Home | Opinion | Koha për reflektim

Koha për reflektim

image
Aleatët e natyrshëm duhen afruar sepse edhe ata duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, por do larguar fiktiviteti në koalicione dhe partive pa elektorat që nuk na bashkojnë idetë e programet e zhvillimit. 

 

 


Nga Sadedin Çeliku

 

 

 


Zgjedhjet e 8 Majit përfunduan dhe bashkë me to debatet dhe problemet që i kemi nënvizuar në dinamikë në faqet e shtypit të përditshëm. Sidoqoftë është bërë zakon që edhe një sektor apo qoftë dhe në një brigadë ndërmarrje të bëjë analizë çdo tremujor dhe jo më një parti politike që del nga zgjedhjet e përgjithshme ose vendore. Natyrisht, në vendin tonë kemi mësuar shumë huqe të këqija të cilat kanë prodhuar prapambetje dhe lëndë të parë për historinë shqiptare. Është e vërtetë dhe mjaft demokratike që edhe fituesi të analizojë atë që ka bërë keq dhe të nxjerrë mësime për zgjedhjet e tjera të rradhës. Dhe sigurisht edhe fituesi analizon dhe nxjerr mësime, në të kundërtën nuk orientohesh, gabimet përsëriten dhe humbja kthehet në traditë. Kësisoj, Partia Socialiste fituese në zonat urbane përveç Shkodrës dhe Tiranës, duhet të analizojë dhe të nxjerrë mësime efektive, ndryshe nuk ka gjasa të synojë ndonjëherë pushtetin. Ndërsa Partia Socialiste fitoi bashkitë Durrës, Shijak, Fushë-Krujë, Laç, Burrel, Has, Gjirokastër, Përmet, Vlorë, Tepelenë, Mallakastër, Memaliaj, Himarë, Orikum, Fier, Patos, Lushnje, Kavajë, Mirditë, Gramsh, Elbasan, Korçë, Pogradec, Sarandë, Shëngjin, Leskovik, etj., pra gati gjithë bashkitë e Shqipërisë, Partia Demokratike fitoi Tiranë, Shkodër, Lezhë, Pukë, Cërrik, Tropojë, Kukës, Krujë, Kamëz, Vorë etj. Në nivel qarku, Partia Socialiste ka fituar 2 nga 12 gjithsej dhe Partia Demokratike 10 qarqe nga 12 që kishte nga zgjedhjet e fundit. Kjo do të thotë se partia nuk ka funksionuar fare për gati gjashtë vjet në fshat, ndofta edhe për mungesë të strukturave atje. Fshati ka qenë i gjithi i majtë dhe është mungesë e theksuar përgjegjësie që në dy zgjedhjet e fundit vendore të votohet për të djathtën. Në kryeqytet rezultatet për njësitë vendore pra minibashkitë rezultuan katër me shtatë në favor të Partisë Demokratike. Partia Socialiste pra mori një rezultat të dobët ose tre minibashki më pak se zgjedhjet e fundit. Partia Socialiste humbi bastionet e veta tradicionale dhe pikërisht njësitë 4, 9, 10, 11; ndërkohë që në sajë të një fushate më efektive, Partia Demokratike fitoi terren jo vetëm në njësitë vendore por edhe në këshilla bashkiake e komune. Pra nga statistikat duket qartë se është e nevojshme një analizë e thellë dhe një reflektim në funksion të efektivitetit në zgjedhjet e ardhshme.Së pari, në disa njësi vendore u vendosën disa kandidate të konsumuar dhe disa të tjerë pa integritet dhe jo përfaqësues.

Kështu në njësitë bashkiake të Tiranës 2, 4, 8, 9, 10, 11 mund dhe duhet të vendoseshin kandidatë më të mirë dhe më kredibël e përfaqësues. Në njësitë 2 dhe 8, kandidatët vinin nga rradhët e Partisë Demokratike dhe ndodhi ajo që një pjesë e elektoratit socialist nuk i votuan sepse kandidatët u vendosën vertikalisht dhe nga deputetë që nuk njihnin terrenin, pra keqadministrim në mënyrën më të keqe dhe në dëm të Partisë. Në njësitë 4 dhe 9 u vendosën të njëjtat fytyra të cilët edhe pse socialistë, nuk mund të jepnin më, ishin të konsumuar dhe duheshin kandidatë të rinj. Përgjegjësia është e qartë, Kryetari i Partisë qytetit dhe i Rrethit të Tiranës duhet të japin menjëherë dorëheqjen dhe nuk duhet të kenë asnjë funksion në parti. Reforma në se do ta quaja kështu duhet domosdo të prekë dhe të gjithë kryetarët e asambleve të njësive vendore që nuk ka mundur të fitojnë. Kështu drejtuesit e partive të njësive 2, 3, 4, 8, 9, 10, 11 që u humbën duhet të japin gjithashtu dorëheqjen.Ka nga ata kryetarë që ka marrë më shumë vota se në zgjedhjet e fundit dhe pretendon se ka dalë i fituar. Kjo logjikë nuk funksionon dhe ata nuk mund të rrinë më sepse nuk do të mund tu afrohet askush ne zgjedhjet e ardhshme aq më tepër që emrat e këshillave vendore u caktuan në konflikt interesi dhe shumë pa arsimin përkatës. Kjo bëri që shumë prej militantëve të votojnë për Lëvizjen Socialiste për Integrim siç qe rasti i njësisë numër 8.Zgjedhjet brenda partisë dhe analizat nuk duhen bërë kurrsesi me këta njerëz si dhe me të tjerë të komanduar nga lart.Bie fjala në njësinë 8 të Tiranës ku familja ime është banor i vjetër prej më se dy shekujsh nuk u bë bërë fushatë fare. Koordinatorët e rekrutuar me këtë rast ishin jo socialistë, jo përfaqësues dhe pa integritet dhe për rrjedhojë efektiviteti dhe rezultatet gjithashtu ishin mjaft të dobët. Fushata në këtë njësi nuk i ngjante një gare dhe në këtë mënyrë fitorja e kundërshtarit u bë e lehtë. E pra këto janë mijra vota të humbura edhe për fajin tonë sepse larguam apriori dhe pa i aktivizuar, madje edhe duke i ofenduar shumë personalitete që kanë shkruar e gdhendur historinë e Partisë Socialiste ndër vite.


