Home | Opinion | Dje “Shkëmb graniti”, sot “Superfuqi”…

Dje “Shkëmb graniti”, sot “Superfuqi”…

image
Diktatori i djeshëm e “shpartalloi” rrethimin imperialisto – revizionist dhe e bëri Shqipërinë kështjellë të pamposhtur në brigjet e Adriatikut. “Demokrati” i sotëm e ka kthyer Shqipërinë në “Superfuqi” të vogël ekonomike dhe energjetike, duke “çuditur” një botë të tërë!

 

 


Nga Pandeli Bardhi

 

 

 

Nuk qenka e thënë që ne shqiptarët të heqim dorë nga mburrjet e llafet boshe. Përderisa të tjerët nuk na mburrin e nuk na lëvdojnë, rruga e vetme mbetet ajo e të vetëmburrurit dhe e fjalëve “bombastike” që na bën të “ngopemi” me lugë bosh. Afro 50 vjet foli diktatori se ne jemi “shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut”, se jemi një “kockë e fortë që mbyt armiqtë imperialisto- revizionistë”, se “hedhim valle në gojë të ujkut” etj., etj., broçkulla të tilla. Foli e foli dhe kurrkush nuk e dëgjoi. E kur nuk të dëgjon njeri, nuk ka rrugë tjetër, përveç asaj që vetë flet e vetë dëgjon. Në këtë rrugë ecën edhe Kryeministri i sotëm, i cili flet e flet dhe kurrkush nuk e dëgjon. Ato që ka në mendjen e tij, ai ose do ti llafosi me vehte, ose do ti thotë përpara grupit të tij parlamentar, ose në ndonjë komunë ku pret  shiritin e inagurimit të ndonjë rruge. Pra atje, ku nuk e kundërshton njeri, mbasi në të kundërt po ta kundërshtojë njeri, siç bën opozita ndonjëherë në parlament, ai menjëherë del nga “
shinat” dhe nuk dihet se ku mbahet!. Kështu bëri edhe këto ditë, ku foli për “arritjet e tij madhështore” në fushën ekonomike, e sidomos në rritjen e rogave e pensioneve!. Foli e ç’nuk foli, e në fund të fundit vetë foli e vetë i dëgjoi. “Modeli ynë i rezistoi krizës”,- shprehet ai-  ajo (kriza), ekziston vetëm në imagjinatën e opozitës”… dhe “Shqipëria, një vend model se si i rezistoi krizës!”. Se çfarë modeli ka zbatuar ky në Shqipëri, këtë nuk na e thotë, por me siguri është modeli “Berisha”!. Dhe më tej ai vazhdon: “Ekonomia jonë nuk ka asnjë recesion, kemi patur reforma  të drejta”…Siç duket, bota e zhytur në krizë, nuk do ta uli “hundën” e të mësojë nga modeli shqiptar, “alla Berisha”, se  çfarë reforma zbatoi ky “largpamës”, që të dali nga kjo krizë e thellë, bile pa u “lagur” fare!. Në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve, jo vetëm që nuk përmendemi si model në përballimin e krizës, por na radhitin edhe në vendet e fundit të listës, si në të gjitha fushat, edhe në atë të të ardhurave për frymë. Edhe në rajonin tonë, mes fqinjëve e kemi të “siguruar” vendin e fundit!. Ose të huajt nuk duan të “mësojnë” nga eksperienca jonë, që nuk na bëri syri “tërr” nga kriza, ose ne i mbajmë sekret “reformat e drejta” dhe “efikase” që ka marrë Kryeministri ynë, duke e “parandierë” krizën shumë kohë  para se ajo të përfshinte botën.


Rishikimi i buxhetit në mes të vitit, ulja drastike e shpenzimeve buxhetore, rënia e prodhimit dhe rritja e borxhit të jashtëm, mungesa e investimeve dhe rritja e papunësisë etj., të gjitha këto nuk janë pasoja të krizës, po hajde e mbushi mendjen Kryeministrit!. Diktatori i djeshëm, i kishte në grykë të topit armiqtë imperialisto-revizionistë, dhe forcën për këtë e gjente te Marksizëm –Leninizmi!.”. Edhe Don Kishoti i sotëm, i kundërvihet me “sukses” mekanizmave të fuqishëm ndërkombëtarë siç janë FMN-ja, Banka Botërore etj. Forcën ky e gjen tek vetvetja që ka forcën e “Anteut”!. Ndryshimi i vetëm është se ky i fundit, nuk i ka “halë në sy” këto organizma, por u bën qefin, ose e thënë më shkurt “i kreh” e ja le “morrat” brenda!. Ato janë vërtet organizma të fuqishme, por kur është puna për “dhimbjen” që ndjen Kryeministri për pensionistët, për rritjen e rrogave e të pensioneve, këtu, ndahet “shapi nga sheqeri”. “Ne, kemi marrëdhënie të shkëlqyera me FMN-në, thotë Kryeministri, por është e dhimbshme, të mos rrisim rrogat e pensionet”… A e shihni ju pensionistë se çfarë njeriu keni në krye, që kur është puna për “dhimbjen” që ndjen ai për ju, nuk pyet asnjë forcë në botë, që ta ndali në rrugën e rritjes së rrogave e pensioneve!. “Maratona jonë nuk ndalet” thotë “Marathonomaku” që për të gjashtin vit rresht pensionet dhe rrogat njohin vetëm rritje!. Thotë kështu, dhe kështu është. Për këtë nuk ka rëndësi se sa janë rritur rogat e pensionet, nuk ka rëndësi se sa janë rritur çmimet e artikujve të konsumit të përditshëm, të cilat janë dyfishuar, gjatë këtyre gjashtë vjetëve!. Nuk ka rëndësi që varfëria sa vjen e shtohet, që jetesa është bërë më e shtrenjtë se kurrë. Ky njeri që ndjen “dhimbje” për pensionistët, i ka lënë ata në pikë të hallit, që as ilaçet më të domosdoshme nuk mund ti blejnë, pa le më pastaj për të ngrënë e për të paguar qiratë, që gjatë këtyre gjashtë viteve edhe këto janë dyfishuar. Këto, ai nuk don ti dëgjojë, dhe as nuk i interesojnë që ti dijë!. Ai di vetëm atë që “maratona” e rritjes së rrogave e pensioneve nuk ndalet!. Ai nuk ndalet në rrugën e tij për ti treguar botës mbarë se Shqipëria, “rritjen më të madhe ekonomike në Planet” po e shoqëron me “vepra” konkrete, me rritje rrogash e pensionesh. Ai bën atë, që asnjë vend i botës, nuk po e bën.

