Home | Opinion | Identiteti Kombëtar dhe Mimikria Politike

Identiteti Kombëtar dhe Mimikria Politike

image
Mos po mendojmë ne se duke u përpjekur të krijojmë identitet të ri kombëtar, në të vërtetë mbikombëtar në Kosovë, një identitet tjetër që e nënkupton largimin nga identiteti historik shqiptar, do të jemi të shpërblyer...

 

 

 

 

Rexhep Qosja

 

 

Siç dihet, popujt që gjatë, me shekuj, ishin të pushtuar prej shteteve të ndryshme, më të vogla a më të mëdha, zakonisht janë pajisur me cilësinë e mimikrisë, e cila te disa është bërë cilësi e identitetit të tyre. Rendet despotike, tiranike, diktatoriale dhe totalitare janë prodhuesit më të mëdhenj të mimikrisë në jetën politike, intelektuale dhe shoqërore në përgjithësi. Si rende të bazuara mbi dhunën ato pashmangshëm ushtrojnë ndikim, më të përkohshëm a më të përhershëm, në identitetin e popujve. Është e padyshimtë se pas sundimit të Perandorisë Otomane dhe sundimit të Serbisë e të Jugosllavisë në Kosovë, komunizmi ishte farkuesi më i madh i mimikrisë në jetën tonë.
Mimikria është jashtëzakonisht e shumëllojshme, sepse janë të shumëllojshme situatat politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore, në të cilat mund të gjenden njeriu dhe popujt. Letërsia botërore është përplot personazhe që mimikrinë e ushtrojnë shumë mjeshtërisht, por historia e letërsisë botërore njeh edhe shkrimtarë që mimikrinë e ushtrojnë jo më pak mjeshtërisht se personazhet imagjinare. Në letërsinë tonë nuk kemi personazhe të dalluara posaçërisht për sjellje të mimikrishtë, por kemi shkrimtarë të dalluar posaçërisht për aftësi mimikruese. Po i dëgjoj ç’thonë dhe po i lexoj ç’shkruajnë edhe tani.
Pse mimikria është një nga frymëzuesit kryesorë të veprimeve dhe gjykimeve, për të cilat është fjala këtu? A dyshon kush se karrierizmi politik është frymëzues i fortë i servilizmit politik?
Nuk ka dyshim se të përpiqesh për krijimin e një identiteti të ri kombëtar në Kosovë, të një identiteti mbikombëtar, duke e shpallur kusht për njohjen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, domethënë t’i përshtatesh, apo të hamendjesosh se po i përshtatesh, disponimit të atyre faktorëve që i shqetëson njësia shpirtërore e popullit shqiptar dhe mendojnë se, me krijimin e identitetit të ri kombëtar në Kosovë, përjashtohet përgjithmonë prej politikës shqiptare ideja e bashkimit të tyre kombëtar. Të përpiqesh të bësh çka nuk mund të bëhet, çka nuk është e natyrshme të bëhet, çka është kundër interesave historike të Kosovës e të Shqipërisë vetëm për të plotësuar dëshirat dhe kërkesat e të tjerëve kjo domethënë t’u servilosesh atyre duke ndërruar ngjyrën tënde!
 

