Pushteti dhe shteti
Kushtetuta e shtetit të Kosovës është ndërtuar si produkt i pakos së Ahtisarit në të cilin bëjmë be tërë ditën e lume se është plani më i mirë i mundshëm dhe i cili me mijëra herë direkt dhe indirekt e ka definuar Kosovën si shtet qytetar, laik dhe krejtësisht sekular.
Janez Frrokaj
Kërkesat e fundit të grupeve politike për ndryshimet e amendamenteve për futjen e lëndës fetare në shkolla dhe përdorimit të shamisë janë goditje e drejtpërdrejtë në kushtetutë e cila e definon Kosovën si shtet laik dhe qytetar, dëmtojnë rëndë kohezionin e brendshëm kombëtar, ndryshojnë në themel konceptin e shtetit. Për herë të parë në historinë shqiptare një shtet si Kosova i cili nuk është shtet ekskluzivisht i shqiptarëve, por i qytetarëve sipas planit të Ahtisarit, por që është me shumicë dominante shqiptare merr pamjen tendencioze të një shumice fetare brendashqiptare. Këto propozime mund të definohen si argat i djallit dhe djalli natyrisht se fshihet në detaje.
Histori…
Krijimi i shtetit të Kosovës është gjakim i qytetarëve të Kosovës të paktën në një shekull tragjedie kombëtare të shqiptarëve pa dallim krahine, besimi dhe ideje. Kjo idiomë bashkimi është sprovuar në vazhdimësi në luftërat, rëniet dhe ngritjet që kanë bërë të gjithë shqiptarët nëpër kohë, histori dhe pikëllime të përbashkëta për kauzën e shtetit. Vetë koncepti i krijimit të Shqipërisë londineze nga Ismail Qemajli ishte një koncept properëndimor që bashkonte në mënyrë të natyrshme religjionet shqiptare krejtësisht pa u hetuar para idesë kombëtare.
Me fillimin e luftës në Kosovë nëpër kancelaritë perëndimore është bërë një pyetje para marrjes së miratimit për përkrahje të Kosovës dhe shqiptarëve, cili është koncepti për ndërtimin e Kosovës së ardhme, cila është kauza e luftës, natyrisht se në atë kohë përkundër disa përpjekjeve minore për të dërguar disa luftëtarë në emër të islamit politik forcë dominante dhe shpëtimtare u bë kauza për idenë nacionale dhe ndërtimin e një Kosove shtet qytetarë dhe properëndimor, kauzë e lirisë dhe pavarësisë. Kurrë më shumë nuk mund të dëmtohet kjo kauzë pasi ende bëhen pyetje mbi orientimin e kësaj shoqërie dhe në të njëjtën kohë “vëllai i madh” po na vëzhgon…
Në të kundërt të erës politika serbe, shtypi serb, akademia serbe tërë kohën deri në ditët e sotme dhe në këtë çast trumbetojnë në Europë dhe Azi se Kosova ishte dhe është një shoqëri me premisa të “fundamentalizmit islamik” dhe shih paradoksin dhe realitetin në të njëjtën kohë diplomacia serbe suksesin më të madh në stopimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës e ka arritur në shtetet me rregullim fetar ku rol dominant ka islami politik, ku lënda fetare dhe feja zënë rol dominant, ku zbatohen ligjet e sheriatit, ku shamia dhe për më keq burka janë të sanksionuara me ligj dhe ku akoma më keq pikërisht këto shtete janë financuese të sprovuara të terrorit kundër promovuesit dhe krijuesit të shtetit të Kosovës - Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njëkohësisht është evidente se financojnë shoqatat që në Kosovë fshihen prapa propozimeve për lëndë fetare dhe shami.
Antihistori…
Gjithmonë ka pasur një tendencë të vazhdueshme sidomos në Kosovën e pasluftës për të devijuar islamin tradicional shqiptar i cili ka historinë e vet të ekzistencës dhe tolerancës së shkëlqyer brendashqiptare. Islami tradicional ka promovuar në vazhdimësi kohezionin dhe ruajtjen e traditës kombëtare para fetares njëjtë sikur ka vepruar edhe kisha katolike shqiptare e cila poashtu nëpër kohë dhe histori është sakrifikuar dhe martirizuar për kombin dhe ekzistencën shqiptare në Kosovë. Në këtë kohë kur po sprovohet të ndërtohet një antihistori e maskuar me “të drejta njerëzore” të cilat po shkelen në imagjinatë është detyrë e institucioneve të shtetit në rend të parë, e grupeve fetare që përfaqësohen në Kosovë që të ngritin zërin dhe të stopojnë këtë kërkesë e cila në mënyrë të maskuar kërkon që të prekë rregullimin shtetëror (kush thotë se këtë ligj e kanë shtetet e Bashkimit Europian vonë do t’i bie ndërmend se kjo është një kërkesë krejtësisht e maskuar për të ndërtuar një koncept të fesë shumicë mbi rolin e shtetit dhe ndërtimin sekular të shoqërisë)…
Fakte para finales…
Në bazë të përshkrimit që ka bërë media në ndryshimet e amendamenteve ka disa fakte që notojnë në mjegull pasi “ujku do mjegull” e të cilat në mënyrën më të trishtueshme mjegullojnë realitetin dhe qëllimin e këtyre propozimeve (Serbia thoshte se me ndryshimet kushtetuese të vitit 1989 Kosova asgjë nuk humbë vetëm avancohet, përkundër se nuk ka paralele krejtësisht të njëjtë me këto propozime ). Propozim amendamentet thuhet se mbështeten nga 27 deputetë të cilët përbëjnë grupacionet politike të Koalicionit për Kosovë të Re, Partisë së Pavarur Liberale dhe Grupit 6+. Tani se ç’farë kërkon Partia e Pavarur Liberale në këtë propozim për lëndë fetare dhe shami duhet të pyetet qeveria e Kosovës përse “ujku do mjegull”. Shih paradoksin dhe ironinë e historisë ç’farë margaritari përmban neni 3 paragrafi 7 i cili riformulohet duke na “mbushur mend” se “Institucionet shkollore publike dhe private duhet të përmbahen nga çdolloj i diskriminimit fetar apo etnik si dhe përhapja e urrejtjes ndërfetare e etnike”.
