Home | Opinion | Në kërkim të frymës së re

Në kërkim të frymës së re

image
Të jesh në qeveri dhe të luash rolin e opozitës, dhe anasjelltas, të jesh opozitë dhe të flirtosh me koalicionin qeverisës, gjason me hipokrizi dhe mungesë guximi politik. 

 

 

 


Liri Gashi

 

 


Mini-traktat mbi frymën e re politike në Kosovë dhe mbijetesën e saj, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të fundit parlamentare

Një spektër i ri është shfaqur në skenën politike në Kosovë – është spektri i frymës së re. Zgjedhjet e fundit parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar ishin mbase më interesantet që nga Kosova e pasluftës, për arsye të risisë dhe freskisë që ato sollën. Llojllojshmëria e partive politike, të vjetra dhe të reja, bëri që shumë qytetarë që deri atëherë ishin kapluar nga amullia apo thjeshtë nga mungesa e interesimit politik, të jepnin votën e tyre. Është koha që t’i bëhet një mini-analizë paraqitjes së frymës së re politike dhe, shikuar në kontekstin e mëgjerë të skenës politike, të përsiatet mbi mësimet dhe pësimet e nxjerra.

Mini-analizë e partive të vjetra

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si bartëse dhe pastaj pasardhëse e drejtpërdrejtë e frymës rugoviane dhe e lëvizjes paqësore, pati një rol vendimtar në sensibilizimin e opinionit botëror mbi çështjen e Kosovës, dhe atë në kulmin e aparteidit serb të viteve ‘90-ta. Me të drejtë, LDK vazhdon të theksojë legatën e Dr. Rugovës dhe kontributin e dhënë para dhe pas luftës në Kosovë. Mirëpo, për shumëkë është po ashtu e qartë se vitet e fundit kjo parti ka dështuar që të gjejë modus operandi-n e vet. Të jesh në qeveri dhe të luash rolin e opozitës, dhe anasjelltas, të jesh opozitë dhe të flirtosh me koalicionin qeverisës, gjason me hipokrizi dhe mungesë guximi politik. Kështu, është e qartë se LDK aktuale nuk mund të vazhdojë të kredhet në lavditë e kohërave të perënduara, nuk mund të valojë portrete prijësish të amshuar me pretendime për të udhëhequr në të ardhmen. Lidershipi aktual në LDK për shumëkë ka dëshmuar pamundësinë e vet për të ndërmarrë reforma rrënjësore dhe shumë të nevojshme brenda saj.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si më e madhja në vend dhe udhëheqëse e koalicionit qeveritar, bartë natyrshëm edhe barrën e të qenit nën shënjestrën e kritikave nga të gjitha anët. Njësoj si partia e mësipërme, edhe PDK është ushqyer me meritat e kohërave të kaluara: duke e konsideruar veten pasardhëse të drejtpërdrejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shumë nga përfaqësuesit e saj vazhdojnë të notojnë suksesshëm mbi ujërat politike në bazë të kontributit të dhënë gjatë luftës. Mirëpo, gjersa kemi të bëjmë me një transformim të shumë pjesëtarëve vendimmarrës të UÇK-së në politikanë të PDK-së, ushtria dhe lufta e saj e drejtë tejkalon suazat e partive politike, ciladoqoftë ajo. Për më shumë, ka shumë arsye pse PDK nuk mund të vijojë së qeverisuri në rrethanat e një autokracie. Kjo sepse autokracia dhe konsolidimi i demokracisë natyrisht që bien ndesh, se niveli i pakënaqësisë qytetare është vazhdimisht në rritje, se shumëherë tashmë është dëshmuar se disa nga praktikat e qeverisjes se tyre asociojnë në mungesë transparence, korrupsion, mpleksje të krimit me politikën, spiunazh etj. Duhet të deklarohet me respekt se të qenit komandant apo shërbimi 10-15 vjeçar në burgjet e Serbisë millosheviqiane nuk do të thotë automatikisht edhe posedim i formulës magjike mbi emergjencën ekonomike të vendit apo integrimin euro-atlantik.

Shtrohet çështja: në çfarë momenti forca e progresit bëhet regresi vetë?

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ballafaqohet me shumë nga dilemat e partisë së mësipërme, si dhe me mungesën e liderit të saj. Stigma e regjionalizmit, si dhe katandisja në korrupsion e disa përfaqësuesve të tyre, nuk harrohen lehtë nga kujtesa kolektive.

Aleanca Kosova e Re (AKR) nuk ka ardhmëri, pasi që gjithmonë ka qenë ndërmarrje, disi biznesore, e ngritjes të liderit të saj në teatrin politik kosovar.

