Home | Opinion | A mund ta garantojë Rama fitoren në 2013!?

A mund ta garantojë Rama fitoren në 2013!?

image
Shqipëria ka nevojë për një rotacion politik të vazhdueshëm: është ai që e bën shumë herë më të shëndetshme dhe të plotë demokracinë tonë. Por, një kryetar i tillë në krye të opozitës, pa dëshirë dhe shpirt unifikues, nuk e garanton dot këtë.

 

 


 
Denion Meidani

 

 

Në fakt, kërkesa për përsëritje zgjedhjesh duhet të ishte e para në odisenë e sorollatjeve KQZ – Kolegj Zgjedhor. Me të vërtetë, “10 votat e arta që i pamë të gjithë në TV” nuk ishin veçse më pak se 0.004% e morisë së votave (e mbi 250 000 votave të qytetarëve të kryeqytetit), apo e vullnetit të shprehur të popullit të Tiranës. Kurse, në përgjithësi, në raste të tilla, gabimi njerëzor i llogaritur, duke marrë parasysh dhe faktorë të tillë, si: mungesa e përvojës, numërimi me orë të zgjatura apo puna nën presion, etj., llogaritet diku në intervalin nga 0.077 në 0.360 për qind.

*  *  *
Pra, Partia Socialiste, në Tiranë, mund dhe duhet të kërkonte, që në fillim, rinumërimin e plotë apo dhe ripërsëritje të zgjedhjeve, sepse dhe avantazhi me 95 vota, apo 0.038%, i shpallur nga KQZ-ja herën e parë, por dhe ai përfundimtar me 81 vota, apo 0.032%, janë brenda gabimit njerëzor të toleruar në raste të tilla. Ajo nuk e kuptoi lojën ku po e “zhytnin” duke ngecur në “rërën” e “10 votave të arta”. Për më tepër, midis paqartësisë dhe amullisë së pozicionimit futi fillimisht në lojë deputetët që kërcenin mbi kangjella apo gardhin e policëve, duke lënë mbrapa deri këpucë, xhaketa të shqyera e zinxhirë pantallonash, dhe më tej edhe militantët e rretheve. Nuk mjaftoi kjo dhe pas disa ditësh u kërkua hapja e zarfeve me votat e hedhura jo në kutitë e duhura, kur vetë kutitë kanë mbetur pa u hapur edhe sot, duke ligjëruar kështu veprimet e vetë KQZ-së. Kjo edhe pse më parë këto veprime u quajtën të paligjshme, madje kundër tyre organizoi dhe protesta…

*  *  *
Por, kush e ka fajin për një amulli të tillë në veprimin politik të PS-së? Në zgjedhjet e 2009-s, me sa duket, u gjet fajtori, Kastriot Islami. Po në këto zgjedhjet e fundit, apo në trajtimin e periudhës paszgjedhore, cili e ka fajin? Apo në këtë rast faji është anonim! Pa dyshim, përgjegjësia kryesore i takon drejtuesit. Lideri i opozitës, nga ana taktike, është shfaqur mjaft dobët, duke dëshmuar mungesë analize dhe qartësie politike, hezitim e sorollatje në vendimmarrje. Ndryshe nga çfarë synohet të “mistifikohet”, në mendimin dhe veprimin e tij konstatohet, madje lexohet pa vështirësi, një konfuzion e paqartësi në rritje, mungesë shpejtësie, vonesë logjike, thjesht “teatralitet” në organizim e krijimtari. Këtë e dëshmoi më mirë se gjithçka ngjarja tragjike e Gërdecit, që në çdo vend të botës demokratike do të rrëzonte çdo qeveri e kryeministër!…

