Home | Opinion | Aventura ver(i)ore

Aventura ver(i)ore

image
Ideja për të kontrolluar çdo pikë kufitare nga policia dhe doganierët e shtetit të Kosovës është legale dhe legjitime. Por, kur një gjë e tillë bëhet me aksione nate dhe nëpër mjegull politike, atëherë skepticizmi nuk mund të zhbëhet. Në këso situatash në sipërfaqe dalin vetëm naivët...

 

 

 

Enver Robelli

 

 

Ideja për të kontrolluar çdo pikë kufitare nga policia dhe doganierët e shtetit të Kosovës është legale dhe legjitime. Por, kur një gjë e tillë bëhet nëpër mjegull politike, atëherë skepticizmi nuk mund të zhbëhet. Në këso situatash në sipërfaqe dalin naivët, të cilët ekzaltohen me aksione policore të papërgatitura që ndërmerren edhe për të larguar vëmendjen nga korrupsioni dhe krimi – dy të këqija, mes shumë të tjerave, që po e gërryejnë Kosovën

1. Vetura, veriu dhe ministriJanë njerëzit e gjallë dhe të besueshëm që e konfirmojnë këtë ndodhi: një ditë në Prishtinë një qytetareje të Republikës së Kosovës i vidhet vetura. I ati i saj e paraqet rastin në polici, dhe kjo polici bëhet sikur i kërkon vjedhësit. Kalojnë orë, ditë e javë dhe policia nuk arrin asnjë sukses gjatë kërkimeve të saj. Befas një polic hap zemrën dhe gojën dhe i thotë qytetarit të shkojë në Graçanicë te një serb, te njëfarë Dragani (emër i ndryshuar). Dragani, sipas policit kosovar, i di të gjitha. Ai mban lidhje me jug e me veri të Kosovës, me serbë e me shqiptarë, me romë e cincarë, me viktimat dhe me të fortit, me vjedhës veturash dhe me dilerë të kokainës. Qytetari shkon në Graçanicë. Dragani i merr shënimet për veturën e vjedhur, thërret diku dhe dikë në telefon, pastaj tregon se vetura gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës. Vjedhësit kërkojnë aq shumë para për të kthyer veturën saqë qytetari vendos të mos i hyjë kësaj aventure. Pikante ishte se gjatë takimit, Dragani, për të treguar sa i rëndësishëm është, kishte telefonuar edhe politikanë shqiptarë në Prishtinë, të cilët i shohim shpesh në televizor. Mes tyre Dragani kishte folur edhe me një burrë me tipare pispilinge, që prej vitesh ulet në njërin prej shumë kolltukëve të kabinetit të Hashim Thaçit. Veriu? Veriu!

Po, veriu nuk është vetëm problem i shkaktuar nga kriminelët serbë. Ata nuk do të mund të bënin biznes në këto përmasa pa mbështetjen e vjedhësve, politikanëve të kriminalizuar dhe kodoshëve shqiptarë. Nga ky biznes kanë jetuar mirë serbë e shqiptarë, kanë rrjepë para e prona njerëzit e afërt me të gjitha qeveritë e deritanishme të Kosovës (në këtë kuptim qeveria e Hashim Thaçit është vetëm vazhduese e traditës së fëlliqtë dhe nëse këtë traditë e ndërpret kryeministri, atëherë ai e ka kufizuar pak dëmin që i shkaktohet buxhetit të Kosovës). Serbët e kanë kontrabanduar benzinën, shqiptarët e kanë blerë. Nga ky biznes kanë përfituar ekstremistë serbë dhe të ashtuquajturit, komandantë të UÇK-së, të cilët nga qytetarët e Mitrovicës me shpoti quhen “administratorë rajonalë”. Pra, para se mileti shqiptar i Kosovës të sëkëlldiset kundër “shkijeve barbarë” që na e vranë një polic (pa dyshim njërin prej më të mirëve që kishte Kosova), duhet të kihet parasysh se nga eldoradoja e krimit të organizuar në veri përfitues kanë qenë edhe jo pak shqiptarë. Zonat jashtë ligjit përherë tërheqin të gjitha krijesat e dyshimta njerëzore. Ato janë arena kalërimi për gangsterë dhe politikanë të korruptuar, kriminelë dhe vjedhës pulash e veturash si dhe tregtarë ilegalë të mallrave fitimprurëse. Prandaj, në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) thuhet se veriu, ashtu si pjesa tjetër e Kosovës, vuan nga imazhi i keq, i cili ndërlidhet me anarki dhe kontrabandë. Theksi vihet te “si pjesa tjetër e Kosovës”! Dhe këtë na e ilustron egërsisht ministri i Hashim Thaçit që telefonon me krerë të krimit në Graçanicë, të cilët janë të lidhur me sivëllezërit e tyre në veri të Mitrovicës.

