Dy marrëveshje me Serbinë, një me BE-në
Pastaj një definim i këtillë është i nevojshëm, ngase koha nuk punon për Kosovën. Negociatorët në Bruksel i dhanë vetes afate pesëvjeçare për të shikuar një marrëveshje jo edhe gjithaq të rëndësishme, siç është ajo për targat.
Veton Surroi
1.Interesi strategjik i Kosovës karshi Serbisë është që të mbërrihet normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, që korniza e normalizimit të bëhet brenda një periudhe disamuajshe e jo disavjeçare dhe që konteksti i normalizimit të jetë procesi i integrimit euroatlantik, ku distanca mes Kosovës dhe vendeve të tjera të zvogëlohet e jo të rritet.
Një definim i këtillë i interesit strategjik është i nevojshëm për shkak të disa arsyeve.
Fillimisht, sepse procesi i tanishëm negociator nuk e ka të përcaktuar si cak normalizimin; flet vetëm për lehtësim të jetës së qytetarëve, e me një përcaktim kaq të gjerë mund të nënkuptohet çdo gjë, mund edhe të përjashtohet çdo gjë, në veçanti vendosja e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Pastaj një definim i këtillë është i nevojshëm, ngase koha nuk punon për Kosovën. Negociatorët në Bruksel i dhanë vetes afate pesëvjeçare për të shikuar një marrëveshje jo edhe gjithaq të rëndësishme, siç është ajo për targat. Dhe marrëveshje të ngjashme mund të ketë edhe më, për çështje të tjera. Por, përderisa Serbia brenda pesë vjetëve të ardhshëm do të zhvillojë negociata më të rëndësishme, ato me Brukselin, tashmë si vend kandidat i BE-së dhe njëkohësisht të zhvillojë negociata me Kosovën për çështje jorelevante, Kosovës i mbetet, në këto kushte, të zhvillojë negociata pa mbarim me Serbinë mu për çështje jo edhe aq relevante, siç janë targat. Me Brukselin, në kushtet e vazhdimit të pambarim të negociatave me Serbinë, Kosova nuk do të ketë shumëçka të negociojë. Me ritmin e filluar, më 2016-n, të dyja vendet mund të merren ende me targa, ndonëse Serbia mund të ketë kompletuar gjysmën e “kapitujve” në negociatat me BE-në, ndërsa Kosova mund eventualisht të ketë fituar liberalizimin e vizave-edhe kjo çështje me pikëpyetje. Distanca mes Serbisë dhe Kosovës, karshi integrimeve në BE vetëm sa do të rritet, deri në një avantazh të atillë strategjik sa të ndikojë në masë të madhe në ardhmërinë europiane të vendit.
Dhe, një definim i këtillë i interesit shtetëror është i nevojshëm të bëhet brenda kontekstit të procesit të integrimit, sepse për momentin, i këtillë çfarë është, ndërmjetësimi i BE-së është si fytyra e Janusit: për Serbinë, është pjesë e procesit të integrimit europian, për Kosovën është pjesë e një obligimi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
2.
Duhet definuar se çka quhet sukses në këtë proces negociator. Kosova duhet të paraqesë tri çështje si objektiva: dy janë marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë që janë matës i suksesit, dhe një mes Kosovës e BE-së, që do të jenë kuti matës i normalizimit të marrëdhënieve.
Kosova dhe Serbia do të përfundojnë konfliktin kur ta nënshkruajnë Traktatin (Marrëveshjen, si do që ta quajnë) të fqinjësisë së mirë (Miqësisë), duke njohur shtetësinë e njëra-tjetrës. Kjo marrëveshje nuk do të vijë shpejt, varet në radhë të parë nga Serbia dhe vullneti i forcave politike të këtij vendi për të zënë ardhmërinë. Por, gjithashtu varet nga Bashkimi Europian, i cili këtë marrëveshje duhet ta përcaktojë si kushtin pa të cilin nuk bëhet integrim i të dy vendeve.
Në mungesë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë (Miqësi), Kosova dhe Serbia, me ndihmën e ndërmjetësimit të BE-së, duhet të nënshkruajnë një Marrëveshje kornizë për normalizim. Kjo Marrëveshje duhet të përmbajë parimet udhëheqëse që do të lehtësojnë komunikimin mes dy vendeve, pa paragjykuar njohjen e ndërsjellë, madje duke ruajtur dallimet e tanishme rreth statusit të Kosovës. Në vend të procesit të papërcaktuar negociator, çfarë po zhvillohet tash, që shpenzoi katër muaj për tri marrëveshje që zhbëjnë parimet e ndërtuara deri tani, duhen përcaktuar parametra të qartë të suksesit. Ndërsa së bashku me Marrëveshjen kornizë për normalizim, Kosova duhet të nënshkruajë fillimin formal të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asoociimit, me një formulim që do t’u ndihmojë të gjitha vendeve të BE-së të kenë një qëndrim uniform. Kështu, Kosova do të lidhte procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, së bashku me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Brukselin- një objektiv strategjik i vendit.
