Home | Opinion | Shqipëria e të huajve

Shqipëria e të huajve

image
 Shqipëria e të huajve është ajo që raportohet në Strasburg, në Bruksel, pra në letra, dhe akoma më shumë, gjithmonë në një gjuhë tjetër, që nuk është shqip.

 

 

 

 


Besnik Gjongecaj

 

 

Ka kohë që opozita kritikon qeverinë për ndarjen e Shqipërisë më dysh, për vendosje kufijsh midis shqiptarëve. Ka një Shqipëri qeveritarësh, me mbiliri dhe të drejta të pamerituara, por edhe një Shqipëri që vuan mungesën e lirive dhe të drejtave më elementare. Ka një popull opozitar, ashtu sikundër edhe një popull që, ose e mbështet qeverinë, ose hesht. Ka një Shqipëri të atyre, ashtu sikundër ka një Shqipëri tonën - përgjithëson akuzat e saj opozita e sotme e këtij vendi. Megjithatë, të dyja palët, si opozita e sotme, ashtu edhe qeveritarët e sotëm dikur në opozitë, harrojnë, ose më mirë bëjnë sikur harrojnë, se ka edhe një Shqipëri tjetër, ajo e të huajve. Gjithmonë ka pasur, veçanërisht kur flitet për Shqipërinë.

Dhe është përgjegjësi e të dy palëve, pozitës së sotme dhe pozitës së djeshme. Sa më shumë boshllëk krijohet në procesin e qeverisjes, ndërtimit të shtetit, reformimin e pjesëve të tij, aq më e madhe bëhet pjesa e Shqipërisë ku qeverisin të huajt, pra, aq më e madhe bëhet Shqipëria e të huajve; ashtu sikundër sa më i lartë të jetë korruptimi i shtetit nga qeveritarët, aq më shumë këta të fundit mundohen t’i shesin të huajve pjesë të tij dhe të përgjegjësive shtetërore, duke fshehur kështu përgjegjësitë e veta. Është njësoj si “loja” midis boshllëkut dhe ajrit: sapo krijohet i pari, zëvendësohet menjëherë nga i dyti, ashtu sikundër ky zëvendësim krijon një boshllëk tjetër, e kështu me radhë. Është një lojë që kur transferohet nga natyra në shoqëri e humb bukurinë, aq më shumë dobinë ekzistenciale të saj dhe shndërrohet në një lojë të ulët, dinake, provincialiste, pa asnjë lidhje me civilizimin.

Megjithëse vendosja e kufijve brenda vendit apo perceptimi i tij i ndarë në dimensione të ndryshme mund të jetë i kritikueshëm, kjo gjë, së paku, ka një vlerë utilitare: të ndihmon të kuptosh më mirë se ç’ndodh. Edhe hapësira ka vetëm tri dimensione, por studiuesit, për arsye utilitare, shpesh konceptojnë dimensione të tjerë, çka i ndihmon ata të kuantifikojnë fenomenet që studiojnë. Kështu është edhe për Shqipërinë, vendin e shqiptarëve. Ndarja e Shqipërisë në Shqipëri të shqiptarëve dhe në Shqipëri të të huajve nuk është një ndarje virtuale, por një ndarje e vërtetë, e prekshme, reale, e cila shndërrohet në një model të fuqishëm gjykimi mbi atë se ç’ndodh në vend, për sa kohë kjo gjë nuk cënon ekzistencën e Shqipërisë si një entitet shtetëror. Shqipëria e të huajve është ajo që raportohet në Strasburg, në Bruksel, pra në letra, dhe akoma më shumë, gjithmonë në një gjuhë tjetër, që nuk është shqip.

