Home | Opinion | Përgjimi, paranoja dhe pushteti i informatës

Përgjimi, paranoja dhe pushteti i informatës

image
Por sfida është edhe më e madhe sesa thjesht formimi i një agjencie. Në esencë, ajo sfidë ka të bëjë me tejkalimin e mentalitetit alla-komunist të përgjimit dhe abuzimit të informatës së fituar. 

 

 

 

 

Liri Gashi

 

 


News of the World, gazeta tabloide me tirazhin më të madh në Britaninë e Madhe, të dielën që shkoi botoi numrin e saj të 8,674-të dhe të fundit, duke përfunduar kështu 168 vjet jetëzgjatje. Mesazhi i saj në këtë tirazh të fundit mori formën e një falënderimi të thjeshtë për 7.5 milionë lexuesit e vet. Siç mund ta dijë edhe lexuesi, ky vendim drastik i perandorisë mediatike të magnatit Rupert Murdoch u arrit si pasojë e skandalit mbi përgjimet e paligjshme ndaj aktorëve, këngëtarëve, politikanëve, si dhe familjeve të ushtarëve britanikë të rënë në konfliktet në Irak e Afganistan.

E tërë kjo u bë me anë të përdorimit të mitos nga ana e gazetarëve, ku ishin të përfshirë pjesëtarët e policisë, qeverisë etj. Kështu, gazetarët patën qasje në dokumente private e biseda telefonike, gjë që u mundësoi atyre të monopolizojnë mbi informatën dhe, si pasojë, ta përdorin atë informatë kundër individëve të caktuar. Si duket, ky skandal, kjo praktikë kriminale e gazetarisë kap një periudhë kohore që nga ardhja në pushtet e Tony Blair-it e këndej. Së fundmi, vet ish-kryeministri Gordon Brown shfaqi haptazi neverinë e tij për arsyen se gazetarë të tillë kishin arritur të kenë qasje në të dhënat tejet sensitive mbi shëndetin e djalit të tij. Hetimet tashti sa kanë filluar dhe, si u tha, mbyllja e gazetës së lartpërmendur do të jetë, si duket, vetëm kapitulli i parë i tentimit të shpëlarjes së këtij rrjeti de facto kriminal dhe të korruptuar.

Preluda e mësipërme u bë si referencë për temën shumë të ndjeshme të përgjimit dhe metodave të jashtëligjshme të kësaj praktike. Dhe, rrjedhimisht, pushtetit që akumulohet me posedimin e informatës. Si dhe me mentalitetin e paranojës që mbizotëron në atë shoqëri ku përgjimi dhe posedimi i informatës nuk është i rregulluar me ligj, ose ku ligji nuk zbatohet.

Në Kosovë, vazhdojmë të jemi dëshmitarë të përdhosjes ditore të të dhënave personale, të informatave që përdoren për shantazhim dhe përfundimisht, të motivimit politik të keqpërdorimit të informatave. E kemi fjalën për një lloj të të ashtuquajture gazetari hulumtuese, e cila në emër të nocionit që mban, shpesh nuk tregon kurtoazinë e nevojshme ndaj të dhënave personale të individëve. Vazhdojmë të jemi dëshmitarë të përdorimit të informatave që kush e di se si fitohen, por që shfrytëzohen nga gazeta të ndryshme për të sulmuar individë në baza ad hominem.

Si ndodh shpesh, keqpërdorimi i informatës te ne është alarmant në rrafshin politik. Përsëri, vazhdojmë të jemi dëshmitarë të praktikës klandestine dhe kriminale të marrjes së informatës, dhe më pastaj kurthimit apo zaptimit të individëve që konsiderohen rivalë politikë. Duhet të thuhet haptazi se praktika e përgjimit të telefonave për ata që janë të involvuar në politikë, gazetari apo biznese, është një sekret i hapur tek ne. Çka e bën këtë edhe më shqetësuese është fakti se kjo praktikë është aq e pranuar nga njerëzit saqë është për t’u habitur. Ndoshta sepse njerëzit kanë ndjenjën e pashpresë se nuk mund të ndryshojnë situatën. Sidoqoftë, e vërteta është se kjo shoqëri, apo më saktë klasa politike e saj, ekziston dhe vepron në një mjegull aq të dendur përgjimi dhe paranoje, reale apo të perceptuar, saqë shpesh të kujton metodat komuniste të kësaj praktike. Zaten, kjo mund të jetë edhe çështje kulture apo mentaliteti politik. Gjë që nuk flet mirë për ne, sepse tregon se ne vazhdojmë të praktikojmë zotimin e informatës me metoda shpesh joligjore dhe për qëllime cinike dhe destruktive, ashtu siç veprohej shpesh në sistemin komunist.

Zgjidhja qëndron te rregullimi i kësaj fushe me ligj. Dhe sidomos te zbatimi i rreptë i ligjit dhe rregulloreve. Rishtazi Kuvendi aprovoi formimin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kjo Agjenci do të ketë nevojë për përkrahje të madhe për sfidat që e presin.

Por sfida është edhe më e madhe sesa thjesht formimi i një agjencie. Në esencë, ajo sfidë ka të bëjë me tejkalimin e mentalitetit alla-komunist të përgjimit dhe abuzimit të informatës së fituar. Për më tepër, ka të bëjë me heqjen dorë nga tendencat autokratike të qeverisjes, nga shteti policor dhe paranoja.

Duke dashur të mësojmë nga skandali mediatik në Britani të Madhe, te ne ka nevojë për një ndërmarrje kolektive dhe të guximshme të shpëlarjes së politikës, por edhe të gazetarisë, nga përfitimi joligjor i informatës dhe abuzimit me të.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00