MIMIKRIA, E DËMSHME DHE PËRULËSE PËR POPULLIN
 

Nuk ka dyshim se të përpiqesh që të ndryshohen parimet themelore mbi të cilat është krijuar gjuha standarde shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë në vitin 1972 apo të përpiqesh për krijimin e një gjuhe tjetër, të dytë, standarde shqipe, me bazë gegërishten, një gjuhe të veçantë standarde për Kosovën a për gjithë shqiptarët veriorë domethënë t’u përshtatesh disponimeve të atyre që e tejshquajnë, e tejtheksojnë vetëdijen krahinore, ose komunistëve të bërë kundërkomunistë pas përmbysjes së komunizmit ose, më në fund, atyre qarqeve politike dhe intelektuale të huaja, të cilat veçimin e Kosovës prej Shqipërisë, që mund të arrihet vetëm me gjuhën tjetër, të “veten”, standarde dhe me identitetin tjetër kombëtar, e çmojnë kusht për dobësimin e faktorit shqiptar në Ballkan sot dhe përgjithmonë. Pavarësisht cili është motivi i vërtetë i saj, mimikria këtu mund të jetë e shpërblyeshme për ata që servilizohen, por e dëmshme dhe përulëse për popullin.
Nuk ka dyshim se të predikosh kthimin e shqiptarëve nga një fe në fe tjetër – në fenë e krishterë duke e quajtur fe e të parëve; të ndërtosh kisha në fshatrat në të cilat nuk jetojnë shqiptarë katolikë; të mbushësh televizionin e vetëm publik, RTK-në, me emisione për fenë e krishterë - siç po ngjet në Kosovë; të vësh kryqe në kodra afër Elbasanit dhe Shkodrës; të flasësh për shkatërrim kishash, po jo edhe xhamish në kohën e komunizmit – siç po ngjet në ndonjë televizion në Shqipëri; të bësh fenë e krishterë fenë e vetme ndërtuese dhe mbajtëse të qytetërimit dhe të identitetit kombëtar shqiptar si dhe faktor vendimtar a, madje, faktor-kusht në procesin e integrimit të Shqipërisë e të Kosovës në Bashkimin Evropian – siç po ngjet kur e kur në Kosovë e në Shqipëri, të bësh të gjitha këto do të thotë jo vetëm t’i kundërqëndrosh siç s’duhet tejshquarjes, tejtheksimit të vetëdijes fetare myslimane të dëshmuar, përpos të tjerash, edhe me gjithnjë e më shumë shami në kokat e gjithnjë e më shumë vajzave e grave, por edhe t’i përshtatesh disponimit fetar të atyre qarqeve politike e fetare në botë, të cilat po bëjnë sot mobilizimin politik të fesë së krishterë si mjet i pandehur efikas në strategjinë e parandalimit të fundamentalizmit islamik, domethënë t’i përshtatesh disponimit politik të atyre që, si thotë shkrimtari i madh botëror Gynter Gras, aksionit fundamentalist i japin përgjigje fundamentaliste! Të bësh të gjitha të theksuarat, pa kurrfarë reagimesh të institucioneve politike e shtetërore ndaj tyre, apo, ndoshta, me pajtimin e tyre të heshtur – domethënë t’u servilosesh atyre që po zhvillojnë sot fundamentalizmin e krishterë në botë! Është e sigurt se mimikria e këtillë është ndoshta përkohësisht e shpërblyeshme për zbatuesit e saj, por mund të bëhet dëmsjellëse për bashkëjetesën e harmonishme të feve në shoqërinë shqiptare dhe për procesin e integrimit të shqiptarëve.
Nuk ka dyshim..! Edhe për çka tjetër nuk ka dyshim?
 

