Zgjidhja? Çaushesku!
Mos prisni shpëtim nga Amerika apo BE-ja. Përpos faktit se manipulimi i votës ka ndodhur nën hundën e tyre, Berisha e di mirë se këta "iriqë pa gjemba", do ta mbështesin rezultatin.
Gary Kokalari
Si rezultat i injorancës në financa dhe komplotit me skema piramidale si ato të Vehbi Alimuçës, Berisha solli falimentimin e Shqipërisë dhe i vuri zjarrin vendit në 1997-n. Gjaku i mijëra shqiptarëve të vdekur në kaosin e krijuar, vazhdon ende të pikojë nga duart e tij. Në 2005-n, Berisha gënjeu sërish gjatë rrugës së tij për të rimarrë pushtetin. Bëri premtime të mëdha për luftë kundër korrupsionit që sot rezultojnë false, dhe thjesht "u shndërrua" në dhelprën që bën roje në kotecin e pulave.
Mënyrat e tij djallëzore dhe kriminale dolën në sipërfaqe në 2008-n me shpërthimin në Gërdec, që solli vdekjen tragjike të 26 shqiptarëve, si dhe me përpjekjen e firmës "AEY" për të mashtruar qeverinë e SHBA-ve; me ndihmën zyrtare të qeverisë shqiptare, për të mos thënë asgjë në lidhje me "aksidentin automobilistik" që vrau Kosta Trebickën.
Shenjat e gishtave të familjes Berisha mund të gjenden lehtësisht në skenat e krimit në Gërdec dhe "AEY". Gjatë rrugës së tij, Berisha minoi parimin kyç të demokracisë, lirinë e fjalës, duke intimiduar mediat që kritikonin sundimin e tij diktatorial. Më pas, ai kreu mashtrimin e madh elektoral të 2009-s, me qëllim konsolidimin e kthetrave të tij në pushtetet.
Ashtu siç kam shkruar edhe më parë, Berisha e ka parë Tiranën si copën kryesore të pazëll-it, që do t'i mundësonte forcimin e pushtetit diktatorial në Shqipëri, ndërkohë që pasuron veten dhe familjen e tij. Me poshtërimin që pësoi nga rezultati i zgjedhjeve vendore në Shqipëri, grabitja e rezultatit të Tiranës u bë vendimtare për të. Vetëm kjo grabitje i shpëtonte atij fytyrën jashtë e brenda PD-së. Nuk duhet të ketë asnjë lloj dyshimi mes shqiptarëve se, Berisha e ka vendosur rezultatin e zgjedhjeve të Tiranës që përpara 8 majit.
Me këtë, Berisha i vuri vulën mashtrimeve të përsëritura elektorale. Shqiptarët tashmë duhet të kenë të qartë diçka: Nëse ai ia del me sukses të marrë me dhunë pushtetin lokal në Tiranë, ky është sinjali më i qartë që ai nuk do të iki më kurrë nga pushteti në Shqipëri, as tani, as në 2013-n dhe as për aq kohë sa merr frymë.
Mos prisni shpëtim nga Amerika apo BE-ja. Përpos faktit se manipulimi i votës ka ndodhur nën hundën e tyre, Berisha e di mirë se këta "iriqë pa gjemba", do ta mbështesin rezultatin. Ata do të vazhdojnë të rrinë gjysmë-fshehur nën gurë, për sa kohë që stabiliteti do të ekzistojë. Për këtë arsye, ka vetëm një leksion që Sali Berisha - dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, për sa i përket - do të kuptojnë. Vetëm një. Ai është i njëjti leksion që populli i Rumanisë i dha Nikola Çausheskut.
Comments (0 posted)
Post your comment