Neroni i shekullit XXI
Të djathtë të vërtetë do të bëheshin pronarët, nëse ju do t’i kishit kthyer pasuritë dhe ata do të bënin ligje, të cilat do t’i zbatonin me përpikmëri dhe jo ju që edhe se vini ligjet...
Nga Akademik Ali Eltari (Lapi)*
(1) Në fillim duhet të sqaroj, se për lëvizjen studenteske në vitet ’90 flisni shumë, e cila ndikoi për rrëzimin e komunizmit dhe kërkohet të harrohet lëvizja antikomuniste e Radio- Televizionit Shqiptar. Ishin këta të fundit që e kthyen në politike lëvizjen studenteske dhe dhanë ndihmesën e pallogaritshme për ngritjen e masave për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Kjo nuk mund të mohohet pavarësisht se partitë politike, për arsye të këndeve të ndryshme të vështrimit, asnjëra nuk e përmend atë heroizëm të atyre njerëzve të kulturuar, që vunë jetën në rrezik, për të sjellë demokracinë në Shqipëri. Isha dhe unë një pjesë e atyre që shembën atë ngrehinë hipokrite vrastare. Kur erdhi Kastriot Islami si përfaqësues i Partisë Komuniste Shqiptare, të na mbushte mendjen të hiqnim dorë nga lëvizja jonë, unë e bëra të ngrihet dhe të lërë përgjysmë mbledhja që ai organizojë në Televizion, dhe të iki me bisht në shalë. Që atëherë shumë ish komunist nuk më flasin më me gojë...
Në 1994, kur unë kritikova Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si “Akademi Komuniste e Shkencave,” jo se isha kundër Akademisë, se vlerat e saj i duheshin Shqipërisë edhe atëherë edhe sot, por se në të ishin vetëm anëtarë të Partisë Komuniste dhe jo shkencëtarë të vërtetë, për një pjesë të tyre kam bërë dokumentare, të cilat ndodhen në arkivin e Televizionit Shqiptar. Pas dy ditësh, gazeta e PS “Zëri i Popullit” me autor anonim më quante “Grindavec… shërbëtorë i gjithë pushteteve… etj., etj.”, ndërsa shefat e PD në Televizionin shtetëror me vendin politik më kaluan gazetar të kategorisë të dytë, ndonëse pak ditë më parë më renditnin ndër më të aftit e Radio-Televizionit Shqiptar. Këtë e bënë vetëm sepse u shava komunizmin...
Edhe në zgjedhjet e para, pas “rrëzimit” të komunizmit, ku PD mori për herë të parë drejtimin e shtetit kam bërë që qindra e qindra njerëz të paanshëm të votojnë për PD, e cila atë kohë e quante komunizmin “Merimangë të zezë.”Ndonëse isha i vogël mbaj mend mirë, se komunistët, sapo marrën pushtetin, i morën pronën shqiptarëve duke i kthyer refugjat në atdheun e tyre. Ata më pas nuk kishin më as prona, as shtëpi, se nëse asaj i vinte syrin ndonjë komunistë i rangut të lart, mbetej pa asgjë… madje edhe më keq, e shpallnin “kulak” dhe automatikisht ai flakej në kasolle. Dhe nga ajo ditë askush nuk i fliste më me gojë. Sipas mendimit tim, rrëzimi i komunizmit do të vinte në atë kohë kur njerëzve do t’u kthehej prona, por kjo nuk u bë. Jo vetëm kaq, por nisi propaganda e ethshme të votoni për partitë, se mund të vijnë vërlacët, të cilët do të bëhen përsëri të pasur dhe do t’ju shfrytëzojnë! Kuptohet, njerëzit të dërmuar nga propaganda komuniste, e hëngri edhe kësaj herë sapunin për djathë dhe votuan kundër të djathtëve të vërtetë, pra iu dhanë votat komunistëve. Koha po reagon. Ata duhet t’ua kenë vjedhur votat, siç po bëjnë edhe sot. Në mes të atyre që bënin propagandë mashtruese ishe dhe ti, Komunisti Sali Berisha. Pronat ti i ndave, por nuk ua dhe atyre që i kishin trashëguar para kohës së Skënderbeut, por atyre që vinin pas teje. Këtu fillon rruga jote e mbrapshtë.
