Home | Opinion | Raporti i ODIHR dhe reforma zgjedhore

Raporti i ODIHR dhe reforma zgjedhore

image
Raporti i ODIHR thotë qartë dhe me fakte se gjashtë nga shtatë elementët e zgjedhjeve nuk e morën provimin e 8 Majit. Ai identifikon qartë dy palët politike, PD e PS për përgjegjësitë e tyre, mungesën e vullnetit politik dhe rolin negativ në tensionimin politik dhe procesin zgjedhor.

 

 


 
 
Nga Afrim Krasniqi

 

 


Zgjedhjet e 8 Majit do të duhej të ishin një test me rëndësi politike për Shqipërinë në aspiratat e saj për ftesën e
anëtarësimit nëBE. Kështu patën paralajmëruar institucionet ndërkombëtare dhe patën premtuar vetë liderit politik në fjalimet e tyre në mitingje apo monologët televizivë. Ato ishin zgjedhjet e para lokale të një vendi anëtar në NATO, zgjedhjet e dyta lokale nën organizimin e maxhorancës së djathtë, dhe testi i parë politik pas zgjedhjeve të kontestuara parlamentare të vitit 2009. Pas 8 majit, sipas traditës shqiptare, fituesit i panë këto zgjedhje si më të mirat në histori, të tjerët si një shans tjetër i humbur.

Raporti përfundimtar i ODIHR/OSBE e bëri vlerësimin e tyre përfundimtar. Sipas raportit, zgjedhjet e 8 majit ishin transparente (sipas raportit, falë medias) dhe konkurruese (sipas raportit, falë mbështetjes gati të njëjtë midis dy partive të mëdha politike). Për të bërë zgjedhje duhen disa elementë: parti e kandidatë, administratë zgjedhore, qeveri, gjykatë zgjedhore, legjislacion zgjedhor dhe vetë zgjedhës. Raporti i ODIHR thotë qartë dhe me fakte se gjashtë nga shtatë elementët e zgjedhjeve nuk e morën provimin e 8 majit. Ai identifikon qartë dy palët politike, PD e PS për përgjegjësitë e tyre, mungesën e vullnetit politik dhe rolin negativ në tensionimin politik dhe procesin zgjedhor. Ai kritikon për paaftësi profesionale dhe sjellje partiake organin administrativ (KQZ) dhe gjykatën (Kolegjin Zgjedhor). Ai evidenton të meta që lidhen me detyrimet e qeverisë në zgjedhje dhe madje evidenton raste të përdorimit të qartë të burimeve shtetërore në fushatë (shkolla, universitete, nëpunës në ministri). Ai kritikon për paqartësi dhe bazë për kontestim disa nene thelbësore të Kodit Zgjedhor. Pra, nga të gjithë elementët, nga kritikat kanë shpëtuar vetëm zgjedhësit, pjesëmarrja e lartë në votim e të cilëve konsiderohet si sinjal pozitiv për demokracinë.
Pra, raporti i ODIHR bëri një skaner të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të paanshëm të zgjedhjeve të 8 majit, epitete që u cituan nga deklaratat e para të dy liderëve kryesorë partiak. Në raste të tilla praktikat demokratike janë të njohura: institucionet dhe palët përgjegjëse evidentojnë problematikën, njohin përgjegjësitë e veta politike, shprehin vullnetet për përmirësim, krijojnë strukturat punuese dhe përcaktojnë afatet e vendimmarrjes politike. Shqipëria edhe në këtë traditë mbetet një rast i veçantë. Ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Palët pranuan raportin, por e lexuan atë me një gjuhë krejt tjetër nga ajo që lexojnë të huajt dhe shqiptarët. Ata kërkuan brenda tij fraza lavdëruese për veten dhe etiketuese për kundërshtarin, dhe me këtë ngarkesë të gabuar konflikti, më shumë kërcënuan sesa ftuan palën tjetër për bashkëpunim. Logjika ballkanike e "faktit të kryer" dhe "fitores me çdo kusht" dominoi mendësinë e veprimit para e postzgjedhor, kështu që raporti i ODIHR nuk ishte surprizë, nuk tha gjëra që nuk i dinim dhe për pasojë, vështirë të sjellë ndryshime të mëdha në modelin e sjelljes tonë politike. ODIHR duket se i dha një shuplakë të fortë politikës shqiptare, e cila është mësuar me shuplaka të tilla, kështu që goditja më e madhe është ajo që kjo politikë, e thënë edhe nga ODIHR, i dha vendit dhe aspiratave të tij për demokraci funksionale dhe integrim europian.

Për një qytetar korrekt mbetet e hapur pyetja: Çfarë ndodhi me votën time? U numërua? (Njëra palë thotë PO) U respektua? (Dy palët thonë JO, por KQZ thotë PO) Çfarë na duhen zgjedhjet? (Një palë thotë për ti shërbyer popullit, tjetra thotë për të vjedhur popullin) Çfarë na duhen institucionet? (Dy palët i kërkojnë të varura nga vetja, të pavarura nga pala tjetër). Çfarë na duhet ODIHR? (Njëra palë thotë për të garantuar zgjedhjet e lira, tjetra thotë për të ndihmuar me këshilla). Dhe kryesorja, përse bëmë zgjedhje, përse gjatë një viti shteti e shoqëria mbetën peng i një fushate, përse u deshën 4 muaj për të dalë rezultati final, përse dyshimi për votën është një sëmundje e kompleks kombëtar, përse tregtia me votën po bëhet biznesi më fitimprurës? Midis shumë debateve dhe këndvështrimeve ajo që mbetet e dukshme dhe e pakontestuar është fakti se 8 maji nuk ishte një biletë për në BE. Ky fakt dhemb, dëshpëron dhe i njeh të drejtën 1-2 liderëve politikë bashkë me oborret e tyre militante të dënojnë kolektivisht shoqërinë dhe shtetin shqiptar. Në shtator palët kanë paralajmëruar reformë të re zgjedhore.

