Home | Opinion | Shitja e shtetit

Shitja e shtetit

image
Nuk ka kuptim që të privatizosh një sektor strategjik si energjetika apo telefonia dhe më pas të rrisësh çmimin e shërbimit. Në këtë mënyrë, kompania bëhet më fitimprurëse pasi privatizohet, d.m.th fitime që mund t’i merrte shteti...

 

 

 


Blendi Kajsiu

 

 

 

Nxjerrja në shitje e disa hidrocentraleve nga qeveria aktuale tregoi se strategjia e privatizimit nuk ka lidhje as me zhvillimin ekonomik shqiptar, as me forcimin e shtetit. Shitja e sektorëve strategjikë dhe fitimprurës si energjetika në vend, që të forcojë ekonominë, do të dobësojë edhe më tej shtetin shqiptar. Një nga arsyet themelore se përse shteti shqiptar është i dobët, është varfëria e tij. E thënë thjesht, shteti ynë nuk ka para mjaftueshëm për të kryer mirë funksionet e tij, që nga zbatimi i ligjeve deri tek politikat sociale. Shitja e ndërmarrjeve fitimprurëse si hidrocentralet do të prodhojnë një dorë para sot duke eliminuar një burim konstant të ardhurash për të ardhmen. Në këtë mënyrë, qeveria mbyll ca vrima financiare sot dhe hap disa gropa financiare për nesër.
Nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Qeveritë shqiptare kanë shitur asete kombëtare strategjike, që nga energjia deri tek telekomunikacioni, edhe pse këto janë sektorë strategjikë dhe mjaft fitimprurës. Shitja e KESH, e “Albtelekomit” dhe e operatorëve të telefonisë celulare, janë bërë të gjitha në emër të dogmës së privatizimit, edhe pse shpesh të dështuara dhe në dëm të shtetit dhe shoqërisë. Kompani si “Albtelekomi”, apo AMC, që janë privatizuar me yrysh nga qeveritë tona, kanë qenë jo vetëm mjaft strategjike, por edhe mjaft fitimprurëse për buxhetin e shtetit. Ndërsa privatizimi i kompanive si KESH nuk ka prodhuar asnjë rritje cilësore në funksionimin e tij.  E vetmja rritje që ky privatizim ka prodhuar, është rritja e çmimit të energjisë elektrike.


Kjo nuk do të thotë që operatorët privatë nuk duhen lejuar, por që asete kombëtare mjaft fitimprurëse nuk duhen hequr qafe. Nuk ka kuptim që të privatizosh një sektor strategjik si energjetika apo telefonia dhe më pas të rrisësh çmimin e shërbimit. Në këtë mënyrë, kompania bëhet më fitimprurëse pasi privatizohet, d.m.th fitime që mund t’i merrte shteti, i shkojnë operatorit privat, në kurriz të konsumatorit shqiptar dhe në dëm të shtetit shqiptar.  Kjo politikë ka kuptim vetëm nëse prioritet i qeverisë nuk është konsumatori shqiptar, por biznesi ndërkombëtar.
Fatkeqësisht, logjika e privatizimit na tregon pikërisht këtë, se qeveritë nuk kanë pasur prioritet as shtetin dhe qytetarin shqiptar. Imagjinoni fitimet që mund të sillte qoftë edhe një operator shtetëror i telefonisë celulare për buxhetin e shtetit. Telefonia celulare në fund të fundit është një treg i garantuar, që me një investim konstant teknologjik sjell fitime të mëdha. Po kështu është edhe sektori energjetik, që në thelb ka një treg të garantuar dhe thuajse monopol. Ndaj, ‘heqja qafe’ e këtyre sektorëve thjesht e varfëron më shumë shtetin shqiptar, që më pas futet në borxhe në tregjet ndërkombëtare financiare për të paguar shtrenjtë firmat ndërkombëtare që shtrojnë rrugët tona kombëtare.