Duke mos i kthyer pronat pronarëve të ligjshëm, por i bëre pronarë ata që kanë ardhur si refugjatë në shekullin 18, minoritet grek. Kjo tregoi se në Shqipëri punonin prej vitesh agjentura greke dhe ti ka të ngjarë të kishe mbështetjen e tyre për të marrë pushtetin. Duke mos marrë pronat pronarët e ligjshëm, Shqipërisë nuk iu afruan investitorët e huaj. Nuk duhet të harrojmë edhe se “pronari” i ri, që e mori rastësisht nuk e vlerësoi drejt atë, se nuk ia dinte vlerën, por e shpërdoroi, duke ngritur shtëpitë në mes të saj. Këtë e bëri për të trashëguar, por në këtë mënyrë u bë gabimi tjetër i pandreqshëm. Dihet se Shqipëria njihet si vend malor, me pak toka buke. Edhe këto u shpërdoruan nga politika jote e gabuar. Secili nga “pronarët” e rinj, ndërtoi shtëpinë në mes të fushës, kur lumi që zbret nga mali gjatë shirave sjell sasi të madhe ujërash, që përmbyti fushën, sigurisht edhe shtëpitë e tyre. Është gabimi yt që i le të ndërtonin shtëpitë me gurët e kanaleve, që prisnin ujërat e rrëmbyera të shirave dhe i dërgonin ato në lumenj e në det. Tani çdo shi që bie përmbyt tokat dhe nga fondet të shtetit shqiptar hiqen miliona lekë për të “shpëtuar” ata nga përmbytjet. Edhe se kanë kaluar më shumë se 21 vjet tmerret e asaj ndarje të mbrapshtë të tokave po e vuajnë shqiptarët. Njerëzit vazhdojnë të protestojnë, por qeveria e Berishës është e shurdhët dhe e verbër, për të parë realitetin e zymtë e pa rrugëdalje në qorrsokakun ku e ka futur Shqipërinë.
Ata nuk duan t’ia dijnë nga vrasjet dhe as nga vetëvrasjet që po ndodhin çdo ditë e në çdo krahinë për pronar, që po shkojnë nga njëra dorë në tjetrën, por jo në atë të pronarit të ligjshëm. Sa kohë do t’i duhet të jetojnë shqiptarët në këtë qorrsokak të verbër?Sapo morët pushtetin zbatuat politikën e mbrapshtë për shkatërrimin e tokave të mbjella dhe të prerjes së vreshtave dhe të drurëve frutorë. I quajtët ato vepra të ngritura nga populli si komuniste dhe i shkatërruat. Ishte kjo arsye që krijuam organizatën “Klubi Ekologjik Shqiptar” dhe bëmë të pamundurën të shpëtojmë ç’të mundim nga ato. Madje organizuam edhe simpoziumin për mbrojtjen e ullinjve brenda Ministrisë së Bujqësisë, sepse drurët e ullirit po priteshin për dru zjarri. Edhe për mbrojtjen e pyjeve u përpoqëm sa mundën dhe ndonëse pak, diçka bëmë, se na i diktonte ndërgjegjja, jo për përfitim. Përse e bëtë ju shkatërrimin e bujqësisë, së bashku me Azem Hajdarin? Sepse do të silleshin frutat nga jashtë, kur Doganat do t’i drejtonit ju, kështu që do të fillonin të pasuroheshit dhe do ta quanit veten çuditërisht “të djathtë,” ndonëse të djathtë nuk do të bëheni kurrë! Të djathtë të vërtetë do të bëheshin pronarët, nëse ju do t’i kishit kthyer pasuritë dhe ata do të bënin ligje, të cilat do t’i zbatonin me përpikmëri dhe jo ju që edhe se vini ligjet, ato nuk kanë as formë as drejtim, por rrotullohen sipas urdhrit që vjen nga lart. Është kjo arsye që njerëzit nuk kanë besim te gjykatat shqiptare, se “fiton” gjyqin ai që paguan më shumë para avokatit dhe gjyqtarit.
