Berlini shënoi 50-vjetorin e “Murit”
Kujtimi i 50-vjetorit të ngritjes së Murit të Berlinit është, siç tha edhe kryebashkiaku i Berlinit, “detyrë e jona që të mbajmë gjallë këtë kujtesë dhe që tua përcjellim brezave të ardhshëm... ashtu që këto padrejtësi të mos përsëriten kurrë më.
Frank Shkreli
Ky muaj shënon 50-vjetorin e ndërtimit të Murit të Berlinit, që ndau më dyshë Berlinin dhe i cili shikohej si një simbol përcaktues i Luftës së Ftohët midis perëndimit demokratik dhe lindjes komuniste në Evropë. Një javë më parë, Berlini dhe e gjithë Gjermania kujtuan këtë përvjetor të hidhët për ata vetë dhe për të gjithë kontinentin evropian.
Vendimi i regjimit komunist të Gjermanisë Lindore shokoi botën kur vendosi të ndërtonte murin në vitin 1961, duke ndarë kështu Berlinin Lindor nga Berlini Perëndimor dhe në të njëjtën kohë fortifikoi të gjithë kufirin e saj me Gjermaninë Perëndimore, me qëllim për të ndaluar arratisjet nga Gjermania Lindore komuniste në Gjermaninë Perëndimore. Përveçse se ky mur shkaktoi vuajtje e agoni në radhët e miliona familjeve të ndara, historianët vlerësojnë se, në përpjekje për të kapërcyer murin gjatë viteve të komunizmit, mund të kenë vdekur rreth 700 veta, megjithëse ata theksojnë se në fakt askush nuk e di numrin e vërtetë të viktimave që kanë humbur jetën duke u përpjekur të arratiseshin nga Gjermania Lindore.
Udhëheqësit më të lartë të Gjermanisë morën pjesë në ceremonitë për të nderuar viktimat, duke përfshirë Presidentin Kristian Vulf, Kancelaren Angela Merkel, e rritur në ish-Gjermaninë lindore komuniste dhe kryetari i Bashkisë së Berlinit Klaus Voverajt.
Presidenti i Gjermanisë Vulf tha me këtë rast se gjermanët duhet të jenë krenarë për dëshirën e flakët që gjermano-lindorët treguan për liri e demokraci nën ish regjimin komunist si edhe për solidaritetin që treguan për ta gjermano-perëndimorët, gjatë asaj periudhe. Ai tha se “Muri i Berlinit duhet të jetë një kujtesë e gjallë se liria nuk mund të mposhtet dhe se asnjë mur nuk mund të zhdukte përgjithmonë dëshirën njerëzore për liri”. Ai shtoi gjithashtu se as “dhuna e disave gjatë periudhës komuniste, nuk mund të shlyente dëshirën e zjarrtë të shumicës për liri”.
Kancelarja Merkel vendosi një kurorë me lule në vendin përkujtimor të viktimave dhe foli mbi përvojën e saj pasi kishte qenë në moshën 7 vjeçare kur u ngrit Muri i Berlinit dhe në të njëjtën kohë nënvizoi mbresat që kjo masë barbare kishte lenë në jetën e saj. Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Voverajt tha se “të vrarët dhe të plagosurit, qindra mijëra të burgosur dhe politikisht të dënuar nuk janë të vetmet viktima të këtij Muri.... Miliona të tjerë u detyruan të heqin dorë nga mënyra e jetesës që ata dëshironin për veten dhe për familjet e tyre”.
Voverajt shtoi se “Muri ishte pjesë përbërëse e një sistemi diktatorial, e një shteti të pa drejtë dhe se ai pasqyroi një sistem të falimentuar, nga i cili njerëzit donin të largoheshin duke u arratisur”, bile-bile edhe duke rrezikuar jetën. Kryebashkiaku i Berlinit tha se tani “ky mur është pjesë e historisë, por ama nuk duhet të harrohet kurrë. Është detyra jonë që të mbajmë gjallë këtë kujtesë dhe që tua përcjellim brezave të ardhshëm... ashtu që këto padrejtësi të mos përsëriten kurrë më”, përfundoi kryebashkiaku Voverajt.
Ish- Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan në fjalimin e tij, tani të famshëm para portës Brandenburg të Berlinit më 1987, i kërkoi me këmbëngulje udhëheqësit të atëhershëm sovjetikë, “Zoti Gobaçov shembe këtë mur”. Muri filloi të rrënohej më 9 Nëntor 1989, duke u shembur zyrtarisht në Verën e vitit 1990. Ky ishte edhe viti që jo vetëm Berlini, por edhe popujt anë e mbanë Evropës Lindore filluan të festojnë rrëzimin e komunizmit. Me rënien e Murit të Berlinit morën fund spastrimet, gjyqet dhe ekzekutimet në masë dhe u zhdukën gullagët dhe kampet e përqendrimit që mbanin brenda me qindra mijëra disidentë që nuk pajtoheshin me regjimet e imponuara shtypëse komuniste të Evropës Lindore.
Kryebashkiaku i Berlinit, Voverajt falënderoi në mënyre të theksuar të gjithë ata që gjatë viteve të sundimit komunist përkrahën vendosmërisht lirinë për banorët e Berlinit duke përmendur edhe ish-presidentin amerikan Xhon Kenedi, i cili tha ai “na dha kurajo” me vizitën e tij që i pat bërë qytetit të ndarë të Berlinit. Më 1963, Presidenti Kenedi, duke shprehur solidarizim me Gjermaninë Perëndimore bëri deklaratën e famshme, “Ich bin ein Berliner”, (Unë jam qytetar i Berlinit).
Kujtimi i 50-vjetorit të ngritjes së Murit të Berlinit është, siç tha edhe kryebashkiaku i Berlinit, “detyrë e jona që të mbajmë gjallë këtë kujtesë dhe që tua përcjellim brezave të ardhshëm... ashtu që këto padrejtësi të mos përsëriten kurrë më. “Është gjithashtu një rast për të festuar edhe përmbysjen e komunizmit duke nderuar ata burra e gra, anë e mbanë Evropës Lindore, që dhanë jetën duke kundërshtuar këtë sistem çnjerëzor dhe në të njëjtën kohë është një moment për tu angazhuar si individë, shtete dhe qeveri se kurrë më nuk do të lejohet - që një sistem i tillë tiranik e barbar ose ndonjë sistem i ngjashëm me të - të terrorizojë më njerëzimin.
Comments (0 posted)
Post your comment