Home | Opinion | Si të definohet interesi shtetëror i Kosovës?

Si të definohet interesi shtetëror i Kosovës?

image
Është evidente se duhet marrë një vendim rreth procesit negociator. Është po ashtu evidente se ky i tanishmi nuk do të shpjerë kund, por cila është alternativa?

 

 

 


Veton Surroi

 

 

1.Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbia (me ndihmë të madhe të Rusisë) ka udhëhequr një betejë deri tani të suksesshme të kontestimit të këtij akti dhe të gjendjes së prodhuar me aktin, pra të pavarësisë. E ka kontestuar në tërësinë e shtrirjes së sovranitetit të Kosovës, duke mbajtur struktura paralele. E ka kontestuar në fushën e legjitimitetit ndërkombëtar, duke ia pamundësuar numrin kritik të njohjeve ndërkombëtare, rrjedhimisht edhe anëtarësimin në sistemin e OKB-së. E ka kontestuar në fushën e integrimit europian, me ndihmën e pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e ka njohur Kosovën. Njëkohësisht, Serbia e ka ndryshuar në mënyrë të dukshme balancën e percepcioneve të Perëndimit. Prej një shteti të bombarduar nga Perëndimi është në prag të fitimit të statusit të kandidatit. Kosova, e çliruar nga Perëndimi, është gjithnjë e më shumë e trajtuar si një vend krimi – vrasjesh politike, trafiqesh ilegale, korrupsioni, hajnie zgjedhore.
Politika në Serbi është marrë me çështje strategjike: aderimin në BE duke shantazhuar çështjen e Kosovës. Politika në Kosovë është marrë me çështje taktike, si të mbrohet nga kjo apo ajo iniciativë e Serbisë, duke e shantazhuar Perëndimin me të vetmin instrument që ka: pa këtë pushtet nuk ka kompromise me Serbinë.
Në tre vjetët e kaluar, politika e pushtetit të Kosovës është konsumuar me veten, fuqizimin ekonomik apo politik të saj. Në këso situate, në tërësi ka munguar projeksioni i interesit shtetëror, karshi një politike të artikuluar qartë të Serbisë.

2.
Interesi thelbësor shtetëror i Kosovës është, ndonëse jo vetëm kaq, normalizimi në katër fusha.
Kosova ka nevojë për normalizim në funksionimin e vet të brendshëm, pra ka nevojë për unifikimin e një sistemi ligjor në tërë territorin e vet. Kosova ka nevojë për normalizim të marrëdhënieve me të gjithë fqinjët dhe, meqë i ka të normalizuara me të gjithë të tjerët, mbetet t’i normalizojë me Serbinë. Kosova ka nevojë për normalizim të marrëdhënieve të veta me BE-në e kjo do të thotë që Kosova ka nevojë të vendosë raporte të njëjta me BE-në, kontraktuale, siç i kanë fqinjët e Kosovës.
Dhe Kosova ka nevojë për normalizim të marrëdhënieve të veta me OKB-në, pra të anëtarësohet në të, e me këtë akt, të anëtarësohet edhe në organizatat e tjera relevante.
Nëse marrim në vija të trasha se ky është interesi shtetëror në politikën e jashtme të Kosovës, atëherë do të kuptojmë se të katër fushat e normalizimit, falë një mungese të politikës së jashtme të Kosovës dhe falë një politike aktive të jashtme të Serbisë (e të përkrahësve të saj), janë shkrirë në një pikë, e kjo është marrëdhënia e Kosovës me Serbinë.
Serbia ka kontestuar shtetësinë e Kosovës në territorin e Kosovës, në BE e në OKB dhe, falë manovrimeve të Serbisë, Rusisë dhe vendeve europiane që e përkrahin Serbinë, të gjitha nevojat strategjike të Kosovës janë shkrirë në pikën e dëshiruar, në atë të shantazhit të Serbisë. Kosova, me qëndrimet e deritanishme të të gjithë aktorëve relevantë, nuk mund të funksionojë si tërësi pa marrëveshje me Serbinë, nuk mund të ketë normalizim me BE-në pa pëlqim të Serbisë dhe nuk mund të ketë anëtarësim në OKB pa vizën e Serbisë.
Një gjendje të këtillë e ka pranuar Kosova që në shtator të vitit të kaluar, kur njoftoi qorrazi se do të marrë pjesë në çfarëdo procesi negociator të ndërmjetësuar nga Brukseli. Një gjendje të këtillë e vulosi me të hyrë në negociata, më 8 mars të këtij viti.
Kosova pranoi që të negociojë brenda kushteve të ndërtuara nga Serbia. Në një kësi formati, në vend që BE-ja të kishte forcë trysnie mbi Serbinë për të ndryshuar qasjen negative ndaj Kosovës, tregoi se mund të ushtronte trysni mbi Kosovën. Kosova as që priti të ushtrohet trysnia: pas një krize të gjatë politike, zgjedhjeve të dëmtuara, raportit të Dick Martyt, me zgjedhjen skandaloze të një pretendenti për president, Kosova u ofrua vullnetare, pa kurrfarë trysnie, pa kurrfarë kërkese.

