“Tom(k)a dhe shokët e tij”…të Kolegjit
“Nuk ka rëndësi nëse kutia e ka në rregull kodin e sigurisë apo jo. Ajo mund të jetë edhe e shqyer, edhe e thyer anash, para apo prapa. Përsëri ajo është e vlefshme”, etj, etj.
Nga Noel Hajdini
Basha, “u kurorëzua” dy ditë më parë si kryebashkiak i Tiranës. Sagën dymujore të këtij kurorëzimi të turpshëm, pas KQZ-së e nisi i pari Toma i Kolegjit. Dhe e vazhduan më pas tomërat e tjera, burra apo gra, qofshin, kjo s’ka shumë rëndësi. Rrënja e këtij emri, në fakt na sjell ndër mend edhe fabulën e një filmi artistik. Toma i Kolegjit dhe Tomka i vogël filmit të mirënjohur shqiptar të viteve ’70-’80, si personazhe, në vetvete nuk kanë ndonjë gjë të përbashkët lidhur me moshën dhe me kohën të cilës i përkasin. Njëri është një vocërrak 8-9 vjeçar i viteve të Luftës, kurse tjetri një burrë me thinja rreth të 60-tave, i kohës së sotme të demokracisë. Por ata nuk i dallon vetëm mosha gjithashtu. Tomka i filmit nuk di të mashtrojë e të gënjejë shokët e tij të aksionit, kurse Toma i Kolegjit, së bashku me sojin e sorollopin e tij nuk e kuptojnë dot profesionin e tyre pa gënjyer sheshazi, apo “ashiqare”, siç thotë populli. Tomka i filmit, së bashku “shokët e tij”, për të bërë, për të graduar “komandant” një nga pjestarët e grupit, kërkon prova të forta drejtësie, burrërie, trimërie e besnikërie; kurse Tomka i Kolegjit, si relator i seancës së parë, si dhe e gjithë “brigada” e togave të zeza, të tërë me radhë, njeri pas tjetrit, Haveri, Jonuzi, Kalaja, etj, etj, (që s’ua di, dhe as që dua tua di emrat), në seancat e mëpasme, iu përmbajtën parimit korruptiv të “titullimit” për kryetar bashkie të Lulzim Bashës, mbështetur jo në drejtësi, jo në ligj, por në shijen dhe në oreksin të pushtetarëve. Me një fjalë “se ashtu duan ata”. Se “ata duan fitues me çdo çmim e me çdo kusht Bashën”. Kjo ishte e gjitha. Një skenar i thurur hollë dhe besnikërisht mes gjyqtarëve dhe pushtetarëve të këtij vendi. Ajo që ish përfolur aq dendur në opinion për lidhje të forta korruptive “gjyqtarë-pushtetarë” u afirmua si plotësisht e vërtetë.
