Home | Opinion | Dilemat dhjetëvjeçare të Marrëveshjes së Ohrit

Dilemat dhjetëvjeçare të Marrëveshjes së Ohrit

image
Qeveritë e deritanishme deri tani nuk kanë nxjerrë asnjë analizë apo plan-projekt të plotë rreth arritjeve dhe realizimit praktik të Marrëveshjes së Ohrit. Si vazhdimësi janë locuar shumë faktorë dhe kapacitete që kanë ndikuar në zvarritjen e implementimit.


 

 


  

Naser Pajaziti

 

 

Janë mbushur dhjetë vite nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit të firmosur më 13 gusht të vitit 2001 në Ohër, një marrëveshje paqeje që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni.

Partitë politike, si ato shqiptare dhe maqedonase, edhe në këtë përvjetor, janë të ndara dhe skeptike rreth arritjeve që kanë pasuar nga kjo marrëveshje kornizë e paqes.

Tek partitë politike maqedonase po mbizotërojnë doza rezerve dhe shmangiet nga kjo marrëveshje, me shumë mangësi në realizimin e saj.

Bashkësia ndërkombëtare ka përsëritur mbështetjen për implementimin e kornizës ligjore dhe praktike të marrëveshjes, duke mbrojtur qëndrimet se fryma e saj është realizuar, mirëpo defektet janë në planin praktik.

Pika kritike e këtij përvjetori, ishte mungesa apo bojkoti i heshtur i ceremonisë së dhjetë vjetorit nga nënshkruesit e “dokumentit të paqes” të 13 Gushtit të 2001.

Formatit të të pabindurve si Arbër Xhaferi dhe Lubço Georgievski, sivjet i'u shtua edhe lideri socialdemokrat, Branko Cërvenkovski, që njihej deri tani si vizitorë i rregullt i çdo ceremonie të përvjetorëve. Taktizimet e opozitarit veteran maqedonas tani kalojnë në një fushëveprim politik me ngjyrime nacionaliste për tu kusuritur me oponentin e tij politik, kryeministrin, Nikolla Gruevski, i cili mungoi si zakonisht edhe në këtë përvjetor, ashtu siç ka munguar për një dekadë me radhë.

Përballë taktizimeve dhe indiferencave politike, shqiptarët sot në Maqedoni janë përballë një dileme të madhe se a është realizuar apo jo Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj.

Deklaratat dhe imponimet optimiste të pushtetarëve shqiptarë gjithmonë janë dukur shumë cinike përballë fakteve dhe realitetit. Sepse, afati zyrtar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ishte viti 2004, mirëpo neglizhenca e palës shumicë dhe tensionet e vazhdueshme të sigurisë dhe ato politike që përfshinë këtë vend të dalë nga konflikti gjashtëmujor shkaktuan zvarritjen e procesit të implementimit.

Qeveritë e deritanishme deri tani nuk kanë nxjerrë asnjë analizë apo plan-projekt të plotë rreth arritjeve dhe realizimit praktik të Marrëveshjes së Ohrit. Si vazhdimësi janë locuar shumë faktorë dhe kapacitete që kanë ndikuar në zvarritjen e implementimit.

Janë me dhjetëra probleme dhe çështje të pazgjidhura, ndër të cilat: Problematizimi dhe praktikimi funksional i përdorimit të gjuhës shqipe, edhe pas atij ligji të miratuar me ndryshimet e fundit nga ana e Parlamentit të ri; Problematizimi i simboleve kombëtare, që ka nxitur debate rreth formatit të flamurit dhe hapësirave ku mund të përdoret; Ndarja e dëmshme territoriale nga e cila po hasin probleme komunat shqiptare dhe decentralizimi me ngecje; Përfaqësimi i shqiptarëve në administratën shtetërore i ndjekur me disa probleme rreth mospërfaqësim të plotë nëpër tërë institucionet dhe mos arritjen e shkallës së 25 për qindëshit , 10 vite pas firmosjes së këtij dokumenti; Moszgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së dhe problematika të tjera që janë nxjerrë nga partitë politike, institucionet joqeveritare dhe ato ndërkombëtare.

Koinçindenca e këtij përvjetori është shfaqja e një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), ku ndër rekomandimet më shqetësuese për të ardhmen e vendit është paralajmërimi përmes një citati të heshtur se “në rast se Marrëveshja e Ohrit nuk do të implementohet deri në vitin 2014, atëherë vendi rrezikon shpërbërjen e tij”.

Pavarësisht këtyre paralajmërimeve të rrezikshme dhe qëndrimeve kontradiktore të lidershipit politik tek shqiptarët dhe maqedonasit, bashkësia ndërkombëtare e prirë nga SHBA-të është e vendosur që të ruaj paqen në Maqedoni përmes kësaj marrëveshje të paqes.

Mesazhi u bë i qartë përmes zyrtarit të lartë të administratës amerikane, Filip Riker, i cili rikujtoi në Ohër domosdoshmërinë e heqjes së dilemave se sa është implementuar, sa është respektuar dhe shumë çështje tjera të lidhura me këtë marrëveshje.

Maqedonia në gushtin e nxehtë të 2001, ishte buzë një lufte qytetare mes tytave të armëve të UÇK-së dhe forcave maqedonase të sigurisë dhe në anën tjetër përballë një sfide paqeje, që përmes një marrëveshjeje të shtruar në tavolinën e negociatave midis faktorëve politik në Ohër po sigurohej një shteg paqeje dhe pajtim midis dy komuniteteve më të mëdha, duke hequr diskriminimin dhe duke hapur shtigje për avancimin e pozitës shqiptare. Por, dhjetë vite pas, analizat, raportet dhe vlerësimet e ndryshme flasin se dokumenti që parandaloi konfliktin e asaj kohe nuk ka arritur që të mbyll çështjen shqiptare në Maqedoni.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00