Politika kosovare në dekadën e dytë të shekullit XXI

Pa marrë parasysh përleshjet ndër-partiake, shikuar nga prizmi i distancuar historik, është e natyrshme se LDK, si përfaqësuese e rezistencës paqësore, dhe PDK si përfaqësuese e rezistencës së armatosur (edhepse jo e vetmja, por udhëheqëse për nga numri i votave), pra është e natyrshme që këto të dyja ishin pikërisht përbërëse të koalicionit që shpalli pavarësinë e Kosovës në shkurt 2008. Me fjalë të tjera, ato dy forca politike, që shpesh u përballën në mes veti, por të cilat ishin pjesë të së njëjtës rezistencë, por me mjete të ndryshme, përmbyllën së bashku një kapitull ekzistencialist të historisë së Kosovës me pavarësimin e saj.

Megjithatë, sot Kosova përballet me shumë sfida të radhës, e që pikë së pari kanë të bëjnë me ngjalljen ekonomike dhe konsolidimin e pavarësisë së saj. (Këto janë edhe parakushte të vetvetishme për integrime euro-atlantike). Thënë troç, Kosova sot gjendet në atë udhëkryq politik dhe historik ku kemi të bëjmë me kthesa gjeneratash dhe botëkuptimesh politike. Sot shtrohet nevoja urgjente për rimëkëmbje dhe këndellje të politikës, për një pastrim dhe lartësim moral të saj, me kulturë dhe vizion të ri. Ekzistojnë shumë arsye, ca nga to të përmendura më sipër, se pse njerëzit kanë mëdyshje serioze se ky vizion do të mund të haset në partitë e mësipërme.

Zgjedhjet e dhjetorit 2010 panë hyrjen në skenë të Partisë Fryma e Re (FER) dhe Lëvizjes Vetëvendosje! Duke lënë anash ndryshimet ideologjike, pika e tyre e përbashkët ishte risia që ato sollën në politikë, së bashku me botëkuptimet e reja. Nuk është e rastësishme se qysh tani Vetëvendosje! kundrohet si partia kryesore në opozitë, pasi si e tillë ajo është edhe duke vepruar.

Gjatë zgjedhjeve, kjo frymë e re u koncentrua posaçërisht në FER. Nuk ishte kjo parti, siç menduan ca, një ndryshim kozmetik politik. Ndryshimi ishte diçka më thelbësore, dhe kishte të bënte me qasjen parimore ndaj politikës, me mungesën e dosjeve kriminale, me aftësinë intelektuale dhe edukimin mbresëlënës, për të qenë me të vërtetë bisedues të barabartë me ndërkombëtarë në çfarëdo forumi. Kishte të bënte me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit. Kjo u vërejt edhe nga përmasat e gjera të popullaritetit brenda një kohe të shkurtër të ekzistencës së saj. Siç u përmend edhe në atë kohë, ishte me të vërtetë paralajmërim i një politike të re në Kosovë.

Në shikim të gjerë, nuk ka rëndësi se FER nuk ekziston më. Në fund të fundit, nuk është esenciale as se a do të kemi një bashkëdyzim të suksesshëm ideologjik në mes FER-it dhe Vetëvendosjes. Ajo që vlen është se tashmë njerëzit kanë vërejtur ardhjen e gjeneratës së re e cila, me vetë faktin se është e re (jo domosdoshmërisht në moshë), bie me vete qasje dhe botëkuptim të ri politik e intelektual. Ajo vazhdon të gëlojë në disa media, organizata të shoqërisë civile, dhe parti të reja me platforma të reja politike.

Sa i përket FER-it, duhet ta bëjmë të qartë se fryma e re në politikën kosovare natyrisht se nuk ishte pronë ekskluzive e saj. Mirëpo, ajo u manifestua më së shumti në FER, dhe si e tillë paralajmëroi kahjen që politika duhet të marrë në Kosovë. Ajo frymë tregon se, pas rezistencës paqësore dhe të armatosur, si dhe periudhës së tranzicionit në Kosovën e pasluftës, hapi tjetër logjik i progresit, i evolucionit, është transplantimi i politikës së gjertanishme me frymë e qasje të re. Kjo është fytyra evropiane e Kosovës që tregon respekt dhe lidhshmëri me të kaluarën, por vepron bindshëm drejt të ardhmes. Ndërsa populli e di se meriton më mirë, e ndjen se Kosova ka nevojë për revitalizim politik e lartësim moral, që të fillojë më në fund ngritjen nga vendnumërimi aktual i moçalit politik.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00