Një vlerësim e mirënjohje e merituar
Me fakte e analiza, mbështetur dhe në përjetimin e tij personal, në libër jepen të gjitha ato shkaqe të shpërbërjes së Jugosllavisë, që në dritën e sotme janë mjaft kuptimplota, interesante e intriguese. Po ashtu, ato janë po aq bindëse e dëshmuese të personalitetit të autorit, të forcës vepruese e parashikuese të tij.
Rexhep Mejdani
Në 19-20 Korrik 2011, nën kujdesin e zëvendëskryeministrit Pacolli, u organizua vizita e ish-presidentit kroat, Stipe Mesiç, në Prishtinë. Ishte një pritje sa vëllazërore, po aq dhe dinjitoze. Gjatë asaj vizite dyditore, populli i Kosovës dhe klasa politike shqiptare shprehu mirënjohjen e saj ndaj njërit prej mbështetësve e miqve të popullsisë shqiptare në ish- Jugosllavi, por dhe figurave më të rëndësishme të tranzicionit demokratik kroat. Krahas takimeve zyrtare apo takimeve me miq e shokë, gjatë vizitës u bë dhe promovimi i ditarit të Mesiç-it: “Si është shkatërruar Jugosllavia?”, të botuar në gjuhën shqipe më 2006-n. Për arsye të sallës dhe kohës së shkurtër në dispozicion, personalitetet që morën fjalën në këtë promovim u ndalën më tepër në ndonjë vlerësim personal, sesa në analizën konkrete të librit. Në rreshtat e mëposhtëm, lexuesi i interesuar mund të gjejë disa nga vlerësimet e mia mbi librin…
* * *
Për të ndjekur më mirë memuaret apo ditarin e presidentit Stipe Mesiç, të botuar në shqip me titullin “Si është shkatërruar Jugosllavia?”, duhen konsideruar edhe disa veçori të personalitetit të autorit, të shpalosura që në rininë e tij të hershme. Që në atë kohë, ai shquhej për reagimin ndaj padrejtësisë; kështu, p.sh., si gjykatës vendor ai denoncoi publikisht politikanët që po shfrytëzonin për qëllime private mjetet shtetërore. Pas këtij incidenti me këtë lloj politike lokale, më 1964-n, ai largohet për në Zagreb, për të punuar si menaxher në kompaninë “Univerzal”. Në vitin 1966, ai kandidon si i pavarur në zgjedhjet vendore për kryetar bashkie të Orahovicës, duke mundur dy kandidatët e tjerë (të PK-së dhe Unionit socialist të Popullit Punonjës). Kurse, më 1967, ai nis karrierën politike të përfaqësuesit të popullit në Parlamentin e Republikën Socialiste të Kroacisë. Vlen të theksohet se Stipe Mesiç që në atë kohë shquhet për pikëpamje liberale politike e ekonomike. Madje, ai, si kryebashkiak, nxiti nismën për hapjen e një fabrike private (të parën në ish-Jugosllavinë e Titos), edhe pse ajo me Kushtetutën e kohës konsiderohej jo ligjore. Vetë Tito, në atë kohë, iu kundërvu ashpër kësaj iniciative kapitaliste. Ndërsa, ndryshe nga reagimi i parë “federalist” i vitit 1967, në fillim të viteve ‘70-të, Mesiç-i u bë një nga ithtarët e “pranverës kroate” (një lëvizje nacionaliste kroate, që propagandonte barazinë ekonomike, politike dhe kulturore në federatë). Për “propagandën armiqësore” në gjirin e saj, ai u dënua fillimisht me 20 vjet burg dhe, pas apelimit më 1975, me një vit burg në Stara Gradishka…
Pikërisht, ky “rebelizëm” ndaj padrejtësisë dhe autokracisë e shoqëroi jetën e Mesiçit në të gjithë veprimtarinë e vet politike-institucionale. Për më tepër, duke qenë një nga lojtarët kryesorë të tranzicionit kroat (politik, ekonomik, social, diplomatik dhe atij të identitetit); mbi të gjitha, gjatë dy mandateve si
President i Kroacisë, ai i dha një frymëmarrje të fuqishme proceseve demokratike e integruese vendore, rajonale dhe euroatlantike…
