Home | Opinion | Mbi fuqinë e fortë, të butë dhe të mençur

Mbi fuqinë e fortë, të butë dhe të mençur

image
Njëlloj, edhe për parti politike, gjetja e një raporti të drejtë midis fuqisë së fortë dhe asaj të butë, përzierja e duhur e tyre përbën thelbin e fuqisë së mençur, të realizuar prej kësaj partie, në qeverisje apo opozitë.

 

 

 

 

Rexhep Mejdani

 

 

Menjëherë pas zgjedhjeve vendore (ku në Tiranë spikatën dy “teknologji” fushate: njëra e “fortë”, tjetra e “butë”), unë mora pjesë si folës dhe panelist në simpoziumin ndërkombëtar me titull “Fuqia e fortë  ndaj asaj…të butë në politikat lokale e globale” (“Hard Vs. Soft Power in Local and Global Politics”- ICD-Berlin). Aty, me anë të internetit, ndoqa dhe mbarëvajtjen e procesit të numërimit. Disa gjëra më krijuan dyshime dhe nuk më lanë shije të mirë. Por edhe ngjarjet e mëvonshme nuk është se ma përmirësuan atë shije!…  Bllokimet e komanduara gjatë procesit të numërimit, ndryshimet e rezultatit në KQZ me një votë praktikisht partiake, pushtimi i hapësirës brenda tij për disa orë nga disa deputetë të PS-së, protestat e përditshme të opozitës jashtë tij dhe, së fundi, vendimi “pa dorëza” i Kolegjit Zgjedhor, më “detyruan” që të sistemojë edhe njëherë disa mendime të ekspozuara në Berlin mbi raportin e fuqisë së fortë ndaj asaj të butë në procese të ndryshme, përfshirë dhe ato zgjedhore. Natyrisht, për t’ia përcjellë pjesërisht lexuesit të gazetës, edhe pse “YuoTube”-istët do të bëjnë çmos që ta “turbullojnë” atë…

Fuqia e fortë dhe e ajo e butë
Format konkrete të organizimit, dominimit e varësisë së fuqisë mishërojnë në vetvete bazën e aktivitetit dhe ndërlidhjes së saj në rrafshin politik-ligjor, social-ekonomik, në marrëdhëniet ndërkombëtare etj. Në mënyrë të veçantë, përbërja dhe ndryshimet, pamjet konkrete potenciale dhe kinetike të fuqisë janë të lidhura ngushtë me politika apo skenarë të ndryshëm në realitete konkrete lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Sidoqoftë, arritja apo shtimi i çdo lloj fuqie nuk është pa kosto, përfshirë dhe fitimin e një fuqie të pamerituar, siç u konstatua në zgjedhjet e fundit vendore, në Tiranë! Kjo, me gjithë “dëshirën” e mirë, do të rrisë “kujdesin” demokratik deri duke frenuar deri diku vetë procesin e integrimit të Shqipërisë…
Nisur nga fakti që fuqia është pjesë inherente  e shtetit, mund të pohohet lehtë se nuk mund të ketë qeverisje pa fuqi. Kurse, në përgjithësi, roli i elementeve të ndryshme të fuqisë, koercitivë ose jo, nuk është i njëjtë: në një moment të dhënë, një element bëhet i dorës së parë, ndërsa në një moment tjetër ai rezulton gati-gati i parëndësishëm. E njëjta dinamikë pasqyrohet dhe në dallimin midis të ashtuquajturave “fuqi e fortë” (“hard power”) dhe “fuqi e butë” (“soft power”). Fuqia e butë ka të bëjë me atë lloj ndërveprimi që lidhet me diplomacinë, artin, kulturën, historinë etj. Ajo mund të realizohet, krahas qeverive, edhe nga vetë qytetarët. P.sh., në politikën e jashtme, ajo mund të realizohet edhe nga mjaft aktorë të tjerë (si struktura e institucione ndërkombëtare, OJQ të rëndësishme etj.). Në historinë njerëzore, personalitete të tilla si Gandi, Martin Luter King etj., janë të njohur si përfaqësues të përveçëm të fuqisë së butë. Në kontrast me fuqinë e butë, fuqia e fortë bazohet në imponim e detyrim, madje ajo shfaqet si një fuqi agresive, e realizuar nga kërcënime e trysni fizike-financiare, me anë sanksionesh e diplomaci koercitive, deri dhe me ndërhyrje ushtarake. Në mishërimin e pushtetit politik, fuqia e fortë shoqërohet me përdorim force e dhunë policore; po aq të rëndësishme janë sanksionet ekonomike në ushtrimin e trysnisë për marrjen dhe ruajtjen e këtij pushteti, apo, në përgjithësi, kontrolli e ndikimi mbi sjelljen e strukturave të tjera. Kjo është vënë re edhe tek ne, p.sh., në trysnitë politike mbi institucione të tilla si ai i Presidentit të Republikës, i prokurores së Përgjithshme etj., deri në përdorimin e armëve ndaj protestuesve. Gjithashtu, kohët e fundit, institucione të konsideruara si neutrale (KQZ, Kolegji Zgjedhor etj.), ligjërisht përfaqësuese të fuqisë së butë, janë shndërruar, nën këtë trysni, në struktura përfaqësuese të fuqisë së fortë…

