* * *
Historinë nuk e ka shkruar kurrë ai që ka qenë humbës! Perandoria Otomane ishte para shpartallimit total të saj! Edhe në atë kohë sulltanët ishin më të mëshirshëm dhe më dorëlirë ndaj popujve tjerë, sllavë në radhë të parë se ndaj atyre që e kishin pranuar fenë e tyre e cila ka qenë e imponuar!
Behxhet Sh. Shala
Komonvuelti islamik apo vallja e turbanëve: Republika e Turqisë është shumë e pranishme në Kosovë. Në aspektin “kulturor” i ka pushtuar ekranet televizive. Për të ruajtur freskinë emocionale kjo bëhet me seriale dashurie, ndërsa për të ngritur nivelin e adrenalinës ka seriale me shumë dhunë, gjak, shkatërrime etj. I kemi dy ekstreme; Sheherzaden dhe Një Komb. Njëra e përjashton tjetrën apo njëra e plotëson tjetrën. Ministria për Kulturë dhe Arsim nuk kanë reaguar asnjëherë për këtë përpjekje për “riemancipim”.
Ekonomia turke e ka një shtrirje thuaja në gjithë Kosovën dhe, deri më tani ka fituar më së shumti në procesin e privatizimit duke privatizuar apo marrë me koncesion Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari ”, autostradën Vërrmicë – Merdare dhe duket atë Prishtinë – Han i Elezit. Turqve u ka mbetur edhe një kafshatë e madhe, privatizimi i Postë Telekomit të Kosovës. Me gjasë, edhe këtë do ta bëjnë. Kështu e ka ekonomia e tregut.
Vizitat e zyrtarëve turq , nga niveli më i ulët deri te kryeministri Erdogan ishin të shpeshta kohëve të fundit. Turqia e ka pranuar shtetin e Kosovës dhe lobon edhe te shtetet e tjera. Bashkëpunimi me Turqinë është i mirë, madje i shkëlqyer. Në këtë kontekst ishte edhe vizita e Ministrit të Arsimit të Turqisë, z. Omer Dinçer. Tyrbeja e Sulltan Muratit është bërë vend pelegrinazhi për të gjithë mysafirët nga Turqia, ndërkaq që për shqiptarët e Kosovës nuk ka ndonjë domethënie apo vlerë, as në aspektin simbolik.
Shqiptarët që kanë jetuar në territoret (atëherë nuk ka pasur shtet të formuar shqiptar), që nga viti 1389 llogariten se kanë qenë të pushtuar. Nuk ka asnjë mëdyshje se Perandoria Otomane, që nga Sulltan Murati deri te Sulltan Reshati kanë qenë okupues të shqiptarëve duke ushtruar ndaj tyre krime të tmerrshme, deri në përpjekje për ç’kombëtarizimin e tyre! Turqia i ka ngjarë shtetit vetëm pas ardhjes së Ataturkut në krye të saj dhe pas reformave rrënjësore që janë bërë!
Historinë nuk e ka shkruar kurrë ai që ka qenë humbës! Perandoria Otomane ishte para shpartallimit total të saj! Edhe në atë kohë sulltanët ishin më të mëshirshëm dhe më dorëlirë ndaj popujve tjerë, sllavë në radhë të parë se ndaj atyre që e kishin pranuar fenë e tyre e cila ka qenë e imponuar! Ajo perandori e kalbur, edhe në gërrhamat e fundit të saj ka mundur t’i shpërblejë shqiptarët duke mos i shtypur kryengritjet e tyre me gjak! Po të ishte e interesuar t’i ndihmonte shqiptarët apo arrnautët, territoret shqiptare do të ishin të bashkuar dhe nuk do të treteshin tri vilajete, sikur të mos ishin kurrë!
Pikërisht sulltanët kontribuan që territoret shqiptare të tkurren shumë! Në këtë mënyrë na shndërruan në kafshatë për përmbushjen e synimeve shoviniste të popujve sllavë. Pasojat i dimë të gjithë dhe po i vuajmë edhe sot e kësaj dite! Historinë e Kosovës, që nga mesjeta deri te shembja e kësaj perandorie e kanë shkruar vuajtjet e shqiptarëve, vrasjet ndaj tyre, varfëria, shpërnguljet deri te përpjekja për tjetërsim kombëtar! Ky është një tregim i gjatë andaj po përqendrohem vetëm në gjëra elementare!
Kush kënd e ka fyer: Ministri i Arsimit të Turqisë, gjatë një vizite në Kosovë dhe i shoqëruar nga ministri i MASHT, z. Ramë Buja, bëri një skandal diplomatik duke kërkuar që nga tekstet shkollore të hiqen pjesë ku fyhet periudha e sundimit të sulltanëve. Në praktikat diplomatike kjo sjellje nuk është e pranueshme madje edhe nëse ende do të ishim nën sundimin turk! Të kërkohet në mënyrë aq të lakuriqur rishikimi dhe rishkrimi i historisë i një shteti që është i pavarur dhe i pranuar ndërkombëtarisht nuk nënkupton asgjë tjetër përveç ringjalljes së instiktit kolonialist ndaj një vendi që dikur e keni sunduar me terror! Është përpjekje për rihapje të shumë varreve nga ekzekutuesit dhe varrmihësit! Është një agresivitet i papërmbajtur!
