Home | Opinion | Kriza morale po dinamizohet

Kriza morale po dinamizohet

image
Morali me rrjetin e tij të normave është një ndër faktorët më të rëndësishëm për vënien e themeleve të shoqërisë së shëndoshë, kurse antipodi i tij, amoraliteti, është hap prej vigani drejt perandorisë së kaosit. 

 

 


Nga Sadedin Çeliku

 

 

 

Kontradiktat midis brezave është një fenomen i njohur dhe produkt zhvillimi. Nga brezi në brez, gjeneratat evoluojnë në përputhje me zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Në dekadat e fundit, zhvillimi i shpejtë i teknologjisë së informacionit dhe ai i inovacionit në tërësi i bëjnë më të theksuara këto diferenca dhe mospërputhjet midis tyre. Shoqëria shqiptare, një shoqëri e izoluar deri në vitin 1990, u hap dhe bashkë me këtë mori me vete fenomene e trajtesa të ndryshme. Kështu filloi të humbë gjuha shqipe, kjo e theksuar nga lindjet e bëra nga emigrantët dhe indiferenca e shtetit shqiptar për të ndërhyrë e marrë masa në kohë. Kështu identiteti ynë tashmë mund të themi se është në rrezik, kjo më e theksuar në Greqi dhe Itali, ku është dhe numri më i madh i emigrantëve shqiptarë. Periudha e tranzicionit u futi shqiptarëve ndjenjën e pasurimit për një ditë. Në këtë mënyrë u shfaqën fenomene të pazakonta. Prostitucioni, droga, krimi i organizuar, gjakmarrja dhe mjaft të tjera që nuk i njihnim, i vuajmë edhe sot. Ky problem kaq i madh ka mbetur në dorë të shoqatave apo organizatave jo fitimprurëse, të cilat nuk mund të bëjnë asgjë pa angazhimin e shtetit. Shkëputja e gjeneratave nga familja që vijnë pas nesh dhe përtej, ka krijuar probleme të mëdha.Fëmijët po krijojnë një gjeneratë të vështirë, e cila ende nuk kupton si duhet konceptet për jetën, dinamikën dhe filozofinë e saj dhe parimet themelore mbi të cilën ngrihet vetë shoqëria shqiptare.

Për gjeneratën e re këto fenomene nuk kanë asnjë vlerë. Edhe brezi jonë kishte diferenca brezash, por dhe pika të përbashkëta morali, për shkak se në vija të përgjithshme kishim të njëjtën bazë dhe pikë referimi. Ishim më afër prindërve tanë, bënim e kishim solidaritet social me njëri-tjetrin, pra hallet i ndanim në mes. Ajo që na bashkonte ishte shumë më e fuqishme se ajo që na ndante. Sot jemi përballë individualizmit global. Të rinjtë edukohen me ndjenjën e pavarësisë sapo ndahen nga periudha e adoleshencës.Çfarë ndodh ?Kjo periudhë e shkurtër në kohë, kthehet në indiferentizëm dhe distancim deri në shkëputje të plotë nga familja e tyre. Rreziku që po i kanoset moshës së tretë është vetmia aq e keqe për të përballuar vetëm vështirësitë që ofron mosha. Ky fenomen pra është një kërcënim i madh që do sjellë jo pak pasoja për shoqërinë dhe moralin e gjeneratave pse jo dhe kërcënime për ekonominë globale e më gjerë.Lidhja midis brezave sa vjen e venitet dhe bëhet artificiale. Ajo që duhet të ndryshojë me shpejtësi është raporti midis idealizmit dhe pragmatizmit. Ky raport duhet të jetë i harmonizuar me moralin që ka shoqëria shqiptare. Kriza morale që po përjetojmë të gjithë së bashku, po na krijon një boshllëk shpirtëror, i cili sa vjen e thellohet. Kriza politike është thjeshtë një rrjedhojë, pasojë e transformimeve që po pëson shoqëria jonë, e ndodhur përballë presionit direkt apo indirekt të procesit të zhdukjes së diferencave, që ka vetëm një kahje, atë të asimilimit pra distancimi nga identiteti i krijuar në shekuj.

