Home | Opinion | Një rezultat shumë i parashikueshëm

Një rezultat shumë i parashikueshëm

image
 Tirana është copëza e fundit e një mozaiku që do t'ia plotësonte Berishës gjithçka që do - pra dominimin e Shqipërisë - politikisht dhe ekonomikisht.

 

 

Gary Kokalari

 

 


Në e-mailin që i dërgova Tom Countryman-it dhe zyrtarëve të tjerë të shtetit më 23 prill 2011, shkruaja: "Nëse mendoni se Berisha do të marrë parasysh kërkesat tuaja për zgjedhje sipas rregullave, atëherë jeni naivë në mënyrë të paimagjinueshme. Berisha do të bëjë gjithçka që të fitojë zgjedhjet, madje mund të përsërisë dhe një herë episodet me mbushje kutish elektorale.

Dhe kjo ndodh sepse ai e di tepër mirë që pavarësisht se ç'veprim ka ndërmend të bëjë, kur t'i japë fund gjithçkaje, ju dhe kolegët tuaj nuk keni për të ndërhyrë. Nëse nuk e detyrojnë të veprojë ndryshe, mos kini dyshim që ai e dëshiron Tiranën, sepse ai është diktator dhe vjedhës. Tirana është copëza e fundit e një mozaiku që do t'ia plotësonte Berishës gjithçka që do - pra dominimin e Shqipërisë - politikisht dhe ekonomikisht.

Prej çka më thonë, ka shumë pak gjasa që kukulla Basha të fitojë në zgjedhje të lira e të ligjshme, kështu që, nëse fitorja i dhurohet atij, bëhuni gati për trazira në Shqipëri"
Disa mund të mendojnë se parashikimi im është prej fallxhori, mirëpo megjithëse do të doja të kisha aftësi që të shihja në të ardhmen, nuk i kam.

Por nuk duhet ndonjë sferë e kristaltë që të bësh këtë parashikimin e mësipërm - ky është një konstatim që e nxjerr nga përvojat e drejtpërdrejta që kam me Sali Berishën, që e njoh për burrë egoist, pa skrupuj, gënjeshtar të sëmurë që nuk ndalet para asgjëje që i garanton kontrollin e pushtetit.
E pranoj që opinionet e mia për Berishën janë deri diku të anshme, dhe përfundimet e mia mbi zgjedhjet bazohen tek fakti që e njoh prej kohësh Berishën, dhe besoj që ujku edhe kur ndërron qimen, nuk i harron zakonet.

Megjithatë, një konkluzion më empirik mbi rezultatet e zgjedhjeve në Tiranë është kryer nga Mark Kosmo, një shqiptaro-amerikan i cili është doktor i shkencave ekonomike, dhe ka punuar më parë për Bankën Botërore. Shkurt, zoti Kosmo ka analizuar rezultatin e 250.000 votave të hedhura në Tiranë, të cilat ishin 50% për Ramën e 50% për Bashën, me një diferencë prej vetëm dhjetë votash që ia jepte fitoren Ramës. Por pasi u numëruan këto vota, si me magji u shfaqën nja 300 vota të panumëruara nga KQZ-ja e kontrolluar nga Berisha.

Më vonë KQZ-ja e deklaroi Bashën fitues me 81 vota më shumë se Rama. Por, pavarësisht nga ky rezultat z. Kosmo tregoi qartë që te këto vota të shfaqura në mënyrë të çuditshme, se në këto 300 vota 67% ishin në favor të Bashës. Sipas z. Kosmo, shansi që 300 veta të zgjedhur "rastësisht" në elektorat të kenë një ndryshim statistikor nga totali i 250.000 votuesve, është 1 në 200 milion. Pra, mund të themi që ka po aq shanse, saç ka mundësi që vdekja e Kosta Trebickës të jetë aksidentale.

Me këto vota fantazmë të gjetura në kuti votimi me vula të parregullta, e ku rezultojnë më shumë fletëvotimi se sa votues, dhe po të kemi parasysh sjelljen e pistë, jo ligjore të KQZ-së së kontrolluar nga Berisha, jemi duke u bërë të gjithë dëshmitarë të një operacioni aborti që po kryen një doktor me emrin Berisha mbi atë pak demokraci që ekziston në Shqipëri.

Dhe këtë e themi duke marrë parasysh vetëm çka ka ndodhur pas zgjedhjeve të 8 majit. Sepse nuk po marrim parasysh mashtrimet e manipulimet që kanë ndodhur para zgjedhjeve. E megjithatë nuk ka për të pasur kurrë ndonjë hetim të rezultateve zgjedhore, për të njëjtën arsye që nuk ka pasur hetime as për vdekjen e Kosta Trebickës, dhe për të njëjtën arsye që qeveria e Berishës nuk ka për ta hetuar kurrë krimin që "AEY" ka bërë ndaj SHBA-ve.

Dhe kjo ndodh, sepse Berisha ka frikë nga e vërteta. Ajo do ta nxirrte para të gjithëve si një diktator të korruptuar, ashtu siç është.
Është shumë ironik fakti që KQZ-ja e kontrolluar nga Berisha nuk e pati problem të hapte kutitë e zgjedhjeve lokale në Tiranë, po nuk e pa të arsyeshme të hapte kutitë e zgjedhjeve parlamentare në 2009. Nëse ky qenka fati i demokracisë në Shqipëri, atëherë ndoshta s'ka pse të lodhemi e të mbajmë zgjedhje fare.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00