Fuqia e mençur
Sipas Joseph Nye, në administratën “Bush”, theksi kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare vendosej mbi fuqinë e fortë. Pavarësisht një perceptimi të kundërt, edhe administrata “Obama” nuk mund të konsiderohet si e butë, në kuptimin e rolit të saj ndërkombëtar. Në fakt, ajo sintetizon atë që quhet sot “fuqi e mençur” (“smart power”) – një përzierje të fuqisë së fortë dhe asaj të butë. E tillë, p.sh., ajo pasqyrohet në trajtimin e krizës libiane, apo, në përgjithësi, të “pranverës arabe”; sidomos me shmangien e përfshirjes së saj të drejtpërdrejtë në Libi, si vend të tretë (krahas Irakut dhe Afganistanit) me popullsi myslimane. Bile, ndryshe nga administrata “Bush” që, pa arritur në miratimin e një rezolute të dytë, ndërmori ndërhyrjen në Irak. Veçse një gjë e tillë prodhoi në botë një kosto të lartë për fuqinë e butë amerikane, për shtrirjen e lirisë dhe demokracisë amerikane! Konkretisht, administrata “Obama” nuk hezitoi të përdorë fuqinë e fortë për eliminimin e Bin Ladenit në territorin pakistanez; pra, nga njëra anë, shfrytëzohet fuqia e fortë për raste të domosdoshme dhe, nga ana tjetër, bëhet gjithçka për të bashkëpunuar, për të gjetur mbështetje në popullsinë myslimane, për të respektuar fenë e saj, mënyrën e jetesës, kulturën, traditat etj. Aq më tepër që jo gjithçka mund të fitohet me fuqinë e armëve!… Kjo, edhe pse me anë të armëve mund të garantohet e realizohet mbrojtje dhe liri (si në rastin e popullit shqiptar të Kosovës)…
Deri tani, BE-ja ka mishëruar më shumë një fuqi të butë, ndryshe nga NATO-ja, që në shumicën e rasteve ka ushtruar fuqinë e fortë (por nuk kanë munguar rastet e një manifestimi të fuqisë së butë si p.sh. gjatë administrimit të kampeve të refugjatëve apo ndihmave humanitare në krizën kosovare). Parë në këtë kuptim, Europa duhet ta shfrytëzojë më mirë asistencën ekonomike jo vetëm si shprehje të fuqisë të butë, por dhe si variant të fuqisë së fortë. Ajo duhet të përmirësojë, nga ana tjetër, edhe kapacitetin e saj të përdorimit të forcës së sigurisë. E thënë ndryshe, përveç fuqisë së saj të dukshme si fuqi e butë, ajo duhet të rrisë edhe fuqinë e saj të fortë, për ta kombinuar më mirë me të parën, për të arritur te fuqia e mençur. Njëlloj, edhe për parti politike, gjetja e një raporti të drejtë midis fuqisë së fortë dhe asaj të butë, përzierja e duhur e tyre përbën thelbin e fuqisë së mençur, të realizuar prej kësaj partie, në qeverisje apo opozitë. Kjo duhet pasur parasysh, p.sh., për vetë PS-në në aksionin e mëtejshëm politik pas zgjedhjeve.

