Paradokset e zgjedhjeve lokale të 8 Majit 2011
Megjithatë fushata ishte mirëfilli ideologjike vetëm në Tiranë e në mjetet e fuqishme të informimit. Fushata e koalicioneve dhe e politikanëve përfaqësues të tyre ishte thellësisht ideologjike por zgjedhjet e bëra nga qytetarët ishin tejet pragmatike.
Nga Shenasi Rama
(Përralla 38-Nga seria 1001 Përrallat e Tranzicionit)
Këto zgjedhje lokale do të mbahen mend si një nga zgjedhjet më të mira që ka zhvilluar populli shqiptar. Ashtu si edhe e kam vënë në dukje në përrallën e mëparshme, këto zgjedhje do të mbahen mend edhe për sjelljen egocentrike dhe aspak të moralshme të parisë së Tiranës, e cila kontraston shumë me sjelljen e shqiptarëve. Gjithashtu këto zgjedhje do të kujtohen e analizohen edhe për një numër paradoksesh. Këto mund të mos jenë të veçanta për shqiptarët por janë të rëndësishme sepse shërbejnë si tregues të krizës së thellë të shtetit, të shoqërisë shqiptare, të dështimit të tranzicionit e mbi të gjitha të papërgjegjshmërisë politike të parisë sunduese të Tiranës. Ndër paradokset më të spikatura dhe që mendoj se do të duhet të debatohen më me kujdes në të ardhmen, sepse janë tregues të qartë të gjendjes ku është demokracia shqiptare, janë edhe këto paradokset e rreshtuara më poshtë. Natyrisht ka edhe të tjera por këto janë qartësisht të evidentueshme edhe me një analizë krejtësisht të përciptë të procesit nga cilido analist apo komentator politik.
1- Gjendje kritike dhe premtime idilike
Së pari, edhe pse vendi është në një krizë të thellë ekonomike, premtimet ishin në nivele tragjikomike. Nga një anë, gjendja e vendit nuk duket aspak shpresëdhënëse. Edhe me një vështrim të përciptë, të dhënat që botohen tregojnë një gjendje krizë të thellë e që po acarohet në mënyrë intensive. Kështu, sipas INSTAT niveli i punësimit ka rënë me 5.9% në krahasim me vitin e kaluar (që do të thotë se, duke lënë mënjanë ata që nuk kishin punë, një në 16 shqiptar nuk e ka punën që e kishte vjet), borxhi i shtetit u rrit me 500 milionë dollarë të tjerë, inflacioni është rritur me 4.7% zyrtarisht, e realisht, në formën e rritjes së çmimeve. Edhe më shumë, sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga emigrantët janë pakësuar me rreth 15%. Po kështu, në prill 2011 deficiti tregtar u rrit me 19.5% në krahasim me vitin e mëparshëm, dhe eksportet ranë me 16.3% në krahasim me marsin e viti 2010. Shteti shqiptar humbi një shkallë në klasifikimin lidhur me besueshmërinë e marrjes borxh dhe u detyrua të marrë një hua me interes shumë të lartë. Edhe në këto momente që po shkruaj shteti është krejtësisht i dëshpëruar për të ardhura dhe përgatitet të shesë e të privatizojë edhe 1280 objektet e fundit në pronë të shtetit. Në një vend ku prodhohet pak e ku mungon baza e mirëfilltë industriale, ky është fillimi i fundit të sistemit të ndërtuar prej parisë. Tashti e mbrapa paria ka dy rrugë: ose të fillojë e të hajë veten, çka nuk do ta bëjë, ose do të luftojë të hedhë barrën mbi shqiptarët duke vendosur taksa të reja mbi mjetet, mbi pronat (që atëherë duhet të ligjërohen) e mbi bizneset e vogla.
