Votat në "kutitë e gabuara"...
Edhe në rastin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara, duket sikur kemi një kampion, apo mostër sondazhi, të të gjithë fletëve të votimit të hedhura gjatë votimit për kryetarin e Bashkisë Tiranë, pra të llotit.
Nga Bashkim Kopliku
Tani edhe Kolegji Zgjedhor, në arsyetimin e tij, i quan “Votat e hedhura aksidentalisht” në kutitë e gabuara, votat e hedhura në kutitë e gabuara. E pra, nuk është aspak e vërtetë sa thotë Kolegji.Fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuar, pra jo në kutinë “përkatëse”, atë për kryetarin, janë fletë që nuk shprehin qartë vullnetin e votuesit, pra nuk kuptohet se çfarë ka dashur të shprehë votuesi. Kjo ngaqë ato fletë janë kryesisht dy llojesh: e para, fletë të hedhura pa dashje, pra gabimisht apo “aksidentalisht”, në kutitë e gabuara; e dyta, fletë që janë hedhur qëllimisht në kutinë e gabuar, për ta bërë fletën të pavlefshme. Nëse vërtetë do të donim të dinim “vullnetin e lexuesit”, këto fletë të dyta, ato të hedhura qëllimisht në kutinë e gabuar, do të duhet të lexoheshin në të kundërtën e asaj që janë lexuar nga KQZ, pra fletët “pro Lulzim Bashës”, janë në fakt vota kundër Lulzim Bashës. Mbledhja mekanike e 258 fletëve të votimit të hedhura për kryetarin e bashkisë së Tiranës, në kutitë e gabuar, me 250 885 votat e hedhura në kutitë e duhura, është një veprim mafioz politik, dhe i paligjshëm, që na turpëron të gjithë ne shqiptarëve.
Asnjë autoritet në një vend normal, as gjykatë e as komision, nuk do të vendoste të mbledhë fletët e gjetura në kutitë e gabuara, me fletët e kutive përkatëse, pra kutive të drejta.
Në vijim tri shkrime të miat që janë botuar fillimisht tek gazeta në internet Respublica.al, dhe pastaj në disa organe të shtypit. Në respekt të lexuesit tuaj, dua të komunikoj me ta, për sa më lart, sepse jam i bindur se kam të drejtë unë, dhe kanë gabim shumica e miqve të mi, me të cilët, gjatë viteve ’90, kemi milituar bashkë në Partinë Demokratike, parti që fatkeqësisht u zhduk, pas vitit 1997, duke u kthyer në një parti e një njeriu dhe e klikës së tij, në Parti e Sali Berishës, pavarësisht se akoma mbanë emrin e partisë sonë: Partia Demokratike.
Nga leximi i tri shkrimeve në vijim, do të bindeni se “91 votat e gjetura për Bashën”, në fakt janë vota për Ramën, pra në fakt, Edi Rama nuk rezulton me një diferencë 10 vota mbi Bashën, por me 101 vota mbi Bashën. Jam i sigurt se nëse do të numëroheshin votat për kryetarin e Bashkisë, në të gjithë kutitë e gabuara, numri i fletëve që mekanikisht dalin pro Bashës, por që në fakt janë kundër tij, do të ishte shumë më i madh se “91”, sepse do të mblidheshin më tej votat e atyre si “oficerja së policisë”, apo si “Lemeria”, persona që do t’i gjeni në tri shkrimet e mia në vijim.
***
Të pastrojmë vetë pisllëkun e votave
Ky pranim masiv i grabitjes së votës së Tiranës (janë së paku 25% të votuesve që e pranojnë si të drejtë këtë grabitje, ku më të ndoturit janë juristët), na ndot të gjithë ne shqiptarët. Ndërrohen rregullat e zgjedhjeve pasi kanë mbaruar zgjedhjet, dhe nuk ngrihemi të gjithë e t’u them: boll, e tepruat, si nuk e kuptuakeni se kësaj here po pranohet “zyrtarisht” të thyhet ligji dhe morali ditën për diell—e kjo ndryshon shumë nga gara e zakonshme, e shfrenuar, se kush e kush do të vjedhë më shumë vota në errësirë, me fletë të hedhura “natën” etj. Nuk duhet t’i biem qylit duke thënë “po të huajt përse nuk ndërhyjnë!”: duhet t’i pastrojnë vetë pisllëqet tona!