Fuqia e butë mund të jetë e fortë dhe fuqia e fortë mund të jetë e butë
Në marrëdhëniet diplomatike, fuqia e fortë mund të shfaqet kur gjatë bisedimeve përfshihet presioni e kërcënimi. Në këtë kuptim, në situata të ndryshme, fuqia e butë mund të jetë e fortë dhe fuqia e fortë mund të jetë e butë. Kështu, p.sh., në kap. V dhe VI të Kartës së OKB-së, çdo rekomandim i dhënë aty mund të klasifikohet si i butë. Problemi ndryshon kur i referohemi kap. VII. Aty, neni 39 i këtij kapitulli mund të konsiderohet vetëm si pikënisje zhvendosjeje nga fuqia e butë tek ajo e fortë; ndryshe nga neni 41, ku masat e ndryshme të theksuara në këtë nen fitojnë një përmbajtje koercitive, por, ama, jo ushtarake. Në mënyrë të qartë, ndërhyrja ushtarake dhe përdorimi i forcës përfshihet në nenin 42 (konkretisht, aty, “nëse Këshilli i Sigurimit arrin në përfundimin se masat e parashikuara në nenin 41 rezultojnë të papërshtatshme apo provohen si të tilla, ai mund të vendosë që të ndërmarrë veprime me anë të forcave ajrore, detare e tokësore, si të gjykohet e nevojshme, për të ruajtur apo rivendosur paqen e sigurinë ndërkombëtare. Aksione të tilla mund të jenë demonstrime force, bllokadat apo operacione me anë të forcave ajrore, detare e tokësore të shteteve-anëtare të OKB-së”). Hollësitë për këto të fundit, përfshirë ndërhyrjen ushtarake, përmbahen në nenet pasuese të këtij kapitulli…

Ndërhyrja ushtarake. Balanca e fuqisë dhe përdorimi i forcës. Polariteti i shumëfishtë
Për Kisingerin, balanca e fuqisë është një shprehje klasike e leksionit që na jep historia, madje, sipas tij, “kohës së superfuqive po i vjen fundi…, në vend të dypolaritetit ushtarak po inkurajohet polariteti i shumëfishtë”. Megjithatë, përafrimi i Kisingerit, i ushqyer nga sistemi europian i ekuilibrit të forcës, në rendin legal aktual është më tepër “nostalgjik”. Në botën e sotme, ku tregtia, investimet, turizmi dhe komunikimi i afrojnë gjithnjë e më tepër vendet e njerëzit, bëhet i detyrueshëm një korrelacion shumë më i mirë forcash, procesesh e faktorësh. Tepër të rëndësishme janë përpunimet e mëtejshme mbi: a) proceset demokratike që lidhen me legjitimitetin në realizimin e interesave kombëtare; b) legjislacionin ndërkombëtar në trajtimin e konflikteve brenda “dizajnit” ligjor-institucional dhe ndërtimit të konsensusit; c) diplomacinë “transformuese” e pjesëmarrëse apo kontributin e qytetarëve “diplomatë”, jashtë kanaleve zyrtarë të negocimit.

Duke analizuar këtë botë, që ende shfaqet diku si shumëpolare dhe diku si njëpolare, Bërzhinski thekson: “Bota është dhe nuk është shumëpolare. Ajo nuk është një botë liliputësh dhe një leviatani. Sepse ajo është një botë në të cilën ekzistojnë fuqi rajonale me peshë, disa prej të cilave (edhe pse perspektiva është e largët), do të arrijnë të përcaktojnë fatin e fuqive botërore. Natyrisht, Kina, ndoshta dhe India (edhe pse kjo e fundit nuk  më duket aq e mundshme). Për momentin unë nuk shoh ndonjë kandidat tjetër… Në një kuptim bazik, ne po jetojmë ende një botë tejet asimetrike. Dhe një realitet i tillë do të vazhdojë të mbijetojë derisa SHBA të mos bëjnë ndonjë “vetëvrasje” nga budallallëku i saj…” (Zbigniew Brzezinski, Një botë krejt asimetrike, Le Monde, 31.03.2011). Edhe presidenti Obama e mbështet fuqishëm multilateralizmin. Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 23 shtator 2009, ai, midis të tjerash, thekson: “Ata që janë mësuar të dënojnë Amerikën pse po vepron e vetme në botë, nuk mund të qëndrojnë më mënjanë dhe të presin që Amerika të zgjidhë e vetme të gjithë problemet… Ne kërkojmë, me fjalë dhe vepra, një erë të re angazhimi në botë. Pra, është koha për të gjithë ne që të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë për një përgjigje globale ndaj sfidave globale”. Por, dhe ndaj çdo sfide konkrete secili duhet të zhvillojë përgjegjësinë e tij.