Mos harro se 1997 nuk erdhi vetiu, por ishte rruga e mbrapshtë në të cilën e fute ti vendin në pragun e luftës civile. Vetëm në Vlorë atë vit u vranë më shumë se 2 000 të rinj. Për këta të rinj ende vazhdojnë të rënkojnë vlonjatet. Të mos harrosh se ato nëna e baballarë sa të jenë gjallë nuk do t’ju falin kurrë! E tërë Shqipëria u fut në një vorbull, kur njerëzit dilnin për të siguruar kafshatën e ditës dhe nuk dinin nëse do të ktheheshin përsëri gjallë në shtëpitë e tyre. Ishin të tmerruar dhe traumatizuar nga ato që po ndodhnin. Dhe për më keq njerëzit ende nuk kanë mundur të heqin zinë e zgjatur, sepse edhe sot nuk është vënë drejtësia në vend të dënoheshin shkaktarët e asaj lufte të përgjakshme, nga e cila u vranë kaq shumë njerëz, pa u gjetur dhe ndëshkuar kriminelët. Ti, që drejtove shtetin edhe e fute në luftë civile nuk pranove të vërtetën dhe as je penduar për atë që bëre.
Fatos Nano, sapo mori pushtetin përmendte me të madhe se vlonjatët kërkonin “Shtet” dhe jo “Pusht-shtet”, ndërsa edhe ai i drejtonte frenat e “Pusht-shtetit” të tij andej nga e urdhëronin ata që e paguanin… Ai njeri do të deklaronte në Himarë se “do të hap shkolla greke!” Përse? Sepse qarqet e caktuara greke i mbushnin xhepat me para, të cilat i harxhonte buzuqeve…Vjen një kohë, që lufta shekullore e trimave të Kosovës, zgjoi ndërgjegjen e vrarë të perëndimit për ta shëruar këtë plagë të Europës që po gangrenizohej dhe po merrte përmasa të panjohura. Mbi të gjitha po rrezikonte paqen në Ballkan e ndofta edhe më gjerë. Për këtë u vendos te mblidheshin në Rambuje për zgjidhjen e saj. Në kohën më dramatike për Kosovën dhe tërë kombin shqiptar, atëherë kur shqiptarët kudo që ishin, brenda e jashtë Shqipërisë, e mbanin frymën pezull dhe prisnin të zgjidhej përfundimisht çështje e vëllezërve tanë të një gjaku, ti Sali Berisha, me papërgjegjësinë më të madhe ulërite: “Mos e firmosni marrëveshjen!” Dhe kosovarët besuan më tepër fjalën tënde se atë të arsyes. Shpërblimi? U vranë mijëra kosovarë të tjerë, u përzunë nga trojet e tyre mijëravjeçare më shumë se gjysma e popullatës së Kosovës. Ata nuk do t’i harrojnë kurrë tërë ata pleq dhe të plagosur që vdiqën rrugës, një pjesë e tyre, nga frika e vrasjes pas shpine nga “shqahu,” nuk arritën as t’i varrosnin, duke i lënë pa varrë nga marrëzia jote. Nëse nuk do të kishin firmosur herën e dytë, sot në Kosovë nuk do të kishte mbetur as edhe një këmbë shqiptari, siç vepruan serbet me krahinat e tjera, që traktatet e mëparshme ia falën Serbisë për t’i bërë qejfin Rusisë. Çudia më e madhe qëndron në atë që sot kosovarët jo vetëm që nuk i kujtojnë këto, por të quajnë ty “njeriun më të madh të Shqipërisë, pas Skënderbeut…”
Le të shpjegojmë përse me urdhrin tënd personal nuk u kthyen pronat e ligjshme pronarit dhe sot ato kanë kaluar në dyzet duar. Madje ka dalë shprehje se gjoja ato duke kaluar në shumë pronarë, kuptohet të gjithë janë njerëz të qeverisë suaj dhe atyre të PS, e kanë të vështirë të kthehen. Duhet të pranojmë se herë pas herë ka pasur konfrontime për pronat. Dhe kudo që ato janë më të ashpra protestuesit lakojnë vajzën tënde e herë dhëndrin. Kudo që kam parë ndërtime turistike tepër të shtrenjta më përmendin si pronar vajzën tënde. Mendja ime e ka të vështirë t’i pranojë të gjitha ato “që më vijnë në vesh,” se e kam të qartë se jo të gjitha mund të jetë të vërteta. Por ku ka zë s’është pa gjë, thotë një