Ç’farë zbulimi epokal me këtë ndryshim kërkohet pikërisht diç që sanksionohet në aktin themeltar siç është kushtetuta që e definon Kosovën si shtet laik, sekular ku feja është e ndarë nga shtetit dhe logjikisht në shtete të tilla moderne nuk ka vend për propagandë dhe urrejtje. Në fakt propozuesit kërkojnë diç tjetër dhe thonë diç tjetër. Thjeshtë tallen me ne dhe shtetin e Kosovës. Më pas në arsyetim vazhdon margaritari për të “mbushur akoma më tepër mend” se “Propozimi afirmon politikat e mosdiskriminimit dhe pengon përhapjen e urrejtjes”. Ironi perfekte kush guxon të përhap urrejtje në aspektin fetar në shkollë dhe në publik kur kushtetuta dhe shteti janë laike dhe e ndalojnë në thelb këtë dukuri…
Ergenekon…
Kështu quhet procesi kundër elitës së gjeneralëve turq të cilët sipas aktakuzës kanë dashur të largojnë nga pushteti në Turqi partinë e cila aktualisht qeverisë të kryeministrit Erdogan dhe e cila ka rrënjë islamike dhe po tenton të ndryshon orientimin e Turqisë e cila nga arkitekti i saj Ataturku u definua si shtet laik dhe properëndimor, në fakt gjeneralët turq kanë qenë një lloj garanti dhe kanë rrëzuar disa qeveri në dekadat e kaluara për të mbrojtur shtetin laik. Tashmë elita e gjeneralëve turq gjendet në burg para një procesi të parashikuar për shkak se kanë tentuar të ngriten mbi “të mirat e Republikës”. Ky është një rast paralel vetëm sa për të rikujtuar se ku dërgon ndryshimi i rendit laik të shtetit. Dikush mund të bëjë be dhe rrëfe se asgjë nuk po ndryshon në rregullin kushtetues, edhe në Turqi asgjë nuk ka ndryshuar në rregullin kushtetues vetëm taktikat, improvizimimet dhe disa nene kanë pësuar “modernizim”. Shteti i ndërtuar mbi nacionalizëm etnik apo fetar natyrisht se kërkon dhe prodhon armiq real apo të shpikur dhe ky nuk është model krenar për funksionimin e Republikës.
Veriu…
Kryeministri dhe qeveria të përkrahur në mënyrë parimore nga opozita politike arritën një sukses të rëndësishëm në veri të vendit përkundër dilemave dhe qasjes së trajtimit çështjes së veriut. Në fakt intervenimi në veri ka tendencë të qartë për të ndërtuar një shtet funksional dhe për të integruar në kushtetutë shkronjat themeltare të saj sipas pakos së Ahtisarit, tani kujt i është dashur që në këtë kohë sfide për veriun dhe përse jo për funksionimin e shtetit të Kosovës, kur për herë të parë ky shtet i brishtë tregoj dhëmbët dhe mori përkrahjen nga administrata Amerikane dhe qeveritë më me ndikim të orientimit Evropian në shtete ku feja nuk luan rol dominant, kujt i është dashur që të bëjë temë “historike” shaminë dhe lëndën fetare në shkolla, e cila më së shumti ju shkon për shtati ideve të njerëzve që qëndrojnë në bllokada për ta bllokuar shtetin e Kosovës, një temë e tillë është absurde dhe indirekt shërben edhe politikës serbe për të larguar vëmendjen nga era e humbjes së veriut.
