Perceptimi i gabuar
Perëndimi gabimisht për krejt atë katrahurë që ka ndodh në Ballkan e fajëson vetëm një garniturë politike.
Sokol Bylykbashi
Politika e verbër e Qeverisë se Kosovës ka bërë që Serbia të duket në qendrat politike botërore si e moderuar dhe konstruktive pa kërkim falje për bëmat e saj në Kosovë dhe pa hequr dorë nga planet hegjemoniste. Serbia mbase ka ndryshuar politikën ndaj të tjerëve, por jo ndaj Kosovës. Dihet që e kaluara e saj ishte kriminale, por edhe e tashmja dhe e ardhmja e saj për Kosovën është e tillë.
Negociatat politike Kosovë-Serbi dhe vizita e kryenegociatorit Borislav Stefanoviq në vendin tonë janë në funksion të integrimit të Serbisë në BE dhe përmirësimit të imazhit të saj në botën demokratike. Çdo raport me Serbinë pa kushte dhe pa reciprocitet është pranim dhe legalizim i agjendës serbe në Kosovë. Pa këto parime Kosova humb nga fitorja e Serbisë.
Lejimi që Stefanoviqi të hyjë në Kosovë dhe pritja e tij në Qeverinë e Kosovës është fyerje dhe provokim i rëndë për popullin e shumëvuajtur të Kosovës. Qeveria e Thaçit ia mundësoi Stefanoviqit që nga institucionet e Kosovës t’i cenojë dhe t’i kontestojë ato. Vizita e Stefanoviqit ishte poshtërim i institucioneve tona para një zyrtari të ulët serb. Qeveria e Kosovës këtë vizitë e quajti si njohje të pavarësisë se Kosovës nga Serbia. Por, Stefanoviq tha se me ketë vizitë nuk ka shkel as kushtetutën dhe as rezolutat serbe për Kosovën. Si do që të quhet kjo vizitë, Serbia mban të pushtuar veriun e Kosovës, dhe çdo ditë punon që Kosovën ta copëtojë në aspektin territorial. Përveç kësaj, diplomacia serbe në mënyrë intensive po lobon kundër pavarësisë së Kosovës.
Shtetet demokratike padrejtësisht po e vlerësojnë Serbinë si shtet demokratik me vlera evropiane. Perëndimi gabimisht për krejt atë katrahurë që ka ndodh në Ballkan e fajëson vetëm një garniturë politike. Milosheviqi për planet e tij hegjemoniste kishte përkrahje të gjerë popullore. Spektri politik, kisha ortodokse, akademikë, shkrimtarë, gazetarë, media, analistë dhe shoqëria civile përkrahnin zbatimin e planeve gjenocidale. Sigurisht që një pjesë më e pakët e popullit serb ishte kundër kësaj politike. Arsyetimet që disa analistë i japin se kinse shoqëria në Serbi nuk ka qenë e informuar drejtë për operacionet kriminale të ushtrisë dhe policisë serbe nuk qëndrojnë.
Populli në Serbi në atë kohë kishte mundësi dhe alternativa për t’u informuar drejtë. Thjesht, një pjesë e popullit serb ndihmonin dhe pjesa tjetër po priste që plani i Ilia Garashaninit i vitit 1844 dhe planet e tjera të mëvonshme shfarosëse dhe shpërngulese të akademikëve dhe politikanëve serbë të jetësoheshin. Demonstratat për ta rrëzuar pushtetin e Milosheviqit në Beograd pas përfundimit të luftës në Kosovë në thelb nuk janë kundërshtim i këtyre planeve, por zemërim për mosrealizimin e plotë të tyre dhe kritikë për gabim në hapa. Populli dhe politikanët serbë ende nuk kanë heq dorë nga planet e vjetra shoviniste për Kosovën. Populli serb i voton dhe i mbështet politikanët të cilët kanë retorikë antishqiptare dhe të cilët nuk kërkojnë falje për atë që ka bërë shteti serb në Kosovë. Për më tepër këta politikanë e mbajnë Kosovën ende në kushtetutën e tyre si pjesë të Serbisë.
Janë pikërisht taksat e popullit serb që politikanët serbë po i ndajnë për strukturat e Serbisë në Kosovë. Këta politikanë pas periudhës se Milosheviqit i kanë strehuar dhe fshehur kriminelët serbë të luftërave në Ballkan. Sigurisht që edhe populli serb po ndihmon në ketë aspekt. Portali Wikileaks kohë më parë publikoi dokumente të diplomacisë amerikane në të cilat thuhet se shteti serb nuk dëshiron t’i dorëzojë kriminelët serb në Hagë. Tek populli serb nuk po shihet që ekziston keqardhje për të kaluarën e shtetit të tyre dhe gatishmëri për ndërtimin e raporteve korrekte me popullin e Kosovës.
Arrestimi i kryekriminelit serb të Bosnjes, Ratko Mlladiq, nuk është veprim që të bindë se Serbia e ka shumë seriozisht që kriminelët e vet t’i sjell para drejtësisë. Arrestimi tejet i vonuar i Mlladiqit u bë në një moment të favorshëm politik për Serbinë. Ky arrestim ka krijuar perceptimin te bashkësia ndërkombëtare se Serbia tashmë është një shtet demokratik i cili po e gjykon të kaluarën e saj. Arrestimi i Mlladiqit thjesht është lojë politike për përfitime politike. Prokuroria serbe ka informacione për kriminelët e shumtë serbë të cilët shëtisin të lirë në qytetet e Serbisë.
Sikur të ishte Serbia njëmend shtet demokratik nuk do ta linte të lirë as një kriminel të vetëm. Një shtet që nuk i gjykon kriminelët e vet është dëshmia më e mirë se ai shtet nuk pendohet për vuajtjet që iu ka shkaktuar popujve në Ballkan. Dhe kjo do të thotë se po qe Serbisë do t’i jepej rasti do ta bënte prapë pothuajse të njëjtën gjë ashtu siç ka bërë në kohën e Milosheviqit – vrasje e njerëzve për hir të “mbrojtjes së sovranitetit”.
Bashkimi Evropian me qëllim që ta shkëpusë Serbinë nga influenca tradicionale e Rusisë i ka zbutur kriteret për anëtarësimin e saj në BE. Kjo politikë e gabuar e BE-së po e trimëron Serbinë që Kosovën ta pengojë edhe më tutje në zhvillimin dhe integrimin e saj. Me Serbinë në BE dhe me etnitetin serb që synon ta krijojë në Kosovë, vendi ynë do të jetë i çintegruar në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm.
Comments (0 posted)
Post your comment