Zgjedhjet e Tiranës, një histori më vete
Debati i bërë dje nga parlamentarët shqiptarë në Bruksel, të thirrur enkas për zgjedhjet e 8 Majit, ka tronditur thellë Bashkimin Europian përsa i takon gjykimit të njëanshëm të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor.
Nga Sadedin Çeliku
Tashmë është e qartë se Bashkimi Europian i pasuar nga disa deklarime që vijnë përtej Atlantikut nuk do ta kapërdijë dot rezultatin e dubluar dhe njëherësh vendimet e Kolegjit Zgjedhor, vendime këto të pa bazuara në ligj. Debati i bërë dje nga parlamentarët shqiptarë në Bruksel, të thirrur enkas për zgjedhjet e 8 Majit, ka tronditur thellë Bashkimin Europian përsa i takon gjykimit të njëanshëm të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor. Kjo do të thotë se departamenti i shtetit dhe strukturat e Bashkimit Europian kanë të drejtë kur thonë se drejtësia shqiptare po vuan, ka probleme me korrupsionin dhe si e tillë nuk duhet besuar dhe ka nevojë urgjente të reformohet. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Europës Thorbjon Jagland, i sugjeron kryeministrit të Shqipërisë të pranojë verdiktin e Komisionit të Venecias sa i takon interpretimit të zgjedhjeve në kryeqytet. Kjo është kërkuar, duke marrë parasysh se mungon baza ligjore për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara. Ndërkaq Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule, theksoi se tensioni politik është gati shpërthyes për shkak të këtij procesi, mbasi nuk mund të pranohet rezultat zgjedhor pas shpalljes së të parit.
Raporti i OSBE - ODIHR-it sqaron se ka paqartësi për numërimin e votave dhe në trajtimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit TË Europës ka shprehur shqetësim dhe e ka detyruar atë ti dërgojë një letër z. Berisha, i cili duhet të pranojë propozimin e tyre për vlerësimin e situatës ligjore që lidhet me zgjedhjet nga komisioni i Venecias. Në rast të kundërt ata pohojnë se situata mund të degradojë e për rrjedhojë Shqipëria mund të largohet shumë nga kërkesat e saj për integrimin në strukturat e Bashkimit Europian. Dyshime rreth zgjedhjeve vendore të Tiranës kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe strukturat e tjera europiane. Sigurisht që ka dhe ndonjë reagim siç është ai i z. Eugen Volfarth, ambasadorit të OSBE-së, i cili mendon se vendimi i kolegjit duhet përshëndetur. Denoncohen 360 fletë votimi më tepër nga lista e zgjedhësve, nuk hetohet nga askush, nuk zbulohet krimi dhe arsyetimi “është gabim njerëzor” edhe pse ato fletë ndryshojnë rezultatin dhe e bëjnë atë në favor të atij që stimuloi krimin elektoral, Kolegji bën të paditurin.
Sigurisht qytetarët e Tiranës ndjehen të turpëruar e të çuditur për shkak se ende ata nuk e dinë se ku ka shkuar vota e tyre edhe pse ka kaluar gati dy muaj. U bënë zgjedhjet në Maqedoni dhe Turqi pak ditë përpara dhe rezultati u mësua brenda natës, madje uruan njëri – tjetrin sepse secili mori hakun e tij. Këtu, pushteti i shtetit me presione që vijnë nga konflikti i interesit nuk mund ta bëjë një gjë tillë sepse nuk i pëlqen Edi se mendon se nuk është “simpatik”. Zoti Berisha duhet të tregojë këtë rradhë se është qytetar dhe demokrat i ndershëm, të pranojë humbjen e zgjedhjeve dhe të vazhdojë të kontribuojë në funksion të integrimit të vendit, detyrë të cilën e ka si kryeministër. Fitorja e socialisteve ishte një votim kundër qeverisë dhe qeverisjes dhe është i pafalshëm abuzimi me votën e qytetarëve të Tiranës, të cilët e dinë shumë mirë se për kë votuan. Krizën e gjithanshme që ka përfshirë Shqipërinë, nuk mund ta anashkalojnë dhe as të shkëpusin vëmendjen me zgjedhjet vendore ku ata që i numëruan votat dhe i panë këtë rradhë nuk ishin komisionerët por populli dhe disa përfaqësues të lartë diplomatikë.
Tashmë është e qartë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë formalizimin e fituesit por këtë rradhë jo me 80 vota, por me mbi 200 të tilla që zotëria të quhet “me tamam” fitues. Tashmë formalizimit të aventurës po i vjen fundi. Njerëzit me të drejtë pyesin se çfarë do të ndodhë sepse e kanë të qartë se kanë të bëjnë me një padrejtësi. Sigurisht, askush nuk dëshiron të ndodhë gjë sepse populli është i lodhur dhe i mërzitur nga skamja dhe hallet që sjell papunësia dhe pasojat e tjera të krizës. Por një gjë është e sigurtë, që kriza po thellohet dhe do të vazhdojë të dinamizohet edhe më tej.
Comments (0 posted)
Post your comment