3.
Për të bërë një ndryshim të këtillë në negociata, të tria palët duhet të ndryshojnë qëndrimin e vet, pra Kosova, Serbia dhe BE-ja. Siç qëndron gjendja, Serbia dhe BE-ja vështirë se duan ta bëjnë këtë. Për Serbinë, një proces i këtillë negociator është i volitshëm, ngase nuk kërkon investime (d.m.th. koncesione serioze), e forcon pozitën e saj karshi Kosovës dhe e forcon pozitën e saj karshi BE-së. Për palën ndërmjetëse, procesi i këtillë negociator, në momentin kur po riformatizohet politika e jashtme e BE-së pas Samitit të Lisbonës, jep rezultate, sepse çdo gjë që ndodh në të mund të quhet sukses: edhe raundet e bisedimeve, edhe marrëveshjet e korrikut, edhe ndonjë marrëveshje tjetër që mund të vijë-çdo gjë që me interpretimin e shumicës së vendeve të BE-së e afron Serbinë brenda aksit europian.
Pra, e vetmja palë që mund të kërkojë një ndryshim të procesit negociator është Kosova, sepse ky i tanishmi nuk i konvenon, gjegjësisht ka mundësi të madhe ta dëmtojë.
Por, a do ta bëjë këtë Kosova? Qeveria e saj vështirë se do të bëjë ndonjë ndryshim. “Dialogu” me Beogradin i ka mbetur pika e vetme e kredibilitetit me BE-në. Në kushtet kur emri i kësaj qeverie lidhet me akuza për vrasje politike, korrupsion, vjedhje zgjedhore dhe papërgjegjësi me paranë publike të dënuar nga FMN-ja, dialogu me Beogradin ka mbetur lidhja e vetme që e trajton Kosovën si një shtet normal.
Andaj edhe Kosova zyrtare merr pjesë në një negociatë, e cila që nga fillimi kërkon kompromis për kompromise: kompromis për Rezolutën 1244, kompromis për Paketën e Ahtisaarit, kompromis për Mendimin e GJND-së dhe kompromis për sovranitetin edhe ashtu të cunguar të shtetit.
4.
Tash, as faktori kohë nuk është duke punuar për Kosovën. Ky proces negociator ka nevojë të vazhdojë vetëm deri në tetor, të prodhojë një mendim pozitiv për statusin e kandidatit për Serbinë. Një herë e kaluar kjo barrierë, Serbia e ka luksin e negociatave tetë deri në dhjetëvjeçare me Kosovën, aq sa do të zgjasë procesi i saj paralel i negociatave me BE-në për anëtarësim. Asnjëri prej vendimeve që do t’i marrë në ato negociata, nuk do të prekë në esencë jetën e qytetarëve në vendin e vet e, çdonjëri prej vendimeve që do të merren në ato negociata, do të prekin thellë në jetën e qytetarëve të Kosovës.
Një herë i etabluar një kësi lloj procesi, që shkon prej teme në temë, prej së poshtmi lart, prej temave “të rëndomta” te ato politike, është vështirë të ndërrohet ritmi, dhe pala që ankohet ndaj procesit konsiderohet si jokoperative.
Vjet, në këso kohe, Kosova kishte rastin unikal që pas Mendimit të GJND-së, presioni i BE-së të drejtohet nga Serbia, në mënyrë që të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës. Gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar, mundësia që BE-ja të ushtrojë presion ndaj Serbisë është duke e humbur; madje kjo mundësi do të zbehet edhe më sa të afrohen zgjedhjet në Serbi (pas marrjes së statusit të kandidatit).
Ndërkohë është duke u rritur mundësia që Kosova të jetë nën presion- për shembull, nëse përfaqësuesit e saj protestojnë me të drejtë ndaj këtij procesi negociator. Por, në një lojë ironike të fatit, për hir të së ardhmes europiane të Kosovës duhen kërkuar ndryshime në Prishtinë, Prishtinën zyrtare të shantazhuar, për të cilën nuk ka fjalë tjetër të mirë, pos që merr pjesë në një negociatë pa përcaktuar se cili është interesi i saj në të.
Comments (0 posted)
Post your comment