Home | Opinion | Kina dhe shqiptarët

Kina dhe shqiptarët

image
Shqipëria me doemos duhet të zhvillojë e të kultivojë marrëdhënie në të gjitha fushat, me të gjitha vendet e botës, e sidomos me një vend si Kina, influenca e së cilës sa vjen e rritet në skenën botërore. Por kjo nuk duhet në asnjë mënyrë të pengojë ose të ngurrojë ngritjen e çështjeve me rëndësi historike e kombëtare me Kinën ose me çdo vend tjetër në botë...

 

 

 


Frank Shkreli

 

 

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Popullore të Kinës, Zang Jiechi javën e parë të këtij muaji u gjend për një vizitë dyditëshe në Shqipëri ku zhvilloi takime me udhëheqësit më të lartë të vendit. Ministri i jashtëm kinez tha se gjendej në Shqipëri i ftuar nga zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, me të cilin zhvilloi bisedime. Zyrtari i lartë kinez u takua gjithashtu edhe me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Edhe gjatë viteve të fundit ka patur shkëmbime vizitash të nivelit të lartë midis dy vendeve dhe marrëdhëniet midis Tiranës dhe Pekinit, sipas Ministrit të jashtëm kinez karakterizohen si “një bashkëpunim i ngushtë praktik në fusha të ndryshme”. Kryeministri Berisha, në takimin e tij me zyrtarin e lartë kinez, sipas faqes së Këshillit të Ministrave në internet, “vlerësoi se Partia Komuniste Kineze dhe Partia Demokratike e Shqipërisë kanë qenë dhe janë promotorët e zhvillimit epokal në dy vendet tona”. Presidenti Topi e cilësoi vizitën e ministrit të jashtëm kinez në Tiranë si “një tregues domethënës i marrëdhënieve tradicionale” midis Shqipërisë dhe Kinës. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi “marrëdhëniet e shkëlqyera politik” midis dy vendeve.

Ndërkaq, të dy palët trumbetuan me një krenari historike, për të mos thënë me nostalgji, faktin se kjo vizitë po zhvillohej me rastin e 40-vjetorit të pranimit të Kinës Komuniste në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kur Shqipëria komuniste e asaj kohe luajti rolin kyç në këtë proces duke u bërë zëdhënëse dhe mbrojtëse e Kinës së revolucionit kulturor. Shqipëria, fatkeqësisht ishte i vetmi vend komunist në botë që zbatoi tmerrësisht këtë politikë shkatërruese të Mao Tse Dunit, pasojat e të cilit ishin të mjerueshme për Shqipërinë. Megjithëse kanë kaluar dekada që prej atëherë dhe Kina ka bërë korrektime të mëdha në sistemin e saj, prapëseprapë, sipas ekspertëve, reformat politike në Kinë janë shumë mbrapa ndryshimeve që janë ndërmarrë në fushën ekonomike. Sidomos moszbatimi i të drejtave të njeriut në Kinë, bazuar në standardet universale, sipas të cilave çdo qenie njerëzore ka të drejtë të trajtohet me dinjitet, ndershmërisht dhe me drejtësi, vazhdon të jetë një shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara dhe për Perëndimin në përgjithësi.

Ajo që vihet re nga deklaratat zyrtare të palës shqiptare mbi vizitën e ministrit kinez në Tiranë është fakti se një ndër çështjet kryesore të këtyre bisedimeve, që sipas mendimit tim duhej të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Pekinit, u prek vetëm në kuadër të situatës në rajon – ndërsa deklaratat zyrtare kineze mbi këtë vizitë përmendin, vetëm si në kalim, se çështja e Kosovës duhet të “zgjidhet” në kuadër të rezolutave të Kombeve të Bashkuara dhe asgjë më shumë. Nuk është e qartë se pse çështja e Kosovës nuk zinte një vend më të rëndësishëm në rendin e ditës të takimeve shqiptaro-kineze, pasi të dy palët folën me një entuziazëm, pothuaj të papërmbajtur, për nivelin e marrëdhënieve midis dy shteteve. Ka mundësi të jetë biseduar për Kosovën prapa dyerve të mbyllura, por është e rëndësishme që - gjatë vizitës së zyrtarit kinez në Tiranë - pala shqiptare të shprehte publikisht shqetësimet e saj në lidhje me qëndrimin kinez ndaj Kosovës, qëndrim ky që është i njëjtë me atë të Serbisë dhe Rusisë, e që historikisht, dhe në thelb ka qenë dhe është antishqiptar. Bile-bile, ka shenja se në lidhje me këtë ekziston një koordinim midis Kinës, Rusisë dhe Serbisë.