NË BOTËN DEMOKRATIKE KA SHUMË SHEKUJ QË JANË NDARË POLITIKA DHE FEJA, SHTETI DHE FEJA
 

Para disa javësh, një zyrtar nga Tirana ia shqiptoi një panegjirik të rrallë një zyrtari nga Prishtina. Megjithëse emrat e që të dyve janë emra myslimanë, i pari ia shqiptoi këtë panegjirik të dytit sepse, si tha, diti të zgjedhë Pjetër Bogdanin, Nënën Tereze dhe Papën Gjon Palin e Dytë si prijës të tij shpirtërorë! Pse ky zyrtar nga Tirana i çoi në arkiv përgjithmonë prijësit e vërtetë historikë shpirtërorë të shqiptarëve të të tri feve, ndërtuesit e shqiptarizmit dhe krijuesit e Shqipërisë, Abdyl Frashërin, Naim Frashërin, Sami Frashërin, Pashko Vasën, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin, Faik Konicën, Gjergj Fishtën, kurse shpalli prijës shpirtërorë Pjetër Bogdanin, Nënën Tereze dhe Papën Gjon Palin e Dytë, që prijës shpirtërorë të popullit shqiptar as nuk ishin, as nuk mund të jenë? Sigurisht për të treguar se sa hiç ai vetë dhe i lavdëruari i tij i nderojnë emrat e vet myslimanë dhe se sa shumë janë të gatshëm t’u servilizojnë atyre qarqeve a institucioneve ndërkombëtare të cilave, supozojnë kot, se një servilosje e tillë iu pëlqen!
Për shumë vjet, në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të partisë që ka trashëguar gjithë anëtarësinë e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, është mbajtur fotografia e Papa Gjon Palit të Dytë. Sekush që e di se mbi 99 për qind e anëtarëve të kësaj partie kanë emrat Hasan, Hysen, Mehmet, Muhamet, Bajram, Rexhep, Sadik, Myftar, Murat, Sadullah, do të bëjë pyetjen: çka do fotografia e Atit të Shenjtë në selinë e një partie 99 për qind e anëtarëve të së cilës janë, pra, të besimit mysliman dhe i falen një profeti tjetër? Pse bëhen se ndërrojnë ngjyrën ashtu lehtë? Pse aq lehtë duan të tregohen çka nuk janë? Sigurisht për t’iu servilosur atyre që supozojnë, kot natyrisht, se një servilosje e tillë iu pëlqen!


Në Presidencën e Kosovës janë mbajtur dhe vazhdojnë të mbahen fotografitë e Nënës Terezë dhe të Papa Gjon Palit të Dytë. Presidentët ndërrohen e fotografitë e Shenjtores dhe të Atit të Shenjtë mbahen! Çka duan ato fotografi në selinë e presidentëve që kanë lindur dhe janë rritur si pjesëtarë të besimit mysliman, që janë zgjedhur prej votuesve numri më i madh i të cilëve i falet profetit Muhamet, mban ramazanin dhe festën e bajramit? Sigurisht që t’iu servilosen atyre që supozojnë se një servilosje e tillë iu pëlqen dhe, duke pasur parasysh disponimet politiko-fetare në botën e sotme, (në të cilën edhe një ministër italian e supozon të dobishme për veten që të stolisë gjoksin me karikaturat blasfemike kundër profetit Muhamet, që aq shumë protestën e kanë shkaktuar në botën myslimane), të përfitojnë për veten aq sa mund të përfitohet!
Pse mimikria e këtillë, para fotografive të Nënës Terezë dhe Atit të Shenjtë dhe servilosja shumë e dukshme para atyre qarqeve e institucioneve në botë që supozohet se iu pëlqen servilosja e tillë, mund të përjetohet si fyerje nga shqiptarët e Kosovës të fesë myslimane ndoshta për mimikristët dhe nuk është shumë e rëndësishme. Nuk mund të mos jetë, ndërkaq, e rëndësishme se çdo politikan dhe diplomat perëndimor, para të cilëve bëhet kjo servilosje, do të shtrojë pyetjen: ç’duan fotografitë e figurave fetare në selitë e institucioneve politike dhe shtetërore? Në botën demokratike, as në selitë e partive demokristiane e lëre më në institucione shtetërore, nuk mbahen fotografi të figurave fetare. Në botën demokratike ka shumë shekuj që janë ndarë politika dhe feja, shteti dhe feja. Në botën demokratike janë ndarë politika e feja, shteti e feja, por, ja, nuk po ndahen te ne. Zvarranikët politikë gjithmonë e gjithkund i përziejnë të gjitha: edhe ato që dinjiteti dhe mendja demokratike nuk i përziejnë!
Sa dhe si është e shpërblyeshme për zbatuesit e saj kjo mimikri e kemi parë që disa vite dhe po e shohim edhe këto ditë, por sa e si mund të ndikojë në bashkëjetesën e harmonishme të feve në jetën tonë dhe në procesin e integrimeve shqiptare pritet ta shohim!
 

