A mund të qeveriset me “ribërje” rezultati?!
Përndryshe, zgjedhësit do të bëhen gjithnjë e më apatikë ndaj proceseve zgjedhore të padrejta. Pse jo dhe ndaj vetë rolit të pjesëmarrjes qytetare në proceset qeverisëse!
Rexhep Mejdani
Një ditë pas votimit, u largova për në Berlin në një veprimtari ndërkombëtare. Atje, nëpërmjet internetit, mësova për fillimin e lojës “kukafshehtas”, me hapje e mbyllje procesesh numërimi në disa komisione në Tiranë. Dhe jo rastësisht! Madje, ajo ishe shenja e parë e nisjes së marifeteve apo e “kalkulimit” nëpërmjet bllokimit të procesit të numërimit. Kështu nisi rrugën e vet odiseja e leximit të votës vendore në kryeqytet. Si rezultat, edhe 7 ditë më pas, kur më pyetën disa miq gjermanë për rezultatin e zgjedhjeve, unë vetëm ngrita supet. Historia mbeti po ajo pas kthimit në Shqipëri dhe largimit prej saj, njëherë për në Mal të Zi dhe më tej për Paris. Ajo që intrigoi këdo me mendje të ftohtë ishte vetë fakti domethënës i ndryshimit në proces të rregullave të lojës. Akoma më e habitshme ishte mënyra fyese, deri primitive e arbitrare e argumentimit të këtij ndryshimi! Dhe e gjitha kjo për gjoja transparencë zgjedhore, duke u “kamufluar” në mënyrë fare të trashë me këtë të fundit! Veçse, për çdo rast, sikur në çdo hallkë të procesit qeverisës e rregullator të veprohet e arsyetohet në këtë mënyrë (minimalisht mendjelehtë, maksimalisht abuzive) nuk mund të flitet më për shtet të së drejtës, aq më pak për respektim të ligjit dhe rregullave të caktuara e miratuara më parë. Aq më keq, jo vetëm nuk realizohet një qeverisje normale apo bëhet fjalë për standarde mesatare demokratike disiplinuese, por dominon kaotizmi, rastësia e anarkia nga njëra anë dhe arbitrariteti, imponimi e sjellja autokratike, nga ana tjetër…
* * *
Pyetja edhe sot, gati dy muaj pas zgjedhjeve, ka mbetur po ajo e ditëve të para pas votimit. Pra, “cili është rezultati i këtyre zgjedhjeve për Tiranën?” në kuptimin e konstituimit dhe nisjes së ushtrimit të detyrës së organeve të reja vendore. Po ashtu, me keqardhje shihet se, përsëri, ndryshe nga pohimi i ditës së parë, ku konsiderohej procesi zgjedhor si një arritje e deri sukses; menjëherë pas asaj dite filluan “marifetet” partiake. Si rezultat, pas një periudhe të gjatë përplasjesh e bllokimesh në disa komisione numërimi për zona të caktuara të Tiranës, tema e ditës në mjaft pritje zyrtare, në kafe e restorante, në biseda familjare e shoqërore, u bë dhënia e rezultatit për qeverisjen e kryeqytetit. Më në fund, pas oscilacioneve të rezultatit për ditë të tëra dhe deklarimit të fitores me 10 vota më shumë për kandidatin e PS-së: E. Ramës, u desh ndërhyrja arrogante në proces e katërshes së komanduar të KQZ-së për të ndryshuar rezultatin. Për këtë qellim, kjo katërshe dhe kryetari i “ftohtë” i saj, në vend të nxjerrjes së rezultatit përfundimtar, stimuloi hapjen fillimisht të disa kutive dhe më tej (për gjoja më shumë transparencë) rritjen e numrit të tyre. Kështu, u kalua peshorja e rezultatit në anën tjetër, në favor të kandidatit të PD-së: L. Bashës. Dhe, nuk kishte si të ndodhte ndryshe!…
Si përfundim, gjatë gati këtyre dy muajve të fundit Shqipëria u bë përsëri një mollë apo “star” sherri. U rrit tensioni politik në vend duke e transmetuar atë, si dhe më parë, në gjirin e shoqërisë. Aq më tepër, duke shtuar mosbesimin apo duke rënduar më tej problemet e lidhura ngushtë me kohezionin social. Po ashtu, edhe vendimmarrjet e kolegjit, nën një trysni e “tkurrje” politike (për të mos “folur” më shumë seç duhet(!)), nuk ishin as zgjidhëse, as rregulluese. Bile, për vetë-justifikim, nuk munguan deri dhe interpretime publike apo intervista të pandeshura më parë, si nga kryetari i KQZ-së, ashtu edhe ai i Kolegjit Zgjedhor! Kurse, tani, paralelisht, po na shtjellohen çuditërisht “teori dialogu” (ca të stisura nga brenda, ca të servirura nga jashtë) sikur të jemi pjesë e ndonjë “skeme hantingtoniane”! Pa harruar që pjesë e mbarëvajtjes së zgjedhjeve shqiptare, në kuadër të përfshirjes, vëzhgimit e numërimit të votave (pse jo dhe të mosreagimit apo reagimit apatik ndaj nevojës për rregullime të domosdoshme të Kodit Zgjedhor, sidomos të ristrukturimit të KQZ-së), ishin edhe disa ambasadorë e përfaqësues organizmash ndërkombëtarë në Shqipëri. Aq më tepër që dhe në botën demokratike ku ne po integrohemi, vetë dialogu nuk është ndonjë shtrëngim artificial duarsh, as ndonjë drekosje (darkosje) e përbashkët, aq më pak “puthje” kundërshtarësh! Ai, në qenësinë e vet, ka veprimin politik pozitar e opozitar brenda institucioneve, nga njëra anë, dhe reagimin popullor-demokratik, nga ana tjetër. Dhe, mbi të gjitha, respektimin e ligjit dhe Kushtetutës në funksion të stabilitetit, demokracisë e zhvillimit; realizimin e detyrave të përbashkëta të përfaqësimit të interesave qytetare dhe në këtë kuptim edhe përafrimin më të mirë në rrugën e integrimit europian të vendit…
* * *
Aktualisht, kërkesa për ripërsëritjen e zgjedhjeve në shumicën e qendrave, edhe pse e vonuar, duket e drejtë. Pavarësisht rezultatit që pothuajse parapritet, ajo ka vlerë, të paktën për disa arsye të thjeshta.
