Home | Opinion | Shakatë e përparimit

Shakatë e përparimit

image
 Mullinjtë e erës, do shërbejnë sa për të ricikluar fonde të BE-së në xhepat e mafies energjitike; panelet diellore janë shumë fine për terrenin dhe mentalitetin shqiptar, ndërsa për të ngritur hidroçentralet, duhet të biem edhe lumenj në Shqipëri...

 

 

 

 

Dritan Hila

 


Premtimi i fundit i kryeministrit tonë për një Shqipëri si superfuqi e energjisë së rinovueshme, është shkas të bëjmë një kthim koke e të shohim vetëm dy vjet përpara në kohë. Me keqardhje  konstatojmë se personi në fjalë, ose nuk e di çfarë flet, ose nuk e di për se flet, ose nuk është serioz në atë që flet, por më e mundshme është që tallet me njërëzit që ju merr taksat dhe i shpërndarë ato në investime jo rentabël sipas qejfit të vet, duke ju hipotekuar të ardhmen, tek fajdexhiu që nuk bën skonto në shpërdorimin e saj: Koha.

Duke filluar me vizitën që bëri kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni, në Shqipëri para dy vjetësh, kujtojmë se u lidh një marrëveshje për ngritjen e parqeve eolike, si burim i energjisë me origjinë erën. Pavarësisht protestave të ambjentalistëve shqiptarë, se këto projekte do prishnin panoramën e vëndeve ku do ndërtoheshin, shqiptarët jo shumë qibarë për të bukurën, si kategori estetike, e ndikuar kjo edhe nga varfëria ekstreme e vëndit, nuk u ndien. Sa serioz ishte kjo nismë, e cila kishte rezultuar me gropa financiare të llojit mafioz në Italinë e Jugut, mbetej për tu parë, por koha tregon që nisma më shumë mund të jetë një lavatriçe parash me origjinë të dyshimtë, pasi sa për mullinjtë e erës, duket se i ka marrë era.

Pas kësaj nisme, Kryeministrit të zgjedhur për tu kujdesut për sigurinë e shqiptarëve, i shkoi në mëndje të ngrejë central bërthamor në territorin shqiptar. E thotë këtë nismë edhe në një vizitë që bën në Itali, dhe paneli ku merrnin pjesë ndërmjet të tjerëve edhe ministri i atëkohshëm i ekonomisë i Italisë, Scaiola, qeshte nën buzë, duke i premtuar se ishte një mundësi që do ta shikonin. Meqë ju përmënd emri, Scaiola, është një politikan i cili dha dorëheqje nga posti, vetëm se u dyshua se në blerjen e një apartamenti me shumën 600 mijë euro, ishte favorizuar në çmimin e shitjes, ku devijimi bëhej fjalë për rreth 200 mijë euro. Sigurisht që italianët që e dinë se çfarë lloj shteti i tarafit lulëzon në brigjet lindore të Adriatikut, nuk do tja linin fatin e sigurisë së tyre ekologjike, në duart e një centrali bërthamor, ku drejtuesit do ishin militantë partiakë, dhe drejtori kushëri i Berishës, ndërsa teknikët, do kishin mbaruar universitetet qesharake shqiptare. Energjia bërthamore është një çështje serioze dhe e vështirë për tu menaxhuar edhe nga japonezët, lere më nga një shtet që importon edhe karrocat e dorës.

Duke u afruar në kohë, në mbledhjen e Asamblesë së OKB-së në New York, në shtatorin e vitit të shkuar, Berishën e kishte kapur qejfi i hidrocentraleve, dhe premtoi liçenca për 200 të tillë. Se ku do ndërtohen këto hidroçentrale në një vënd që lumenjtë ngjajnë në periudhën e verës më shumë me vija uji, për këtë duhet fantazi ta mendosh. Megjithatë, duke kujtuar se u tha nga një tribunë nga ka folur edhe Fidel Kastro, gjithçka mund të pritet, por vështirë se realizohet. Dhe mos harrojmë se pak përpara këtij premtimi, vëndi kishte kaluar një sezon ku ishin shpërndarë pa hesap liçenca për fabrika çimentosh, të cilat do ta transformojnë gjithë ultësirën tonë perëndimore nga Fushë-Kruja, deri në Lezhë, në një hapësirë prej smogu, ku Pekini, qyteti me i ndohtur i planetit, do shëmbëllejë me vënd klimaterik.