Ku janë sot Musa Ulqini, Spartak Poçi, Elmaz Sherifi, Enver Reçi, Petro Koçi, Sadedin Stankaj, Kastriot Islami, Andis Harasani, Lesko Gjata, Marko Bello, Servet Pëllumbi, Luan Shahollari, Rexhep Çuko, Limos Dizdari, Makbule Çeço, Afërdita Stefani, Halil Lalaj, Flamur Hoxha, Zyhdi Pepa, Sherif Bundo, Viktor Doda, Kadri Rrapi, Maksim Shuli, Ilir Zela Mustafa Xhani, Besnik Dervishi, Mark Nikolli, Agron Duka, Luan Memushi, Farudin Arapi, Sabit Broka, Ismail Lleshi, Dine Abazi, Zyhdi Teqja, Lufter Kreshpa, Bardhyl Agasi, Taulant Dedja, Shaqir Vukaj, Bashkim Zeneli, Fatmir Kumbaro, Leontjev Çuçi, Luan Hajdaraga dhe qindra të tjerë.Ata kanë kontribuar e milituar në periudhën më të errët ku pozita dhe opozita ishin të pa formatuar dhe jo demokratike, ndërsa sot opozita bëhet në kushte luksi nëse di ta bësh atë lojë.

Në Cërrik, Pukë, Librazhd, Lezhë e në ndonjë rast tjetër nuk u vendosën kandidatët që kërkonte baza e partisë, zona këto të sigurta të majta.Kësisoj, u bë fushatë kundra Partisë Socialiste dhe përfituesi ishte kandidati kundërshtar i Partisë Demokratike. Arsyeja? Kandidati pretendues nuk ishte simpatik dhe s’e kishte qejf e për zëmër Partia. Pra shkurt muhabeti kapriço dhe mendjemadhësi. Po si kërkon Partia Socialiste ta marrë pushtetin dhe me kë? Problem tjetër dhe mjaft i rëndësishëm është faktorizimi i forcave. Rrjedhja nga Partia Socialiste ka qenë faktor në rezultat. Ne nuk duhet më të vazhdojmë me kokëfortësi, por ti afrojmë të gjithë ata që deri dje ishin përfaqësues të kësaj familje të madhe.Kështu, Partia Socialiste u investua në formimin e qindra pse jo dhe mijra kuadrove të cilët dikë e bëri President, kryeministër, zëvendëskryeministra, dikë ministër, dhe zëvendësministra, Prefektë, Nënprefektë dhe Kryetar Qarku, Kryetar Bashkie e Kryetar Komune, Drejtorë të Përgjithshëm, Drejtorë Drejtorie, Diplomatë e Akademikë të cilët morën përsipër zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Llogaritni që një investim të tillë kaq të madh ta çosh dëm dhe të mos e administrosh në favor të zgjedhjeve të Partisë tënde. Një problem shumë i rëndësishëm është dhe formimi i koalicioneve me bazë të gjerë dhe pa paragjykuar ato. Kështu duhet ta themi troç se koalicioni që bëri Partia Demokratike ishte më efektive se ajo e Partisë Socialiste. Ato afruan të gjithë të larguarit të cilët përfaqësonin parti të tjera.


Në këtë mënyrë ato u bashkuan përsëri me partinë Pollos dhe Cekës dhe shfrytëzuan me mjaft zgjuarsi divergjencat dhe mosmarrëveshjet me Partinë e Metës. Ato afruan gjithashtu dhe Xhuvelin dhe demokristianët e Nikollë Lesit. Pra Partia Demokratike nuk lejoi rrjedhje votash dhe kjo është arsyeja që Partia Socialiste ka qysh në vitin 2007 që merr rezultate të dobta në komuna. Tashmë kemi në dorë rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe ato vendore të 8 majit dhe dimë me saktësi se sa vota kanë marrë partitë në koalicion me Partinë Socialiste.Në funksion të rezultateve duhet të jenë dhe pretendimet dhe hapësirat për në pushtet. Aleatët e natyrshëm duhen afruar sepse edhe ata duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, por do larguar fiktiviteti në koalicione dhe partive pa elektorat që nuk na bashkojnë idetë e programet e zhvillimit. Sa i takon marrëdhënieve me Lëvizjen Socialiste për Integrim personalisht mendoj se duhet të rishikohen. I këtij mendimi kam qenë qysh para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Të gjithë anëtarët e kësaj partie kanë dalë nga Partia Socialiste, kanë patur të njëjtin qëllim dhe nuk ka asnjë arsye të vazhdojmë në këtë mënyrë. Koalicionet nuk duhet të bëhen qëllim në vet vete për pushtet apo ndarje portofolesh. Ato qe duhet të na bashkojnë duhet të jenë interesat kombëtare, programet dhe politikat e zhvillimit.Kjo është ajo që duhet të reflektojmë. Sa më shpejt të ndodhë kjo aq më mirë për të gjithë ata që vërtet e duan Shqipërinë. Koha nuk do humbur.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00