Kjo është krizë, nuk është rrufë
Ndërprerja e marrëveshjes Stand-by me FMN-në, goditje e dyfishtë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Veton Surroi
1. Debati rreth relacionit FMN-Kosova ka prodhuar edhe një çoroditje, afrimin e Kosovës drejt mitit serb. Ashtu si në 600 e kusur vitet e fundit, humbja në Fushë-Kosovë ka qenë pjesë e kremtes kombëtare serbe, ashtu edhe ndërprerja e kontratës mes FMN-së dhe Kosovës (në marrëveshjen Stand-by) po trumbetohet si fitore nga ana e eksponentëve të Qeverisë së Kosovës.
Natyrisht, ky është teprim, dhe ky teprim përshkrimi do të mund të ishte edhe një kuriozitet i radhës, po të mos fshehte një pengesë të madhe psikologjike, sikurse edhe në mitin serb: mosballafaqimin me realitetin. Duke përsëritur çdo ditë se Kosova ka arritur një fitore me një marrëveshjet ribërë me FMN-në, Qeveria nuk është në gjendje të kuptojë as situatën në të cilën gjendet vendi, e as mënyrën se si mund të tejkalohet ajo.
E, situata mund të përshkruhet si goditje e dyfishtë ndaj shtetësisë së Kosovës; nga njëra anë vendi ka shënuar një prapakthim në pozitën e saj ndërkombëtare, e nga ana tjetër tashmë ka hyrë në një krizë financiare, e cila ka gjasa vetëm të thellohet edhe më tej.
2. Të fillojmë nga pozita ndërkombëtare. Ndërprerja e marrëveshjes Stand-by me FMN-në dhe vendosja e Kosovës nën program monitorimi të stafit e degradon marrëdhënien e Kosovës prej stadit të arritur kontraktualiteti, pra të Kosovës si partner kontrate me FMN-në dhe e vendos mbrapa në stadin e një vendi që mund të kandidojë për kontraktualitet, eventualisht vitin e ardhshëm.
Një sinjal i këtillë do të thotë se institucionet e vendit nuk janë në gjendjen të respektojë kontrata, gjë që zvogëlon gjasat e aderimit në institucionet e tjera financiare, siç janë BERZH-i me kreditë e veta, që mund të ishin injeksioni pothuajse i vetëm për zhvillim.
Një sinjal i këtillë është në kundërshtim të plotë me aspiratën tashmë të evidentuar të politikës së jashtme kosovare për marrëdhënie kontraktuale me BE-në: nëse nuk u ruajt kontraktualiteti me FMN-në, si mund të fitohet ai me BE-në?
Dhe, një sinjal i këtillë thellon edhe më tej hendekun në konfliktin e papërfunduar me Serbinë. Në raportin e progresit Kosova do të evidencohet si joreformiste karshi një Serbie e cila do të marrë më shumë pikë pozitive, posaçërisht pas arrestimit të Mlladiçit. Hendeku strategjik europian mes Serbisë e Kosovës do të zgjerohet edhe më.
Një sinjal i këtillë është negativ edhe brenda kontekstit të shteteve sponsorizuese të pavarësisë, që janë edhe mbikëqyrëse të saj. Financat janë sferë e cila i është lënë krejtësisht në dispozicion autoriteteve kosovare dhe autonomisë vendimmarrëse. Ndërprerja e marrëveshjes Stand-by është rënie në provim e autonomisë së vendimmarrjes, e kjo do të thotë shumë për një “pavarësi të mbikëqyrur” që kërkon më shumë njohje.
3. Kriza e tanishme nuk është një rrufë e rëndomtë vere, që do të kalojë pas ca kohe. Është krizë e një modeli të zhvillimit.
Raporti i FMN-së e ndan Kosovën në dy periudha ekonomike: në atë të para vitit 2008, që quhet periudhë fiskale konservatore, dhe në atë pas vitit 2008, kur shënohen rritjet e shpenzimeve. Vendi ka kaluar prej suficitit të 7 për qind të BPV më 2007, drejt deficitit të 2.6 për qind më 2010. Njëkohësisht, FMN-ja nuk përmend se ka pasur ndonjë ndryshim në strukturën e rritjes ekonomike: gjegjësisht, ajo është bërë kryesisht në përdorimin e buxhetit për shpenzime kapitale, buxhet të krijuar kryesisht prej të ardhurave doganore.
Në thelb kjo do të thotë dy gjëra. Një, se qeveria e vitit 2008 e këtej ka shpenzuar nga arka e mbushur të cilën e ka trashëguar (dhe çdo para tjetër që ka mundur të gjejë, përfshirë dividendat e PTK-së). Dy, se këto shpenzime nuk kanë krijuar ndonjë vlerë të shtuar ekonomike për sa u përket të hyrave.
Nëse këtyre dy konstatimeve u shtojmë mungesën e deklaruar të një plani ekonomik, del se shpenzimet kapitale kanë qenë qëllim në vete të kësaj qeverisjeje.
Modeli i zhvillimit, pra, është shpenzimi i parasë publike pa mbulesë të hyrash.
Ky model është tash në krizë, e së bashku me modelin është edhe i tërë vendi. Ndërprerja e marrëveshjes Stand-by me FMN-në i sjell buxhetit të Kosovës një vrimë të re prej 150 milionë eurosh. Kjo shumë mund të jetë edhe më e madhe nëse shtojmë dy faktorë të panjohur në sajimin e buxhetit të sivjetmë. I pari, parashikimi i të hyrave doganore dhe i taksave e akcizave mund të jetë tepër ambicioz; çdo euro më pak që mblidhet në kalimet tona kufitare do të shtojë deficitin. I dyti, fatura që ia prezenton ‘Bechtel&Enka’ Qeverisë mund të jetë më e lartë se sa që është parashikuar, meqë vet kryesi i punimeve e vlerëson “hakun” e vet- kontrata është bukur elastike në këtë drejtim.
Qeveritarët ndoshta e kanë kuptuar se vendi është në krizë, sepse deklarojnë se deficiti sivjet do të mbulohet nga rezervat, e rezervat preken vetëm kur gjendesh në krizë. Por, një veprim i këtillë mund ta shtyjë vendin në një krizë edhe më të thellë në marrëdhënien e vet me FMN-në dhe përkrahjen e vet financiare, ngase FMN-ja rekomandon që vendi të ketë 300 milionë euro rezervë në mënyrë që të ruajë stabilitetin makro-financiar.
Comments (0 posted)
Post your comment