A ardhmja jugore e Europës
BE-ja aktualisht importon gjysmën e furnizimeve të veta të energjisë – brenda 20 vjetësh, hisja e importit do të arrijë në 70 për qind. Për më tepër, në jug burimet e energjisë dhe lëndët e para janë të bollshme. Komuniteti energjetik i Europës do të përshpejtojë kalimin në karburantet me nivel të ulët karboni në Europë dhe do të stimulojë zhvillimin e energjive të ripërtëritshme.
Elisabeth Guigou
Kriza ekonomike ka prekur tani të dyja anët e Mesdheut dhe rreziku kështu i një depresioni të stërzgjatur është bërë më se real. Politikat e kursimit në Europë kërcënojnë të sjellin kundërpërgjigje, duke u shkaktuar dëm të madh aspekteve të rritjes dhe në këtë mënyrë, edhe duke rritur shkallën e papunësisë dhe deficitet buxhetore. Dhe tani, shtetet e Mesdheut Jugor nuk mund të shpresojnë në Amerikën dhe Azinë për t’i rikthyer mundësitë dhe investimet që po i humbin në Europë, pa dyshim jo në një aspekt afatshkurtër.
Nën rrethana të tilla – dhe veçanërisht në këndvështrimin e rrëmujës politike në shtetet e Mesdheut Jugor – rinisja e procesit euro-mesdhetar dhe krijimi i një pozite të re do t’u sillnin përfitime të dyja anëve.
Procesi i Barcelonës, me iniciativën e Jacques Delors më 1995 si shef i Komisionit Europian, i ka meritat e veta, por ka dështuar të përmbushë pritjet që vetë i ka krijuar. Më 2005, në dhjetëvjetorin e themelimit të tij, iu bashkova liderëve politikë të të dyja anëve të Mesdheut në thirrjen për riformulimin e partneritetit nëpërmjet krijimit të një komuniteti euro-mesdhetar.
Një komunitet i tillë tash është bërë një domosdoshmëri urgjente. Europa ka teknologji dhe ofron një kornizë sigurie për investime, por është Mesdheu Jugor ai që mund të drejtojë një rritje të fuqishme ekonomike. Europa po plaket dhe do të humbë 20 milionë njerëz deri në vitin 2030, përderisa Mesdheu Jugor ka një popullatë dinamike dhe të re, që ka dëshpërimisht nevojë për vende të reja pune.
BE-ja aktualisht importon gjysmën e furnizimeve të veta të energjisë – brenda 20 vjetësh, hisja e importit do të arrijë në 70 për qind. Për më tepër, në jug burimet e energjisë dhe lëndët e para janë të bollshme. Komuniteti energjetik i Europës do të përshpejtojë kalimin në karburantet me nivel të ulët karboni në Europë dhe do të stimulojë zhvillimin e energjive të ripërtëritshme. Një gjë e tillë eventualisht mund të çojë drejt një komuniteti energjetik euro-mesdhetar – që ishte një prej propozimeve të Komisionit Europian në fillim të këtij viti.
Këto plotësime u sigurojnë potenciale të mëdha të dyja anëve. Kthimi në rritjen ekonomike është i domosdoshëm për Europën, e cila ka nevojë të një rrjedhjeje të re dhe të sigurt të investimeve. Rrjedhja veri-jug tashmë është jashtëzakonisht e ulët, me shtetet jugore dhe ato lindore të Mesdheut që pranojnë vetëm 3 për qind të investimeve të drejtpërdrejta të huaja.
Për të zgjeruar investimet në dy drejtime, një zonë e stabilitetit monetar duhet të krijohet. Sistemi monetar euro-mesdhetar duhet të shmangë mospërputhjet ndërmjet tregut të dominuar nga euroja dhe atij që dominohet nga dollari – ç’është e vërteta, zgjerimi eventual i eurozonës nuk duhet të hidhet poshtë. Një kornizë e besueshme ligjore për eksportet dhe investimet është po ashtu e domosdoshme, dhe një bankë e zhvillimit do të ndihmonte në krijimin e një ambienti të favorshëm financiar për investime.