Pushteti dhe shteti…
Urgjenca e këtyre propozimeve për ndryshim amendamentesh (lexo ndryshim të orientimit të shtetit sepse ky është qëllimi afatgjatë) u diskutua se është një deputet i cili po kërcënon se del nga koalicioni qeverisës nëse nuk merren parasysh kërkesat e tij dhe të grupacionit të tij politiko fetar. Puna e parë e pushtetit nuk është më i rëndësishëm se shteti dhe në këtë postulat është betuar me mijëra herë politika e Kosovës, pushteti është detyrë edhe e opozitës që ta mbrojë sipas marrëveshjes politike deri në vjeshte të vitit 2013 përballë kërcënimit për tronditjen e themeleve të shtetit nga një shtet laik në një shtet ku në mënyrë të maskuar dhe gjoja të pavërejtur feja po kërkon hyrje për në derën e pasme për ta shndërruar shtetin e Kosovës në një këngë lahute që kërcen sipas melodisë së armiqve historik të krijimit të tij. Duke qenë pjesë e familjes Evropiane të shteteve, i ndërtuar nga diplomacia amerikane, pushteti i sotëm duhet të kuptojë se vënia në pah e fesë e dëmton shtetin në palcë për këtë arsye pushteti duhet të ecë paralelisht me shtetin dhe me miqtë e shtetit të pavarur të Kosovës. Ka një rrezik real që ky koncept të dëtohet në këtë kohë të pakohë. Nëse këtë e lejojnë miqtë e Kosovës vetëm për të shpëtuar një moment të caktuar politik e vrasin pa dashje fëmijën e tyre.
Kushtetuta…
Kushtetuta e shtetit të Kosovës është ndërtuar si produkt i pakos së Ahtisarit në të cilin bëjmë be tërë ditën e lume se është plani më i mirë i mundshëm dhe i cili me mijëra herë direkt dhe indirekt e ka definuar Kosovën si shtet qytetar, laik dhe krejtësisht sekular. Nëse lexohet me kujdes pakoja e presidentit Ahtisari duke i përsëritur me dhjetëra herë këto kërkesa për këtë shtet të ri Evropian krejtësisht të pandikuar nga feja sikur të krijohet përshtypja se ka parasysh se mund të ngritet dikush e të thotë se nuk jemi mirë pa lëndë fetare në shkolla. Kushtetuta nuk është top futbolli që mund të dërgohet sa herë të duash jashtë portës, natyrisht se kushtetuta përjeton në shtete sovrane ndryshime dhe reformime, por nuk ndryshon koncepti mbi orientimin e shtetit sa herë dikujt t’i teket që të del me propozime jashtë konturave ligjore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës e sanksionon në mënyrë ligjore dhe thellësisht demokratike të drejtën e secilit qytetar në besim dhe në ushtrim të lirë të fesë, besimit polik apo fetar. Kërkesat e vazhdueshme për shamitë të cilat nuk janë të ndaluara, por janë të ndaluara në institucione për të mos i dhënë orientim fetar shoqërisë dhe ky nuk është diskriminim, por obligim kushtetues dhe kërkesa tjetër për lëndë fetare e cila aspak nuk është e nevojshme sepse në kuadër të sistemit laik mësohet në mënyrë të barabartë dhe të pavarur për të gjitha religjionet botërore dhe historinë e tyre pa anime dhe shtrembërime e bëjnë kushtetutën të dëmtuar në thelb të saj, sepse s’ka logjikë të thuhet se je shtet laik dhe ke shami dhe simbole të tjera fetare në shkolla dhe ke lëndë fetare në shkolla publike dhe private ku secili e interpreton fenë dhe historinë sipas interesit të tij. Ky është shtet në këtë variant të propozuar kuazifetar…
Feja dhe politika…
Nuk ka mënyrë për ta shpëtuar Kosovën dhe konceptin e ndërtimit të shtetit dhe shoqërisë përveç stopimin me ç’do kusht të këtyre propozimeve antishtetërore, edhe ashtu ne po përballemi përkundër se kemi të bëjmë me individë dhe akte individuale të shqiptarëve me komplot në bazën Amerikane Fort Dix e cila ka strehuar me mijëra refugjatë gjatë luftës, me vrasje të ushtarëve Amerikanë në Frankfurt të Gjermanisë ku vrasësi himnizohet në faqe interneti si hero i kauzës së islamit politik antiamerikanë, me komplote për sulme individuale të shqiptarëve që i janë bashkuar skuadrave të terrorit për të sulmuar shtetin Amerikan. Këto akte nuk e kanë dëmtuar shtetin e Kosovës për fat të mirë duke u konsideruar individuale dhe duke u distancuar shoqëria e Kosovës në mënyrë të prerë nga këto akte sikundër që duhet të distancohet edhe nga tendenca për të ndryshuar orientimin shtetëror dhe frymën e kushtetutës. Vetëm feja larg politikës e shpëton etnikumin shqiptar në Ballkan duke ndërtuar shtet funksional dhe modern ku feja është besim demokratik i secilit, por nuk ka asnjë rol në shoqëri dhe larg qoftë të jetë element kushtetues dhe për derën e pasme të instalohet në planin afatgjatë një shtet fetar i cili është shërbimi më i keq që i bëhet atdheut dhe kauzës kombëtare. Këmbanat po bien për të gjithë, për ata që e kuptojnë momentin dhe për ata që mbase do ta kuptojnë kur është tepër vonë…
Comments (0 posted)
Post your comment