 

2. Politikë me narezakë

 

E përmendëm këtë rast për të tërhequr pak vëmendjen te thelbi i problemit: mosgatishmëria shumëvjeçare për të luftuar krimin si te pala shqiptare, ashtu edhe te ajo serbe. Presidenti serb, Boris Tadiqi, u përpoq ta shpërndajë fajin për krimin në Mitrovicë dhe gjetiu në veri, duke aluduar madje se pika kufitare në Jarinje mund jetë djegur edhe në bashkëveprim me shqiptarët. Ishte një përpjekje qesharake për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta në veri. Atje ende është aktive struktura mafioze, kriminale dhe politike e regjimit të Slobodan Milosheviqit. Pas rrëzimit të tij në hinterlandin e Mitrovicës pushtetin e morën edhe të ashtuquajturit “rojtarë të urës”, një ekip i bashkëpunëtorëve të paramilitarit Arkan dhe të shërbimit sekret UDB, siç shkroi këto ditë gazetari i njohur nga Beogradi Millosh Vasiq. Në krye të bandës sot qëndrojnë Marko Jakshiqi dhe Milan Ivanoviqi, dy militantë të partisë së Vojislav Koshtunicës. Kryetari serb, Boris Tadiq, nuk ka treguar gatishmëri të ballafaqohet me këtë strukturë kriminale nga frika se mund të prishet drejtpeshimi politik në veri. Çdo ndryshim në veri mund të sjellë kontroll më të rreptë të krimit, ndoshta edhe luftim të kësaj dukurie, kështu që pastaj do të shtrohej pyetja e integrimit të rajonit në Kosovë. Për këtë zhvillim Tadiqi nuk ka interes, sepse veriu duhet të shërbejë si një lloj “investimi” për kusuritje territoriale me Kosovën gjatë bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Në këto synime Tadiqi shpesh është edhe konfuz. Qe disa muaj ai është përpjekur që idenë e ndarjes së Kosovës ta plasojë në opinionin shqiptar dhe për këtë aleatë i ka (pasur) kuajt e Trojës në livadhin publicistik në Prishtinë e Tiranë, zakonisht fjala është për mashtrues ordinerë, të cilët për një grusht para e shesin dinjitetin dhe shtetin njëkohësisht. Sa më mirë që i kanë punët mashtruesit publicistikë, aq më keq i kanë punët Kosova dhe Shqipëria. Tadiqi shqiptarëve u flet mes rreshtave, ndërsa për opinionin e huaj është shumë i hapur. Në intervistën dhënë gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në fillim të qershorit, kryetari serb tha se Beogradi do të mund të jetonte me “Shqipërinë e Madhe” nëse për këtë arrihet marrëveshje. Më parë ai i kishte bërë thirrje Tiranës: “Hajde të merremi vesh dhe ta ndajmë Kosovën”. Duke e parë se në arenën ndërkombëtare nuk i shkrepi ideja për ndarjen e Kosovës Tadiqi të shtunën në Kuvendin e Serbisë në adresë të opozitës nacionaliste tha: “Sepse ne, besuan apo jo radikalët, e kundërshtojmë ‘Shqipërinë e Madhe’, ashtu siç e kundërshtojmë ‘Serbinë e Madhe’ për dallim prej jush”. Para dy muajsh Tadiqi ishte përkrahës i Shqipërisë së Madhe, sot është kundër!