Parë edhe në këtë optikë, leximi i librit të tij është me mjaft vlerë për politologët dhe shtetarët ballkanikë. Kjo, e lidhur ngushtë dhe me faktin që presidenti Mesiç, në fillimet e procesit të shpërbërjes, copëtimit apo “zbërthimit eksploziv” të Jugosllavisë, ka qenë një nga figurat më të larta të hierarkisë politike të Kroacisë dhe Federatës. Kështu, në periudhën
maj-gusht 1990, pas zgjedhjeve të para pluraliste ai u emërua kryeministër i parë i Republikës së Kroacisë. Më 25 gusht të po atij viti, me vendim të Kuvendit të Republikës së Kroacisë, bëhet anëtar i Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe gati një vit më vonë, për afro 6 muaj (me gjithë kundërvëniet e njëpasnjëshme të politikës serbe) dhe Kryetar i Kryesisë së RSFJ-së. Midis viteve 1992-1994 kryen detyrën e Kryetarit të
Parlamentit të Kroacisë, kurse më 7 shkurt 2000 zgjidhet President i Kroacisë, detyrë në të cilën rizgjidhet dhe në 16 janar 2005…
***
Me fakte e analiza, mbështetur dhe në përjetimin e tij personal, në libër jepen të gjitha ato shkaqe të shpërbërjes së Jugosllavisë, që në dritën e sotme janë mjaft kuptimplota, interesante e intriguese. Po ashtu, ato janë po aq bindëse e dëshmuese të personalitetit të autorit, të forcës vepruese e parashikuese të tij. E tillë është analiza dhe manovrimi i Mesiçit, për të kapërcyer pengesat e krijuara nga Millosheviçi e grupi i tij në marrjen prej tij të detyrës së Kryetarit të Kryesisë (si kundërvënie ndaj qëndrimeve të tij demokratike
e liberale mbi barazinë federative e qytetare, për të cilat gjithashtu ishte burgosur vite më parë). Në fakt, rotacioni në nivel kryetari federate ishte sipas një rregulli apo “kalendari” të caktuar; dhe, në këtë kuptim, më 15
maj 1991, ishte ai që duhej të fillonte në mënyrë automatike atë detyrë. Por, në kundërshtim me praktikën e deriatëhershme dhe rregullat kushtetuese, Serbia imponoi një proces votimi. Në atë proces, Serbia dhe provincat e saj
votuan kundër, ndërsa përfaqësuesi i Malit të Zi abstenoi dhe, si pasojë, Mesiç-i nuk mori dot shumicën e votave të njësive federative. U desh presioni ndërkombëtar, pas Luftës së Dhjetë Ditëve në Slloveni, që të “pranohej” emërimi i tij edhe nga serbët. Pikërisht, në seancën e majit 1991, vetë autori u drejtohet të pranishmëve: …”Deklaroj se me këtë obstruksion që vjen nga Republika e Serbisë është e qartë se është ajo që po shkatërron
Jugosllavinë dhe për këtë ajo duhet të mbajë të gjitha përgjegjësitë për të gjitha pasojat para opinionit vendës dhe botëror…” (f. 35). Dhe kjo e
thënë në një kohë mjaft të vështirë, kur mbi të dhe në rrethin e tij ndihej kërcënimi i eliminimit fizik nga “ideologët” e Serbisë së Madhe dhe gjeneralët e Armatës Jugosllave, mbështetës fanatikë të kësaj ideologjie. Madje, në atë
periudhë, një ish-zëdhënës i Millosheviçit, kur u arrit të pengohej për pak kohë dalja e Mesiçit në krye të Kryesisë, siç kujton ky i fundit, deklaroi me një megalomani fyese se “forcat demokratike (në fakt, çetnikët e Sheshelit apo
ata të Millosheviçit!) arritën dje të pengojnë që Stipe Mesiç, i cili ka premtuar se do të jetë presidenti i fundit i Jugosllavisë, që do të vijë në krye të Presidencës së RSFJ-së!” (f. 41). Po në atë kohë dhe ushtria po largohej nga drejtimi civil institucional, kurse shtabi i komandës së lartë, siç e analizon vetë autori në libër, po futej “gjithnjë e më shumë në skutat e zotit Millosheviç…”
(f. 57).