Militantët e kryeministrit përsërisin si papagalli: “fletët e hedhura në kutinë e gabuar kanë të shkruar në to vullnetin e atyre votuesve që i kanë hedhur ato”. Pra, çdo fletë votimi e hedhur në kutinë e gabuar, ku shenji i kandidatit është për brinjë emrit të Lulzim Bashës, shprehka vullnetin e atij që e ka hedhur fletën në kutinë e gabuar, pra që ai person paska dashur të votojë për Bashën. Aq të bindur e paraqesin veten, saqë ulërijnë e nuk dëgjojnë fare zërin e logjikës elementare, që vërteton se nuk është fare ashtu, por siç do të shpjegojmë më në vijim.
Në kutitë e gabuara, siç ka fletë votimi që janë hedhur gabimisht, pra pa dashje, po ashtu ka edhe fletë votimi që janë hedhur qëllimisht në kutinë e gabuar. Në kutitë e gabuara nuk janë vetëm fletë që janë hedhur gabimisht, si rezultat i “gabimit njerëzor”; pra nuk janë vetëm fletët e atyre votuesve, që me gjithë kujdesin e madh të komisioneve, që kishin vënë një njeri që t’i orientonte votuesit tek kutia e drejtë, prapë se prapë gabuan. Në ato kutitë e gabuara ka edhe fletë që janë hedhur qëllimisht aty: për ta djegur votën për Bashën, duke e hedhur në një kuti ku vota bëhej e pavlefshme. E janë pikërisht 91 vota të gjetura më shumë për Bashën, apo 35% të votave të hedhura në kutitë e gabuara, ato që janë hedhur qëllimisht në kutinë e gabuar (këtë e kemi vërtetuar në një shkrim të më përparshëm). Në vijim një shembull real.
Së paku tre persona më kanë shkruar sesi e përse e kanë bërë një veprim të tillë: hedhjen qëllimisht të fletës së votimit në kutinë e gabuar. Njëri nga ata, është një zonjë e re, oficere e policisë. Nuk donte të jepte votën për Bashën, por kishte frikë ta plotësonte fletën kundër Bashës. E shkreta oficere, po ta plotësonte votën kundër Bashës, kundër ministrit të saj, kishte frikë se mos ia lexonin tek tavolina ku po e plotësonte fletën,. (Unë them se ka pasur frikë të tepruar, bile them se frika në rastin e saj, rrjedh edhe nga njohja profesionale e “çimkave”, e mjeteve moderne të përgjimit. Nejse, nuk po e zgjas se përse ajo kishte frike: kishte frikë e kaq.) Zgjidhja që ajo bëri, ishte që fletën e votimit e plotësoi në tavolinë si votë për Bashën, dhe pastaj bëri sikur u ngatërrua, dhe qëllimisht e hodhi tek kutia e gabuar, aty ku dihej që vota bëhej e pavlefshme. Nuk ka njeri në botë, që të thotë se vota e numëruar në kutinë e gabuar, e asaj oficeres së policisë, ishte për Bashën, pra që ajo zonjë kishte votuar, kishte pasur vullnetin të jepte votën për Bashën—këtë nuk mund ta thotë as militanti, e as edhe gjykatësi më idiot.
Me siguri do të ketë edhe mendime të tjera për natyrën votave në kutitë e gabuara, por të gjitha vërtetojnë se ato vota nuk janë si votat në kutitë e duhura, pra nuk shprehin me siguri vullnetin që ka dashur të shprehë zgjedhësi, prandaj dhe janë, e dhe duhet të konsiderohen të pavlefshme, pra nuk duhet të mblidhen në asnjë mënyrë me votat e vlefshme. Votat në kutitë e gabuara, edhe aty ku mund të jenë mbledhur me votat në kutitë e duhura, diku jashtë Tiranës, duhet të hiqen, si gabim.
Shqiptarë, mos ua lini detyrë të huajve, të gjykojnë në vendin tonë: ne vetë duhet të kemi forca të pastrojmë pisllëqet tona: votat e hedhura në kutinë e gabuar, janë vota të pavlefshme, dhe kaq.
***
Kur votuesi zgjedh vetë kutinë e gabuar
Jam i bindur se kryeministri Sali Berisha po mundohet t’i vjedhë fitoren z. Edi Rama.