 

T’i kthehemi veriut: shqiptarët kanë menduar se problemin do t’ua zgjidhë e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare – dhe deri atëherë “ne mund të blejmë ‘plazma-keksa’ e ‘narezakë’ sa të duam”. Serbët kanë kujtuar se “republika” e tyre e ëndrrave, me shtrirje nga Leposaviqi deri te ura e Ibrit në Mitrovicë, do të jetë e përjetshme – edhe falë bashkëpunimit me kriminelët shqiptarë. Kuptohet se për katrahurën e krimit në këtë pjesë të Kosovës faj bartin edhe misionet ndërkombëtare. Por, ato s’mund të bëhen përherë përgjegjëse. Fundja, ky nuk është vendi i tyre. Është përgjegjësia e vendorëve, në radhë të parë. Dhe vendorët kanë heshtur ose janë mjaftuar me protesta të vakëta rutinore. Derisa Zorani e organizon kontrabandën falë lidhjeve me një Agim dhe derisa Agimi përherë shpreson se punët e pista ia kryen Zorani, Kosova nuk mund të shkëputet nga krimi. Këtu nuk bëjnë punë klithmat qesharake kundër misioneve ndërkombëtare të pseudo-publicistëve, të cilët janë dëshmuar herë si bashkëpunëtorë të zellshëm të shërbimeve sekrete serbe, herë si skribomanë dhe hyzmeqarë të tyxharëve politikë rusofilë, të cilëve në Kosovë u prinë zëvendësi i parë (prvi zamenik) i Hashim Thaçit.

 

3. Nëpër mjegull

 

Ideja për të kontrolluar çdo pikë kufitare nga policia dhe doganierët e shtetit të Kosovës është legale dhe legjitime. Por, kur një gjë e tillë bëhet me aksione nate dhe nëpër mjegull politike, atëherë skepticizmi nuk mund të zhbëhet. Në këso situatash në sipërfaqe dalin vetëm naivët, të cilët ekzaltohen me aksione të papërgatitura që ndërmerren edhe për të larguar vëmendjen nga korrupsioni dhe krimi – dy të këqija, mes shumë të tjerave, që po e gërryejnë Kosovën. Është e kuptueshme dhembja që shfaqet për vrasjen e një polici special, në motivet e mira të të cilit nuk duhet pasur asnjë dyshim. Por, a përputhen motivet e Enver Zymberit me motivet e Hashim Thaçit? Mbetet të shihet, koha do t’i shpalosë të gjitha, siç i ka shpalosur deri më tani, përkundër përpjekjeve nëntokësore për të fshehur gjithçka. Opozita e Kosovës tregoi zemërgjerësi të skajshme politike, duke e mbështetur aksionin – ndonëse nuk ishte konsultuar fare. Ministrja Mimoza Kusari-Lila pas aksionit u tregua e sinqertë, duke thënë se as Qeveria e Kosovës nuk ka votuar për aksionin e policisë speciale në veri. Derisa kryeministri thotë se ka pasur “koordinim 100 për qind”, kolegia e tij e kabinetit e përgënjeshtron publikisht. Sipas të gjitha gjasave opinioni i Kosovës ka të bëjë me një aksion të urdhëruar nëpër mjegull dhe natë, pa konsultime me faktorë relevantë vendorë e ndërkombëtarë. Nuk mjafton nëse për këtë aksion është marrë pëlqimi kuturu i ndonjë diplomati të ekzaltuar në çaste ahengu në ndonjë lokal në Prishtinë. Nuk mjafton, madje është qesharake, që aksioni i policisë së Kosovës të krahasohet me fushatën e forcave ushtarake kroate kundër kryengritësve serbë në gusht 1995, siç po veprojnë disa entuziastë naivë. Policët specialë të Kosovës shkuan në veri pa municion përkatës, pa përgatitje të nevojshme, pa mobilizim paraprak, bile disa prej tyre atje mbetën edhe pa ushqim. Pa mëshirën e ushtarëve të KFOR-it ata sot do të ishin në duart e kriminelëve serbë dhe televizionet e Beogradit do t’i ekspozonin pandërprerë në ekrane si trofe lufte. Si aksioni ashtu edhe rezultati: shkojmë në veri si në shëtitje dhe kthehemi!

