Fenomeni i dhunës
Dhe, përderisa parandalimi i tragjikes është më e mirë se sa kurimi dhe ngushëllimi i saj, masat duhet të ndërmerren në parandalim.
Esheref Haxhiu
Ngjarjet në skenën politike tanimë kanë filluar të mos duken aq të rëndësishme, ndër tjerash, për shkak se aktualiteti i ngjarjeve sociale, gjegjësisht ngjarjet tragjike sociale po e mbysin dhe po e bëjnë fare të parëndësishme “hocus pocusin” e politikës. Para pak ditësh, si top-lajm në media u bë e ditur ngjarja e vrasjes së një guraje 27-vjeçare nga burri i saj, ndërsa të martën e kaluar, pra pak ditë më vonë, po ashtu një lajm i zi bën të ditur vrasjen e një të riu dhe plagosjen e disa të tjerëve, si rezultat i një përleshje në mes dy grupeve adoleshentësh. Të dy këto ngjarje tragjike, pa përfshirë të tjera, përfunduan ashtu siç përfunduan si rezultat i dhunës së njeriut kundër njeriut; dhunën e familjarit kundër familjarit, dhe dhunë e shokut kundër shokut. E para ndodhi në institucionin më të rëndësishëm të shoqërisë, familjen, ndërsa e dyta, po ashtu në një institucion shumë të rëndësishëm, të dytin me radhë për nga rëndësia, pra në shkollë. Madje, ngjarja e dytë ndodhi në shkollën, ashtu siç thuhet, më elitare në Kosovë. Ndërsa, të dyja këto, fatkeqësisht, brenda pak ditësh ndodhën në kryeqytetin e vogël të Kosovës, Prishtinën.
Këto detaje, pa përfshirë edhe të tjera, ndonëse në dukje të parë mund të gjykohen si të parëndësishme, ato janë shumë të rëndësishme, jo për shkak të përshkrimit të ngjarjeve, por për shkak të qasjes në analizim të fenomenit. Këto dhe tregues tjerë të pranisë së dhunës në shoqërinë tonë na bëjnë të ditur se ekonomia dhe politika nuk janë problemet e vetme që ka shoqëria jonë. Dhe, përderisa ato nuk janë problemet e vetme, ato nuk bënë të jenë shqetësimi ynë i vetëm po ashtu. Fenomenet e shpeshta negative, si: vrasjet, vetëvrasjet, plagosjet, dhunimet dhe të tjera, nuk janë fenomene që duhet injoruar. Shoqëria civile, mediet, dhe para së gjithash ata që menaxhojnë republikën (sendet publike) duhet të kenë përgjegjësi për një qasje serioze në trajtimin dhe parandalimin e këtyre fenomeneve. Qytetarëve të Kosovës, si njerëz të dalë nga lufta, ndër tjerash u nevojitet një përkushtim serioz social, psikologjik dhe edukativ. Dhe, përderisa ky përkushtim nuk vije nga qielli, dhe nuk mund ta servojnë gjithnjë të tjerët, atëherë duhet që qytetarët e Kosovës, me theks të veçantë ata të politikës t’i ofrojnë këtë përkushtim vetvetes dhe të tjerëve rreth tyre.
Përkushtimi në trajtimin e duhur social, psikologjik dhe edukativ nuk do të thotë që do të zhdukte të keqën nga njerëzit, por së paku do të reduktonte tragjiken tek ta. Dhe, përderisa parandalimi i tragjikes është më e mirë se sa kurimi dhe ngushëllimi i saj, masat duhet të ndërmerren në parandalim. Tani jemi në vitin 2011 dhe shkollat në Kosovë ende nuk kanë psikologë, pedagogë dhe të tjerë të tillë, ndërsa vet debati për përfshirjen e tyre në shkolla shpesh herë injorohet, duke bërë që kërkesat për një gjë të tillë të bien në veshë të shurdhër. Të rinjve u ofrohet mundësia të qëndrojnë në bankat e shkollës vetëm 4 orë në ditë, ndërsa pjesa tjetër mbet në dispozicion të rrugës dhe kafeneve.
Mediet nuk janë shumë të interesuar që t’i ofrojnë audiencës së tyre programe të rëndësishme edukative, arsimore dhe kulturore, por janë të shqetësuar se si të mbulojnë hapësirën e tyre me programe koti, ndërsa, vetë audienca, e tillë siç është, e viktimizuar, pranon informacionet pa i selektuar fare ato. Prindërit në anën tjetër, të shqetësuar me rrjedhën serialeve, sportit dhe politikës nuk kanë kohë të kujdesën për brengat e fëmijëve të tyre. Ndërsa këtyre të fundit, për shkak të rrethanave të ndryshme, shpesh herë e zeza u ngatërrohet me të bardhën dhe e bardha me të zezën. Këto dhe problematika të tjera, të ndërlidhura njëra me tjetrën, jo në mënyrë lineare, por të tërthortë, vazhdojnë t’i sjellin shoqërisë sonë problemet që po i sjellin. Ndërsa ne, të hutuar me pasojat e këtyre problemeve, harrojmë shkaqet e tyre dhe ende nuk po i luftojmë ato.
Comments (0 posted)
Post your comment