Së pari, për të ndërtuar edhe ne modelin demokratik të ankimit.
Së dyti, për të ndjekur e shfrytëzuar plotësisht rrugën ligjore, jo thjesht e vetëm për të korrigjuar ndërhyrjet e trasha të politikës, por dhe për të hapur disa sy ende të mbyllur apo edhe ata që duan të rrinë të tillë. Pse jo dhe për të demaskuar, në një mënyrë apo tjetrën, manipulimin e spekulimin, qoftë me veshje rregullatore-ekzekutive, qoftë me atë juridike-gjyqësore!
Së treti, për të ecur deri në fund nëpër këtë rrugë ligjore formale, bile duke e mbyllur plotësisht ciklin shqiptar në Gjykatën Kushtetuese. Dhe, më tej, duhet tentuar (me besim apo pa besim) për të vjelë leximin sa më të drejtë apo ndonjë rekomandim të dobishëm nga struktura të specializuara të tilla si ODHIR apo Komisioni i Venecias. Kurse, faza përmbyllëse e këtij procesi sa ligjor, po aq dhe demokratik-emancipues, duhet të tentohet të arrihet në Gjykatën e Strasburgut. Aq më tepër që, në kuadër të të drejtave të njeriut, vota e lirë dhe e fshehtë e zgjedhësit, e numëruar në mënyrë korrekte, në bazë të një sistemi ligjor e kushtetues demokratik, përbën një nga fitoret e mëdha njerëzore-politike, një nga triumfet e pjesëmarrjes qytetare në proceset qeverisëse. Parë në këtë optikë (pavarësisht festimeve në fillim të njërit kandidat apo në ditët e fundit të kandidatit tjetër), vlen të vazhdohet të ndiqet ky zinxhir hallkash ligjore.
Pra, në njëfarë mënyre, nëse për Tiranën arrihet të pranohet gjykimi i tyre në Gjykatën e Strasburgut (nuk e di nëse ekziston aty ndonjë precedent i tillë), atëherë zgjedhje të tilla do të vazhdojnë të mbeten teorikisht nga ana gjyqësore si zgjedhje pa rezultat. Natyrisht, nëse do të arrihej kjo, nga ana virtuale, do të pritej për deklarimin përfundimtar të asaj Gjykate Europiane. Ndërkohë, për interesa të menaxhimit e administrimit publik, në funksion të vetë qytetarit votues ose jo votues, të një krahu politik apo të krahut tjetër, nuk mund të zgjatet pa kufi procesi i konstituimit të qeverisjes vendore me kryetarin e Bashkisë si përfaqësues të degës Ekzekutive, dhe Këshillin Bashkiak si përfaqësues të degës Legjislative. Përndryshe, zgjedhësit do të bëhen gjithnjë e më apatikë ndaj proceseve zgjedhore të padrejta. Pse jo dhe ndaj vetë rolit të pjesëmarrjes qytetare në proceset qeverisëse! Madje, nëse nuk çohet deri në fund ky proces ligjor ankimi, zgjedhjet shqiptare do të vazhdojnë të vuajnë “epshin” e deritanishëm politik apo do të prodhojnë, jo vetëm struktura qeverisëse arbitrare, jashtë vullnetit të qytetarit, por dhe mund të ushqejnë deformime institucionale gjithnjë e më dramatike. Aq më tepër që, në kuadër të sistemit zgjedhor aktual, sidomos për zgjedhjet e përgjithshme, realizimi i qeverisjes qendrore do të bëhet gjithmonë më i vështirë, në kuptimin e stabilitetit, efektivitetit apo cilësisë së saj; aq më tepër në kushtet e një elektorati gati-gati të ndarë në mes!…
Comments (0 posted)
Post your comment