shprehje e vjetër. E them këtë se sapo ndërtohen ato ngrehina të shtrenjta menjëherë pranë tyre ndërtohen rrugë të bukura, kur në pallatin ku banoj unë, thuajse në mes të Tiranës, edhe pse para “rrëzimit” të komunizmit ishte e asfaltuar, tani në të nuk shihet as edhe një copëz e vogël asfalti dhe gropat e saj të thella mbushen me mbeturinat e ndonjë familjeje që bën meremetime në shtëpinë e saj. Ndërsa te “pronat” e vajzës suaj ndërtohen rrugë të reja moderne në të katër anën e Shqipërisë. A thua se Vërlacët, nga të cilët e paralajmëruan popullin të ruhen e të mos u jepeshin votat ose “të gjithë vërlacët së bashku” a do të bëheshin së paku sa ato të vajzës suaj? Nëse do të llogariteshin edhe ato të ministrave të kabinetit tuaj dhe atyre të PS do të gjenin se sa pasuri marramendëse janë grumbulluar në duart tuaja.
Ndaj nuk iu kthyen pronat pronarëve të ligjshëm dhe sa të jeni ju në pushtet pronarët e ligjshëm do të vazhdojnë të vuajnë edhe për bukën e gojës.Ju keni zënë për fyti gjykatat, ndaj asnjë padi nuk zgjidhet drejt, ju keni zënë pushtetin, ndaj asgjë në Shqipëri nuk mund të arrish pa i dhënë ryshfet nëpunësit, ju u keni zënë rrugën të rinjve, ndaj ata janë të dëshpëruar dhe po shtohen krimet, sëmundjet nervore, vetëvrasjet. Dhe për të gjitha këto nuk u vret ndërgjegjja. Ju edhe me shtetin e Kosovës nuk po veproni drejt. Për fat të keq, me sa ma pret mua mendja, edhe qeveria e Kosovës po ecën në gjurmët tuaja, duke u krijuar fatkeqësi atyre. Shembulli i Vokshit, tregon për nivelin e ulët të njerëzve që qëndrojnë pranë jush dhe ju këshillojnë.
Para disa vjetësh në një artikull të asaj kohe ju paralajmërova të mos e prishnin mbi-nën kalimin e Zogut të Zi. Por ju nuk i vutë veshin arsyes, por marrëzisë dhe një natë, kur njerëzit e kishin mendjen tek një ndeshje futbollit, e prishët atë tinëzisht. Kjo tregon se jeni i sëmurë dhe përfundoni çdo marrëzi vetëm për të treguar që vetëm ti pyetesh në Shqipëri. Por në demokraci të vërtetë nuk vepron diktatori, që kur zgjohet si i thonë me atë mbrapsht... mund t’i vejë zjarrin apo dinamitin shtetit, por para se të bëhet diçka në atë shtet merr edhe mendimin e atyre që nuk e duan.
Ajo qe natë e zezë dhe njollë që nuk mund të pastrohet kurrë. Për të ty jo vetëm që nuk të vrau aspak ndërgjegjja, por përkundrazi e quajtët vepër që ua ngre vlerat. Medet, ky është mentalitet cubi!... Ta dish se sa herë që atje tani qëndrojnë makinat për kohë të gjatë duke gulçuar rreth asaj maskarade të gjithë shoferët me shpirt të dërgojnë mallkime.Pse nuk i ktheve pronat? Sepse u bëre vetë pronari i tyre, që do ta kishin zili edhe vet vërlacët, nëse ka mbetur ndonjë pinjoll i familjes së tyre. Ku i gjen jot bijë të gjitha ato para që bën ndërtime në të gjitha cepat e Shqipërisë? Para pak viteve shpife parullën “Shqipëria një euro.” Nëse vërtetë këtë duhet ta bëje që të blinin pronarët e ligjshëm pronat e tyre dhe për atë, ndofta, nuk do të të kritikonte askush, sepse edhe me rrugë jo të drejtë po zgjidhje në fund të fundit një gabimin tënd. Edhe në arkën e shtetit do futeshin së paku pak para, por edhe pronat po u ktheheshin pronarëve të ligjshëm, por ti e bëre këtë për të huajt. Dihen pretendimet serbe për të pushtuar Shqipërinë deri në Shkumbin dhe jugun për ta marrë grekët. Me sloganin “Shqipëria një euro” janë futur në Shqipëri miliona euro, që kanë shkuar në duart e atyre që janë bërë super miliarder.