Konsolidimi industrial, po ashtu, do të mund të ishte një opsion ndaj kompanive europiane dhe për këtë arsye ne duhet ta ndërtojmë një strukturë të integruar euro-mesdhetare që inkurajon lëvizshmërinë industriale, bujqësore, energjetike dhe të punësimit. Europa Qendrore dhe ajo Lindore janë shembull që ia vlen të studiohet për së afërmi: në bashkëpunim me Gjermaninë, shtetet e kësaj pjese zhvilluan dhe përforcuan sektorët industrialë.
Në të njëjtën kohë, mundësia e qarkullimit duhet ta zëvendësojë migrimin e padëshiruar. Mundësia e qarkullimit të studentëve dhe profesorëve duhet të shoqërohet me përmirësimin e qarkullimit për punëtorët europianë dhe afrikanë. Europa do të mund të financonte trajnime më të mira për të përmbushur mungesën e fuqisë punëtore, shtetet afrikane do të ishin në gjendje të sigurojnë punësim për të rinjtë e tyre. Po ashtu, një version euro-mesdhetar dhe euro-afrikan “Erasmus”, i shkëmbimit të studentëve, jo vetëm që do të tërhiqte studentët afrikanë në Europë, mirëpo do ta rriste edhe interesimin e studentëve europianë për zhvillimin e Mesdheut Jugor dhe të Afrikës.
Deri më 2050, Europa dhe Afrika do të kenë së bashku 2.5 miliardë banorë, apo çerekun e popullatës botërore. Me një potencial aq të madh njerëzor, përforcimi i kapaciteteve ekonomike, sociale dhe ekologjike do të ishte më se i mundshëm. Një grup i madh rajonal veri-jug i këtij lloji do të mund të negocionte me institucionet ndërkombëtare – në rend të parë Organizatën Botërore të Tregtisë – duke pasur pozicion më të fortë dhe duke e ruajtur modelin e vet të zhvillimit, të bazuar në afërsi, bashkëpunim dhe solidaritet.
Tregtia e drejtë dhe ndarja e vlerave të shtuara duhet të zëvendësojnë jobalancat e tregtisë së lirë dhe eksportimin e materialeve të papërpunuara. Tregtia ndërkombëtare duhet të sjellë ngritje të standardeve sociale dhe ekologjike, për të cilën nevojitet një sistem shumëpalësh euro-mesdhetar. Kjo, në anën tjetër, presupozon një “treg të përbashkët” afrikano-verior dhe në këtë mënyrë zgjidhje të shpejtë të konfliktit midis Algjerisë e Marokut, gjë që është duke e mbajtur peng zhvillimin e të dyjave shteteve (si dhe atë të Tunizisë e Mauritanisë).
Një union euro-mesdhetar që më vonë do të shndërrohej në union euro-afrikan do të mund t’ia hapte rrugën zhvillimit të balancuar dypalësh. Siç e di edhe Europa, ndërtimi i një zone të integruar në aspektin ekonomik dhe social e ofron mundësinë më të mirë për zgjidhjen e konflikteve dhe tejkalimin e rivaliteteve politike. Mirëpo, të gjithë partnerët duhet që së pari ta vënë rendin në vendet e tyre: Europa duhet të përforcojë integrimin ekonomik e politik dhe Afrika duhet ta përmirësojë qeverisjen, duke e luftuar korrupsionin dhe vendosjen e sundimit të ligjit.
Azia sillet rreth ASEAN-it, ndërsa Amerika rreth NAFTA-s dhe “Mercosurit”. Edhe Europa duhet të ndihmojë në organizimin e një rajoni të madh hemisferik. Ndërtimi i një të ardhmeje të përbashkët për Europën dhe Afrikën, duke filluar me Mesdheun, do të jetë i vështirë, mirëpo kjo nuk është arsye për të mos vepruar. Në të vërtetë, një union euro-mesdhetar e më pas euro-afrikan do të mund të jetë i vetmi projekt politik në gjendje të parandalojë qeverisjen globale nga G2-shi, i përbërë prej SHBA-së dhe Kinës.
(Autorja, ish-ministre franceze për Çështje Europiane, ministre e Drejtësisë dhe ministre e Punësimit, është nënkryetare e Kuvendit të Francës dhe anëtare e Komitetit të Kuvendit për Punë të Jashtme. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sydicate”)
Shqip
Comments (0 posted)
Post your comment