“Humbësit” krenarë dhe “fituesit” e humbur…
Prandaj dhe njerëzit u “drejtohen” shtyllave elektrike dhe arrijnë deri në vetëflijim, për të “gjetur” drejtësinë...
Nga Pandeli Bardhi
Asgjë më tepër se kaq, nuk priste opinioni mbarë, se kush do të ishte Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Kryeqytetit. Skenarët ishin përgatitur qysh me kohë, dhe më kot “regjisorët” u munduan dy muaj të tërë. Më së shumti, kjo periudhë e gjatë u shërbeu atyre për tu diskredituar edhe një herë në sytë e të gjithëve, brenda e jashtë vendit. Edhe zgjedhësit për këtë ishin të përgatitur, se në fund të fundit, edhe për ata, vendimi ishte i qartë... Jo se ata, ishin në brendësi të vendimit që do të merrte Kolegji Zgjedhor, por tashmë kushdo e ka të qartë se këtu nuk funksionojnë institucionet e pavarura, nuk funksionon shteti ligjor dhe nuk ka drejtësi. Është për të ardhur keq, por është e vërtetë se njerëzit tashmë nuk kanë më besim, tek ato që thonë fjalën e fundit të drejtësisë, tek gjykatat.Unë nuk marr përsipër të mbroj kryetarin e opozitës, që ishte edhe kandidat për Kryetar Bashkie. Ai ka shumë “kusure”, por në rastin konkret ai është fituesi i vërtetë i zgjedhjeve dhe populli i Kryeqytetit ia dha atij votën. Do të mundohem që këtë ta argumentoj. Sapo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nxori fitues Edi Ramën, Kryeministri, tepër “vigjilent”, që ndiqte me vëmendje rezultatet, në moment nxitoi të jepte konferencë Shtypi, i cili siç dihet bëri edhe “shashërdinë” e radhës. Ai, duke qenë tepër parimor (dhe këtë nuk e vë në thonjëza), si mund të lejonte që të mos numërohej një për një çdo votë e qytetarit?. Ky personazh, ka vite e vite që është besnik i manipulimeve, i mashtrimeve, i gënjeshtrave dhe i premtimeve të pambajtura. Duke qenë tashmë një njeri që në sytë e të gjithëve i ka dalë “boja” si i tillë, kërkon ti mbulojë me një “arnë” e të thotë se “ne mbajmë premtimet e bëra”!. Nën drejtimin e këtij Kryeministri, në Shqipëri, asnjëherë nuk janë bërë zgjedhje as të lira e as të ndershme. Jashtë këtij realiteti, gjithçka është mashtrim. Edhe në zgjedhjet e fundit, si mund të lejonte ai që Bashkia më e madhe të drejtohej nga opozita? Absurditet!.
Këtu nuk bëhej fjalë për Bashën, por prapa humbjes do të qëndronte Shteti i falimentuar, Qeveria e pa aftë dhe kryeministri i diskredituar!. Mos vallë kjo “fitore” ja rriti prestigjin këtyre? Përkundrazi, fishekzjarrët dhe tullumbacet e hedhura, i diskredituan edhe më keq, dhe tek çdo njeri përforcohet akoma më shumë bindja se këtu nuk ka shtet dhe nuk funksionojnë institucionet. Nuk është aspak e vërtetë se shqiptarët nuk dinë të bëjnë zgjedhje. Shqiptarët dinë të bëjnë zgjedhje dhe bile dinë shumë mirë. Por me këtë Kryeministër, është e pamundur të bëhen zgjedhje me standarde. Të gjithë e shohin Kryeministrin, se si ai “shpërfytyrohet” jo vetëm nga zëri, por edhe nga “figura”, me një palë gërshërë në xhep, për të prerë ndonjë shirit rruge dhish, që edhe ato i “shet” për autostrada sipas dekorit që merr me vehte!. Gjithçka ky e bën jo në të mirë të qytetarëve, por në të mirë të interesave të tij e të famës së tij... Basha, për këtë ishte “shtegu” i fundit për të mbyllur plotësisht ciklin e vjedhjeve të pasurisë Kombëtare,në interes të një kaste të korruptuarish. Ai spekulon me skamjen e taksapaguesve dhe i bën “rrush e kumbulla” paratë e tyre në interes të përjetësimit të postit të tij,duke llogaritur që edhe ndonjë vepër e filluar të përfundojë si “kredo” për zgjedhjet e ardhshme dhe jo për nevojat e qytetarëve... Ky e din mirë se tek zgjedhjet, qëndrojnë “këmbët” e karriges së tij, prandaj dhe bën të” pa bërën” që ato ti fitojë me çdo kusht e me çdo çmim. Edhe shansin e fundit që ju dha, nuk diti ta shfrytëzojë. Nëqoftëse Kryeministri do të kishte pranuar rezultatin fillestar, njerëzit do të thoshin; “Me gjithë “zullumet” që ka bërë tërë jetën e tij, prapëseprapë i ka mbetur një fije ndershmëri”!.