KTHIMI PREJ FESË SË KRISHTERË NË FENË MYSLIMANE ISHTE AKT I HAPËT I MIMIKRISË
 

Mund të dëgjohen vetje, si nga radhët e njerëzve të politikës ashtu edhe nga radhët e intelektualëve, sidomos të të ashtuquajturve intelektualë të njohur për sjellje prej kameleoni, të cilët mimikrinë e tillë e quajnë hiç më pak se mençuri politike!
A është mimikria gjithmonë e gjithkund e leverdishme?
A është mimikria në sytë e gjithkujt e dinjitetshme?
A është mimikria mençuri?
Përgjigjja është: jo.
Shembullin më tregues për këtë pohim e gjejmë pikërisht në historinë tonë. Në kohën kur shqiptarët janë kthyer në fenë myslimane, një numër i të konvertuarve sigurisht kanë sendërtuar leverdi të caktuara sepse një numër i tyre janë shpërblyer me poste në administratën perandorake, apo, madje, edhe me prona tokësore. Por, për popullin shqiptar si tërësi, ky ishte përfitim i përkohshëm, që do të bëhet kundërpërfitim historik. Kthimi në fenë myslimane në thelb e ka ndërruar rrjedhën natyrore të historisë shqiptare, i ka nxjerrë shqiptarët prej kontekstit historik fetar, kulturor, qytetërues dhe i ka futur në një kontekst tjetër historik fetar, kulturor, qytetërues, duke ia nënshtruar kështu identitetin e tyre një shndërrimi, sigurisht të mundimshëm dhe me pasoja afatgjata. Them të mundimshëm sepse çdo konvertim fetar që bën njeriu, si krijesë jo vetëm biologjike, ka anën shoqërore, morale dhe psikologjike; jo çdokush mund të konvertohet pa pasoja në radhë të parë psikologjike. Është e vetëkuptueshme se kthimi prej fesë së krishterë në fenë myslimane ishte akt i hapët i mimikrisë. Për këtë mimikri populli shqiptar më vonë do të paguajë çmim të shtrenjtë. Qëndrimi deri në kohën tonë injoruese i Evropës së krishterë ndaj shqiptarëve dhe problemeve të tyre historike dhe politike; mosnjohja e identitetit të tyre kombëtar deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX; copëtimi i pamëshirshëm i trojeve shqiptare në Kongresin e Berlinit dhe, sidomos, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1912-1913 dhe, së fundi, ripajtimi me këtë copëtim edhe në Konferencën e Versajës më 1919; mosinteresimi i çuditshëm për fatin e Shqipërisë komuniste – të gjitha këto, pa dyshim, janë çmimi historik që i është paguar asaj mimikrie. Mund të thuhet me siguri të plotë se, po të mos ishin SHBA-të me Bill Klintonin kryetar dhe Medlin Olbrajtin sekretare e shtetit, Kosova do të paguante çmim për atë mimikri edhe në fund të shekullit njëzet. Me ndërhyrjen humanitare dhe politike strategjike të SHBA-ve në luftën në Kosovë, si fryt i luftës çlirimtare të UÇK-së, SHBA-të e ndërrojnë edhe qëndrimin e Evropës ndaj shqiptarëve dhe çështjes së tyre, pavarësisht pse shqiptarët e Kosovës me mbi 95 për qind janë të fesë myslimane.
Çka mund të thuhet më tej për mimikrinë, për “shpërblimet” dhe për pasojat që sjell ajo?
 