Natyrisht, dikush me siguri do të protestojë në këtë pikë, duke thënë se shteti shqiptar është tërësisht i paaftë dhe nuk mund të menaxhojë mirë ndërmarrjet publike, që për më tepër janë burim korrupsioni. Së pari, kur bëhet fjalë për monopole si sektori i energjetikës, është më mirë që monopoli të jetë publik sesa privat, pasi në të dyja rastet do të kemi inefikasitet në menaxhim. Ama, në rastin e monopolit publik firma do të jetë më e ndjeshme ndaj nevojave të konsumatorit, sesa në rastin e monopolit privat. Së dyti, firmat e mëdha që nuk kanë një pronar të vetëm, por kontrollohen nga shumë aksionerë nuk kanë shumë ndryshim në funksionim dhe menaxhim nga firmat që janë në pronësi të shtetit. Në të dy rastet kemi të bëjmë me struktura të mëdha burokratike. Së treti, firma mjaft të suksesshme (si p.sh. “Albanian Mobile Communications”, AMC) janë themeluar dhe menaxhuar me mjaft fitim nga vetë shteti shqiptar, edhe pse më pas janë privatizuar badiava.
Së fundi, ideja që privatizimi eliminon korrupsionin është një çerek e vërtetë që mbulon një gënjeshtër të plotë. Privatizimi mund të reduktojë korrupsionin e vogël, siç është ryshfeti, por ai prodhon një korrupsion edhe më të madh, siç është kapja e shtetit. Mjafton të kujtojmë këtu se privatizimi i KESH u shoqëruar me rritje çmimi të energjisë që mbulohet nga konsumatori dhe nga shteti shqiptar. Pra, shteti i varfër shqiptar sot subvencionon fitimin e CEZ duke ia shitur energjinë më lirë këtij operatori! Mjafton të kujtojnë këtu se firmat e telefonisë celulare e kanë rrjepur konsumatorin shqiptar në mënyrë sistematike këto dhjetë vitet e fundit, ndërkohë që shteti shqiptar as nuk e ka pasur dhe as nuk e ka takatin t’i kontrollojë dhe disiplinojë ato.

Madje edhe ligje që synojnë rritjen e konkurrencës mes kompanive celulare duke lejuar ndryshimin e operatorit pa ndryshuar numrin, kanë kohë që janë bllokuar. E megjithatë, askush nuk proteston për këtë. Jo vetëm shteti, por edhe media është e kapur nga ky sektor nëpërmjet reklamës dhe financimeve të tjera. Pa folur për lidhje të tjera të shkurtra; politikë-faktor, ndërkombëtar-biznes.
Epo mirë, mund të thotë dikush në këtë pikë, është faji i shtetit që nuk i kontrollon privatët. Ama arsyeja se përse shteti ynë është kaq i dobët dhe pa takat, është pikërisht si pasojë e këtij procesi privatizimi të vazhdueshëm të vetvetes. Procesi i privatizimit prodhon një shtet të vogël dhe të varfër përballë një sektori privat më të madh dhe më të pasur. Në fund të fundit, procesi i privatizimit kalon asetet strategjike dhe fitimprurëse publike dhe kombëtare në duar të operatorëve privat. Natyrisht që kjo forcon privatin dhe dobëson shtetin.


Një shtet i varfër dhe i dobët prodhon një pushtet klientelist që, në pamundësi për të trajtuar nevojat e elektoratit me politika sociale dhe ekonomike, përdor shtetin për mbajtur pushtetin. Shkurt, pushteti po e përdor shtetin si nja plaçkë për të kënaqur nevojat imediate të qeverisë dhe klientët e saj lokal dhe ndërkombëtar. Duke shitur gjithçka qeveria po na lë trashëgim, një shtet që varfërohet çdo ditë dhe që për pasojë kontrollohet mjaft lehtë nga klientelat e pushtetit, të cilat pasurohen nëpërmjet procesit të privatizimit. Një shtet që del në shitje nuk mund të kontrollojë blerësit e vet.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00