Ndërhyrja ushtarake dhe ajo juridike si zbatim i fuqisë së fortë
Në Bregun e Fildishtë, pasi diplomacia bëri punën e saj, Parisi kaloi në realizimin e hapave ushtarakë (nën një mandat të OKB-së për mbrojtjen e civilëve). Ndryshe nga rasti i Irakut, në vend të ekspozimit të “humanitarizmit” shirakian, Franca u përfshi në operacione ushtarake, pse jo dhe për ta ruajtur influencën në një ish-koloni të saj. Në një mënyrë apo në një tjetër, pikërisht “interesi kombëtar” brenda skemës aktuale të ndërhyrjes humanitare, mund të jetë dhe motivi i vërtetë i kësaj ndërhyrjeje, edhe pse emrin e tij askush nuk e përmend. Plus që mbrojtja më e mirë e qytetarëve mund të përfshihet lehtë në logjikën e ndryshimit të regjimit! Madje, në rastin e Bregut të Fildishtë, ndryshe nga skenari i butë kenian (apo i ndërmjetësimit), u huazua skenari irakian (me përdorim force). I njëjti skenar i fuqisë së fortë po aplikohet tashmë edhe në Libi.

Edhe ndërhyrja juridike është, në thelb, një aplikim force. Në fakt, aplikimi i drejtësisë brenda sistemit ndërkombëtar është një pasqyrim i aspiratave njerëzore për drejtësi, në konflikt me normat e sovranitetit shtetëror dhe parimin e mosndërhyrjes. Pjesë e këtij pasqyrimi është krijimi i Gjykatës Kriminale Ndërkombëtare (ICC). Nëpërmjet saj arrihen të përcaktohen dhe standardet e sjelljes së drejtuesve politikë dhe ushtarakë në të gjithë botën (sidomos për vendet e përfshira në suazën e saj). Por, një evolucion i kësaj sjellje kërkon dhe kohën e vet. Sidoqoftë, pas rrëzimit të Ben Alisë apo largimit të Mubarakut, për të gjithë udhëheqësit arabë vazhdon të shtrohet e njëjta pyetje: “Mos do të jem unë ai i radhës?”. Në fakt, në shumë vende, kërcënimi i persekutimit juridik i ka bërë drejtuesit politikë e ushtarakë që të mendojnë dy herë para dhënies së urdhrit për përdorim armësh, vrasje e masakrim të civilëve të pafajshëm. Aq më keq, kur ata thjesht protestojnë ndaj padrejtësive sociale e politike! Veçse, pas fillimit të gjakderdhjes, problemi i kthimit prapa bëhet tepër i vështirë…
Me krijimin e kësaj gjykate, normalisht, eliminohet dhe varianti i mërgimit (ekzilit), që konstatohej më parë, p.sh., në mjaft vende të Afrikës. Sidoqoftë, një zgjidhje kalimtare mund të jetë dhe opsioni i përkohshëm të “viteve të lirisë” (“freedom years”), përpara dërgimit në Hagë të individëve të tillë. Ndoshta ky mund të bëhet dhe fati i Saleh-ut të Jemenit, të hospitalizuar në Arabinë Saudite. Edhe pse një rrugë e tillë ka kufizimet e veta, ajo vlen të konsiderohet si mundësi në shmangien e humbjeve të tjera njerëzore e materiale në disa nga vendet arabe. Por, jo si krekosja e sotme e Serbisë me dërgimin në Hagë të Mlladiçit, pas një periudhe fshehjeje mbi 10-vjeçare “para syve” të vetë organeve serbe!…

