A nënkupton paqja korrupsionin
Sepse nëse nuk vjedh (me letra, natyrisht) vështirë të jesh i pranueshëm për rrethin, pra këtu nuk ka shoqërizim, ose nuk je i sojit, siç do të thoshte Darvini, nëse nuk vjedh, nuk mashtron, nuk dhunon, nuk shkatërron, e kështu me radhë.
Nga Skënder Limani
Nëse paragjykoj që lufta nënkupton vrasjen, shkatërrimin, degradimin, vuajtjen, dhunimin, deportimin, gjenocidin dhe të tjera, atëherë, në kuptimin praktik, nga ky këndvështrim i dhënë, paqja po nënkupton çdo gjë të kundërt me të sapopërmendurat, pra me luftën. Kjo i bie diçka si kur një vend ose shoqëri nuk përjeton vrasje, deportim, gjenocid dhe të tjerat. Nga kjo, nëse trajtohet si themeli i shoqërisë, atëherë vjen ngritja, pra jo vrasja por shoqërizimi i njerëzve mes vete, jo deportimi por afrimi i njerëzve mes vete, jo rrënimi por ndërtimi, jo dhunimi por dashuria, e kështu diçka me radhë. Pra, më thjeshtë se kaq nuk e besojë që ka ku shkon. Dua të them, shumë mendojnë dhe argumentojnë që lufta, në krahasim me paqen, është katastrofale, diçka që, në qenësinë e vet, nuk krahasohen.Por, atëherë si të trajtohet Kosova? Sigurisht që në Kosovë nuk ka luftë, pra vrasje, shkatërrim, rrënim, dhunim, deportim e gjenocid. Jo në kuadrin ose teknikalitetin siç mund të përjetohet në luftë, përmes ushtarit, tankut, mitralozit dhe pajisjeve tjera për shkatërrim masiv, të gjallë e të ndërtuar.
Atëherë, pse në Kosovë ka aq shumë ndërtime të cilat, praktikisht, po e shkatërrojnë Kosovën? Shikojeni, ta zëmë, Prishtinën, ose edhe Prizrenin, Gjilanin, Skënderajn, Pejën, Mitrovicën, Podujevën dhe të tjerat. Nuk po ndërtohen rrugët me gjerësi të mjaftueshme, ato ekzistuese nuk po rindërtohen po ashtu me gjerësi të mjaftueshme, kanalizimi thua se nuk funksionon pa u prishur gati për çdo ditë, po ndërtohen ndërtesa të reja kolektive për çdo ditë pa asnjë plan urbanistik. Pastaj, ndërtimet nëpër territorin e Kosovës për çdo ditë po e ngushtojnë hapësirën e tokës pjellore, pra arave bujqësore po u ngushtohet ose tkurret prodhimi, ara të cilat pritet të jenë themeli i ndërtimit të ekonomisë normale për zhvillimin dhe mirëqenien e një shoqërie normale, e kështu me radhë.
Pastaj, sistemi qeverisës në Kosovës është duke funksionuar sipas sistemit “vidh edhe ti nëse ke mundësi”. Sepse nëse nuk vjedh (me letra, natyrisht) vështirë të jesh i pranueshëm për rrethin, pra këtu nuk ka shoqërizim, ose nuk je i sojit, siç do të thoshte Darvini, nëse nuk vjedh, nuk mashtron, nuk dhunon, nuk shkatërron, e kështu me radhë. Pastaj vijnë drejtësia, arsimimi, shëndetësia, sistemi pensional, rrogat, pastërtia e përplot të tjera. Pa pretenduar që këtë temë ta ngre në ndonjë çështje filozofike, nuk mund t’i iki pyetjes nëse kjo është paqja, nëse tërë ky korrupsion është, praktikisht, pasqyra e të jetuarit në paqe. A ka përgjigje këtejpari?
Comments (0 posted)
Post your comment