Në këtë mënyrë, do të ndryshonte sadopak për mirë besueshmëria e tij, në ato ç’ka thotë. Por rasti i fundit tregoi edhe një herë se ai është i pandreqshëm në rrugën e tij, për të ecur në të kundërtën e vullnetit të shumicës, kur është puna për interesat e tij, e të klanit të tij. Ai don të verë në vend nderin e nëpërkëmbur të Lulzim Bashës, me rrugën Durrës-Kukës, me përgjegjësinë e tij në shitjen e ujrave tona territorial dhe vrasjet e 21 Janarit. Unë nuk them, atë që Lulzim Basha, ka vepruar në dëm të interesave kombëtare dhe ka vjedhur pasurinë e taksapaguesve shqiptarë. Por nuk mund të them as të kundërtën, përderisa e “famshmja” drejtësi e jona nuk e ka vërtetuar akoma në se ai është fajtor apo jo. Drejtësia e mbylli çështjen thjesht për arsye proceduriale dhe jo se vërtetoi se ai ishte i pafajshëm. Atëhere si unë të kem besim tek kjo drejtësi dhe ashtu si unë mijëra e mijëra të tjerë?. Edhe drejtësisë gjithashtu ju dha Shansi për të “pastruar” të paktën “fytyrën” nga “morrat” që e kanë mbuluar, por këtë nuk e bëri duke u zhytur edhe më tej në “llumin” e padrejtësisë. E njëjta gjë duhet thënë edhe për Mediun, i cili ashtu siç po “filtron” ujrat e zeza tashti në pikun e plazhit,vetë, nuk iu nënshtrua “filtrit” të drejtësisë si përgjegjësi kryesor për tragjedinë e ndodhur në Gërdec, pikërisht se Kryeministri e veshi me “mburojën” mandat... Këta janë njerëzit e besuar të Kryeministrit i cili nëpërmjet “shpëtimit” të tyre, shpëton edhe vetveten. Tashmë drejtësia, ja ka martë mirë dorën “shkeljeve” proceduriale, pa çka nëse janë fajtorë apo jo. Pavarësisht nga këto, atyre që ju bie halli të shkojnë në dyert e gjykatave, i dinë më mirë se kushdo tjetër, se si e marrin drejtësinë që ju takon.
Prandaj dhe njerëzit u “drejtohen” shtyllave elektrike dhe arrijnë deri në vetëflijim, për të “gjetur” drejtësinë...Kryeministri, është shumë “fanatik” përsa i përket zbatimit të vendimeve të organeve të drejtësisë. Dy vjet me radhë kërkoi opozita, hapjen e kutive të votimit. Kishte apo jo të drejtë, kjo është punë e saj, por unë gjetkë e kam hallin. Kryeministri, i qëndroi “fanatik” vendimit të Kolegjit Zgjedhor dhe mirë bëri. Por fanatizmi i tij u “zbeh” menjëherë, kur organi i akuzës, Prokuroria, kërkoi të vinte para përgjegjësisë autorët e vrasjeve të 21 janarit. Ky burrë, që zbaton me “fanatizëm” vendimet e institucioneve të pavarura të Shtetit Ligjor, u hodh kundër tyre me një fjalor që vetëm ai di ta përdorë!. Ai, edhe bodrumet e Kryeministrisë i ktheu në “dhoma urgjence shëndetësore”, për të mjekuar të plagosurit, pikërisht për të mos dalë e vërteta në shesh. Është në natyrën e tij, që të marrë nën mbrojtje ata që i vijnë sipas interesat, dhe ti sulmojë ata që sipas tij e “bezdisin”. Ai krijon edhe precedent të rrezikshëm atë të ndarjes në ca të “nënës” e ca të “njerkës”. Mori në mbrojtje Policinë, jo vetëm gjatë zhvillimit të ngjarjeve, por edhe kur këta u bënë “trima pas lufte”, kur goditën e sakatuan njerëz të pafajshëm, dhe sulmoi Prokurorinë,SHISH-in Presidencën etj. Ai gjen “shesh” e bën “përshesh”. Ai kështu do të bëjë për sa kohë që edhe institucionet e tjera si Presidenca e Këshilli I Lartë I Drejtësisë, do të flasin vetëm me ..”heshtje’.dhe parlamentarët ngrenë vetëm dorën sa herë që hapë gojën Jozefina. Bile, këta parlamentarë, nuk e kanë për gjë, edhe të mashtrojnë, siç edhe bënë kohët e fundit që nga 69 ta rrisin në 71 numrin e votave në Parlament. Ja, kaq i besueshëm është Legjislativi ynë dhe të tjerat merren me mend!. Kështu është kur vetë vendosin e vetë vulosin. Parlamenti, i kthen mbrapsht dekretet e Presidentit, dhe mirë bën, por le të guxojë një herë të vetme, të “kthejë mbrapsht”, atë që thotë Kryeministri!. Dhe ky i fundit ka plotësisht të drejtë të thotë se ‘Nuk ka dalë burrë deri më sot që ti presë fjalën Sali Berishës”.
Ashtu si edhe herët e tjera edhe kësaj radhe, drejtësia ja gjeti vegjen “filxhanit; Shkelje e procedurave, tejkalim i afateve ligjore!. Tani do të kemi një Kryebashkiak me procedurë, siç e kemi parë edhe më parë, një njeri të “pafajshëm” për shkak të procedurave, siç kemi parë edhe rezultatet e Komisioneve Hetimore Parlamentare, që ngre Jozefina me procedura të përshpejtuara dhe që nuk I tejkalon “afatet’!... Me të drejtë populli thotë: “Hedh një budalla një gur në lumë dhe mblidhen njëqind të mençur e nuk e gjejnë dot”!. Më kot u munduan këta “të mënçurit” Berisho-Ristanë për dy muaj rresht dhe përsëri, duke mos e gjetur “gurin”, futën duart e “drejtësisë” në moçalin që vetë kanë krijuar, nxorën që andej një “bretkosë” të ngordhur dhe brohoritën të gëzuar; “E gjetëm”!.. Kjo jo vetëm që nuk e përmirëson imazhin e tyre tashmë të rënë për tokë, por e nxin edhe më tej atë në sytë e shqiptarëve. Dhe të gjitha këto, vetëm në Shqipëri, nuk përbëjnë aspak çudi…
Comments (0 posted)
Post your comment