Njëra palë, ndonëse dhjetëra herë ka premtuar të votojë çdo propozim të palës tjetër, thotë se reforma duhet të jetë teknike dhe e shpejtë. Pala tjetër thotë se reforma duhet të jetë e plotë dhe e shoqëruar me akte të tjera politike. Agjendat e dy palëve ecin në dy drejtime të kundërta, ndaj edhe reforma zgjedhore pritet të ketë të njëjtin fat si në vitet e kaluara: e vonuar, e mangët, e njëanshme dhe me siguri, bazë për kontestimet e së ardhshmes.
Ka shumë debate mbi atë se çfarë duhet përmirësuar apo ndryshuar në reformën zgjedhore. Vetë ODIHR bën mbi 20 rekomandime, nga të cilat nëse nuk përmbushet pika 1 (nevoja për vullnet politik) nuk kanë vlerë asnjë rekomandim tjetër. Shanset janë që kjo të ndodhë. Gjithsesi, për interes të publikut duhet evidentuar çfarë realisht përbën një reformë zgjedhore, bazuar edhe në rekomandimet e ODIHR 2009 dhe 2011. Personalisht reformën zgjedhore e shoh tej rutinës periodike, si një reformë themelore për sistemin politik dhe demokracinë funksionale.

1. Ajo duhet të garantojë votën dhe integritetin e saj (të përfshijë votimin e emigrantëve, votimin alternativ, të bëjë kalimin në sistem proporcional me korrektim kombëtar, të sigurojë proporcionalitet midis votave dhe mandateve). Ajo duhet të garantojë administrim profesional dhe të besueshëm (heqjen dorë nga KQZ dhe komisione dy apo shumëpartiake, kalimin në sistem administrimi me gjyqtarë dhe nëpunës publike të zgjedhur me short, heqjen dorë nga monopoli partiak në emërimin, zëvendësimin dhe orientimin e çdo niveli komisionesh).

2. Ajo duhet të garantojë transparencë financimi (kritere të reja dhe të qarta financimi të fushatave, publikimi i financimeve para ditës së votimit, ndarje të qartë të partive dhe kandidatëve nga burimet kriminale dhe lobuese, dhënia fund e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë, ndarje e qartë e buxhetit publik me atë elektoral, masa ndëshkuese ligjore për financimet e padeklaruara apo të dyshimta, etj).

3. Ajo duhet të krijojë konkurrencë të ndershme elektorale (liberalizim i hapësirës ligjore për kandidatë të pavarur dhe prurje të reja politike, të sigurojë votim nominal me lista të hapura kandidatësh, jo me lista të emëruara partiake). Ajo duhet të krijojë përputhshmëri kushtetuese dhe drejtësi gjykimi (të korrektohet afati 4 vjeçar për pushtetin vendor, të hiqet çdo privilegj ekstrakushtetues i partive ndaj kolegjit zgjedhor dhe i vetë kolegjit mbi sistemin gjyqësor në vend).
Ky draft ndryshimesh nuk ka arsye morale të mos bashkojë PD, PS dhe çdo parti tjetër politike. Çdo devijim në praktika dhe formula përjashtimi, p.sh konsensus për ndarje bipolare të KQZ apo administrimit, rregulla të ashpra kundër palëve të treta, konsensus për të mos bërë transparencën reale financiare, etj, është zgjidhje gjysmake dhe rrezikon të shkojmë aty edhe një dekadë tjetër aty ku jemi. Shembulli nuk na mungon. Kush lexon raportin e ODIHR 2001 dhe atë 2011 paragrafi vlerësues për zgjedhjet si bazë e mirë për të ardhmen, është identik.


Së fundi, zgjedhjet dhe proceset zgjedhore janë provë e qeverisjes dhe sistemit politik. Cilat janë pasojat e kritikave? Kush mban përgjegjësi për dështimin e radhës? A do të përsëritet historia e kompensimit politik apo ajo e injorimit të palës së dëmtuar? Dy përvojat i kemi pasur dhe i dimë përfundimet. Koha kërkon një zgjidhje të tretë, një pakt kombëtar politik për reforma reale, një pakt integrimi, një pakt për ti dhënë fund tregtisë dhe pazareve me votën, një pakt që e ndan Shqipërinë nga tranzicioni, nga sjelljet politike por edhe nga liderit simbole të tij. A është e gatshme Shqipëria politike ta bëjë këtë hap? Optimistët numërohen me gishtat e dorës. A do të vijë përsëri zgjidhja nga jashtë? Pritjet janë të mëdha. A është kjo zgjidhja më e mirë? Jo, por për sot dhe më tej pavarësisht dëshirës apo betimeve për "sjellje sovrane" mbetet zgjidhja e vetme.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00