Shkurt, situata ekonomike e shoqërore është e rënduar për të mos thënë tragjike. Premtimet elektorale, megjithatë, ishin për projekte marramendëse e krejtësisht të pabesueshme. Po të lëmë mënjanë shprehjet e pakuptim “se Shqipëria është Mis Bota” etj. Miliardat që u premtuan për rrugë, për projekte turistike, ura, tunele, fshatra turistike, etj. Në të gjitha bashkitë e komunat që tashmë shihen si me të ardhme të sigurtë në fushën e turizmit, përfshi këtu edhe Bilishtin, Ballshin e Dumrenë, nuk dihet nga do të vijnë. Shteti është i falimentuar, por bën amnisti fiskale. Paradoksi është se shteti shqiptar lyp para gjithkah e nuk i jepet borxh, por prapë, në fushatë, zyrtarët premtojnë tunele, rrugë që nuk të çojnë në fabrika apo uzina por në fshatra të humbur ose të shtëpia e deputetit apo e kryetarit të komunës, investime që nuk hapin punë, përveç për sipërmarrësit e lidhur me pushtetin dhe që e bëjnë jetën më të lehtë për ata që kanë mënyra të tjera jetese.
2- Flamuri i unitetit dhe thellimi i prekshëm i ndasive
Së dyti, të dy koalicionet zhvilluan një fushatë mbarëkombëtare, në sipërfaqe të kontrolluar nga partitë e me një përpjekje të dukshme për të ruajtur apo për të fituar mbështetje sa më të gjerë. Megjithatë, nuk mund të mos vihet re se ndarjet fshat-qytet e Jug-Veri ishin shumë të qarta dhe të theksuara fort, shumë më tepër se në zgjedhjet e tjera të mëparshme. Nuk është ekzagjerim më thanë se Aleanca për Qytetarin fiton vetëm komunat e fshatrave apo të lokaliteteve të vetëquajtura qytete. Jo vetëm që kjo u vërejt, por u se AQ fitoi shumë vota në qytete, por u vërejt se edhe ato vota që fitoi, AQ i fitoi me katundarët e fshatarët e rënë nga malet. Nga Vermoshi në Leskovik, nga Tropoja në Bilisht, harta e fitores së AQ ndjek vijën e vargmaleve që me thënë të drejtën janë njëlloj si në Jug ashtu edhe në Veri, se Shteti shqiptar është vendi i maleve të thepisura dhe i malokëve. Aq shumë kemi qenë të lidhur me malet sa edhe qytetet si Gjirokastra e Berati i kemi ndërtuar në male, bile sa më të thepisura, aq më të dashura për ne. Nga ana tjetër, shumica dërmuese e qyteteve (me përjashtim të qytetit më të madh fushor të vendit, aq fushor sa përmbytet pesë herë në vit) u fituan nga Aleanca për të Ardhmen.
Kjo ndarje nuk e zbeh fare ndarjen e thelluar edhe më shumë këto vitet e fundit, ndarjen Jug-Veri. Në masë dërmuese qendrat kryesore të Jugut votuan AA e ato të Veriut votuan AQ. Po të lëmë mënjanë Bilishtin e Hasin, Shllakun, Temalin e Lekbibajn, shihet qartë se mbështetjet politike për koalicionet janë edhe në baza rajonale. Shqiptarët kanë nisur që të ecin në rrugë të kundërta dhe është më e lehtë që të shtyhen për tu përplasur me njëri-tjetrin. Shqipëria është e mbushur me male, aq shumë sa me përjashtim të Shkodrës, e zonës bregdetare, shumica e qyteteve janë në male, e këtu nuk bëjnë përjashtim edhe Vlora edhe Saranda.
Këtu nuk mund të mos vihet re se strukturat feudale, të manifestuara në formën e pashallëqeve partiake, janë të konsoliduara po ashtu në baza rajonale. Pavarësisht se kush është në krye të klanit respektiv, Ridvan Bode apo Stefan Cipa, Qazim Sejdini apo Jozefina Topalli, influenca e qendrës është e kufizuar për shkak të funksionimit efektiv të makinës elektorale lokale që tashmë duket se është e konsoliduar. Partitë, mjetet e propagandës e mediat janë në Tiranë por makinat politike lokale janë shumë të konsoliduara dhe veprojnë me një autonomi të theksuar. Kjo ishte një dukuri që u vu re në vitin 2007 por që tashmë është një fakt shoqëror dhe që do të ketë influenca në të ardhmen.
