Makina e hajnisë
Sikur të kishim gjykata jopolitike të paanshme dhe efikase nuk do të kishim këtë nivel të lartë të korrupsionit dhe dukurive tjera negative. Gjyqësori, duke qenë politik, nuk është në shërbim të shtetit, por të pushtetit.
Sokol Bylykbashi
Qeveria e Kosovës e ka vjedh pushtetin nga populli. Tash po e vjedh buxhetin e popullit. Hajnia nuk është vetëm shkak i ekzistencës se kësaj Qeverie, por edhe pasojë e qeverisjes së saj. Kjo Qeveri nuk është nga populli e as për popullin, por është Qeveri e vetes e për hir të vetvetes. Kësaj Qeverie i mungon legjitimiteti dhe qeverisja e mirë pikërisht për shkak të hajnisë.
Derisa më 22 qershor, rreth 10.000 qytetarë protestonin para Qeverisë kundër hajnisë, zv. Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se nuk jemi në fushatë zgjedhore. Për Qeverinë e Kosovës populli duhet të merret më politikë aktive vetëm në zgjedhjet elektorale. Pra, sipas Qeverisë populli nuk mund të mendojë, të flasë e të veprojë politikisht, nëse nuk kemi zgjedhje. Për më keq, kur qytetarët e shprehin pakënaqësinë e tyre nëpërmjet protestave e formave tjera fyhen rëndë nga deputetët dhe qeveritarët e PDK-së. Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala, protestën kundër hajnisë së qeveritarëve e quajti ‘sfilatë hipokrizie’, ndërsa zv.ministri, Ilir Mirena, fyen shumë ulët përmes një shkrimi në njërën prej gazetave, aktivisten Puhie Demaku.
Nuk është vetëm Qeveria e Kosovës e cila minimizon dhe ironizon pakënaqësinë dhe shprehjen e saj, por edhe Policia e Kosovës. Kjo polici sa herë që populli proteston, jo vetëm që ushtron dhunë kundër tij, por edhe minimizon numrin pjesëmarrjes në protesta. Në njoftimin e parë që ka dhënë Policia e Kosovës për numrin pjesëmarrës në protestën e 22 qershorit thuhet të kanë qenë 1500 veta. Nuk është hera e parë që kjo polici mohon dhe minimizon aktivitetet politike të popullit kundër projekteve politike antipopullore. Kur flas për Policinë e Kosovës flas për udhëheqësit e lartë komandues si lloji i Reshat Maliqit, e jo për policët e thjeshtë e të ndershëm. Kjo polici, duke qenë politike, është polici në shërbim të qeveritarëve e jo të qytetarëve.
Sa herë që paraqiten fakte dhe kritika për korrupsion kundër Qeverisë, kjo e fundit thotë që ata që kanë fakte le t’i dërgojnë ato në gjyqësor. Dihet fare mirë që gjyqësori është një prej sektorëve më të korruptuar dhe të ndikuar nga politika. Këtë e thonë çdo muaj raportet ndërkombëtare e vendëse. Qeveria e Kosovës e di fare mirë që nëse ndonjë fakt dërgohet në gjykata krejt mundi shkon huq. Nuk është problemi të mungesa e ankesave të qytetarëve në gjyqësi, por te ndikimet e qeveritarëve në gjyqësi. Sikur të kishim gjykata jopolitike të paanshme dhe efikase nuk do të kishim këtë nivel të lartë të korrupsionit dhe dukurive tjera negative. Gjyqësori, duke qenë politik, nuk është në shërbim të shtetit, por të pushtetit.
Qeveria e Kosovës përveç që vjedh popullin, ajo shpenzon buxhetin e popullit në mënyrë të paarsyeshme dhe të pandershme. Merreni me mend - një vend shumë i vogël e i varfër ka një qeveri më një Kryeministër, gjashtë zv.kryeministra, 30 zv.ministra, dhe rreth 120 këshilltarë. Vetëm pagat e tyre, pa marrë parasysh edhe shpenzimet e tjera që çdo ministri, kanë një kosto vjetore prej më shumë se 2 milionë eurosh. Kjo Qeveri megalomane nuk është bërë për interesa kombëtare, por për interesa individuale. Thaçi duke e ditur që i ka të numëruara ditët në Qeveri, nuk e ka lënë asnjë bashkëpunëtor pa post qeveritar. Kjo Qeveri, që nuk është e punës, por e shpenzimeve, do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen ekonomike dhe sociale.
Qytetarët e Kosovës po përballen me mungesën e gjërave elementare për jetesë. Mungesa e politikave te mirëfillta zhvillimore, mungesa e prodhimit dhe mbrojtjes se tij nga shteti, hajnia e madhe e qeveritarëve, shitja e kompanive profitabile dhe hyrja e mallrave serbe pa doganë ia kanë nxirë jetën qytetarit të Kosovës. Si pasojë e këtyre problemeve ekonomike në Kosovë mijëra biznese falimentojnë në çdo vit. Nëse këto biznese kanë vetëm një të punësuar, kjo i bije se çdo vit e humbin punën mijëra të punësuar nga falimentimi i këtyre bizneseve.
Protesta e 22 qershorit e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! mundësoi që qytetarët e nëpërkëmbur ta thonë fjalën e tyre. Pushteti u mundua që përmes policisë t’i pengojë dhe frikësojë qytetarët që ta shprehin kundërshtimin për hajninë e qeveritarëve. Një ditë para protestës policia e mbushi qytetin me pjesëtarë të saj që ekspozonin topa uji nëpër qytet. Dhe në ditën e protestës kjo polici vodhi podiumin për të cilin paraprakisht ishte pajtuar.
Sensibilizimi i qytetarëve për rëndësinë e të qenit aktiv politikisht, ka bërë që të kemi në Kosovë qytetari aktive. Kësisoj, qytetarët do të reagojnë për çdo padrejtësi qe iu bëhet nga pushteti në lagje, fshatra, qytete dhe më gjerë.
Comments (0 posted)
Post your comment