Rasti i përgatitjes së pyetësorit për të fituar statusin e vendit kandidat në BE dhe mosbërja e tij publike nga qeveria e këtij vendi është edhe rasti më flagrant, më fyes, që dëshmon se si këtij populli ia shkruajnë jetën në letër, por nuk e lënë ta lexojë atë. Qeveria i mbajti të fshehta nga shqiptarët përgjigjet e pyetjeve të Evropës mbi jetën e tyre, duke treguar me arrogancë se evropianët do të duhet ta njohin Shqipërinë përmes qeveritarëve të saj, në një realitet të krijuar qëllimisht për të huajt. Nga ana tjetër, qeveria e këtij vendi iu tha shqiptarëve se ata kanë dy jetë: një jetë për të huajt, e shkruar në letër, dhe atë jetën tjetër, të përditshmen, që ata e dinë vetë dhe s’kanë nevojë ta shkruajnë. Shqipëria u nda më dysh: një Shqipëri për të huajt, një tjetër Shqipëri për shqiptarët.

Pjesë nga blloku i shënimeve

Viti 1993. Qeveria gjermane kishte vendosur të ndihmonte bujqësinë shqiptare përmes një programi që do të realizohej nga Ministria e Bujqësisë dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës. Programi filloi me përcaktimin e prioriteteve dhe përfundimi i procesit, i cili nuk zgjati më shumë se një javë, u bë nën tringëllimin e gotave. Koordinatori, një nëpunës model gjerman, midis tringëllimës së gotave më tha që ju, shqiptarët, nuk bëni dot shtet. Dallohej që nuk ishte mësuar me alkoolin. I nervozuar i thashë pse. Se nuk iu lënë kushërinjtë, vëllezërit, motrat, fëmijët; nuk ju lë familja, përfundimisht, tha ai. Fliste për një defekt të rëndë që kishte lidhje me vullnetin shtetformues. Duket se kishte lexuar më shumë se ç’kishte për detyrë. Si t’ia bëjmë, i thashë, të rrimë pa shtet, dhe e kuptova që durimi im kishte marrë fund. Ai nuk e dalloi këtë gjë dhe menjëherë tha se ai vetë, personalisht, do të ishte kryeministri i duhur, por vetëm për pesë vjet. Më shumë nuk është nevoja, më tha. Pastaj vazhdoi duke më thënë se suksesi i tij qëndronte në atë se ai nuk kishte far e fis në Shqipëri, pra nuk do të kishte asnjë pengesë për të filluar ndërtimin e demokracisë në një vend si ky i yni. Isha i ri në atë kohë dhe mbaj mënd që u ndamë keq me njëri tjetrin.

Viti 1995. Në kuadër të një programi zhvillimi të miratuar nga qeveria amerikane, universitetin ku unë punoja e ndihmonte një profesor i një universiteti amerikan. Ishte thjesht një koordinator, që punësonte lektorë apo specialistë të ndryshëm për të ndihmuar universitetin. Linte shumë për të dëshiruar dhe unë që punoja me të, megjithëse kisha marrë pjesë në përzgjedhjen e tij, u ndjeva shpejt i zhgënjyer. Ia thashë këtë pa asnjë hezitim, pas një kohe gjatë së cilës kupa ishte mbushur. Dallohej qartë që ishte nevrastenik. Ju shqiptarët keni bisht më tha. E di unë këtë. Kështu ju kanë akuzuar, përfundoi. U kujtova që në një darkë, te një mik i përbashkët, po flisnim për akuzat e dikurshme që një princ serb kishte bërë ndaj shqiptarëve, midis të cilave e kishim përmendur edhe këtë gjë. Miku i përbashkët ishte një diplomat amerikan karriere në pension dhe e kuptoi bisedën në thellësinë e saj dhe në mënyrë të balancuar. Ky tjetri, e kishte ruajtur në kujtesë jo sepse e kishte impresionuar, por sepse pak a shumë kështu kishte filluar të mendonte për shqiptarët, si njerëz primitivë, gjë që nuk do të ndodhte kurrë nëse ai nuk do të vendosej në pozitat e të huajit në Shqipëri, i përkëdhelur nga miti i krijuar për të huajt. Edhe kjo që tha kishte të bënte me dyshimin mbi aftësinë e shqiptarëve për të formuar shtet. I dhashë një përgjigje që e meritonte dhe që nuk më vjen për mbarë ta shkruaj në gazetë. Kërkova të largohej menjëherë nga universiteti dhe nuk e pashë më që atë ditë. Shteti amerikan kishte funksionuar.