Po ndaloj në bazën e arsyetimit/sofizmit të kryeministrit Berisha: ai thotë se duhen numëruar edhe fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar. Këtë ai e bazon në principin se “është fletë votimi e vlefshme, kur ajo jep qartë, pa asnjë mëdyshje se cili ka qenë qëllimi i votuesit, pra se për cilin kandidat ka dashur të votojë, apo mos të votojë votuesi”. Me këtë princip janë dakord “të gjithë”. Por unë mendoj se sofizmi i kryeministrit Berisha qëndron në faktin se ky princip i drejtë, nuk mund të zbatohet për rastin e “fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara”, kjo sepse për to nuk dihet me siguri, nëse hedhja e fletës gabim, ka qenë pa dashje, apo me dashje! (Natyrisht jam dakord edhe me arsyetimet juridike se Ligji praktikisht e ka të nënkuptuar se nuk duhen konsideruar të vlefshme fletët e hedhura në kutitë e gabuara, por unë qëllimisht po ndjek vetëm sofizmin e kryeministrit).
Pra, “në rastin e fletëvotimeve të hedhura në kutinë e gabuar, nuk është e qartë pa asnjë mëdyshje, se cili ka qenë qëllimi i votuesit”, siç mëton se është, kryeministri ynë Sali Berisha. Në vijim do të jap rastin e një mikut tim me emrin Lemeria, që të kuptoni se gjërat nuk janë ashtu si mundohet t’ua ngatërrojë mendjen naivëve, kryeministri ynë, duke keqpërdorur ngutin dhe cektësinë e gjykimit të fansave të tij.
Miku im Lemeria, meqë kishte dhe të njohur zonjën e nderuar Elsa Ballauri, atë të shoqërisë civile, vendosi të bëjë një votim të veçantë. Duhet thënë se miku im Lemeria e njihte mirë Kodin Zgjedhor, si dhe kishte informacion nga zonja Ballauri, se shpesh gjenden fletëvotimi në kutitë e gabuara, të cilat komisionerët e numëruesit, me të drejtë i quanin të pavlefshme. Informacioni i mikut tim Lemeria, ishte edhe se me gjithë këmbënguljen e shoqërisë civile të zonjave si Elsa Ballauri, prapë se prapë, komisionerët nuk para ishin sa duhet vigjilentë, pra të vëmendshëm në orientimin e votuesve për të hedhur fletën e votimit në kutinë e duhur. Dhe ja tani se ç’bëri miku im Lemeria:
Lemeria nuk donte të votonte për zotin Basha, sepse nuk e duronte fare, as hipjen e tij me katapultë në majat e politikës, dhe as sjelljet e tij këto 6 vjet. Por miku im Lemeria, nuk e kishte aq të thjeshtë të mos votonte për zotin Basha, sepse ai, Lemeria, punonte në një dikaster, ku drejtuesi i tij e kishte kërcënuar se po nuk votoi për kandidatin Basha, e piu e zeza. Madje drejtuesi i kishte thënë se sido që të votosh, do ta marrim vesh se do ta marrim, sepse në vendin ku ti do të plotësosh fletën e votimit, janë instaluar kamera të fshehta shumë të sofistikuara etj. Gjithsesi, miku im Lemeria, kujtoi se e gjeti zgjidhjen e tij, që të bënte një mosbindje ndaj eprorit saliist. Lemeria e plotësoi fletën e votimit si plotësohej për të votuar për Bashën, por ama ruajti momentin dhe e hodhi qëllimisht në kutinë e gabuar. Doli nga qendra e votimit i gëzuar, se ua kishte hedhur të gjithë kamerave e të gjithë spiunëve që e ndiqnin: nuk kishte votuar për Bashën.
Por jo, Lemeria harroi se deri ku shkon kryeministri ynë: tani po sheh se vota e tij jo për Bashën, po numërohet për të!
***
Votat e “gabuara”, kundër Bashës
Jam i bindur se diferenca “në favor të Bashës”, në fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara, përbëhet në fakt nga fletë votimi të hedhura kundër z. Basha, pra janë vota kundër tij. Duke supozuar se nuk është kryer krimi direkt, pra futja/ndrimi i fletëve të votimit pas përfundimit të procesit të votimit, nga njerëz të kryeministrit, në vijim do t’ju provoj sa thashë.