*  *  *
Ndonjë lexues edhe mund të gjykojë ndryshe mbi aspektin taktik. Sepse për të, përgjithësisht një lider luan rolin e tij kryesor në planin strategjik. Me fjalë të tjera, është ai (dhe lidershipi rreth tij) që, në pikëpamje strategjike, planëzon strategjinë e zhvillimit, orienton drejtimin, veprimtarinë apo aksionin politik, llogarit rezultatin për një periudhë afatmesme e afatgjatë, duke ia lënë zbërthimin konkret e zbatimin taktik sekretariatit dhe sekretarit të përgjithshëm, organeve drejtuese të grupit parlamentar apo drejtuesve të partisë në rreth. Parë me këtë sy, historia e tij në krye të Partisë Socialiste ka dëshmuar mangësi të theksuar sensi orientimi dhe mungesë operimi strategjik. Unë nuk po shkoj deri aty, siç dëgjohet midis mjaft anëtarëve të PS-së, për paaftësi dhe mediokritet në planifikim e vizion, arbitraritet në planin njerëzor, në drejtim e rekrutim, arrogancë në rrafshin njerëzor. Është po i njëjti Ramë, siç pretendon dhe vetë, që urdhëroi miratimin brenda një natë amendamentet kushtetuese që prekën jo vetëm kolonat bazë të saj, por dhe rezultuan kundër tij dhe krejtësisht në favor të PD-së dhe Berishës. Aq më tepër, kryerjen e tyre në kurriz të prishjes së aleancës së domosdoshme me LSI-në e Metës! Kështu, që nga kjo sjellje “strategjike” (lexoje antistrategike), na ka rezultuar sot një kryeministër akoma më i fortë dhe i patundshëm, falë pushtetit dhuruar nga amendamentet që Rama, me naivitet të shfrenuar, i kishte llogaritur apo imagjinuar për vete pas fitimit të zgjedhjeve të vitit 2009. Madje, deri duke i eliminuar aleatët besnikë si PSD-ja e Gjinushit, apo PDS-ja e Milos…
Pra, është po ky Ramë që në ato zgjedhje anashkaloi e mashtroi aleatët, duke humbur copat e mbetura të mandateve, që sipas llogaritjeve mund t’i jepnin 2 deri në 3 deputetë më shumë. Vota që ai nuk i donte me arsyetimin strategjik se ishin vota të pakontrolluara prej tij. Këtë logjikë e përforcoi më tej në zgjedhjet vendore të fundit. Është po ky Ramë që gaboi në formulimin e Kodit Zgjedhor duke humbur dhe epërsinë që forca e tij politike kishte nga sistemi paraardhës, falë dhe epërsisë zonale në shumë territore më të populluara të Shqipërisë. Bile, duke pranuar shumicën e zonave me një numër çift deputetësh! Po i njëjti Ramë ishte ai që humbi lojën strategjike të zgjedhjes së Presidentit për arsye akoma më banale, që nuk ia vlen as të përmenden këtu. Është po ky Ramë që gjoja formuloi strategjinë e zgjedhjeve të 2009-s, por dhe u mor personalisht edhe me anën taktike të zbatimit të saj. Dhe rezultatin e dimë mirë të gjithë. Bile, para zgjedhjeve, drita ishte e gjitha mbi të dhe posterat me fytyrën e tij, ndërsa mbas humbjes faji ishte tërësisht i të tjerëve. Menjëherë pas zgjedhjeve, për më tepër, na u shpalos dhe teza e famshme se e kishin këshilluar gabim! Pra, pas tyre, tashmë faji nuk qëndronte më te “Lenini”, por tek ata që e mësuan keq dhe influencuan udhën e drejtimit të valës së tij. Dështimi i tij në konceptimin e koalicionit, të marrëdhënieve të ndërsjella me aleatët apo të bashkimit të së majtës, kaq të propaganduar nga ai, dëshmon për një tjetër mangësi individuale dhe mungesë aftësish strategjike si në mënyrën e ndërtimit të këtyre marrëdhënieve, ashtu dhe në kalkulimin përkatës.

*  *  *
Ndeshet, gjithashtu, mungesë strategjie e vizioni në konceptimin e drejtimit dhe organizimit të partisë që ai drejton që prej 6 vjetësh. Shohim aty tendenca autokratike, klientelizëm dhe mbytje zëri kritik apo kundër. Në çdo rast e lufton mendimin ndryshe duke krijuar një pseudomendim ndryshe, tërësisht artificial e sharlatan, nëpërmjet angazhimit dhe “frymëzimit” të vetë radhëve të mercenarëve të tij, që dhe të dhimbsen. Akoma më keq, e lufton mendimin ndryshe me anën e “blerjeve” mediatike apo komandimit të disa “lehjeve” mediatike, brenda një sistemi të tërë korruptiv e klientelist që e ka konceptuar pa formë e thelb. Bile, në të shumtën e rasteve ka prodhuar një “antitendencë”, një lloj makinerie që i është kthyer kundër apo që është shfrytëzuar shumë herë më mirë nga armiqtë e tij politik.
Parë në tërësi, nuk duket si e vështirë që të arrihet në përfundimin që Rama, ndryshe nga ç’ka premtuar, është i paaftë për të krijuar një vizion, për të mbrujtur strategji apo për të transmetuar një frymëzim politik-publik. Madje, siç më kujtohet një shprehje e Ajnshtajnit, “problemet nuk mund të zgjidhen nga i njëjti nivel të menduari që i ka krijuar ato”. Pa harruar që ky artist, i formuar në rebelizmin brenda konformizmit realist, me krijimtari kryesore të tij në vitet ‘90, e humbi shpejt, për një arsye apo tjetrën, frymën post-moderniste (që normalisht përmban kreativitet, por që humbet kur nuk ushqehet vazhdimisht nga rrethet e duhura elitare). Pra, ky lider ka humbur kreativitetin e tij sepse ai, në natyrën e tij, ka tendencë të rrethohet nga mediokriteti e banaliteti. Ai, jo vetëm nga formimi, në kushte të tilla, kurrsesi s’mund të ketë operim të llogaritur strategjik, shpejtësi e korrektësi zbatimi taktik. E thënë ndryshe, përveç rastësisë, askush nuk duhet të presë më shumë nga ky tip drejtuesi…

*  * *
Shqipëria ka nevojë për një rotacion politik të vazhdueshëm: është ai që e bën shumë herë më të shëndetshme dhe të plotë demokracinë tonë. Por, një kryetar i tillë në krye të opozitës, pa dëshirë dhe shpirt unifikues, nuk e garanton dot këtë. Për më tepër, ajo rrezikon humbjen e radhës në 2013-n. Për më tepër, ai jo vetëm që nuk do ta njohë përsëri humbjen si zgjedhjet e mëparshme, por do të rrezikojë duke ruajtur kolltukun e kryetarit, të përçajë Partinë Socialiste dhe ta fragmentojë më tej, duke e dëmtuar më rëndë të majtën shqiptare (sipas modelit italian të një të majte të dobët dhe të përçarë, në frymëzimin veltronian të kohës së tij). Me përjashtim vetëm nëse fati dhe zotat e ndihmojnë Ramën!…

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00