Foshnjëri Politike
Nga një anë ushqehet iluzioni se gjithccka shkon mirë, se jemi i vetmi Vend pa krizë ekonomike (!), se jemi aq të pasur sa t’i lejojmë vetes një harxhim prej më shumë se njëqind milion dollarësh, për të ngritur një ndërtesë të re ku të “zgjedhurit” të kenë të gjitha komoditetet e mundshme...
Eugjen Merlika
Në këto ditë të nxehta gushti globi përjeton një nga kohët më të vështira të tij, i pështjelluar nga probleme financiare, që rrezikojnë të tilla katastrofa sa të mund të ndryshojnë sistemin e drejtpeshimeve të vendosura mbas luftës së dytë botërore. Perëndimi dhe krahu ushtarak i tij, NATO, me gjithë forcën goditëse të aleancës më të fuqishme që njeh historia, nuk është në gjendje të dalë nga veprimet luftarake në të cilat është angazhuar prej vitesh (Afganistani) apo prej muajsh (Libia). Era e lirisë, aq premtuese në botën arabe në fillim të vitit, nuk po gjen një sendërtim të qartë, e shtypur mes dhunës ala siriane dhe kërkesave për shtete të sharias.
Në këtë kuadër Shqipëria jep përshtypjen e një ishulli të veçuar. Në të problemet zvarriten si kërmilli pa gjetur rrugën e zgjidhjes. Në dukje janë probleme që nuk ceken nga kriza globale sepse ende nuk jemi futur në vorbullën e ekonomive të fuqishme e të bursave, mbeten probleme të rregullave e ligjeve për t’u hartuar e zbatuar, të tilla që karakterizojnë hapat e para të një shteti bashkëkohor në formim e sipër. Ajo pjesë e superstrukturës, që duhej të mataronte këtë proces të rëndësishëm, politika, mbetet gjithmonë e mangët, e pavendosur, e paqartë në ide e projekte, e paralizuar nga paaftësi, nga interesa të pjesshme, nga mungesa e vullnetit për të punuar seriozisht për të tashmen e për t’ardhmen. Dy krahët e saj që janë dy anë të së njëjtës medalje, për të njëjtin realitet japin dy interpretime të ndryshme, që priren për t’a zbukuruar apo për t’a nxirë atë, pa gjetur kurrë aqpeshimin e domosdoshëm për të cilin ka nevojë Vendi në këta çaste.
Nga një anë ushqehet iluzioni se gjithccka shkon mirë, se jemi i vetmi Vend pa krizë ekonomike (!), se jemi aq të pasur sa t’i lejojmë vetes një harxhim prej më shumë se njëqind milion dollarësh, për të ngritur një ndërtesë të re ku të “zgjedhurit” të kenë të gjitha komoditetet e mundshme, pa mbajtur parasysh përparësinë që shteti duhet t’i japë ish të dënuarve dhe ish pronarëve të grabitur nga komunizmi në dëmshpërblimin e tyre. Madje harxhi i këtij projekti shtohet më tepër duke prishur, n’emër të një koncepti tepër të diskutueshëm, të famshmen Piramidë, një objekt që, në të tjera kohë shumë më të vështira, regjimi pararendës kishte shpërdoruar rreth 40 milion dollarë, me gjithë varfërinë skajore të Shqipërisë e të banorëve të saj, për të “përjetësuar” kujtimin e zi të një diktatori të tmerrshëm.
Nga ana tjetër vazhdon litania e pafund e akuzave për vjedhje votash e pasurish, për shkelje të drejtash e lirish, për skema të gabuara e përgjegjësi projektesh politike të paarrira. Ndërkaq sistemi gjyqësor që, në Vende normale, është në gjendje të shkundë një politikë të molepsur nga prirja gërryese e rendjes mbas interesit vetjak apo klanor, në Shqipëri bashkëjeton me sistemin, pa dhënë në kohë asnjë zgjidhje të vërtetë të çështjeve me të cilat ballafaqohet.
Në këtë kuadër, ku gota është gjysmë plot apo gjysmë bosh, sipas ëndjes s’ atij që e sheh, bën përshtypje një lajm që gazetaria Darina Tanushi jep në “Gazeta shqiptare” të datës 3 /8/ 2011. Po e sjell me fjalët e gazetares : “ Dy deputetë socialistë, Andis Harasani dhe Kastriot Islami po përgatisin një letër për Komisionerin e zgjerimit, Stefan Fyle, Baroneshën Katerine Ashton dhe Departamentin Amerikan të Shtetit. Në këtë letër, sipas burimeve të afërta me dy deputetët, do t’u bëhet e qartë përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë se “ kryetari socialist, Edi Rama, po përjashton deputetët që folën kundër bojkotit të PS-së ndaj Kuvendit”
Lajmi që, deri tani, nuk është përgënjeshtruar nga të interesuarit, në dukje është pa rëndësi, një nga grindjet e rëndomta të politikës shqiptare, një episod i zakonshëm që pasqyron, mes të tjerash, një mendësi që, sa vjen e më shumë, rrënjoset në botkuptimin e shqiptarëve: vetëm të huajt janë në gjendje të zgjidhin problemet tona. I parë më thellë është një tregues sa qesharak, aq dhe i hidhur i një realiteti që kushtëzon jetën e të gjithëve, mbasi dëshmon nivelin dhe prirjen e klasës drejtuese. Nuk dua t’a përgjithësoj dukurinë, sepse në një interpretim të tillë edhe mund të gabohet, por t’a quaj si një episod domethënës.