MIMIKRITË JO VETËM SE NUK ÇMOHEN POR NË THELB PËRBUZEN, PRANDAJ NUK SHPËRBLEHEN ME LIRI, ME PAVARËSI, ME SHTET
 

Në qoftë se mimikria është “çmuar” dhe është shpërblyer në kohët e shkuara, në kohën e Perandorisë Otomane, të Serbisë e të Jugosllavisë, dhe të Bashkimit Sovjetik, në qoftë se mimikria është “çmuar” dhe është shpërblyer në shtetet despotike, tiranike, diktatoriale dhe totalitare, nuk mund të thuhet se ajo do të jetë e “çmuar” dhe e shpërblyer edhe nga shtete demokratike. Jo! Shtetet e mbështetura në dhunën e kushtëzojnë dhe e dëshirojnë mimikrinë, por shtetet e mbështetura në liritë dhe në të drejtat themelore të njeriut mund ta “kushtëzojnë”, por nuk do ta çmojnë mimikrinë. Mos po mendojmë ne se duke u përpjekur të krijojmë identitet të ri kombëtar, në të vërtetë mbikombëtar në Kosovë, një identitet tjetër që e nënkupton largimin nga identiteti historik shqiptar, do të jemi të shpërblyer dhe të çmuar prej atyre qarqeve politike, a fetare, a kulturore, që e nxisin krijimin e këtij identiteti? Jo! Shumica e shteteve të Bashkimit Evropian do të pajtohen me pavarësinë e Kosovës jo pse ne do t’u paraqiteshim me identitet tjetër kombëtar, në të vërtetë mbikombëtar, por pse me krijimin e shtetit të Kosovës shpresojnë të lirohen prej shqiptarëve atje. Mos po mendojmë ne se me tejshquarjen e vetëdijes së krishterë, me favorizimin dhe mobilizimin politik të krishterimit, me ftesa për kthim në fenë e të parëve - në fenë e krishterë, me mbushjen e televizionit publik me emisione për fenë e krishterë dhe me ndërtim kishash edhe në fshatra ku nuk kemi vëllezër të besimit katolik, mos po mendojmë ne se me këtë mimikri fetare dhe politike do të përfitojmë simpatinë dhe përkrahjen e faktorëve politikë evropianë e amerikanë për qëllimet tona? Jo! Mimikritë jo vetëm se nuk çmohen por në thelb përbuzen, prandaj nuk shpërblehen me liri, me pavarësi, me shtet. Papa Gjon Pali i Dytë, me gjithë përkushtimet e krishtera që iu treguan nga ana e disa njerëzve të politikës dhe disa intelektualëve tanë besimtarë dhe jobesimtarë, shumica e tyre ish-komunistë të devotshëm, asnjëherë nuk i shqiptoi togfjalëshat liri e Kosovës a pavarësi e Kosovës. Italia, e cila më shumë se asnjë vend tjetër i Evropës është përzier dhe vazhdon të përzihet, fshehtas dhe haptas, në punët fetare dhe jofetare të shqiptarëve, paraqitet sot si vendi që më së shumti e kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe e kundërshton duke thënë se Kosova do të ishte shtet i dështuar ekonomikisht, që do të shkaktonte ikjen e shumë shqiptarëve në Gadishullin Apenin!
Mos po mendojmë ne se me ndryshimin e parimeve themelore të gjuhës standarde vetëm pse na qenka krijuar në kohën e komunizmit apo me krijimin e një gjuhe tjetër, të dytë, standarde në Kosovë, si dëshmi e një identiteti tjetër të ri kombëtar, në të vërtetë mbikombëtar, pse kjo u pëlqen edhe disa qarqeve politike të huaja, mos po mendojmë ne, pra, se për një vetëvrasje të tillë historike, kulturore, politike dhe morale, vërtet, do të shpërblehemi prej atyre para të cilëve i ndërrojmë ngjyrat si kameleonët në degët e lisave?
Gabojmë në qoftë se themi: po.
 

KURRË NUK KAM DËGJUAR MË SHUMË GËNJESHTRA SE NË FUNDIN E JANARIT E NË FILLIMIN E SHKURTIT TË KËTIJ VITI!
 