***
Në libër, për procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, mjaft mirë dokumentohet e analizohet diplomacia ndërkombëtare, fillimisht me një efekt inercial të konsiderueshëm, më shpesh si ushtrim burokratik i “parimit të veprimit minimal” apo i “ekuilibrave të paekuilibrueshëm”. Janë, p.sh., karakteristike shprehjet e regjistruara në ditarin e Mesiç-it, mbi pozicionin fillestar italian e gjerman apo qëndrimi rus për “ruajtje integriteti territorial të Jugosllavisë”, qëndrimi amerikan kundër “vendimeve të njëanshme për ndarje, që mund të shkaktojnë dhunë”, apo, p.sh., dhe qëndrime të më të vegjëlve p.sh. të Suedisë, që “shpallja e njëanshme nuk përbën arsye të mjaftueshme për njohje nga ana e Suedisë” (f. 117). Dhe e gjithë kjo, duke “harruar” që në hierarkinë e parimeve ndërkombëtare parimi i vetëvendosjes
është shumë më i lartë se ai i integritetit territorial!…
Diku më vonë, me thellimin e gjakderdhjes në ish- Jugosllavi, janë mjaft të drejtpërdrejta e kuptimplote komentet e vlerësimet e thella politike të Mesiç-it. Kështu, ai, pas një fjale të mbajtur në Mynih, shkruan,: “…Millosheviqin, si dikur Hitlerin, askush nuk mund të jetë në gjendje ta kënaqë. Millosheviqi dhe gjeneralët e tij shkojnë deri atje sa t’i shpallin luftë edhe Gjermanisë, sepse ajo, sipas tyre, ashtu si dhe Kroacia, është krijesë fashiste. Kërcënojnë me ofensivë luftarake deri në thyerjen e Republikës së Kroacisë, por dhe republikat e shtetet e tjera fqinje…
Në mbarë Kroacinë, pushtuesi bën krime të pakonceptueshme për gjininë njerëzore. Për fat të keq, Perëndimi po zgjohet shumë ngadalë nga letargjia.
Por mirë që ambasadori amerikan Zimerman, së paku tani, përgjegjësinë për krizën dhe luftën ia vesh fajtorit të vërtetë, Serbisë dhe ushtrisë, ndërsa
senati nëpërmjet një Rezolute të re i bën thirrje administratës së Bushit që të njohë pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë…” (f. 422). Me kontributin e madh të Mesiç-it dhe të mjaft demokratëve jugosllavë, kjo situatë “diplomatike” u ndryshua gradualisht. Në frontin kryesor doli gjermani Gensher e diplomacia e SHBA-së, më tej austriakët dhe shtete të tjera europiane. Pranohet, kështu, pavarësimi i Sllovenisë dhe Kroacisë. Dhe,
ndërkohë, armata jugosllave u fut më thellë në krimet e saj, sidomos në Kroaci. Ndryshe nga rasti slloven, që u mbyll shpejt, ushtria dhe forcat policore e paramilitare serbe, gjatë pushtimit të territoreve kroate, kryen krime të rënda. Vonesa akoma më të mëdha, madje tepër fatale, të shoqëruara me ngjarje monstruoze, u panë në rastin e Bosnjës, ku u fut
egër në lojë dhe mekanizmi fetar. Siç thekson Mesiç-i, edhe e ashtuquajtura
armatë jugosllave si mekanizëm represioni në duart e gjeneralëve serbë “nga ruajtëse e socializmit dhe e vetadministrimit, nga “ndërtuese dhe garantuese e vëllazërim-bashkimit”, soldateska “Kushtetutë mbrojtëse”, u shndërrua
në realizuese e programit serbomadh të avokatit të Banja Llukës Moljevi”(f. 324). Nëpërmjet saj, Millosheviçi dhe fanatikët e tij kanë projektuar si detyrë themelore “…që të krijojnë dhe organizojnë Serbinë homogjene, e cila të përfshijë tërë zonën etnike në të cilën jetojnë serbë dhe të sigurojnë linjat dhe nyjat e nevojshme strategjike, si dhe zonat ekonomike…” (f. 324). Po ashtu, duke analizuar arsyet e fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, Mesiç-i thekson se: “… kam gjetur një rend kushtetues të shkatërruar në Jugosllavi, i cili fillimin e pati në miratimin e Kushtetutës serbe të vitit 1989, kur iu mohua ekzistenca dy krahinave autonome në sistemin federal të pushtetit”. (f. 423). Ndërsa, pak më tej, në faqen 430, ai shprehet: “Nuk më vinte keq që po shkatërrohej Jugosllavia, sepse ishte e ardhmja, që asaj nuk i jepte asnjë shans, por zemra më pikonte gjak për shkak të krimeve të kryera në procesin e dështuar të shndërrimit të Jugosllavisë në Serbi.
Nuk ishte e vështirë të llogarisje se, me t’u ndalur në Kroaci, zjarri do të përhapej në Bosnjë e Hercegovinë, prandaj shumë shpesh paralajmëroja se
“ajo që do të ndodhë në të ardhmen në Bosnjë e Hercegovinë do të tregojë më së miri prirjen kriminale të qeverisë beogradase””… Ky parashikim i tij mbi Millosheviçin (“Sadamin e Pozharevacit”, siç e quan atë (f. 430)) dhe bandën e tij kriminale paraushtarake, policore e ushtarake, u vërtetua tragjikisht në Bosnjë dhe disa vjet më vonë me popullsinë shqiptare në Kosovë. Makina gjakatare e Millosheviçit, sipas programit “patkoi”, ushtroi dhunë çnjerëzore,
aplikoi politikën e pastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj kësaj popullsie.