Pasi kaloi moda e hidrocentraleve, nën kujdesin e kryeministrit dhe me iniciativën e ministrit të mjedisit, u miratua ligji për importimin e plehrave. Iniciatori, është pikërisht ai “çuni për së mbari” i republikanëve, që e marin gjithmonë në qafë nderet që bën për të tjerët, Fatmir Mehdiu. Ky personazh, që me sa duket ka hobi të masë rezistencën e shqiptarëve në fluturimet të shkaktuara nga demontimi i predhave, apo elasticitetin ndaj valës së shpërthimit, ka qejf ti shikojë edhe jetëgjatësinë kur thithin ajrin e qelbur nga dekompozimi i plehrave, apo tymi i djegësve të tyre. Kuptohet, gjithçka mendohet të jetë nën kujdesin dhe sponsorizimin e mafias së përtej detit.

Dhe së fundi vjen dëshira e kryeministrit për një energji diellore të rinovueshme, ku si gjithmonë nuk mungonte fjala “superfuqi”, e shoqëruar me dëshirën e tij të përhershme për mbjelljen e ullinjve, arrave, bajameve dhe shegëve.

Atëhere le të përpiqemi të imagjinojmë si do jetë vëndi ynë, nëse projekti i kryeministrit realizohet, ose në mos ai nuk e ka një të tillë, le ta shohim një foto pejsazh imagjinar të së ardhmes tonë, nisur nga ato që ka deklaruar:

Nga liçencat e 200 hidroçentralëve, vëndi që dikur quhej i shqiponjave, do jetë kthyer në një tip arqipelagu ishullor, ku do dilnin mbi ujë vetëm kodrat e larta dhe malet. Shqiptarët do rriheshin, për tu rikthyer në skërkat që kishin braktisur 6 deri 60 vjet përpara, që të vinin në qytetet tashmë të përmbysur. Në disa nga këto ishuj të rinj, do kishim të ndërtuar ku një mulli me erë, ku një fabrikë çimentoje, diku tjetër një djegës plehrash, në ca të tjerë panele diellorë, dhe në dy nga këta, centrale bërthamorë. Në hapësirat që do mbeteshin të lira ndërmjet këtyre monstrave, do dilnin degëzat e ullinjve, shegëve dhe bajameve, ndërsa shqiptarët, disa herë gjatë vitit do vilnin dhe hanin prodhimet e tyre, kuptohet pasi ti kishin pastruar nga mbeturinat radioaktive, hiri i djegësve të plehërave, apo të kishin shpëtuar pa u coptuar nga helikat e mullinjve me erë të energjisë eolike, gjatë vjeljes së frutorëve që dikur ju dha falas kryeministri. Nga ishujt, do zgjateshin ura të vogla prej dërrase, që do përfundonin në kasolle të tipit bungalov të kopjuar nga ishujt Barbados e Sejshellë, e të ngritura sipas koncepteve të ministrisë së turizmit, ku vizitorë nga Zvicra, do flinin natën në çarçafë poliestre, ndërsa ditën do shijonin pejsazhin industrial.

Kuptohet, që për fatin tonë të mirë, shumë nga sa më sipër, nuk do realizohen, pasi centralët bërthamorë janë një gjë serioze që nuk mund tju lihen në duar njerëzve që nuk dinë të bëjnë as zgjedhje; mullinjtë e erës, do shërbejnë sa për të ricikluar fonde të BE-së në xhepat e mafies energjitike; panelet diellore janë shumë fine për terrenin dhe mentalitetin shqiptar, ndërsa për të ngritur hidroçentralet, duhet të biem edhe lumenj në Shqipëri. Ajo çka do na e japin me dëshirë, është djegia e plehrave dhe fabrikat e çimentos. Dhe gjithë sa më sipër, përveç rreziqeve potenciale që mbartin, janë dëshmi për të qarë e për të qeshur, se qeverija e këtij vëndi nuk ka as edhe një strategji për zhvillimin e vëndit, e lundrimi drejt të ardhmes, bëhet me shikim të lirë, pa përdorur harta dhe busulla. Thënë shqip, nuk ja kanë haberin për punën që marrin rrogën.

Alternativa Civile

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00