Nuk dua të futem në thelbin e arsyeve që përcaktojnë një episod të tillë, por uroj me gjithë zemër që mendimi i dy deputetëve të mbetet vetëm i tillë, pa kaluar në një veprim që do të paragjykonte për keq përfytyresën e tyre, por edhe të klasës politike në përgjithësi. Islami dhe Harasani janë në kundërshtim me kryetarin e PS-së, z. Edi Rama. Është një dukuri e zakonshme në një demokraci e në një parti, ku duhet t’ekzistojë dialektika e ballafaqimit të ideve e ku rrahja e mendimeve, që thyen “unitetin” është një tregues shëndeti që pasuron përvojën dhe veprimtarinë e tyre. Jo gjithmonë quhet e tillë kjo dukuri. Ky fakt është i kuptueshëm, po të marrim parasysh mendësinë e trashëguar të partiakëve tanë dhe ngurrimin e tyre skajor për të ndryshuar konceptet në thelb e jo vetëm në dukje.
Rasti i mësipërm i ve këta dy zotërinj para mëdyshjes: ose të vazhdojnë betejën në partinë e tyre me fuqinë e argumenteve, për të bindur shumicën në drejtësinë e tyre, ose të ndryshojnë parti e qëndrim, siç bëjnë shumë kolegë të tyre në Vende të tjera, sidomos n’Italinë fqinje. “Muri s’lot se burri lot” thotë një fjalë e urtë popullore e kjo do t’i shkonte për shtat shumë “disidentëve” të partive “granitike” shqiptare, që vazhdojnë t’a quajnë mendimin e kundërt si “armiqësi” që duhet shmangur e shkatërruar. Por si dilet nga kjo gjendje që shpesh kthehet në një gangrenë që çon në teorinë e famshme të Dr. Adhamudhit të Çajupit? Duke luftuar me të gjithë arsenalin e argumenteve brenda partisë, për të pohuar e mbrojtur një mendësi që duhet të hyjë fuqishëm në logjikën e qenies së saj, atë të dialektikës demokratike të ideve e projekteve politike. Por dy deputetët socialistë duket se janë “lodhur” në betejën e tyre e parandiejnë se do të përfundojnë në “mishgrirësen” e mendimit unik, atij të prijësit. Nuk di sa është e vërtetë një paraqitje e tillë e fakteve, por po e marrim për të vërtetë se këta dy zotërinj rrezikohen të përjashtohen nga partia.
Nuk besoj se qytetarëve do t’u interesonte shumë ky fakt, por për ata vetë do t’ishte një ndryshim jo i vogël, mbasi do të vinte në dyshim vazhdimësinë e të qenit deputet që, në Shqipërinë e kastës politike, do të thotë mirëqenie, pushtet, mundësi pasurimi e favoresh. Pa njohur mirë motivet e vërteta të këtij sherri mes kryetarit Rama dhe Islamit e Harasanit, pohimet e të cilëve duan të provojnë se vija politike e të parit është krejtësisht e dështuar (nuk di si do të mbështesin një tezë të tillë kur PS, në zgjedhjet e fundit vendore, fitoi bashkit e qyteteve më të rëndësishme të Vendit, duke humbur atë të Tiranës, për pak dhjetëra vota, dhe ato të diskutueshme), nuk di sa mund t’i besoj argumentit se thelbi i mosmarrëveshjes mbetet pjesëmarrja në Kuvend, për të cilën besoj se kanë të drejtë. Por qëllimi i shkrimit nuk është ky, por një tjetër: ndërkombëtarizimi i problemit. Sipas dy deputetëve kundërshtarë të z. Rama, me këtë sherr duhet të merren Komisari për zgjerimin në Komisionin Evropian, përfaqësuesja e politikës së jashtme të Bashkimit dhe Departamenti i Shtetit i SHBA, të cilëve dy “luftëtarët” PS-ëistë u kërkojnë ndihmë.
