Ngujimi kolektiv në minierën e dëshpërimit
Ky është një ngujim kolektiv në minierën e dhimbjeve dhe dëshpërimit. Është ngujimi i një shoqërie në depresion nga mungesat e përditshme, nga zhgënjimet e radhës, nga mashtrimet e politikës. Nuk është vetëm një grevë urie në minierën e Bulqizës, ku ka kaluar çdo cak durimi, por një grevë kolektive urie jo vetëm të stomakut por dhe të shpirtit...
Nga Astrit Kosturi
Ka më shumë se një dekadë që miniera e Bulqizës, një nga minierat më të mëdha të kromit në Europë, me pasuritë e së cilës Bulqiza nuk do të ishte një qytezë e rrënuar, në prag të dëshpërimit kolektiv, siç është, por një metropol shndërritës, plot begati e harmoni, po përjeton një dramë të njëtrajtshme, që herë-herë bëhet më e thekshme, por që gjithsesi vazhdon të mbaj peng minatorët dhe punonjësit e saj.Vrasjet e paralajmëruara në gjirin e nëntokës, plagosjet në punë, mungesa e çdo përkujdesjeje njerëzore nga ana e stafit sipërmarrës, varfëria, uria, sëmundjet, shfrytëzimi i punës së rëndë të fëmijëve nga një dorë kriminale,mbeten një realitet i trishtë e klithës, në atë qytezë të periferike, e cila vazhdon që të majmë një kastë hajdutësh e kriminelësh me jaka të bardha, me mundin, djersën e pashpërblyer dhe gjakun e minatorëve të Bulqizës. Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, jo një herë rrugët e lodhura nga pritja e kësaj qyteze janë skuqur me gjakun e bandave rivale, që bëjnë një luftë për jetë a vdekje për të zotëruar vatrat e kromit në këtë qytezë të përzishme.
Puna e rëndë dhe skllavëruese e minatorëve në thellësitë e nëntokës të kësaj miniere, ajo punë që iu sjell milionat sipërmarrësve vendas e të huaj, nuk shpërblehet as aq sa minatorët të ushqejnë familjet e tyre, ndërkohë aristokracia mbikqyrëse, teknike, administrative, sindikale e politike noton në luks e komfort, në saj të sakrificave të tyre deri në sublimitet.Si rezultat i këtij devijimi të madh që vjen gjithnjë e më shumë duke u thelluar, një grup minatorësh kanë hyrë në një grevë urie në thellësitë e minierës, duke kërcënuar se nuk do të dalin prej andej përveçse me kërkesa të realizuara nga ana e sipërmarrësve ose përndryshe të vdekur. Ka kaluar java që këta martirë –martirë nga halli e nevoja- luftojnë me etjen, urinë, sëmundjet, lagështinë e nëntokës, por nuk pranojnë asnjë lloj negocimi nga askush e prej askujt.
Ajo që të bën përshtypje si dhe të meditosh për hendekun midis tyre dhe pretenduesve të përfaqësimit sindikal, është ultimatumi i të ngujuarve ndaj sindikatave, qofshin Sindikatat e Pavarura, qoftë Konfederata, për të mos bërë asnjë tentativë kontakti me ta. Ata kanë deklaruar se nuk njohin asnjë lloj sindikate, asnjë lloj politike e politikani, dhe se janë të vendosur deri në fund për të kërkuar realizimin e kërkesave të tyre të drejta, deri në vetëflijim.Pse të ngujuarit nuk i njohin Sindikatat? Pyetja mbart një histori komprometuese të sindikalizmit shqiptar në raport me punonjësit, pasi, për hir të së vërtetës, sindikalizmi në këtë vend është kujdesur më shumë se për fatin e minatorëve dhe të punëtorëve në përgjithësi për komoditetin e punonjësve të tij, për plazhet brenda e jashtë vendit, për dietat e majme, shërbimet dhe bizneset e ndryshme, për performancën e Oborreve Politike, me të cilat ka flirtuar herë majtas e herë djathtas, për interesa të ngushta klani etj.Ndërkohë që minatorët e Bulqizës, të Batrës e të minierave të tjera të vendit flijoheshin në thellësitë e nëntokës, për copën e bukës së fëmijëve të uritur, politika dhe sindikatat e këtij vendi, në pushime të gjata muajsh mjalti të pashpallur midis tyre, ndërtonin strategjitë se si të mundësonin që të gjitha burimet dhe resurset e ardhura nga puna skllavëruese e të munduarve të pashpërblyer të shkonte në xhepat e tyre.Minatorët e Bulqizës e kuptojnë se janë të tradhtuar shumëfish, jo vetëm nga të vetëshpallurit përfaqësues të tyre sindikalë, jo vetëm nga partitë politike, jo vetëm nga qeveria dhe opozita, jo vetëm nga një pjesë e shtypit dhe mediave që nuk denjojnë të shkruajnë dy rreshta për ta, nga intelektualët që janë të zënë me agjenda të tjera, “më të mëdha”, por nga e gjithë shoqëria, që vështron, hesht dhe kalon. Sepse kjo shoqëri, në thelb, është pa vetëdije, pasi pot ë kishte vetëdije do ta kuptonte se dhe ajo është potencialisht e ngujuar sikurse minatorët e Bulqizës.
Ne jemi të gjithë të ngujuar në grevë urie, në një grevë pritje dhe dëshpërimi pa cak, përveç fanatikëve të Oborreve Politike, për shkak të pasigurisë sonë për jetën dhe shëndetin, të pagave qesharake që na japin, të pensioneve që nuk mjaftojnë as për bukën e gojës. Ushtarakët janë të ngujuar për shkak se kanë lënë kockat maleve e shkrepave dhe nuk marrin një pension të denjë, si qytetarë dinjitozë të këtij kombi. Të ngujuar janë prindërit që nuk kanë para të çojnë fëmijët në shkollë, të moshuarit që nuk kanë lekë për të blerë ilaçe, emigrantët që nuk kanë një shpresë për të punuar dhe investuar në vendin e tyre, ku shoqëria dhe shteti i kanë harruar, sikur të mos kishin qenë kurrë. Ky është një ngujim kolektiv në minierën e dhimbjeve dhe dëshpërimit. Është ngujimi i një shoqërie në depresion nga mungesat e përditshme, nga zhgënjimet e radhës, nga mashtrimet e politikës. Nuk është vetëm një grevë urie në minierën e Bulqizës, ku ka kaluar çdo cak durimi, por një grevë kolektive urie jo vetëm të stomakut por dhe të shpirtit, që po humbet çdo ditë e më shumë çdo përjetim njerëzor, në ferrin e instinkteve të ulëta dhe gllabëruese.Minatorët e minierës së Bulqizës, me aktin e tyre, na treguan se të gjithë, në një farë mënyre, jemi të ngujuar, jemi në grevë urie, jemi në pritje, që ata, të cilët i kemi mandatuar të drejtojnë fatet tona, të bëjnë një gjest human, të kujtohen se ne jemi këtu jo për hir të kolltuqeve të tyre. Ne jemi këtu, se ky është vendi ynë dhe ne meritojmë të jetojmë si njerëz në këtë vend.
Comments (0 posted)
Post your comment