Turqia është dashur të distancohet nga myku mesjetar duke siguruar një ardhmëri evropiane dhe civilizuese! Dhe duke kërkuar falje trashëgimtarëve të viktimave si rezultat i një politike jashtëzakonisht represive që ka ushtruar ndaj shqiptarëve! Kjo kërkesë shumë jodiplomatike e diplomatit turk ka ardhure në kohën kur Serbia po bënë përpjekje shumë të mëdha për shkatërrimin e Kosovës! E shtetit të Kosovës ku pakica turke i gëzon të gjitha të drejtat. Këto të drejta nuk i gëzojnë pasardhësit e shqiptarëve në Turqi. Në njërën prej pyetjeve të gazetarëve kosovarë për të drejtën e shqiptarëve në Turqi në fushën e shkollimi, ministri Dinçer u përgjigj se kanë mundësi t’i vijojnë disa kurse dhe trajnime! Për të drejtën e shkollimit në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, nuk foli asgjë!
Befason komoditeti dhe liria me të cilën ministri turk i arsimit e bëri publike kërkesën për rishkrimin e historisë, duke bërë përpjekje për shfajësimin e Perandorisë Otomane nga e kaluara e saj pushtuese! Ishte edhe më befasues edhe reagimi i MASHT që po përpiqet të minimizojë dhe relativizojë këtë kërkesë, aq sa absurde po aq edhe nënçmuese! Disa këshilltarë të kësaj ministrie për të cilët jam i sigurt se nuk e dinë as radhitjen e shkronjave të alfabetit shqip po rrahin gjoks në mbrojtje të kërkesës së ministrit turk, vetëm për të ruajtur atë post të mjerë të cilin e kanë dhuratë për shkak të lakueshmërisë apo elasticitetit të skajshëm të boshtit kurrizor të tyre! Patriotizmi dhe profesionalizmi i tyre peshon dhe zë vend për aq sa është e madhe dhe e rëndë prapanica e tyre e rehatuar në fotelet luksoze!
Mendoj se kjo ministri duhet të angazhohet që ta zbus në shkallë të durueshme analfabetizmin në Kosovë, që nga niveli parashkollorë, deri te ai universitar! Nuk e besoj se ka më shumë analfabetë me diploma dhe tituj shkencorë në ndonjë vend të rajonit se që ka në Kosovë! Arsimi është si shkas ndërsa pasojat janë shumë të dukshme në shëndetësi, ekonomi, kulturë, sport, politikë etj. Analfabetët me diploma të kallashit dhe tituj shkencorë të gullashit i kanë uzurpuar vendet shumë kompetente, prandaj edhe nuk është për të mos besuar se kërkesa e ministrit turk nuk do të realizohet!
Po të kishim një arsim normal, nuk do të kishim gjendjen kur historinë kombëtare do të na shkruanim titistët, udbashët, spermatozoidët e Rankoviqit, bashkëpunëtorët e Sllobodan Millosheviqit si dhe “revolucionarët” e Tadiqit! Po të kishim historianë të vërtetë dhe histori, ndryshe do të trajtohej Drenica e Shaban Polluzhës, nuk do të heshtej në mënyrë kriminale Masakra e Tivarit, nuk do të përshkruhej me një rresht të vetëm në librat e historisë burgu 30 vjeçar i Adem Demaçit dhe kontributi kombëtar i tij thuaja 60 vjeçar! Nuk do të cilësoheshin si kundërrevolucionare demonstartat e vitit 1968, 1981, 1986 dhe se nuk do të harrohej aq shpejt lufta e lavdishme e UÇK-së!
Historia e vërtetë, përmes pasqyrimit objektiv të proceseve nga e kaluara, hap shtigjet për të ardhmen ndërkaq historia që e kanë shkruar deri më tani e në veçanti kjo që po bëhen përpjekje të na e shkruajnë (histori multietnike), jo që nuk siguron kurrfarë ardhmërie, por na kthen në të kaluarën!
Me të drejtë do të pyetni lexues të nderuar; ku është sot ASHAK (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës)! Nëse i përjashtoni disa anëtarë që gëzojnë respekt, të tjerët e bëjnë gjumin e ariut duke ëndërruar shokët: Ali Shukrinë, Sinan Hasanin, Sejdo Bajramoviqin, Rahman Morinën, shokun Duq dhe shokun Miladin! Mos t’u prishim gjumin! Po Instituti i Historisë ? Aty diku, afër Akademisë!
Turqia e sotme po përpiqet ta marrë rolin e Piemontit të vendeve islamike! Duke i rrënuar themelet e arkitektit dhe ndërtuesit të Turqisë moderne të Kemal Ataturkut! Duke e rishkruar historinë e tyre përmes përpjekjes së riciklimit të Perandorisë Otomane! Po harrojnë se Egjipti, Libia, Iraku, Jemeni dhe disa vende të tjera nuk janë larg! As gjeografikisht, e as me kohë! Prandaj kanë nevojë për përmirësimin e imazhit në mbështetje të lavdisë së dikurshme! Duke e gjetur adresën më të lodhtë për përmirësimin e imazhit! Kosovën e lodhur, me 100.000 probleme!
Comments (0 posted)
Post your comment