Sinqerisht nuk arrij t’a konceptoj se si një mëndje njeriu normal mund të bluajë në vetvete ide të tilla foshnjarake në politikë. Bebet tona kujtojnë se janë në një kopsht fëmijësh ku kujdestarja duhet të ndërhyjë, nëse shoku apo shoqja e tavolinës i bën një padrejtësi duke i marrë lodrën apo biskotën. Në rastin tonë kujdestarët janë ndërkombëtarët, të cilët nuk duhet të kenë asnjë shqetësim tjetër, veçse të merren me ankesat e Islamit e të Harasanit, të këtyre dy “shtetarëve”, nxjerrja jashtë radhëve të PS-së e të cilëve do të shkaktonte një humbje me pasoja të mëdha për Shqipërinë!!!
Jemi në një farsë groteske së cilës do t’i a kishte zili dhe Hasheku, babai i Shvejkut. Mund të qeshim sa të duam me këtë “xhevahir” komiciteti, por nuk mund të mos mbajmë parasysh se këta zotërinj janë “të zgjedhurit”, “përfaqësuesit” e popullit, njerëzit që kanë drejtuar institucione të rëndësishme të Shtetit. Për këdo që ka në zemër sado pak idenë e dinjitetit të Shtetit, ka pak gjasë që të mos ndjejë dhimbje....
Lexuesi mund të përfytyrojë buzëqeshjen që do të shfaqej në fytyrën e atij sekretari apo sekretareje që do t’i takonte të hapte letrën e deputetëve. Sikur ajo të hidhej menjëherë në kosh do t’ishte gjysma e së keqes, sepse buzëqeshjes së fillimit do t’i pasonte një harresë, por sikur ajo të bëhej objekt bisede mes kolegësh, deri tek titullari, merret me mënd se si do të lakohej emri i Vendit tonë dhe i banorëve të tij në zyrat e Brukselit apo të Uashingtonit. Jam i bindur se shumica dërmuese e shqiptarëve do t’a ndjente veten të fyer e të papërfaqësuar nga këta zotërinj që japin një pamje të saktë të zvetënimit të politikës, të mungesës jo vetëm të parimeve, por as edhe të minimumit të logjikës. Parimet do të kërkonin që, edhe në çastet më të acaruara të kundërshtive politike, të ruhej një farë dinjiteti e kodi etik, por Kuvendi ynë tashmë na ka mësuar se këto terma duhet t’i heqim nga fjalori, se bëjnë pjesë në “irracionalen” e tij. Një ankesë eventuale në dyert e institucioneve ndërkombëtare për tymnajat e thashethemeve të radhës në politikën shqiptare nuk më duket aspak dinjitoze.
Është rasti të kujtoj këtu se marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare, apo me shtetet e huaja, kanë qenë një konstante e jetës politike shqiptare, sidomos që nga krijimi i Shtetit të pavarur. Shqiptarët edhe janë vrarë me njëri tjetrin për bindje apo interesa të ndryshme politike, por nuk di që ndonjëri prej tyre të jetë ankuar tek kancelaritë e huaja, për të kërkuar ndërhyrjen e tyre n’atë drejtim. Madje kanë folur si të barabartë me personalitete të shquara të botës së madhe, që nga Presidenti Uillson e deri tek Papa Benedikti XV gjatë konferencës së Versajës e më parë me titullarët kryesorë të diplomacive evropiane në procesin e shpalljes së Shtetit të pavarur. Ata që drejtonin administratën shqiptare gjatë viteve të luftës së dytë botërore kanë shfaqur kurajën e guximin për të mos zbatuar urdhrat e Komandës gjermane të Ballkanit, për të dorëzuar hebrenjtë. Në forma të ndryshme ata arritën t’i shpëtojnë jetët e tyre n’emër të traditës e ligjeve mikpritëse të kombit shqiptar. Ka një humnerë ndërmjet personalitetit të atyre përfaqësuesve të politikës shqiptare e personazheve për të cilët po flasim.
Besoj se as edhe një çilimi nuk do të mendonte që, në gjendjen e sotme, Stefan Fyle, Katerin Ashton, apo Hilleri Klinton dhe institucionet që ata përfaqësojnë do të kishin dëshirë e kohë për të shpërdoruar në shqyrtimin e një kërkese, sa të pazakontë aq dhe qesharake, që arrin nga politikanë të një Vendi sovran, anëtar i NATO-s.
Islami, Harasani, apo të tjerë kolegë të tyre politikanë, në demokracinë shqiptare të sotme, për hartimin e ligjeve të së cilës kanë dhënë ndihmesën e tyre vetjake, i kanë të gjitha mundësitë të shpalosin hapur në të gjitha llojet e mediave idetë e tyre politike, pa pësuar asnjë lloj ndalimi apo detyrimi. Betejën e tyre mund t’a zhvillojnë më se normalisht në forumet e partisë apo institucionet shqiptare, siç kanë bërë deri tani. Një ndërkombëtarizim i kotë dhe i pakuptimtë i “problemit” të tyre do t’i vinte ata vetë dhe politikën shqiptare në pozita qesharake pa asnjë dobi konkrete veç përkeqësimit të imazhit.
Comments (0 posted)
Post your comment