Home | Opinion | Kriza e borxhit ende vazhdon

Kriza e borxhit ende vazhdon

image
Sipas ekspertëve të kësaj banke, rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë zhgënjyese jo vetëm për këtë vit por edhe për vitin 2012 si pasojë e ndikimit që ka kriza greke në vendin tonë.

 

 

Nga Sadedin Çeliku

 

 

 

Problemet e borxhit tashmë kanë marrë pamjen e një krize globale, e cila nuk duhet neglizhuar dhe kërkon një paketë masash nga të gjitha vendet, madje edhe nga ato vende që ende nuk janë prekur nga ky fenomen. Kështu, në këtë vorbull po noton dhe vendi më i fuqishëm i globit, pra SHBA-ja, e cila është përfshirë nga një debat publik lidhur me çështjen e borxhit. Presidenti Barak Obama po vazhdon përpjekjet me republikanët për arritjen e kompromisit që lidhet me rritjen e tavanit të borxhit duke ulur në këtë mënyrë deficitin buxhetor dhe aftësinë paguese të kësteve të borxhit të deritanishëm.
Ky problem sipas deklarimeve të vetë Presidentit, duhet të zgjidhet brenda dy gushtit sipas departamentit të thesarit për të shmangur kështu pasojat që mund të lindin.Edhe demokratët nuk janë dakord dhe kundërshtojnë disa masa që parashikon paketa që lidhet kryesisht me pensionet,kujdesin shëndetësor për të moshuarit dhe shtresën e varfër. Ndërkaq senatorë, kongresmenë dhe përfaqësues të lartë të Dhomës, kundërshtojnë idenë e zgjidhjes së problemit të tavanit të borxhit në kurriz të moshës së tretë, invalidëve dhe me ngritjen e taksave duke balancuar më mirë politikat dhe lëshimet fiskale për disa kategori të caktuar shtresash. Marrëveshja ende nuk është arritur për shkak se republikanët propozojnë që kjo krizë të zgjidhet nëpërmjet shkurtimeve të shpenzimeve federale gjë për të cilën zoti Obama ende nuk është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë aq më tepër që vitin e ardhshëm e presin zgjedhjet presidenciale nga ku pritet të marrë dhe mandatin e dytë.

Ndërkaq presidenti amerikan paralajmëron pasojat që mund të vijnë nga mosmiratimi i masave që parashikon paketa antikrizë. Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje në Kongres në mes republikanëve dhe demokratëve të Obamës mbi kufirin e ri të borxhit, ekspertët thonë se SHBA do të humbë mundësinë e saj legale për të huazuar para dhe të paguajë obligimet e saj duke nxitur kështu turbullira të reja globale ekonomike. Në mes shqetësimeve për situatën, tregjet amerikane të aksioneve kanë rënë ndjeshëm ndërkohë që çmimi i arit ka arritur çmimin rekord prej 1625 për onz. Përballë kësaj situate ka të ngjarë që presidenti amerikan Barak Obama të vejë veton për të mos lejuar që situata të degradojë e të dalë jashtë kontrollit. Edhe Eurozona po vuan problemet e borxhit. Kështu Greqisë ju dha një kredi prej 108 miliardë eurosh për ta shpëtuar nga katastrofa. Me sa duket nuk do të shpëtojnë dhe disa vende të tjera. Të rrezikuara janë Italia, Portugalia por edhe Spanja. Zapatero, Kryeministri i Spanjës nuk mund të vazhdojë të drejtojë në kushte krize.

Kësisoj, ai ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për t’ia lënë në derë problemet e borxhit opozitës sotme që me siguri pritet të vijë në pushtet. Skema, njëlloj si Greqia ku u kryen zgjedhje të parakohshme në kushte krize.Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka theksuar se për shkak të nivelit të lartë të borxhit, në disa vende antare të eurozonës janë përgjegjëse për pasigurinë e tregjeve gjë e cila ka ndikuar në shëndetin e monedhës së përbashkët europiane.Gjithsesi ajo theksoi se monedha euro është e fortë, e sigurtë dhe e qëndrueshme por kjo nuk i ndihmon ata të rrisin eksportet në mënyrë të veçantë në tregun amerikan. Po në Shqipëri si shikohet ky problem dhe çfarë ndodh?Asnjëherë nuk është analizuar kriza ekonomike, problemet e borxhit dhe asnjë masë antikrizë nuk është marrë deri tani, kur mjaft shtete përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëjnë problem të parlamenteve. I vetmi vend në botë që nuk ka tavan e kufij për borxhin jemi ne, sepse kryeministri nuk do t’ia dijë se ç’mund të ndodhë dhe kush do ti paguajë gjynahet që mund të vijnë nga ky fenomen. Në kohën kur qeveria shqiptare deklaron shkurtime në administratë, heqjen e shpërblimeve dhe të dietave gjoja në emër të reformave dhe shkurtimeve të shpenzimeve qeveritare, ai, kryeministri ynë i nderuar blen motoskaf shëtitës dhe helikopter personal, dhe jo qeveritar. Një veprim të tillë do ta kishte zili dhe Gadafi.Investimet bazuar në borxhin publik dhe kredi, ngarkesat artificiale që japin regjistrimi i popullsisë, prishja e piramidës, stadiumit dhe ndërtimi po aty i parlamentit të ri dhe stadiumit në të njëjtin vend, në emër të festimit të 100 vjetorit të pavarësisë duket se e thellojnë krizën ekonomike. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim thekson se Shqipëria është e rrezikuar nga kriza greke.

Sipas ekspertëve të kësaj banke, rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë zhgënjyese jo vetëm për këtë vit por edhe për vitin 2012 si pasojë e ndikimit që ka kriza greke në vendin tonë. Ekonomia e vetme me rritje ekonomike në rajonin tonë është aktualisht Turqia, ndërsa Kroacia, Sllovenia dhe vendet e tjera janë ende duke u përpjekur të dalin nga vështirësitë e krijuara nga kriza globale. Ndërkohë Drejtoresha e Bankës Botërore në Tiranë Ksenia Lvovski thekson se shkurtimet buxhetore në mes të vitit krijojnë kosto dhe pasiguri për ekonominë. Banka këshillon qeverinë të jetë më konservatore, pasi kjo do të mundësonte tejkalim të ardhurash, të cilat mund të përdoren për të ulur borxhin, e ngecur në nivelin e rrezikshëm 63 për qind.Për të gjitha këto probleme që në fund të fundit kemi nevojë për informim, qeveria hesht dhe mban në sirtar problemet e borxhit aq të rëndësishme për fatet e popullit.Me sa duket e ka parë më të rëndësishme ti kushtojë vëmendje krizës politike të cilën po e mban peng duke i zgjatur në këtë mënyrë jetën pushtetit të tij politik dhe ekonomik. Në Shqipëri, sinjalet janë serioze dhe këtë e nënvizoi dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë gjatë konferencës së tij për shtyp. Administrimi i borxhit është një çështje delikate që mpleks përveç anës ekonomike edhe dimensionin politik. Në kushtet kur ekonomia e jonë është e dobët, marrja e masave antikrizë dhe transparenca që lidhet me borxhin bëhen të domosdoshme. Ne nuk duhet të neglizhojmë dhe të bëjmë trimin për fenomene që prekin të gjithë globin. Është koha të tregohemi të arsyeshëm dhe të përgjegjshëm.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00