Në popull njihet vetëm një person që ka blerë toka në Shqipëri, serbo-kroati Fazlliç, i cili nisi edhe të procedohet, por njerëzit tuaj e mbyllën këtë proces, se mbas tij thuhet se dilte jot bijë. A thua që të ketë “blerë toka në Shqipëri” vetëm një fazlliç? Do të vijë dita që do të dalë se blerës tokash në Shqipëri janë me dhjetëra e qindra grekë, serbë, por edhe rusë. Ëndrrën e tyre të vjetër për ta zhdukur në hartat e botës Shqipërinë nuk e kanë harruar, madje qëndrimi juaj në pushtet duket se favorizohet nga ata armiq që kanë gjetur njerëz të përshtatshëm për të shpejtuar arritjen e qëllimeve përfundimtare të zhdukjes së Shqipërisë.
Këtij qëllimi i shërben edhe ky regjistrim kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë. Për turp, ndonëse shqiptarët janë ngritur kundër këtij lloji regjistrimi të përgatitur nën presionin e hapur të qarqeve shoviniste greke, të bekuar nga prifti armik i Shqipërisë Janullatusi dhe agjenti grekë në qeverinë tuaj Pollo, gjysmë parlamenti që drejton ti votoi kundër protestës popullore, ndaj atij maskarallëku “regjistrim”. Kur grekët qenkan kaq “demokratë” përse ata nuk e bëjnë këtë gjë në vendin e tyre? Përse nuk i lënë arvanitasit dhe çamët të flasin lirshëm gjuhën e ëmbël shqipe, por i detyrojnë të harrojnë gjuhën e nënës së tyre? Pse nuk lejojnë hapjen e shkollave shqipe për çamët dhe arvanitasit shqiptarë? Përse i persekutojnë ata, duke i quajtur shqiptarët popull i “trashë”, kur ishin këta banorë vendas, para se të shfaqeshin grekët e lashtë, kur ata e çliruan Greqinë, ata hapën Akademinë greke dhe e zhvilluan atë, ata rizgjuan Lojërat e para Olimpike në Greqi dhe në botë... Me një fjalë janë arvanitasit ata që e vunë shtetin grek në rrugën e përparimit, ndërsa tani që shteti grek u fuqizua e uzurpuan dhe po luftojnë të zhdukin çdo njeri që e quan veten arvanitas apo çam. Këto janë gabime të rënda që koha nuk do t’ua falë, por këto gabime do të rëndojnë tepër mbi shpatullat e shqiptarëve. Nuk duhet të harrojmë ato që tregon atë Anton Belushi, se kur fliste me arvanitas. Ata, sapo afrohej ndonjë polic, nuk flisnin më shqip, por greqisht, nga frika e arrestimit dhe keqtrajtimit policor. Një gjë të tillë e kam ndjerë unë në Holomuc të Çekisë kur një arvanitase, nga frika se mos isha provokator, kur i thashë të flisnin në gjuhën shqipe, asaj i iku fytyra dhe tha vrullshin: “Jo, vetëm greqisht!”Kur isha i ri shkova në Kopshtin Botanik të Tiranës, të bëja një shkrim për të. Në mos u gabofsha ai ishte shkrimi i parë që botohej për këtë vepër shkencore dhe të vetme në Shqipëri. Takova drejtorin e saj, Profesor Mustafa Demirin, botanistin më të madh të Shqipërisë. E kisha pasur profesor, ndaj me bëri pritje të veçantë. Më pas mësova se sado shumë punë të kishte ai ishte tepër i sjellshëm me të gjithë. Profesor Mustafaj punonte me aq përkushtim, saqë e gjeje gjithnjë në punë ditën dhe natën. Atë vit vera qe shumë e nxehtë dhe e thatë. Në kopsht ai kishte mbjellë disa fidanë të sjellë nga jashtë shtetit dhe donte me çdo kusht që ato të mos i thaheshin. Ndaj në të shumtën e rasteve e gjeja tek kontrollonte nëse u ishin hedhur sasia e duhur e ujit në secili filiz.