Tërë bota flet për shkurtime të rrogave e pensioneve, vetëm një vend, nuk don “t’ia dijë!. E prapëseprapë bota nuk merr mundimin të pyesi: “Si ka mundësi që ne po bëjmë vetëm shkurtime, Shqipëria, bën vetëm rritje të rrogave e pensioneve”? “Dhimbjet” e tij ai i ka treguar edhe herë të tjera, kur është puna për shtresat që vuajnë për bukën e gojës, për një kasolle për të futur kokën. “Dhimbjen” e tij ai e ka treguar edhe më parë med tetrapegjikët, që janë të “vdekur të pa mbuluar” për plotësimin e kërkesave më minimale të tyre për mbijetesë. “Dhimbjet” e tij ai i ka treguar edhe për jetimët që i flak në rrugë, edhe për mijëra familje që jetojnë me një asistencë 30.000 lekë të vjetra në muaj, edhe për të sëmurët kronikë e, kudo ku kërkohet ndërhyrja e shtetit “human”!. “Dhimbjen” e tij ai e ka treguar edhe për 26 viktimat e Gërdecit, ku “ndëshkimit” të fajtorëve i shkoi deri në fund!. Të pamundurën bëri për të shpëtuar karrigen e tij dhe të kolegëve të vet, që për “merita”, i shpërbleu, nga “dhimbja” që ndjente për viktimat dhe afro 300 të plagosurit, pa le më pastaj për shtëpi  katandi e pasuri, që i shkatërroi nga themelet!. “Dhimbjen” e tij ai e ka treguar edhe për katër viktimat e 21 janarit të këtij viti, ku pa thënë asnjë fjalë për ti ngushëlluar familjet e viktimave, i akuzoi ata se janë vrarë nga shokët e tyre brendapërbrenda turmës!. E ku nuk ka treguar “dhimbje” ky njeri “i ndjeshëm” dhe shumë “sensibël”, kur është puna për njerëzit, për vuajtjet dhe hallet e tyre. Por dhimbjen më të madhe ai e ndjen për vehten e vet, për sigurimin e jetës së tij, në tokë dhe në ajër. Kësaj i shërben makina e blinduar 700 milionëshe dhe helikopteri modern i blerë kohët e fundit!.

Pavarësisht se këto janë shpenzime marramendëse për  taksapaguesit e varfër, ato përbëjnë një garanci më tepër për ti dhënë forca këtij njeriu “të hekurt” që të jetë i sigurt edhe në det e të qëndrojë edhe 30 minuta më shumë nga viti i kaluar, pra nga 123 minuta, të qëndrojë 153!.Diktatori i djeshëm e “shpartalloi” rrethimin imperialisto – revizionist dhe e bëri Shqipërinë kështjellë të pamposhtur në brigjet e Adriatikut. “Demokrati” i sotëm e ka kthyer Shqipërinë në “Superfuqi” të vogël ekonomike dhe energjetike, duke “çuditur” një botë të tërë! E prapëseprapë bota, nuk don të marri shembull, e të dali nga “qorrsokaku” i krizës ku është futur! Don Kishoti i Servantesit, luftonte me mullinj realë, kurse ky i sotmi mburret me mullinj imagjinarë, që pretendon të ngrejë për ti dhënë edhe fqinjëve energji elektrike, mbasi nga centralet bërthamorë hoqi dorë!. Në rrugën e tij ai është i vendosur të eci me vendosmëri e pa u përkulur, pa e kundërshtuar kurrkush nga “Sanço Pançot” rreth e rrotull. Dikur shkencëtari i një mijë shpikjeve Edisoni i thoshte ndihmësit të vet: “Më kundërshto, qoftë edhe një herë të vetme, që të duket sikur jemi dy veta”!. Vetë flet e vetë i dëgjon, por realiteti nuk është ai që thotë Kryeministri. Edhe njerëzit tashmë u mësuan të dëgjojnë vetëm një “violinë”!..

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00