3- Fushatë thellësisht ideologjike por zgjidhje pragmatike
Fushatat ishin thellësisht ideologjike. Kundërvëniet ishin si gjithnjë të mbështetura në ndasinë komunistë-antikomunistë të maskuar keq me termat e pakuptimtë ‘të djathtë’ e ‘të majtë’. Me kohë, AQ ngriti një numër çështjesh pseudoideologjike që i përdori për të futur pishat e për të ndarë popullin, thjesht sepse loja u luajt me simbolet dhe në nivelin simbolik. Duke i cytur e shtyrë njerëzit që të identifikohen me një grup ose me një tjetër, AQ dhe AA synuan që të bëheshin monopolizuesit e një tradite të caktuar politike.
Përmendja e lidhjeve familjare të disa udhëheqësve e deputetëve të PS me figura qendrore të sistemit të shkuar, përcaktimi si ‘neo-bllokmene’ i udhëheqësve të rinj të PS, ngritja e çështjes së Piramidës e të ndërtimit të parlamentit, theksimi i krimeve të sistemit të dikurshëm por edhe vënia në qendër e përvojave të persekutuarve e me rradhë, ishin taktika të ndjekura me konseguencë nga PD. Po ashtu edhe kundërvënia nga PS nuk ishte e zhveshur nga simbolizmi ideologjik, anipse shumë më i fshehur dhe i paraqitur si kundërvënie ndaj sundimit të PD dhe të LSI që u paraqitën si të zhveshura nga çfarëdo lloj përgjegjshmërie shtetërore.
Megjithatë fushata ishte mirëfilli ideologjike vetëm në Tiranë e në mjetet e fuqishme të informimit. Fushata e koalicioneve dhe e politikanëve përfaqësues të tyre ishte thellësisht ideologjike por zgjedhjet e bëra nga qytetarët ishin tejet pragmatike. Platformat ishin mbarëvendore por zgjedhjet ishin krejtësisht lokale, pragmatike e të kontrolluara nga klanet të pavarura nga qendrat e partive. Ndarjet në komunistë-anti-komuniste janë të tejkaluara dhe pragmatizmi i qytetarëve është krejtësisht i dallueshëm. Në shtetin shqiptar nuk bëhet më politikë me identitet por me interesa.
Në të gjitha nivelet lokale shumica dërmuese e njerëzve u përqendruan tek kandidatët, tek strukturat e tyre, dhe pazari elektoral ishte i bazuar krejtësisht në interesa imediate. Tregtia me votat ishte shumë intensive dhe trami elektoral me votat përfshinte legalizimet (ose premtimet për legalizim), përfitimet prej pushtetit qendror, vendet e punës, dhe allishverishet e zakonshme të luajtura sipas një politike klanore tashmë mbizotëruese.
4- Zgjedhje demokratike dhe politikanë të kriminalizuar
Një paradoks tjetër ishte edhe mundësia që u krijua për forca politike e individë që të merrnin pjesë në zgjedhje dhe të provonin si fuqinë e tyre ashtu edhe mbështetjen që kanë në popull. Në lidhje me korrupsionin masiv e të gjithkundgjindshëm, këto vitet e fundit nuk kanë qenë të ndryshme nga vitet e shkuara. E megjithatë, ngjarje si Gërdeci, shitja e kufijve dhe e detit, korrupsioni i hapur e i ligjëruar qeveritar, ngjarjet e 21 janarit, e me rradhë duhej të linin një shenjë tek votuesit. Kudo tjetër votuesit duhej të ishin menduar dy herë përpara se të zgjidhnin apo të mbështesnin individë të tillë të korruptuar e të kriminalizuar.