 Për gjithë këtë aventurë sigurisht nuk i ka fajet policia, e cila u nënshtrohet urdhrave. Përgjegjësinë duhet ta bartin ata që dhanë urdhër. Nëse epilogu i (pa)dëshiruar i këtij aksioni do të jetë hapja e bisedimeve për “status special” të veriut, domethënë nisja e muhabetit për defunksionalizim të mëtejmë të shtetit edhe ashtu të brishtë të Kosovës, atëherë kjo qeveri dhe kreu i saj nuk mund të krenohen për ndonjë sukses. Me apo kundër vullnetit të saj, Qeveria e Kosovës e ka hapur këtë temë, për të cilën eksponentë të saj përbetoheshin se nuk ekziston. Tani Borislav Stefanoviqi dhe Goran Bogdanoviqi po negociojnë për veriun me KFOR-in dhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian. Krerëve të Qeverisë së Kosovës nuk iu ka mbetur gjë tjetër përveçse të protestojnë kundër qëndrimit ilegal të dyshes serbe në veri. Sa i pashpresë tingëllonte ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, të hënën, kur kërcënohej se do të arrestohen Stefanoviqi dhe Bogdanoviqi nëse “takohen me policinë”! I gjithë aksioni duket si përpjekje e dëshpëruar për të forcuar pak pozitën pasi me mendjelehtësi Kosova është futur në bisedime me Serbinë pa pasur garanci paraprake se nuk do të preket organizimi i brendshëm shtetëror dhe nuk do të injorohen simbolet shtetërore.

 

4. Birat e Kosovës!

 

Intervenimi i policisë së Kosovës në veri me arsyetimin se synohet të ndërpritet kontrabanda do të tingëllonte shumë më besueshëm sikur të mos kishte edhe kapo shqiptarë që xhepat i mbushin pikërisht nga allishverishi mes brigjeve të lumit Ibër. Pse nuk goditen edhe ata nga aksioni i policisë? Intervenimi në veri do të gëzonte mbështetje të gjerë ndërkombëtare sikur kjo qeveri dhe kabinetet e mëparshme të kishin dhënë shembuj të mirë se kanë arritur të ndërtojnë një shtet, ku sundon ligji dhe vetëm veriu i Kosovës ka mbetur “vrimë e zezë”, siç po thotë Hashim Thaçi. Por, për fat të keq, Kosova ka shumë bira të zeza, të cilat vaditen dhe lulëzojnë falë neglizhencës së pushtetit ose – edhe më keq – involvimit të tij. Në këtë katrahurë rol destruktiv luajnë edhe disa ish-komandantë të UÇK-së, ideal i vetëm i të cilëve paskësh qenë hajnia, jo liria! Kur redaktorët e medieve ndërkombëtare dëgjojnë se Qeveria e Kosovës ka intervenuar në veri për të luftuar kontrabandën, atëherë e kanë vështirë të besojnë, sepse autoritetet kosovare (jo vetëm Thaçi me kamarillën e tij) nuk kanë dhënë shembuj seriozë se e luftojnë krimin në radhët e tyre. Prandaj, në gazetat e rëndësishme evropiane shprehet dyshimi nëse kryeministri i Kosovës e ndërmori këtë aksion për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme në parti dhe përgjithësisht në qeverisje. Ato probleme, siç dihet, janë:

 

a) aktakuza kundër zëvendësit të tij partiak, Fatmir Limaj. Procesi gjyqësor kundër Limajt mund të hapë tema të pakëndshme për shumicën e krerëve të ish-UÇK-së. Këtu duhet përmendur edhe debatin epik në stilin “kush po ia lëshon kujt” sa i përket heqjes së imunitetit të deputetëve.

 

b) dënimi i Sabit Gecit dhe vartësve së tij për ushtrim torture dhe krime të tjera në kampet e UÇK-së në rajonin e Kukësit. Ky dënim tregon se një pjesë e krerëve të UÇK-së nuk kanë luftuar kundër Serbisë, por kundër bashkëkombësve të tyre. Kundër shqiptarëve! Dhe kjo duhet të thuhet qartë, në mënyrë që mashtrues të tillë të mos na hiqen në opinion si patriotë, sepse, në realitet, nuk janë gjë tjetër përveçse kriminelë, siç i sanksionoi gjykata. Fakti se veteranët e ish-UÇK-së dalin në mbrojtje të tyre pas dënimit tregon mbi shkallën e mjerimit politik në Kosovë.