Qeveria dhe organet e pushtetit vendor duhet të hartojnë programe dhe objektiva për integrimin e moshës së tretë aq të lënë pas dore nga fëmijët e tyre. Programet që serviren aktualisht kanë mbetur në letër se për ta nuk bëhet asgjë.Me rritjen e modernizimin e teknologjive, me përsosjen dhe metodat e organizimit, me rritjen dhe ashpërsimin e konkurrencës, dolën në pah një sërë problemesh të cilat u asimiluan nga shoqëria gabim. Për rrjedhojë njerëzit filluan të shpikin metoda të tërthorta dhe të paligjshme për të fituar para dhe pasuri të cilat njeriu nuk i bën asnjëherë me djersë. Në këtë vorbull u futën dhe politikanët dhe qeveritarët.Kështu u shfaq droga dhe u injektua kaq keq në shoqëri sa që mos u çuditni një ditë, kur ajo të quhet medikament paçka se është vdekjeprurëse. Sot jemi dëshmitarë se prodhuesit dhe përdoruesit e saj i gjejmë në të gjithë botën.Vërejmë se ata që e kultivojnë dhe e trafikojnë më shumë, ata u bëjnë leksione të tjerëve dhe e quajnë atë vend që nuk di të qeveriset, ka korrupsion etj. Drogën e gjejmë të përdoret në gjimnazet tona dhe qeveria dhe levat e saj, nuk marrin asnjë masë për ta luftuar atë si fenomen të keq. Drogën e shikojmë ti bëhet reklamë madje të promovohet përmes filmave që servirin gati të gjitha televizionet në botë.Prostitucioni tashmë ka hyrë në modë, madje të qëllon të dëgjosh se ai është profesion dhe s’ka asgjë të keqe të ushtrohet. Po kështu korrupsioni, vjedhja e fondeve publike janë kthyer në viroza që kanë prekur thellë shoqërinë shqiptare.

Tashmë korrupsioni quhet punë, madje e ligjshme sepse nuk dëgjon të luftohet apo të dënohet njeri.Tani kanë filluar të flasin për moral edhe lesbiket apo homoseksualët, të cilët kanë themeluar shoqata dhe duan edhe ata të ligjërohet dhe si model ata kanë gjetur thonë Hollandën dhe ndonjë vend tjetër. Familja është e shenjtë dhe nëse do të përbëhej nga të tillë individë, unë do ta quaja fatkeqësi edhe pse ndonjë me këtë shkrim mendon se ideja e parashtrimit tim është konservatore. Kemi dëgjuar këta “çifte” të birësojnë fëmijë të cilëve ju bie të kenë për prindër dy njerëz të të njëjtit seks. Por ata, fëmijët e tyre, nuk mund të jenë kurrë prindërit e tyre njëlloj si ata biologjik. Morali me rrjetin e tij të normave është një ndër faktorët më të rëndësishëm për vënien e themeleve të shoqërisë së shëndoshë, kurse antipodi i tij, amoraliteti, është hap prej vigani drejt perandorisë së kaosit. Mua nuk ma zë goja, por është fakt që morali ka rënë në nivelin më të ultë të vetëdijes njerëzore. Në këto rrethana është urgjente të angazhohet qeveria përmes programeve shkollore dhe objektivave afatshkurtra, ta luftojë sa nuk është vonë. Rinia janë udhëheqësit e të nesërmes dhe shpresa e të ardhmes. Mbi supet e tyre ngrihen qytetërimi dhe historia e zhvillimit. Tek ata varen shpresat, ëndrrat dhe zemrat. Rinia është pasuria e një populli. Nëse doni të dini të ardhmen e një populli, mos pyetni për pasurinë që ka, por shiko të rinjtë e tij. Nëse ata kanë moral, e ardhmja e atij populli është e sigurtë dhe në se rinia është e degjeneruar, pa vlera e pa moral, atëhere atë popull e pret vetëm shkatërrimi i plotë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00