Që të kuptohemi, së pari duhet të kujtojmë një princip elementar: kampioni (apo “mostra e sondazhit”), përfaqëson llotin nga merret ajo mostër, pra kampioni dhe lloti “janë njësoj”, apo nuk ka diferenca të mëdha në mes llotit dhe kampionit. Në vijim të këtij paragrafi, po sqaroj termat “kampion”, “mostër sondazhi” dhe “llot”. Kampioni, apo mostra e sondazhit, është p.sh. një pikë gjak që merret për të bërë analizat e të gjithë gjakut të një njeriu (llotit); ose një shishe urinë që merret për të bërë analizën e të gjithë urinës që ka trupi (llotit); apo një kub betoni që merret për të bërë analizën e të gjithë betonit të përdorur (llotit); apo disa kokrra mollë që merren për të shqyrtuar llotin prej disa ton mollë; apo shishja e vogël e ujit që merret për të analizuar ujin e gjithë një liqeni apo pjese deti (i gjithë uji i liqenit apo asaj pjese të detit, është lloti). Besoj se të gjithë do të bini dakord se nëse do të bënim analizën e të gjithë lloteve përkatëse, si të gjithë gjakut të atij njeriut, e me radhë deri tek i gjithë uji i të atij liqeni, analiza e lloteve përkatëse nuk do të ndryshonte shumë—disa do të thoshin se nuk do të ndryshonte fare—nga analiza e kampioneve përkatëse.
Aq e vërtetë është se kampioni dhe lloti “janë njësoj”, sa kur një njeri ka një sëmundje që le gjurmë në gjak apo urinë, menjëherë ngrihet pyetja “po si nuk u kap nga analiza e gjakut që është bërë (pra na analiza e kampionit)?”. Apo kur ndodh një defekt në betonin e ndërtesës, menjëherë ngrihet pyetja sesi nuk u kap nga analiza e kampionit të betonit etj.
Kur lloti ka cilësi të ndryshme nga kampioni, atëherë gjithnjë kërkohet shkaku tek një gabim në marrjen e kampionit: ka një shkak, ka pra një anomali që kampioni nuk përfaqëson llotin, pra ndryshon nga lloti.
Edhe në rastin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara, duket sikur kemi një kampion, apo mostër sondazhi, të të gjithë fletëve të votimit të hedhura gjatë votimit për kryetarin e Bashkisë Tiranë, pra të llotit. Nëse vërtetë ato fletët në kutinë e gabuar shprehin vetëm e vetëm vullnetin direkt të votuesit, përbërja e tyre duhet të ishte e njëjtë me atë të llotit, pra si e gjithë votave të hedhura, pra duhej që Basha e Rama të dilnin me një diferencë pothuaj zero. Pra rezultati që po jep KQZ është një absurd: përqindja e diferencës së fletëve të votimit të kampionit (fletëve në kutitë e gabuara), është me mijëra herë më e madhe sesa ajo e përqindjes së diferencës së fletëve të votimit të llotit (fletëve në kutitë e drejta, e duhura). Çdo dykëmbësh do të shqetësohej nga kjo diferencë kaq e stërmadhe në mes kampionit dhe llotit. (1)
Unë jam i bindur se ky ndryshim vjen nga që kampioni (fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar) nuk është njësoj si lloti (pra fletët e votimit të hedhura në kutinë e duhur, atë të kryetarit). Kampioni i marrë është i gabuar, sepse nuk është pjesë e llotit: votuesit e llotit nuk kanë votuar njësoj si ata të kampionit. Në një shkrim të para ca ditëve, të titulluar “Kur votuesi zgjedh vetë kutinë e gabuar”, është shpjeguar sesi një shumicë njerëzish nga lemeria nga pushteti, kanë gjetur një mënyrë për të votuar kundër pushtetit, pra kundër Bashës: ata fletën e tyre të votimi, të plotësuar formalisht si votë për Bashën, e kanë hedhur qëllimisht në kutinë e gabuar. Kjo sepse kur votohej, rregullat e lojës ishin se vota në kutinë e gabuar ishte e pavlefshme. Ky rezultat i numërimit, vërtetoi hipotezën që kishim bërë në atë shkrim.
Shpresoj se edhe ju lexues jeni të bindur se diferenca që ka rezultuar, gjoja në favor të Bashës, përbëhet nga vota që votuesit i kanë hedhur kundër tij, pra fituesi i këtyre zgjedhjeve mbetet Rama, dhe jo Basha: nuk mund t’i shtohen votave të hedhura në kutin e duhur e hedhura në kutitë e gabuara—kjo është si ajo mbledhja e atij budallait të skeçit, që mblidhte “shtatë kamjona, plus tre bataliona”.
Po a do të pranojnë këtë logjikë elementare Kolegji Zgjedhor si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë?!
Shënim 1-Lloti i votave është 250 885 copë; kampioni është 258 copë; diferenca e votave në mes dy kandidatëve, Rama me Bashën, në llot është 10 copë, ose -0,004%, kurse në kampion është -91 vota, ose 35,271 %; raporti i përqindjes së diferencave në llot me në kampion, është -8 840 herë
Comments (0 posted)
Post your comment