Cili popull me tradita historike shtetërore, me kulturë të pasur, me gjuhë shekullore standarde, me identitet të fortë kombëtar nuk do të shtronte pyetjen: a mund të trajtohen fare seriozisht ata që aq lehtë ndryshojnë gjuhën standarde, ndryshojnë besimin fetar, ndryshojnë identitetin kombëtar? Cili prej këtyre popujve nuk do të thoshte: ata që ndërrojnë lehtë gjuhë e fe e identitet historik ata i ndërrojnë lehtë e shpejtë edhe miqtë. Ata lehtë mund të përdoren, por ata nuk meritojnë të nderohen!
Dhe më tej. Kurrë për një kohë më të shkurtër nuk kam dëgjuar më shumë gënjeshtra për individë, ngjarje, të bëra e të mosbëra politike se ç’kam dëgjuar në fundin e janarit e në fillimin e shkurtit të këtij viti! Dhe, kjo që kam dëgjuar dhe kam lexuar në këtë kohë më nxit të bëj edhe këtë pyetje. Mos po mendojmë ne se duke e falsifikuar historinë tonë më të re, siç po ngjet javëve të fundit sidomos – duke e margjinalizuar plotësisht rolin vendimtar, historik, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e Kosovës prej pushtimit të Serbisë dhe duke e glorifikuar politikën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive të tjera satelite të saj që ishin kundër UÇK-së dhe luftës së saj, mos po mendojmë ne, pra, se me një servilizëm të këtillë ndaj atyre që politikën nënshtruese e quajnë politikë paqësore, do të përfitojmë farë përkrahjeje më shumë për qëllimin tonë historik: për pavarësinë e Kosovës? Jo. Pa dyshim jo.
As Konferencën e Rambujesë; as ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në mars të vitit 1999; as vendosjen e KFOR-it dhe të UNMIK-ut në Kosovë në qershor të vitit 1999; as bisedimet e filluara për statusin përfundimtar të Kosovës tani, nuk i ka sjellë mimikria, servilizmi – politika nënshtruese e LDK-së dhe e partive satelite të saj. Edhe Konferencën e Rambujesë; edhe ndërhyrjen e NATO-s në mars të vitit 1999; edhe vendosjen e NATO-së dhe të KFOR-it në Kosovë në qershor të vitit 1999; edhe fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës tani; edhe pavarësinë e pashmangshme sovrane të Kosovës i ka sjellë lufta e filluar si luftë vetëmbrojtëse dhe e vazhduar si luftë çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe politika e qëndresës vepruese e intelektualëve, dhe e grupeve e partive ilegale. Dhe, këtë të vërtetë e dinë fare mirë të gjithë – edhe ndërkombëtarët, edhe vendorët. Por, ndërkombëtarët po na e servojnë rishtazi, tani duke e glorifikuar, gjedhen e politikës nënshtruese, që e quajnë paqësore, jo vetëm pse këtë politikë e kanë përkrahur deri nga fundi i vitit 1998, kur do ta pranojnë UÇK-në, por edhe pse një politikë e tillë iu përgjigjet tani gjatë bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës. Duan, kështu, që përpara ta shpallin të paligjshme çdo revoltë të pritshme të shqiptarëve në qoftë se statusi përfundimtar nuk do të nënkuptojë përmbushjen e idealit për të cilin janë dhënë aq jetëra dhe janë bërë aq sakrifica. Vendorët, ata që e bëjnë falsifikimin e historisë më të re të Kosovës, e bëjnë këtë siç e kanë bërë edhe përpara – të përgjunjur, servilizueshëm dhe për të njëjtin qëllim pë të cilin e kanë bërë edhe përpara – për karrierizëm të përkrahur!
 

Le ta bëjnë! Le ta bëjnë, por të mos harrojmë: I përgjunjur – I humbur!
 