 

c) kriza me institucionet financiare ndërkombëtare.

 

ç) moçali i korrupsionit, prej të cilit s’po mund të dalë kabineti i tanishëm dhe i mëparshëm i Hashim Thaçit.

 

d) përzierja e supozuar e deputetit Shaip Muja në “aferën Medicus”, e cila lidhet me transplantim organesh, rekrutim ilegal pacientësh në Izrael e tjetërkund dhe gjetje të dhuruesve të organeve në vendet e Lindjes. Muja ka qenë (ndoshta vazhdon të jetë) një person i besueshëm i Thaçit. Njëri nga zërat e arsyeshëm nga rrethi i kryeministrit thotë se skandali me raportin e Dick Martyit është rezultat – edhe – i aktiviteteve të Shaip Mujës në vitet e fundit.

 

dh) rasti i Azem Sylës, njërit prej krerëve të UÇK-së, i cili nga kryedëshmitari Nazim Bllaca akuzohet të ketë dhënë urdhër për vrasje, “plagesa”, tortura dhe krime të tjera. Të gjitha këto akuza kanë qenë të njohura për kryeministrin Thaçi, i cili prapëseprapë e kandidoi Sylën në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 12 dhjetorit, të cilat as që e meritojnë emrin zgjedhje. Me gjasë kandidimi i Sylës dhe i disa deputetëve të tjerë të PDK-së është bërë jo për t’iu shërbyer qytetarëve, por për t’i shpëtuar ata, përmes imunitetit, nga dora e drejtësisë. Ata sot janë ligjvënës të Republikës së Kosovës, e do të duhej të ballafaqoheshin me ligjin. Ky është njëri nga mëkatet e Hashim Thaçit, i cili për hir të ruajtjes së pushtetit bën kompromise frikësuese me elementë të diskredituar.

 

Kjo listë mund të zgjatet në pafundësi. Aksioni në veri i la nën hije të gjitha këto ngjarje, me to nuk po merren mediat tani për tani. Nëse ky ka qenë kalkulimi i kryeministrit Thaçi, atëherë do të dalë i gabuar. Mediat, qytetarët e ndërgjegjshëm dhe organizatat serioze joqeveritare sërish do të flasin, do të shkruajnë, do të raportojnë dhe do të protestojnë kundër korrupsionit derisa plaçkitja e shtetit, shkelja e ligjeve, arbitrariteti, nepotizmi dhe manipulimi i tenderëve do të jenë dukuri e përditshme.

 

5. Rafal me superlativë

 

Momentalisht Qeveria e Kosovës është vetëm vëzhguese e situatës në veri. Sikur trupat e NATO-s të tërhiqeshin nga pikat kufitare ose të lejonin kthimin e gjendjes së mëparshme në pikat doganore (me policë serbë të Kosovës, të cilët nuk i nënshtrohen asnjë urdhri nga Prishtina), çfarë do të bënte Qeveria e Kosovës? Do t’i niste sërish njësitë speciale (ROSU) drejt veriut? A ka Kosova kapacitet për një ndërmarrje të tillë? Të shkosh në veri dhe të kthehesh – kjo nuk është zgjidhja. Po ashtu nuk është serioze që opinioni të mashtrohet me superlativë të stilit: “...u bllokua kontrabanda 100 për qind”, “...kufijtë janë nën kontroll absolut”, “...nuk tërhiqemi asnjë milimetër”. Zakonisht politikanët që përdorin superlativë me thes të vërtetën nuk e kanë parasysh. Nuk është e dobishme as propaganda që bëjnë fletushkat qeveritare, duke botuar rrëfime të trilluara të gjoja policëve specialë, të cilët “tregojnë” se si kanë vrarë sa e sa serbë gjatë aksionit në veri. Sikur vetëm një serb të ishte plagosur, shteti fqinj dhe mediat e tij do ta komercializonin egërsisht këtë rast në arenën ndërkombëtare. Çfarë po i mungon kësaj qeverie në këtë situatë është, mes tjerash, një politikë serioze e informimit të opinionit publik. Mospasja e zëdhënësit është mëkati më i vogël. Një javë krizë me pasoja të përgjakshme dhe Qeveria e Kosovës nuk i ofron mediave të huaja më shumë fakte për arsyen e intervenimit në veri. Nuk mjafton të thuhet se aksioni u ndërmor për të vënë në jetë embargon kundër Serbisë, një lloj kundërpërgjigje ndaj bllokadës serbe për mallra kosovare që nga viti 2008. Duhet të sillen fakte për përmasat e krimit në veri. Dhe këto fakte gjenden në aq shumë raporte të organizatave prestigjioze ndërkombëtare. Krejt çka kemi parë këto ditë janë paraqitjet e kryeministrit, të cilat shpesh kanë anë të marketingut politik, dhe një intervistë e këshilltarit të tij kryesor për gazetën “Express”. Nëse kështu synohet të fitohet beteja politike dhe diplomatike në arenën ndërkombëtare, atëherë natën e mirë! Me gjasë kryeministri ka menduar ta marrë veriun me mbështetjen publicistike të RTK-së dhe mediave oborrtare, të cilat recitojnë propagandën e pushtetit.