Shenjë e marrëdhënieve të pjekura e miqësore midis vendeve të ndryshme është gjithmonë fakti se ato mund të bisedojnë haptas dhe sinqerisht, ndershmërisht dhe hollësisht mbi ndryshimet në qëndrimet e kundërta midis tyre. Fatkeqësisht, duket se kjo nuk ndodhi në takimet e Ministrit të Jashtëm kinez, më herët këtë muaj në Tiranë, në lidhje me qëndrimin e Kinës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Pekini.

Shqipëria me doemos duhet të zhvillojë e të kultivojë marrëdhënie në të gjitha fushat, me të gjitha vendet e botës, e sidomos me një vend si Kina, influenca e së cilës sa vjen e rritet në skenën botërore. Por kjo nuk duhet në asnjë mënyrë të pengojë ose të ngurrojë ngritjen e çështjeve me rëndësi historike e kombëtare me Kinën ose me çdo vend tjetër në botë, siç është njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës nga sa më shume shtete që të jetë e mundur, por sidomos nga shtete me influencë si Kina, që është edhe anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Edhe Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë marrëdhënie të ngushta, sidomos lidhje ekonomike me Pekinin dhe si fuqi të mëdha me interesa të ndryshme, ato përballen shpesh me sfida bilaterale, rajonale e globale në marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe midis tyre dhe Kinës. Megjithëse marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës – megjithëse me sisteme krejtësisht të ndryshme politike - konsiderohen si shumë të mira sidomos në fushën ekonomike, prapëseprapë nuk ka asnjë takim të nivelit të lartë midis Pekinit e Uashingtonit që nuk bisedohen çështjet që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë si të rëndësishme, e për të cilat interesohet Amerika, por për të cilat Kina nuk dëshiron të bisedojë, çështje siç janë shkelja e të drejtave të njeriut dhe të drejtave fetare, liria e të shprehurit dhe të drejtat e punëtorëve në Kinë, Tibeti, Tajvani, e tjera. Sidomos, dialogu amerikano-kinez përfshinë gjithmonë angazhimin amerikan në mbrojtje të të drejtave të njeriut kudo në botë, duke përfshirë edhe Kinën, publikisht dhe nëpërmjet kanaleve diplomatike, si një bazë morale në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kështu duhet të jetë edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën, përsa i përket qëndrimit kinez ndaj Kosovës. Nuk duhet të ketë ngurrim e hezitim, që për hir të ndonjë përfitimi ekonomik të përkohshëm - marrëdhëniet e mira midis Tiranës dhe Pekinit të mos përdoren për avancimin e interesave kombëtare. Sot për sot nuk ka interes më madhor kombëtar se njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga shtete si Kina, ashtuqë të bëhet i mundur anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në organizma të tjera ndërkombëtar, përfshirë edhe anëtarësimin e saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Drejtë këtij objektivi duhet të punohet, të pakën, me të njëjtin zell siç vepronte Shqipëria për anëtarësimin e Kinës komuniste në Kombet e Bashkuara, 40-vjet më parë, përvjetor ky që u shënua me rastin e vizitës së Ministrit të jashtëm kinez në Tiranë, në fillim të këtij muaji. Kina u ka borxh shqiptarëve dhe tani është koha për të paguar atë borxh me njohjen e Kosovës si shtet sovran e të pavarur, ashtu që edhe Kosova të zë vendin që i takon si anëtare e plotë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë përkatëse.

Në një intervistë me një gazetë shqiptare gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, Ministri i Jashtëm kinez nënvizoi atë që ai quajti parimin e rëndësishëm të “etikës tradicionale” kineze sipas të cilit “mos u bëni të tjerëve atë që nuk dëshironi që të tjerët t’jua bëjnë juve”. Zoti Ministër, a do të donit që vendi juaj të trajtohej si po trajtoni ju sot Kosovën?

Është kritike që në takimet dypalëshe e shumëpalëshe, Shqipëria të angazhojë - publikisht dhe diplomatikisht - Kinën dhe vende të tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur - në një dialog të vazhdueshëm dhe rigoroz si pjesë e pandashme dhe jetike në marrëdhëniet midis dy vendeve.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00