Me siguri që ky është rasti më i paprecedentë në historinë e proceseve zgjedhore të një vendi demokratik. Shqipëria qenka e dënuar kështu të vuajë faza të tjera tranzicioni të ardhshëm, si ekonomik, ashtu edhe politik e legjislativ. Me institucione të tronditura nga mungesa e barazpeshës demokratike dhe nga pozicionimi i tyre arkaik, në mënyrën më të trashë, njëlloj si të ishim në kohën e principatave. Gjatë gjithë kësaj periudhe pas zgjedhore të mbas 14 majit 2011 me fitues real Ramën, teksa qytetarët prisnin drejtësi nga një institucion superior i jurisprudencës dhe i trupës gjyqësore shqiptare, përballë një procesi “të shqyer” gjoja “në emër të rinumërimit” të votave për Tiranën, të gjithë u bëmë dëshmitarë të një tragji-komedie me shifrat. Përjetuam absurdin e aritmetikës. Tani e tutje, ligjet e rrepta matematikore të të famshmëve Evarist Galo e Nils Abeli, “nuk do kenë më kuptim”. Që do të thotë, sipas këtyre “të mençurve” tanë të Kolegjit, tani e tutje, dy e dy nuk bëjnë katër, por bëjnë pesë. Që një e një nuk bëjnë dy, por bëjnë tre. Kështu po “na mëson” ne, Kolegji i Tomës. Shqiptarët, pra, duhet të binden verbërisht se deri tani e paskan mësuar keq matematikën e shifrave. Kështu po na tundon të gjithë ne, 3 milion e ca shqiptarëve, të besojmë Kolegji i murgjve të drejtësisë shqiptare. Dhe sipas kësaj logjike, del që tani që Kolegji “kurorëzoi” Bashën për kryebashkiak, duhet “të riparojmë” edhe Kodin Zgjedhor. Ai duhet ndryshuar sipas këtyre rregullave “të reja” që definoi Kolegji, për hir të Bashës. Pra, duhet të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja me këto “rregullime” në Kod:
1) “Nuk ka rëndësi fare nëse dalin mbi 800 e më tepër vota, më shumë se sa votues”, pasi procesi edhe kështu qenka i ligjshëm. Le të dalin tepër edhe 1000, edhe 2000 edhe 3000 apo më shumë vota tepër.
2) “Të gjitha votat e pavlefshme të hedhura në kutitë e gabuara apo edhe ato të gjetura në kuti të tjera të një zone tjetër elektorale, apo edhe ato të gjetura në një tavolinë tjetër pune dosido, të quhen të vlefshme. Mbase, gjatë një dite zgjedhore, edhe po u gjet fleta e votimit në ndenjësen e ndonjë autobusi, ajo mund të quhet e vlefshme”.
3) “Nuk ka rëndësi nëse kutia e ka në rregull kodin e sigurisë apo jo. Ajo mund të jetë edhe e shqyer, edhe e thyer anash, para apo prapa. Përsëri ajo është e vlefshme”, etj, etj. Me këtë “kod të ri zgjedhor”, Shqipëria me siguri që do të shkojë gjithnjë e më shumë... përpara drejt... Salistanit. Kështu na mësojnë tomët e haverët këtij farë sistemi të drejtësisë sonë. Dy ditë më parë, ne pamë të shprehej edhe kreu në largim i bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ai konformoi protestën opozitare përballë kësaj vjedhjeje të pashembullt “me ligj”. Më shumë se gjysma e shqiptarëve, më shumë se gjysma e qytetarëve të Tiranës, normalisht që nuk mund të ndjehen të qetë përballë kësaj padrejtësie spektakolare. Ata e dinë mirë dhe do ta mbajnë mend përgjithmonë, se më 14 maj ishte përfundimi i zgjedhjeve për Tiranën, dhe se fitues me dhjetë vota plus ishte Edi Rama. Por ndërkohë ata nuk mund ta harrojnë kurrsesi, se si përgjatë dy muajve të tjerë të mëpasëm, të quajtur si “kohë e shqyrtimit të ankesave të opozitës”, provat dhe faktet e filmuara në adresë të Kolegjit Zgjedhor (Vjedhor), u injoruan në mënyrën më të pashembullt, duke treguar kështu zellin dhe servilizmin më të madh ndaj pushtetit dhe tradhtinë e hapur ndaj votës popullore. Nëse duam të shpëtojmë edhe këtë pak sens demokracie që ka mbetur në këtë vend, kjo pjesë e elektoratit shqiptar në Tiranë apo edhe në gjithë Shqipërinë, pra, kjo “më shumë se gjysma e popullatës”, nuk ka pse të rrijë më duarlidhur. Nuk ka pse të rrijë më. Duhet protestuar me të drejtën e Zotit që pushteti të mos na dhunojë kaq pashpërtësisht, kaq paturpësisht, as ne dhe as fëmijët tanë. Gadafët e veshur me qyrk demokracie, nuk kanë pse të na imponohen më.
Comments (0 posted)
Post your comment