3.
A ka mundur të jetë ndryshe?
Absolutisht, po. Disa prej nesh kanë tërhequr vëmendjen prej kohësh se duhet identifikuar interesi shtetëror i Kosovës në këtë proces negociator, duke përsëritur shumë herë po ashtu se nuk duhet ikur prej negociatave, por ato duhen formatizuar sipas  interesit të vendit.
Nga shpallja e Mendimit të GJND-së, në korrik të vitit të kaluar, Kosova është dashur të insistojë për një proces negociator, i cili siguron, në vija të trasha, tri kontekste.
Së pari, procesi duhej të siguronte, siç bëri Mendimi i GJND-së, kontinuitetin mes Rezolutës 1244 dhe shpalljes së pavarësisë, në mënyrë që të mos rifillojë debati juridik mbi kompetencat në Kosovë. Në një kësi konteksti, çështjet siç janë regjistri civil apo librat kadastralë as që do të viheshin në diskutim- për objekte të vjedhura nuk do negocim, do vetëm akt dorëzim-pranimi.
Së dyti, duhej vendosur korniza e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, pra korniza juridike-politike, në të cilën shtetet, ndonëse nuk do të njihnin njëri-tjetrin, do të krijonin mundësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Dhe, së treti, vendosjen e tërë këtij procesi brenda një trekëndëshi normalizues: normalizimi i Prishtinës dhe Beogradit do të thoshte njëkohësisht edhe normalizim i marrëdhënieve mes Prishtinës e Brukselit, gjegjësisht Beogradit e Brukselit. Po të krahasohen këto tri kontekste me procesin e tanishëm të negociatave, do të vërehet diferencë shumë e madhe. Në vend të mbështetjes në GJND-Rezolutë 1244, delegacioni i Kosovës është pajtuar që negociatat të fillojnë prej së pari, pra, para qershorit të vitit 1999, siç shihet me temën e regjistrave civilë.
Në vend të kornizës së normalizimit, delegacioni i Kosovës pranon që parimet të ndërtohen prej rasti në rast, pa ndonjë orientim të përafërt se si dhe kur do të bëhen. Në vend të trekëndëshit integrues europian, delegacioni i Kosovës ka pranuar që Serbia të ecë përpara, e Kosova të kënaqet me përsëritje rituale për perspektivën europiane.
Në këtë proces nuk është e përcaktuar se çka paraqet sukses në negociata.

4.
Nëse një vit pas shpalljes së Mendimit të GJND-së Serbia ka arritur jo vetëm të neutralizojë këtë Mendim, por edhe të krijojë avantazh për vete, Kosova ka nevojë që të kalibrojë, d.m.th., të ripërcaktojë interesin e vet shtetëror.
Është evidente se duhet marrë një vendim rreth procesit negociator. Është po ashtu evidente se ky i tanishmi nuk do të shpjerë kund, por cila është alternativa?
Me një politikë të pamenduar, qeveria e Kosovës e ka futur vendin në një situatë ku duhet t’u thotë “jo” këtyre negociatave, por jo edhe konceptit të negociatave në tërësi, jo kësi lloj ndërmjetësimi, por jo edhe ndërmjetësimit europian në tërësi, jo retorikës për “perspektivë europiane”, por jo edhe perspektivës europiane në tërësi.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00