Viti 2006. Një ekspert ndërkombëtar fillon të punojë për përgatitjen e Master Planit dhe Ligjit për Arsimin e Lartë, pra për llogari të Ministrisë së Arsimit, dhe i mbështetur nga programet e Bankës Botërore. Kishte një formim solid anglosakson dhe mund të ndihmonte shumë. Kjo ministri “bëri gabimin” të më caktonte mua si ekspert kombëtar për të punuar me të, një gabim për të cilin krerët e kësaj gjasme ministrie e kanë mallkuar veten kushedi se sa herë. Në fund produkti ishte cilësor, por mbeti i tillë për pak kohë, para se të shqyrtohej nga ministri me misionin dhe mbiemrin e çuditshëm Pollo.

“Kështjella” që kishim ngritur së bashku, ai si ekspert ndërkombëtar dhe unë si i vendit, filloi të binte pas çdo takimi që eksperti ndërkombëtar kishte me këtë ministër, takime ku unë nuk thirresha. Një ditë më tha që ministri i kishte thënë se do që të jetë edhe kryetar i Këshillit të Arsimit të Lartë, çka e bënte fare të papërputhshme me standardet atë që kishim përgatitur. Mos e prano, i thashë. Nuk mundem, më tha. Është kërkesë e qeveritarëve vendas dhe më duhet ta pranoj. Ishte shumë e trishtueshme. Në një mënyrë tjetër ai po më thoshte që nëse qeveritarët tuaj nuk duan t’i ruajnë standardet e një qeverisje demokratike sepse duan të akumulojnë pushtet, kësaj nuk ka se çfarë t’i bëjë një i huaj. Përsëri te mungesa e vullnetit shtetformues. Kanë kaluar disa vite dhe dëmi që ka shkaktuar ministri me misionin dhe mbiemrin e çuditshëm Pollo, qoftë te Master Plani, qoftë te Ligji, nuk është korrigjuar akoma dhe nuk do të korrigjohet edhe për shumë vite të tjerë. Një gjë afërsisht të tillë, pra thjesht dëm, po bën edhe tani me regjistrimin e popullsisë, madje, po merr përsipër edhe përgatitjen e një ligji tjetër, atë të medias, ku me siguri që do ta thyej qafën më në fund. Sepse nuk mund të vazhdosh gjatë djallëzinë e të shiturit si mall të të huajve atë që e ke prodhuar vetë dhe kundër vendit tënd.

Raportet e Shqipërisë me të huajt strukturohen në disa nivele dhe do të ishte e pamundur të mos ndodhte kështu. Në nivelin institucional, vendet e demokracive perëndimore, veçanërisht SHBA, mund të konsiderohen edhe si forcat që kanë ruajtur ekzistencën shtetërore të shqiptarëve. Në këtë pikëpamje, e cila nuk ka ardhur duke u dobësuar, përkundrazi, duke u forcuar në vitet e fundit, Shqipëria rezervon një vend të veçantë nderi për qeveritë e këtyre vendeve, pa qenë e nevojshme të bëjë asnjë ndarje të vetvetes me ta. Në nivelin nën të vijnë individët, në fillim ata që përfaqësojnë drejtpërdrejt nivelin shtetëror, pra ambasadorët. Edhe për një kohë shumë të gjatë nuk do të shlyhet nga kujtesa e shqiptarëve ambasadori amerikan apo ambasadorë të tjerë, që të shtyrë nga “nuhatja” e politikanit perëndimor dhe pragmatizmi i kulturës prej nga vijnë, qëndruan në një sallë numërimi votash dhe nuk e lejuan procesin të degjeneronte në një farë feje që nuk do të kishte kthim. Ambasadorët plotësuan boshllëkun e demokracisë së prishur nga politikanët tanë, veçanërisht qeveritarët e këtij vendi. Në ato pak minuta e gjithë Shqipëria ishte e tyre dhe ata e qeverisën atë me ndershmëri qytetare, pa u bërë pjesë e saj, pa e sunduar atë, pa përfituar.