-Sa të kalojë edhe mesi i gushtit, se pastaj bie nxehtësia e madhe. Nëse e kalon edhe këtë të nxehtë ato do të rriten...- më thoshte ndërsa ndiqte me kujdes punën e punëtorëve.Po, ato u rritën dhe lulëzuan në Kopshtin Botanik të Tiranës. Shumë të huaj dhe shqiptarë kanë mbetur të mrekulluar nga ky Kopsht, vërtetë i ri dhe i vogël në krahasim me ato të Europës, por mjaft i pasur në krahasim me kohën dhe kushtet e krijuara. Dhe ja një ditë, si një shkreptimë rrufeje në qiell të kthjellët, shoh që në Kopshtin Botanik të Mustafa Demirit të Madh, janë qepur disa përbindësha me urdhrin tënd dhe po e shkatërrojnë. Fidanët e tij të dikurshëm janë bërë drurë të fuqishëm, por makineritë e rënda, me urdhrin tënd i presin dhe rrëzojnë ata njëri pas tjetrit. Ku do të shkojnë fëmijët tanë për të njohur ato bimë të veçanta, të mbjella dhe mbrojtura nga thatësia dhe shkaqe të tjera me aq heroizëm nga i Madhi Mustafa Demiri? Pse duhet patjetër të projektohet rruga mes për mes kësaj vepre monumentale? Por, ky me sa po shoh nuk është krimi juaj i fundit. Keni kohë që po bëni sherr, për të përgatitur shpirtërisht njerëzit për zullumin tjetër që po i përgatisni Shqipërisë. Kur u bë ngrehina për nder të shefit tënd të madh në politikën komuniste shqiptare E. H., unë kam qenë ndofta i pari që e kam quajtur “Piramidë” . Atë kohë punoja në pallat për të marrë shtëpizën e parë dhe të vetme në jetën time, një shtëpi që edhe për një njeri të vetëm, e jo më për familje, e aq më tepër për shkrimtar dhe akademik jashtë Shqipërie, do të quhej e papërshtatshme.
Atëherë kemi vuajtur shumë, se materiale ndërtimore për ndërtesën tonë “me kontribut vullnetar” nuk jepnin, se shkonin vetëm për përfundimin e Piramidës. Kështu që u bllokuan ndërtimet. Na u desh të ndiqnim rrugë tepër të vështira ta përfundonim ndërtesën në kohë. Nëse nuk do ta kishim bërë ato veprime, ndërtesa do të kishte mbetur pa përfunduar dhe ne ndofta do të kishim mbetur rrugëve. Kështu që unë jam ndofta nga të parët që kemi mallkuar ndërtimin e saj. Por kjo nuk do të thotë që do të ngre dorën i pari për rrëzimin e saj. Për ndërtimin e saj u harxhuan, si thuhej atëherë, fondet e një pesëvjeçari. Pra ekonomia shqiptare mbeti në vend vetëm e vetëm të ngrihej ajo ngrehinë, që u hëngri ekonominë shqiptarëve.Shumica e deputetëve te PD dhe PS janë ende në parlament dhe pjesë të këtyre partive, kur në seancën e 20 shkurtit të 1996 në diskutimin me grupin e deputetëve në parlament për ekologjinë, si President i Klubit Ekologjik Shqiptar ngrita problemin e ndërtimeve pa leje. Atëherë fola gjatë përpara tyre për ndërtimet pa leje që bëheshin natën, të shtunave e të dielave. Hodha idenë të ngrihej policia për ndalimin e ndërtimeve pa leje. Por theksova që ajo polici duhet të ndalonte të hapte qoftë edhe një gropë të vogël dhe jo të lihej të ndërtohej e pastaj të prishej, sepse ato humbje nuk janë vetëm të x pronari, por paratë e shqiptarëve. Kjo gjë vlen edhe për piramidën. Për atë u harxhuan fondet e një pesëvjeçari, pra