"Politikomania"
Pas një kohe, bindjet politike dhe aspiratat e partisë me të cilën personi identifikohet, bëhen kategorikisht të pashmangshme, duke bërë kështu që ndër tjerash, personi të jetë selektiv ndaj informatave në lidhje me politikën.
Esheref Haxhiu
Në kushte të vështira jetësore dhe mungesë të mundësive reale për të bërë përmirësimin atyre kushteve, njerëzit janë të prirë që të gjejnë rrugë më të shkurtra dhe më të lehta për të përmirësuar jetesën e vet, apo për të arritur synimet e veta ekonomike dhe sociale. Një ndër këto rrugë, tek ne, është duke u konsideruar edhe politika. Njerëzit nuk i qasen politikës për të dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë, por i qasën politikës për të përdorur atë si mjet për realizimin e ambicieve të veta egoiste.
Edhe pse në fakt pretendojmë të jemi shtet kapitalist, sektori publik i punësimit vazhdon të mbetet shpresa dhe preferenca kryesore e qytetarëve të Kosovës. Në këtë mënyrë, për të arritur një pozitë pune në sektorin publik, por edhe për t’i plotësuar zbrazësitë e identitetit personal, njerëzit vendosin gradualisht që të bëhen pjesë dhe të identifikojnë vetën me një parti të caktuar politike. Kështu, pasi që edhe mundësitë e zgjedhjes në këtë aspekt janë të shumta, duke qenë se ekzistojnë me dhjetëra parti politike dhe nuk ka kritere për t’u bërë anëtar i tyre, varësisht prej dominimit të një force të caktuar politike në kontekstin ku njerëzit zhvillojnë veprimtarinë e tyre, ata fillojnë të formojnë bindjet përkatëse për politikën, identifikojnë veten më një parti të caktuar, dhe fillojnë që në forma të ndryshme t’i shërbejnë interesave të asaj partie.
Pas një kohe, bindjet politike dhe aspiratat e partisë me të cilën personi identifikohet, bëhen kategorikisht të pashmangshme, duke bërë kështu që ndër tjerash, personi të jetë selektiv ndaj informatave në lidhje me politikën. Me fjalë tjera, ai pranon me dashamirësi informatat që janë në përputhje me bindjet e tij, por, vetëdijshëm ose pavetëdijshëm përpiqet që t’i injoroj informatat tjera të kundërta, duke bërë kështu që me tendencën për të qenë një partizan i besueshëm i partisë së tij, ai shndërrohet në viktimë të botëkuptimit të vet. Sa më pak që të jetë i formuar personi në kuptimin arsimor, intelektual, moral dhe politik, aq më e madhe është mundësia që ai të shndërrohet në një viktimë të këtij lloji.
Dhe, duke qenë se për shkak të lakmisë së lartcekur, njerëzit me nguti po i qasen politikës, pra ende po u formuar si personalitete arsimore, intelektuale, politike dhe morale, rreziku i të qenit viktimë e saj çdo herë e më shumë po është evident. Megjithatë, po që se kjo të ishte e tëra, atëherë nuk do të kishte vend për kritika, sepse është në të drejtën e secilit që të mendoj dhe veproj në mënyrën që ai dëshiron. Por, problemi bëhet i theksueshëm në momentin kur këta persona që u futën në politikë ende po u formuar si personalitete, një ditë shpërblehen për kontributin dhe fanatizmin ndaj partisë tyre.
Shpërblimet zakonisht bëhen me pozita të ndryshme në institucionet publike, nga ato më të thjeshta ekzekutuese deri tek pozitat tjera të larta politikbërëse. Përkundër se këto pozita mund të jenë në mospërputhje me aftësitë dhe kompetencat e tyre profesionale, për shkak të lakmisë, dashurisë ndaj vetës, dhe qëllimit që kishin kur vendosën të merren me politikë, ata tashmë ndjehen të lumtur me të arriturat e tyre dhe me gatishmëri të madhe pranojnë pozitat e ofruara. Ndërsa, puna që ata më pas bëjnë dhe politikat që krijojnë, natyrisht se nuk mund të jenë më të mira dhe më profesionale se sa vet ata dhe formimi i tyre. Megjithatë, ata mbesin udhëheqësit dhe dirigjuesit tanë. Politikat që ata bëjnë, qofshin ato të mira apo jo të mira, ne duhet t’iu nënshtrohemi. Ndërsa, për shkak të shpërblimit të marr, dashuria e tyre për “karrigen” vjen çdo herë e më shumë duke u rritur, dhe për ta pasur të sigurt pozitën, ata vazhdojnë ta duan dhe punojnë edhe më shumë për partinë e tyre, jo për shtetin.
Mund të ndodh që edhe ta ndërrojnë partinë, por në asnjë mënyrë të largohen nga politika. Tashmë dashuria për politikën është shndërruar në varësi, ndërsa, shmangia apo largimi nga ajo është e paimagjinueshme për këta persona. Megjithatë, urojmë që kjo të mos jetë model i mirë edhe për të tjerët që do të kyçen në politikë. Shpresojmë se të tjerët fillimisht do të investojnë në vetën e tyre, të formohen si personalitete, dhe më pas të i qasen politikës. Gjithashtu, urojmë që qasja e tyre të jetë vizionare dhe e padjallëzuar.
Comments (0 posted)
Post your comment