun tënd, për të cilin duhesh të jesh krenar. Shqipëria dhe kombi shqiptar gjenden përball çështjesh dhe problemesh me rëndësi kritike për politikat e brendshme dhe të jashtme, e të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, por mbi të gjitha kërkojnë pjesëmarrjen tënde të vazhdueshme, sidomos në këto zgjedhje, por edhe pas tyre. Samjuel Adams, njëri prej themeluesve të Amerikës, ka thënë se “çdo qytetar duhet të mbaje mend se në momentin që hedhë votën e vet, ai nuk është duke i dhënë dhuratë ose duke i bërë kompliment ndonjë individi (ose partie)…, por është duke zbatuar një prej detyrave me solemne të shoqërisë njerëzore, për të cilën je përgjegjës para Zotit dhe para atdheut”.

Prandaj uroj që votuesi shqiptar dëgjoi fjalët e Edmund Burke për të mos heshtur, por votoi për kandidatin ose partinë që – duke u bazuar në ndërgjegjen e vet - mendon se do të përpiqet të përmirësojë jetën e tij/saj, të familjes dhe të atdheut të tyre, jo vetëm sot, por edhe për brezat e ardhshëm të kombit. Mendoi gjithashtu për gjyshërit dhe baballarët të cilëve për pothuaj një shekull nuk iu dha mundësia të kishin këtë të drejtë. Mendoi edhe për ata që edhe jetën e humbën për të siguruar të drejtën e votës së lirë gjate regjimit komunist dhe gjatë dekadave te mëparshme. Por mbi të gjitha mendoi për fëmijët, nipat e mbesat e tij dhe për të gjithë brezat e ardhshëm. Prandaj, cilido qoftë orientimi juaj politik, me rëndësi është se votuat, ndërsa ju që nuk votuat, nuk keni asnjë të drejtë të ankoheni se si qeveriset bashkia juaj, rrethi ose vendi.

Shpresoj që edhe numërimi i rezultateve të këtyre zgjedhjeve të jetë korrekt dhe të pranohet nga të gjitha palët, ashtu që bashkëkombësit e mi, më në fund, të mund të thellojnë dialogun e tyre dhe të venë në dukje respektin e tyre ndaj njëri tjetrit dhe pikëpamjeve të ndryshme politike- si kundërshtarë politikë e jo si armiq - gjë që është jetësore për një funksionimin normal të një vendi demokratik si Shqipëria, për ta bërë atë një vend të lumtur e të begatë për të gjithë. Kjo nuk është koha për të hequr dorë nga ëndrrat dhe për të dorëzuar mundësitë që e presin kombin në të ardhmen duke mos penguar ecjen e kombit në rrugën e fatit historik.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0