Së fundi, Presidenti Mesiç e mbyll ditarin e tij me besimin e madh për të ardhmen. Në rreshtat e fundit ai shkruan: “Puna për çarjen e bllokut jugosllav, pavarësisht nëse bëhej fjalë për “burgun e popujve” të kohës së mbretit apo për diktaturën komuniste, është shpënë në fund. Tani na mbetet ndërtimi krijues i madhështisë së ëndërruar” (f.432). Dhe, nuk kishte si të
ndodhte ndryshe për federatat ideologjike, siç ishin Jugosllavia e Bashkimi Sovjetik. Aq më tepër, që liria dhe demokracia, po krijonin ato kushte të nevojshme dhe të mjaftueshme për copëtim, ndarje e zhvillim, që më tej do të
mundësonin ndërveprimin, respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë…
***
Mesiç dëshmon me mjeshtëri në këtë libër se me sulmin serb mbi Kushtetutën e vitit 1974 dhe me heqjen e autonomisë së Kosovës
de të Vojvodinës në Kushtetutën serbe të vitit 1989, filloi shpërbërja e Jugosllavisë, e kësaj krijese artificiale të shekullit XX, që kishte pësuar mutacione të shumta në vite… Akt i parafundit i kësaj shpërbërjeje apo i këtij
copëtimi ishte shpallja e pavarësisë së Malit të Zi, me referendumin e 21 majit 2006; kurse akti i fundit i këtij copëtimi është ai i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Në fakt, në librin e Mesiç-it ndihet e sendërtuar
dhe “teknologjia” konkrete për të gjitha këto arritje. Për më tepër, po ta lexojnë me kujdes këtë libër, por dhe të analizojnë me mendje të ftohtë proceset e djeshme, të sotme e të nesërme dhe prirjet konkrete të ndryshimeve, mjaft nga nostalgjikët e “patologjisë” së Serbisë së Madhe dhe shumë nga “frymëzuesit” e mbështetësit e saj, ndoshta, mund të kthjellojnë pamjen dhe të heqin dorë nga mendësitë e pozicionet e tyre anakronike nacionaliste- shoviniste, tërësisht jashtë kohës dhe hapësirës. Pse jo, dhe nga “heroizmi” historik, karakteristik i “viktimizimit”!… Vetëm kështu, pas kaq vitesh luftëra e gjakderdhje, mund të përshpejtohet tempi ballkanik dhe,
mbi të gjitha të mos humbet më koha e çmuar, mjaft e domosdoshme në rrugën e përbashkët të popujve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Dhe me këtë perspektivë integruese euroatlantike, pas një procesi të plotë copëtimi
apo analize (që mbyllet me sovranitetin e Kosovës), rajoni i Ballkanit Perëndimor është futur përfundimisht në një fazë të re: në atë të procesit të sintezës në kuadër të BE-së. Aty duhet të ketë vend pa vonesë të gjithë vendet
tona: për Kroacinë, Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën e Serbinë. Por kjo duhet kuptuar edhe nga BE-ja, në radhë të parë politikisht dhe pastaj teknikisht. Nën këtë optikë, një çështje e parë, me peshë themelore, pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj, është njohja e mëtejshme e Kosovës si shtet i pavarur dhe anëtarësimi i saj në të gjitha organizatat e vendeve sovrane. Madje, për këtë, në forumet ballkanike, çfarëdo qofshin ato, Shqipëria dhe të deleguarit e saj duhet të refuzojnë ose nuk duhet të pranojë më tej shmangien e Kosovës nga përfaqësime të tilla, për “hatrin” e Serbisë(!) Dhe, mbi të gjitha, për të mos lejuar qoftë dhe ndonjë
prirje minimale mbi procesin e integrimit europian të Serbisë, pa u bashkëshoqëruar ai me ecurinë paralele si të Shqipërisë, ashtu dhe të Kosovës. Kjo është tepër serioze, madje çdo mbyllje sysh në këtë proces mund të rezultojë tepër e rrezikshme, si për rajonin, ashtu dhe vetë shqiptarët e serbët!…
Nga ana tjetër, ky integrim europian i përbashkët do të ishte dhe realizimi i “madhështisë së ëndërruar” për rajonin tonë, mbyllja e një kapitulli përplasjesh e konfliktesh dhe hapja e një kapitulli të ri bashkëjetese e zhvillimi. Në mënyrë të veçantë, në këtë mbyllje kapitulli të
vjetër dhe hapje kapitulli të ri, roli i Presidentit Mesiç është mjaft i çmuar.
Comments (0 posted)
Post your comment