Cili term duhet të jetë më i rëndësishëm?
Ushtrimi i fuqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare  apo konflikte të brendshme, në mënyrë metaforike mund të jepet ndonjëherë me anë të trinomit: shkop, karotë, “çadër”. Përbërësja e parë e tij nënkupton forcën, e dyta shpërblimin apo “seduktimin”. Sipas kësaj simbolike, shkopi është mishërimi i forcës koercitive, të bazuar kryesisht në superioritetin fizik e ushtarak, veçse koercitiviteti mund të arrihet edhe me anë të mjeteve më pak të dhunshme ose pa përdorim force ushtarake. Bile, dhe vetë kërcënimi i përdorimit të forcës mund të jetë krejt i mjaftueshëm. Sidoqoftë, shkopi, në përgjithësi, nënkupton ndërhyrje ushtarake, sanksione, diplomaci koercitive etj. Kurse termi i tretë, që simbolizon “përqafimin”, “futjen në çadër” etj., shpreh një formë ende të pastudiuar mirë të fuqisë – më saktë, fuqinë kooperative, integruese, mbështetëse e mbuluese. Ajo, në vend të përafrimit hierarkik (vertikal), mbështetet në një përafrim paralel (horizontal), që nënkupton legjitimitet e lojalitet, reciprocitet e mirëbesim të ndërsjellë. Sidoqoftë, karota simbolizon një ushtrim shumë më njerëzor të fuqisë, duke manifestuar pamje konkrete shpërblimi e përfitimi, prandaj shpesh thuhet që karota funksionon më mirë se shkopi! Por, në kuadër të “teknologjisë” së karotës dhe shkopit, konstatohen ende jo pak “mbyllje sysh” ndaj proceseve demokratike apo shkeljeve të të drejtave të njeriut, sidomos në luftën kundër Al Kaedas e terrorizmit. Pikërisht këtë mbyllje të deritanishme sysh dëshmon sot “pranvera arabe”. Ajo është një revoltë popullore ndaj regjimeve autokratike, të konsideruara si partnere të “zellshme” të vendeve perëndimore; dhe e gjitha kjo në dekada, në kurriz të demokracisë së popujve të tyre! Veçse procesi i sotëm po kalon në një spirale tepër të dhimbshme, me humbje të mëdha jetësh njerëzore! Dhe nga kjo duhet nxjerrë mësimi i duhur! Jo vetëm për vendet arabe, por dhe vende me demokraci të brishtë, si ato të Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Shqipërinë!

Demokratizim apo stabilitet, ndryshim apo status quo?!
Disa nga elementet kryesore të demokratizimit politik janë: (1) rishikimi i kushtetutës, (2) reforma zgjedhore, (3) ristrukturimi i parlamentit (me një dhomë apo dy dhoma), (4) riorganizimi i partive politike, (5) ngritja dhe fuqizimi në vazhdimësi i klasës së mesme. Sidoqoftë, ndryshe nga interesa të çastit, vetë demokratizimi, përmbajtja reale e tij duhet të vlerësohet mbi stabilitetin! Për fat të keq, për vende me shqetësime ende serioze në proceset demokratike, si ato të Ballkanit Perëndimor, shumë nga përfaqësuesit e përkohshëm të organizatave kryesore ndërkombëtare apo të vendeve kryesore mike, vlerësojnë më shumë stabilitetin sesa vetë demokracinë, duke lejuar, në mënyrë “kalimtare”, vonesa shtesë në proceset demokratike e integruese. Duke harruar e mbyllur sytë se demokratizimi “fasadë” prek cilësinë e institucioneve dhe, mbi të gjitha, lirinë e qytetarëve. Aq më tepër që në këtë mënyrë rekrutimi i kapaciteteve njerëzore të dobëta, emërimi thjesht politik e nepotik i bën këto institucione krejtësisht të varura dhe aspak të shëndetshme.


Shumë i rëndësishëm përkundrejt status quo-së është ndryshimi, qoftë ai endogjen apo ekzogjen. Kështu, në rastin e ndryshimeve endogjene, zinxhiri i tyre ka pamjen: (regjim autoritar + institucione të dobëta) + demokratizim (pseudo-demokratizim)  =>  përkeqësim institucional => rikthim në autoritarizëm. Pikërisht këtë ka vuajtur, p.sh., Shqipëria e qytetarët gjatë këtij tranzicioni mbi 20-vjeçar! Ndërsa në rastin ekzogjen, në një konflikt politik apo përplasje civile, ndërhyrjet e drejtpërdrejta (apo të tërthorta) dhe “demokratizimi i detyruar” nga jashtë mund të prodhojnë disa nga efektet e mëposhtme: a) ndërhyrjet mbështetëse të regjimit nuk kanë një efekt të dukshëm mbi stabilitetin e tij; b) regjimet e instaluara me anë të ndërhyrjes përgjithësisht në përmbajtjen e tyre janë kohëshkurtra; c) demokratizimi pjesor me anë të ndërhyrjes është jo stabilizues; d) demokratizimi i plotë me anë të ndërhyrjes është stabilizues në një afat më të gjatë kohe, por nuk ka ndonjë efekt të dukshëm mbi stabilitetin për një shtrirje më afat-gjatë. Një “leksion” i tillë mbetet akoma me vlerë për vendet e Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00