Ajo që ra në sy ishte mbështetja e madhe e marrë nga individë tërësisht të kriminalizuar apo të akuzuar për krime të përbindshme. Partia Demokratike mori 140 vota me shumë, LSI fitoi 40 mijë vota më tepër se në vitin 2009. E kjo ndodh kur liderët e kandidatët e koalicionit qeveritar, Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, e me rradhë janë të akuzuar haptazi për korrupsion. Nuk bën përjashtim as krahu tjetër kur një komunë si Libofsha kthehet e voton për kandidatin e PS, edhe pse kontrolluesi i makinës elektorale atje, Dritan Prifti, është i akuzuar për marrje ryshfeti 70,000 euro kur ishte ministër I LSI-së.
Edhe pse votuesit janë të paditur, e nuk e dinë të mirën e tyre, demokracia në Shqipëri mund të funksionojë edhe në këtë mënyrë të përçudnuar. Por me sa duket votuesit shqiptarë sot votojnë për interesin e ngushtë sepse nuk shohin interesa të tjera të përbashkëta. Po t’iu hapen sytë dhe të kuptojnë se e mira e përbashkët është edhe në të mirën e tyre personale, atëherë ata mund të votojnë ndryshe. Vetëdija e tyre shihet edhe në votimin për Tiranën apo në raste të tjera si në Durrës kur votat për Këshillin Bashkiak u dhanë për një parti e votat për kandidatin për Kryetar Bashkie u dhanë për dikë tjetër.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm që shpjegon shumëcka është edhe politizimi në ekstrem i strukturave zgjedhore në të gjitha nivelet. Krahas politizimit duket edhe një nivel shumë i lartë i korrupsionit politik. Ashtu si komisionerët, edhe anëtarët e KQZ u paraqitën si të varur pa kushte nga politika e me çka po shihet edhe vendimi i Kolegjit Zgjedhor do të jetë i varur nga pazaret që do të bëhen në ditët e ardhshme.
Kjo sjellje e elektoratit është një shenjë e qartë se kemi makina elektorale lokale që kontrollohen prej parisë së Tiranës, por ky kontroll është tejet i brishtë dhe aleancat janë të përkohshme. Kur aleancat mbështeten në përfitimin material, atëherë gjithçka është punë çmimi. Pra, nga një anë duhet thënë se politika është bërë biznes dhe zgjidhjet që po bëjnë shqiptarët nuk janë të mbështetura në ndonjë besim në shtetin, në demokracinë apo në vlerat e mirëfillta demokratike.
Nga ana tjetër, aftësia e parisë së Tiranës për të siguruar mbijetesën e sistemit që ka krijuar varet nga mundësitë e saj për të ndarë të mirat materiale e për të garantuar interesat e parisë dytësore e të votuesve të kontrolluar prej saj më mirë se pala tjetër. E kjo nuk është një aftësi e pakufizuar apo një zgjidhje që ata nuk do ta kontestojnë. Sa më ta pakta bëhen kockat që duhet të ndahen, aq më e ashpër do të bëhet përplasja midis palëve të parisë së Tiranës.
5-Zgjedhje demokratike, por vendimet merren nga të huajt
Shqiptarët bënë zgjedhje demokratike, aq sa mundën e në kushtet që u krijuan. Por njerëzit që bënë zgjedhjet u nëpërkëmbën nga paria. Zgjedhjet u mbajtën vetëm e vetëm sepse të huajt vunë veton e tyre në çdo hap të procesit. Ishte qesharake me pa ambasadorët e huaj të premtonin, të kërcënonin, të ndanin lëvdata, e të bënin premtime nga më qesharaket, si bie fjala, ‘hyrja e juaj në BE varet nga këto zgjedhje.”