për pesë vjet shqiptarët e shtrënguan rripin deri në vrimën e fundit, ndërsa tani me ato sakrifica të shqiptarëve tallen disa deputet të për t’i bërë qejfin kryeministrit ngrenë dorën për shembjen e saj. Të mos harrojmë se kanë kaluar më shumë se njëzet vjet. Ajo është bërë tashmë jo vetëm simbol, por edhe ka zgjidhur shumë probleme të kulturës dhe shkencës shqiptare. Pse duhet shembur ajo, vetëm e vetëm që Sali Berisha të tregojë se është distancuar nga rruga e E. Hoxhës!? Nëse vërtetë është distancuar, të mos ndjekë rrugën e tij, por atë të demokratit të vërtetë. Shembjen e piramidës, nëse çmenduria e tij do ta drejtojë marrëzinë në atë shkatërrim epokal, do të tregojë se po vazhdon në rrugën e paraardhësit të tij Hoxha, madje edhe duke e përshpejtuar atë. Kështu bëri ai në kohën e tij, duke prishur e shfytyruar Tiranës, në këtë rrugë po ecën dhe ti. Me sa shoh diktatorët një gjë dinë; të shkatërrojnë vendin e tyre. Për habi në parlament u votua 100%.
Ndërsa në kohën e Hoxhës vetëm 99%. Nga kjo del përfundimi se diktatori Hoxha paska qenë më liberal se Berisha. Ajo që më habit është partia e çamëve. Ata duhet ta kenë të qartë kohën kur andartët grekë shkatërruan shtëpitë e tyre. Pra, si ka mundësi që edhe ata të votojnë për shkatërrimin e Tiranës nga PD? Me sa shoh Berisha po ecën në rrugën e Neronit. Siç dihet ai kishte probleme me zërin. Mjekët i këshilluan të hante sa më shumë presh, ndaj kundërshtarët e quanin “Diktator Preshi!” Ndaj ai për të hyrë në histori i vuri zjarrin Romës. Edhe ti po i vë zjarrin Tiranës. A thua se do të të falin ndonjëherë shqiptarët për këtë marrëzi!U bënë disa vjet që po na hani shpirtin me sherre e shamata. Dihet që kur dy vetë grinden, fajin e ka ai që është më i madh ose më i fortë. Në një shtet thuajse gjithnjë e kanë fajin ata që sundojnë. Zgjedhjet e fundit për vendorët ishte kapaku i të gjitha prapësive tuaja. Këto prapësi kësaj radhe u bënë kaq të trasha sa e panë edhe shqiptarët më të painteresuar. Të huajt për fat të keq fajësojnë shqiptarët e pafajshëm për këto që ndodhin për fajin tuaj, se doni me çdo kusht pushtetin.
E thashë që në fillim, unë jam me drejtësinë e shqiptarinë dhe jo me ata që “fitojnë”. Sot jam kundër teje, por nesër, nëse PS do të drejtojë si në kohën e Nanos, të siguroj se do të jem edhe kundër atyre. Fitorja shumë e ngushtë e PS në Tiranë tregon se populli nuk është shumë i kënaqur as edhe me ata. Ti duhet të kuptosh se ndëshkimi që të dhanë është se kërkojnë të shpëtojnë nga pusht-shteti yt. Në anën tjetër kjo “fitore” për PS tregon se nëse ata nuk do të kthejnë pronat pronarëve, që të bëjnë hapin e parë për rrëzimin e vërtetë të komunizmit dhe të fillojnë të ndërtojnë demokracinë e dëshiruar të shqiptarëve, në zgjedhjet e ardhshme edhe atyre do t’u jepet shuplaka, që ta dëgjojë Europa dhe Amerika. Shqiptari do demokraci të vërtetë dhe do të bëjë të pamundurën deri sa ta fitojë atë.
*Anëtar i Akademisë së Shkencave të Ballkanit
Comments (0 posted)
Post your comment