Përfundimi
 

Identiteti i një populli nuk është i caktuar njëherë e përgjithmonë. Identiteti i një populli është kategori historike: në procesin historik ai vjen duke u pasuruar apo, madje, duke u varfëruar dhe, rrjedhimisht, më pak a më shumë, duke ndryshuar. Në procesin historik identitetet e kombeve marrin dhe japin, sepse fatmirësisht marrin dhe japin kulturat e tyre, qytetërimet e tyre. Shqiptarët e sotëm kanë shumë të përbashkëta me shqiptarët e kohës së Rilindjes Kombëtare, fjala vjen, por shqiptarët e sotëm me shumëçka edhe dallojnë prej tyre, sepse shumë nga shqiptarët e sotëm kanë marrë shumëçka prej kombeve në shtetet e të cilave kanë jetuar një kohë apo edhe vazhdojnë të jetojnë edhe më tutje. Këto janë ndryshime të natyrshme, të vetvetishme, që ndodhin në identitetet e kombeve gjatë jetës së tyre historike. Por, të ndërhysh në përbërjen e identitetit në mënyrë të shtirë, të panatyrshme, për shkaqe politike, ideologjike, fetare e të tjera do të thotë të bësh dhunë ndaj tij. Dështimi historik i komunizmit është pasojë, përpos të tjerash, edhe e ndërhyrjes së tij në identitetin kombëtar, e dhunës së tij të vazhdueshme ndaj këtij identiteti me fenë e quajtur komunizëm dhe me gjedhe kulturore sovjetike!
Sado konvertimi fetar është e drejtë vetjake e njeriut, ftesat për konvertim në fenë e të parëve, në mënyra të ndryshme të përsëritura jo një herë në Kosovë, janë propagandë, që nuk mund të trajtohet ndryshe përpos si përpjekje për ndërhyrje në vetëdijen fetare, prandaj edhe në identitetin kombëtar, në të vërtetë në përbërjen e tij!
Nuk ka nevojë të theksohet posaçërisht se ndërhyrjet e tilla kanë çmim psikologjik, shpirtëror, moral dhe, pse jo, historik, që paguhet gjatë.
Për këtë arsye është shumë e vështirë, në mos edhe e pamundur, të përfitohet opinion më i gjerë për përkrahjen e këtyre ndërhyrjeve.
 

E kuptueshme.
 

Për përkrahjen e këtyre ndërhyrjeve të jashtënatyrshme, në thelb të dhunshme, mund të përfitohen vetje dhe grupe për të cilat të flasësh shkencërisht dhe të flasësh politikisht, njësoj, do të thotë të flasësh anshëm, duke pasur parasysh vetëm dobinë pushtetore vetjake, grupore, a partiake. Predikuesit dhe përkrahësit e ndërhyrjeve të tilla, prandaj, edhe gjenden në çerdhet e mimikrisë, në përgjithësi, të njerëzve lokalistë dhe partiakë! Prej andej më së shpeshti edhe vijnë ata që, rëndom, nuk duan a nuk mund të shohin përtej kthesës së parë, sepse pamëria e tyre, për shkaqe partiake, lokaliste e karrieriste, është e rrudhur!
Pavarësisht pse në përpjekjet për ndryshimin e gjuhës standarde, të krijuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në Tiranë, në vitin 1972; për tejshquarjen e vetëdijeve fetare dhe favorizimin politik të krishterimit; për krijimin e identitetit të ri kombëtar kosovar – pavarësisht, pra, pse në të gjitha këto përpjekje janë të inkuadruar, kush haptas e kush ende fshehtas, jo vetëm pjesëtarë të klasës politike dhe intelektuale, po edhe disa institucione politike e shkencore, numri më i madh i shqiptarëve jo vetëm se qëndron larg tyre, por është kundër tyre. Është e qartë se populli shqiptar mbetet i përkushtuar ndaj gjuhës ekzistuese standarde, ndaj gjendjes ekzistuese fetare dhe ndaj identitetit historik kombëtar.
 

E kuptueshme.
 

Dështimi i përpjekjeve të sipërtrajtuara është i koduar në separatizmin e tyre. Ky shkrim është i paramenduar si kontribut për dështimin e tyre më të shpejtë.
Ashtu qoftë!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
3.00