Mbas një fushate intensive polarizuese, me dy segmentet e parisë së Tiranës të mprehura për të ndezur sherrin me njëri-tjetrin, dukej se këto zgjedhje nuk do të duhej të mbaheshin. Ndërhyrja e paprecedent të pranisë ndërkombëtare që praktikisht i detyroi të merrnin pjesë në zgjedhje, tregoi para së gjithash dy gjëra. Së pari, këto pjestarë të parisë së Tiranës mendojnë ende si bajraktarët e prijësit katundarë që duan pushtetin në zonën e tyre por nuk mendojnë për shtetin. Së dyti, ndërhyrja vendimtare e të huajve tregoi se kush është në kontroll të atij shteti.
Të huajt demonstruan një front të përbashkët, dhe treguan se ata janë të zotët të shtyjnë parinë e Tiranës që të sillet në një mënyrë ose në një tjetër. Kjo është një shenjë e qartë se përgjegjësia e tyre është edhe më e madhe. Nëse ia arritën të mbajnë bashkë këto individë të përlyer e të diskredituar politikisht, atëherë pyetja shtrohet pse nuk ndikojnë që të ndryshohet sistemi zgjedhor e kështu të mundohet dalja e një klasë të re që do të bëjë një politikë të re në të mirë të të gjithë shqiptarëve? Nga sjellja e tyre në të ardhmen e afërt mbas zgjedhjeve do të kuptohet edhe sa të interesuar janë, në veçanti politikanët e BE-së për shqiptarët.
6- Pragmatizmi katundar dhe çështja kombëtare
Nuk duhet harruar se shteti shqiptar e paria e Tiranës nuk vepron në ndonjë vakum ndërkombëtar. Zgjedhjet u zhvilluan në një kohë kur po vendoset edhe fati i Kosovës dhe i të gjithë shqiptarëve. Mirëpo, kjo çështje kombëtare ishte tërësisht e papërmendur, e padiskutuar, edhe pse gjendja ka evoluar në drejtime jo të mira.
Pragmatizmi katundar i parisë së Tiranës dhe i parisë dytësore, siç dëshmohet nga zallamahia e zgjedhjeve në Tiranë e minoi plotësisht mundësinë e ndërgjegjësimit të opinionit publik shqiptar në lidhje me çështjen kombëtare. Shkurt, duke u sjellë siç sillet, paria e Tiranës ia arriti të minojë edhe një herë çështjen kombëtare mu në momentin kritik kur po nënshkruhen marrëveshje që e bëjnë sovranitetin e shteteve ku jetojnë shqiptarët edhe më të dyshimtë. Sjellja e parisë në lidhje me krizën e shtjellën që i ka përfshirë shqiptarët në Greqi, e që së shpejti do të përfshijë edhe shqiptarët që jetojnë në Itali është qartësisht e papërgjegjshme Nuk ka rëndësi kujt i shërbejnë ata por ka rëndësi ajo që bëjnë. Dhe ajo që bëjnë është tërësisht në kundërshtim me interesat shqiptare.
Megjithatë, duhet theksuar se fitorja e një numri të konsiderueshëm votash nga parti të vogla si PDIU që e paraqiti veten si parti kombëtare e me interesa kombëtare tregon se politika e identitetit nuk është e vdekur. Po ashtu mbështetja që po merr Aleanca Kuq e Zi, veçanërisht në Shkodër është një shenjë e qartë se shqiptarët nuk janë të zhveshur nga ndjenja kombëtare. Zgjidhja që ata po bëjnë është pragmatike sepse nuk shohin struktura e individë që të mbrojnë interesat e tyre në nivel lokal. Kurdoherë që del një forcë e cila synon të mbrojë idetë, vlerat, e interesat kombëtare, shqiptarët nuk hezitojnë që ta mbështesin.
Dyfytyrësia e njerëzve tanë, (që mbështesin parinë antikombëtare por edhe interesat kombëtare) është një tregues si i pasigurisë që kanë, e prandaj nuk rrezikojnë, ashtu edhe i pakënaqësisë që ndjejnë me gjendjen ku janë. E kjo është një tregues i qartë se paria e Tiranës nuk ka asgjë të sigurtë në sundimin e saj.
Comments (0 posted)
Post your comment