 

6. Hotline me Zotin!

 

Në vend të qasjes serioze ndaj situatës së krijuar kemi episode humoristike të shakaxhiut Behgjet Pacolli, i cili lëshon komunikata vetëlavdëruese se veriu qenkësh çliruar falë punës së tij të palodhshme. Një ditë para popullit të Kosovës do të shfaqet Pacolli dhe do të krekoset jo vetëm për gjithë ato njohje diplomatike (virtuale!) që gjoja i ka siguruar, por do të thotë se edhe dielli që po nxeh dhe shiu që po bie janë rezultat i punës së tij të palodhshme, i takimeve të tij të gënjeshtërta me zyrtarë afrikanë dhe i një hotline-i me Zotin në qiell. Nëse vazhdon kështu kjo fushatë humoristike, atëherë në Kosovë as gruri nuk do të mbijë dhe as lopët nuk do të ethen pa dhënë urdhër zëvendëskryeministri i parë, dora e djathtë dhe e majtë e Hashim Thaçit, paterica e tij e përjetshme. Kështu politika reduktohet vetëm në pozë. E, pozat krijojnë gardhin e mashtrimit. Të gjithë do të dëshironim që shteti i Kosovës dhe kryeministri të kishin sukses në ndërmarrjen ver(i)ore. Që kjo ndërmarrje të mos duket vetëm si aventurë, duhet të hiqet dorë nga pozat dhe emocionet triumfaliste të momentit, të cilat nuk kanë asnjë mbulesë. Siç nuk kanë asnjë mbulesë paradat pseudopatriotike të cilat kulmojnë me djegie të prodhimeve dhe flamujve serbë. Mjafton të mos konsumohen produktet e firmave serbe - nëse me këtë synohet të protestohet kundër politikës së Beogradit! Krejt absurde janë klithmat se sovrani ia paskësh dhënë votën kësaj qeverie dhe opinioni vetëm duhet të duartrokasë në emër të disa interesave të larta, sepse “shteti tani është në sfidë”. Qesharake janë gajlet e ujarëve të pushtetit, të cilët vajtojnë pse nuk po lavdërohet Qeveria për aventurën e saj ver(i)ore dhe në rolin e komisarëve komunistë sikur Dushan Mugosha dikur me kamxhik në dorë u kërcënohen kritikëve të pushtetit, duke shpifur se, ja, këta duan ta shkatërrojnë shtetin. Mos na kallëzoni përralla të tilla nëpër portale interneti. Shkatërrues të shtetit janë vetëm ata që njëherë vjedhin votat, pastaj qypat dhe vegshat e shtetit dhe, në fund, nisen në aventura policore. Dëftesë mjerimi për një qeveri është kur pas çdo vendimi a aksioni duhet të dalin argatët e saj dhe ta mbrojnë atë me biçim-komente. Një qeveri serioze vendimet e veta i shpjegon dhe i mbron vetëm me njoftime zyrtare - jo me komente të kota të topçinjve kujdestarë, të cilët ende s’e dinë a janë nëpunës të shtetit, publicistë, poetë apo vetëm bjerraditës.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00