Home | Opinion | Portat e negociatave

Portat e negociatave

image
Prishtina do të duhej të brengosej me një kësi zhvillimi. Fillimisht, sepse ka treguar mungesë përgatitjeje për procesin e filluar në Mars, duke hyrë në bisedime pa krijuar një kornizë parimesh udhëheqëse, të përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare. 

 

 

 

Veton Surroi

 

 

 

Vendi, pothuajse i papërgatitur, tashmë ka hyrë në negociata rreth veriut të vendit
1. Pas 25 korrikut dhe ndërhyrjes legale e legjitime të Policisë së Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë në pikat 1 dhe 31, procesi negociator rreth Kosovës po hyn në një fazë të re, me potencial të lartë rrezikshmërie.

Në tri ditët e kaluara tabloja në terren, që do të reflektohet në tryezën e bisedimeve, është kjo: institucionet e Kosovës e kanë të pamundur që me forcat vetjake të vendosin një rend dhe rregull konsistent në këto pika kufitare, Serbia e bën qëndrueshmërinë kosovare në këto pika kufitare të pamundur me veprime të “institucioneve paralele”, ndërsa bashkësia ndërkombëtare në Kosovë (me “neutralitetin ndaj statusit”) nuk ka krijuar ende një pozicion anues.

Gjendja ka një tis ngjashmërie me ditët pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur grupe “spontane e të organizuara” i dogjën pikat kufitare për të dëshmuar se ato janë ende kontestuese, se janë pjesë e konfliktit të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi ende vazhdon të jetë i njëjtë, pra kontestimi i këtyre pikave kufitare është njëkohësisht kontestim i pavarësisë së vendit dhe vendosje e veriut në zonë të konfliktit të ngrirë, por këso here veprimi i Serbisë ka po ashtu dy dimensione plotësuese. Së pari, me përgjigje ndaj veprimeve legale dhe legjitime të Kosovës përforcohet logjika e ndarjes së vendit, me vendosjen e një territori të qartë të cilin përfaqësuesit e institucioneve kosovare (policët, doganierët, parlamentarët, qeveritarët) mund ta kalojnë vetëm me helikopter. Së dyti, se dhuna e ditëve të fundit është ftesë imediate që çështja e pikave kufitare, pra edhe e veriut, të vendoset në tryezën e bisedimeve.

2. Në fakt, bisedimet rreth veriut kanë filluar edhe de facto në tri ditët e fundit (ndonëse mund të themi se ato janë prekur më herët edhe në procesin e udhëhequr nga diplomati Cooper).

Në këto tri ditë Kosova është përpjekur të krijojë një realitet të ri, pra kudo të respektohet rendi kushtetues i vendit në këto dy pika kufitare. Serbia është përpjekur ta kthejë gjendjen në atë të para 25 korrikut. KFOR-i, si negociator i vetëm i deritanishëm, ka marrë përsipër rolin që të ndajë palët në konflikt, duke i ofruar trupat e veta në pikat kufitare, e duke u thirrur në neutralitetin ndaj statusit të Kosovës.

Shikuar kështu, veprimet e tri ditëve të fundit kanë qenë pak a shumë përgatitje e një tabloje, ku çështja e pikave kufitare, rrjedhimisht edhe e sovranitetit, hidhet në tryezën e bisedimeve, ngase, me një qëndrim neutral ndaj statusit çfarë e mban BE-ja dhe e ka marrë KFOR-i, problemi definohet si ai ku Kosova nuk ka të drejtë automatike për të mbrojtur sovranitetin e vet, por njëkohësisht ky sovranitet nuk mund t’i mohohet automatikisht Serbisë.

Në 72 orët e fundit, Serbia e shndërroi gjeneralin e KFOR-it në një ndërmjetës, që do të duhej të përcillte mesazhe rreth asaj se kush mund të jetë doganier a polic në kalimet kufitare (kërkesa e Serbisë: të jenë vetëm të nacionalitetit serb), dhe kështu e shndërroi këtë çështje, të konsideruar në “vijë të kuqe” prej autoriteteve kosovare në çështje të negociueshme.

3. Nuk është larg mendsh që në ditët në vijim të shtrohet presioni ndaj Prishtinës dhe Beogradit që mesazhin që ia kishin dërguar komandantit Buhler të fillojnë t’ia përcjellin njëri-tjetrit në tryezën e Cooper-it.

Prishtina do të duhej të brengosej me një kësi zhvillimi. Fillimisht, sepse ka treguar mungesë përgatitjeje për procesin e filluar në mars, duke hyrë në bisedime pa krijuar një kornizë parimesh udhëheqëse, të përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare. Rrjedhimisht, futja e çështjes së pikave kufitare brenda një procesi të këtillë të padefinuar, do të kishte po të njëjtat efekte negative çfarë ka pasur edhe marrëveshja e kaluar, ajo e regjistrit civil, ku me një mendjelehtësi të skajshme krijohet precedenca e ushtrimit të sovranitetit ndaj Kosovës nga Prishtina dhe Beogradi njëkohësisht.

Hapja e çështjes së veriut, gjoja në emër të shqyrtimit të një gjendjeje emergjente në pikat kufitare, pa përgatitur vetë kontekstin politik të zgjidhjes, pra të një platforme të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë brenda procesit të integrimit europian, do të ishte dështimi diplomatik i radhës.

Nga aspekti taktik, kjo do të thoshte që Kosova do të kishte pozicionin më të dobët negociator, duke qenë e vetmja palë që jep koncesione.

Nga aspekti strategjik, konsekuenca mund të ishte përligjja e një gjendjeje, ku Kosova në mënyrë permanente merret vetëm me çështjen e veriut dhe Beogradi në mënyrë permanente me avancimin drejt anëtarësisë në BE.

4. Vetëm emocionet nuk do t’i ndihmojnë Kosovës. Ndjenja kolektive e përkrahjes për policinë, si dhe e solidarizimit me policin e vrarë në sulm terrorist, Enver Zymberi, kanë nevojë për një politikë shtetërore. Në të, në atë politikë, do ravijëzuar në qartësi veprimet qeveritare, si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në atë politike-diplomatike.

Më 25 korrik, Kosova vendosi të dërgojë një mesazh se është krejtësisht normale që të vendoset rendi dhe ligji në pikat e veta kufitare. Për Serbinë, por edhe për një pjesë të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, kjo nuk dukej gjithaq normale. Vendin e pret një përpjetë, rrugën të cilën duhet ta kalojë me sa më shumë përbashkësi mendjesh e veprimesh.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00