Në shtresën e tretë përfshihen ata të cilëve, në fakt, iu dedikohet ky shkrim, pra të huajt që shtetet e tyre, apo organizatat ndërkombëtare, i çojnë të zbatojnë programe në vende si Shqipëria. Në vendin e tyre ata nuk janë gjë tjetër veçse punonjës civilë të administratës publike dhe si të tillë, perëndia e tyre është ligji. Kur vijnë në Shqipëri, ata përjetojnë një situatë për të cilën nuk janë të përgatitur. Nga njëra anë duhet të kryejnë punën që iu kanë thënë dhe nga ana tjetër, duhet ta kryejnë atë ekzaktësisht ashtu si nuk janë mësuar: në kushtet e një mungese tragjike të zbatimit të ligjit, në kushtet e një korrupsioni gati shtazëror. Në kundërshtim me këtë defekt të rëndë, kjo klasë njerëzish është ngarkuar të luajë një rol jetik për vendin. Ata depërtojnë kapilarisht në vend, përhapen kudo, në çdo territor, në çdo sektor, sipër, poshtë apo anash, në drejtësi, në administratë, në qeveri, në parlament, në ushtri, në shërbimin sekret, në arsim, në shëndetësi, në universitete, kudo, kudo, duke formuar kështu një rrjet i cili ushqen me informacion dhe me ecurinë e programeve ambasadat, qeveritë, institucionet ndërkombëtare, përgatit profilin politik dhe jo politik të Shqipërisë. Ata që qeverisin shqiptarët, në të gjitha nivelet, kanë patuar kohën e mjaftueshme për ta kuptuar këtë situatë dhe për ta vënë atë djallëzisht në shërbim të tyre. Të pajisur me instinktin e zbulimit të pjesës së dobët në karakterin e tjetrit, të dëshirës së secilit për të fituar pará lehtësisht, dhe jo vetëm pará, “specialistët” e qeverisjes së këtij vendi prej vitesh kanë krijuar një “gropë të zezë” ku jo rrallë bien ata që kanë ardhur të ndihmojnë dhe të krijojnë profilin e Shqipërisë te qeveritë e vendeve të tyre, pra të huajt.

Instinktivisht dhe në një kohë të gjatë, madje pa pasur nevojë për konspiracion, qeverisësit e kanë ndarë Shqipërinë me ta. Së pari kanë krijuar mitin e të huajit, të njeriut të pagabueshëm, por mbi të gjitha, dhe këtu qëndron edhe pjesa më e shëmtuar e djallëzisë, kanë krijuar te çdo i huaj mitin e njeriut që automatikisht përfaqëson shtetin nga vjen, institucionin ndërkombëtar që e ka financuar për të ardhur aty. Prapa çdo amerikani është qeveria amerikane, apo prapa çdo francezi është qeveria franceze, prandaj mos e kruani - duket sikur qeverisësit e këtij vendi iu thonë shqiptarëve përditë, megjithëse thjeshtësisht, prapa secilit të huaj që punon në këtë vend, qëndron të qenit qytetar i vendit të tij, me të metat dhe gabimet njerëzore të ndëshkueshme dhe vetëm kaq. Pasi krijuan mitin e përdorën atë, e përdorin çdo ditë, djallëzisht, katundarisht, për t’i kompromentuar të huajt në raportimet e tyre, në zgjidhjet, respektimin e standardeve, veçanërisht në deformimin e profilit real të Shqipërisë që ata do të duhet të raportojnë. Akoma më shumë qeverisësit tanë, të çdo niveli, e ndajnë Shqipërinë me të huajt për t’u lënë atyre përgjegjësitë dhe për të mbajtur atë që iu duhet për vete, pushtetin. Dhe nëse një ditë, kur të hapen letrat, shqiptarët do të ankohen se Shqipëria e tyre nuk i ngjan asaj në letër, me siguri që qeverisësit e këtij vendi e kanë gati alibinë: Pyetni të huajt, ata merren me letrat.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00