Përtej historisë së mohuar
Popujt dhe njerëzit duhet të jenë të lirë që të deklarohen se kush janë dhe si ndjehen, ku dhe si dëshirojnë të jetojnë, që për shkaqe të ndryshme të padrejtësive historike nuk jetojnë në vendet e origjinës.
Bahri M. Gashi
Të vetëdijesuar për tu injoruar apo nga injoranca për tu vetëdijesuar, ndoshta janë mendimet e kohëve të fundit mbi të “vërtetat historike” që përshkuan shekuj më parë gadishullin Ballkanik midis perceptimeve të përhapjes së Islamit në njërën anë dhe mendimeve kombëtare të okupimit ndaj nesh. Si rrjedhojë, përkatësisht hapësirat e dikurshme të viseve Iliro- dardane, sikurse tani në periudhën e Turqisë të sotme moderne, këto veprime esencialisht nuk dallojnë nga bashkëdyzimet përtejkohores së mendimeve të të parëve, përveç mjeteve dhe metodave të kohës.
Zakonisht historitë njerëzore të luftërave misionare të përhapjes së religjioneve të caktuara kanë të ngjarë të kenë sukseset e tyre për aq kohë sa veprimet e tyre përkojnë në drejtësi morale gjatë misionit të përhapjes së një feje. Se sa ishin të drejta apo të pa drejta këto veprime nga e kaluara qindra vjeçare të Perandorisë Osmane mbetet që të shihet në konstalacionin gjithëpërfshirës të “kontestit historik” që po pretendohet se gabimisht e mësuam këtë histori përtej brezit të dytë të pushtimeve të tokave tona.
Përpjekjet e tanishme politike e diplomatike të Ankarasë për një rishikim, ribërje apo rishkrim të një pjese të historisë që atakon periudhën midis dy botëkuptimeve pretendohet me ngulm se na qenka keqshkruar nga Tititzmi dhe Enverizmi. Këto pretendime s’janë gjë tjetër veçse insinuata të “pa kohë gjeopolitike” dhe politika të papjekura shtetërore dhe sikurse të ishte ideja për mendime të hapjeve të arkivëve të Perandorisë që iu takon botës së akademikëve të historisë ta bëjnë detyrën e tyre dhe jo me fryrje emocionesh të tentimit të mbidominimit që akoma më shumë të ngjallet kompleksiteti historik që ishte i pamundur ti mbijetoj kohëve të shekujve të fundit nga imoraliteti i vet “turqve të rinj” që humbën drejtpeshimin përtej misionit të përhapjes së Islamit, po rikthen imponueshëm vëmendjen drejt Ballkanit po ashtu të islamizuar.
Jo çdo herë shoqëria njerëzore dhe hapësira gjeostrategjike që të rrethon të vlerësojnë drejtë historinë tënde. Ky mendim gjen mbështetje edhe nga recencenti i librit; “Çështja Shqiptare - nga këndvështrimi i Diplomacisë dhe Gjeopolitikës së Austro-Hungarisë (1878-1918)” citoj: “Aq sa i gabuar është shpjegimi i historisë së një vendi vetëm nga perspektiva e saj, aq e gabuar është mosmarrja në konsiderate e kësaj perspektive”, thuhet në parathënien e librit “Çështja Shqiptare - nga këndvështrimi i Diplomacisë dhe Gjeopolitikës së Austro-Hungarisë (1878-1918)” të prof dr. Eqrem Zenelaj nga Recenzenti, prof. Nderi Dr. Leopold Auer, drejtor i Arkivave të Qytetit të Vjenës, të oborrit mbretëror e të shtetit Austriak.
Përpjekjet e popullit për ç’lirim të viseve shqiptare kundër sundimit Otoman s’ishin gjë tjetër veçse përpjekje për liri, në krye me Skënderbeun që ndoshta rreth kësaj figure po mendohet të thuhet ndryshe. Sikurse që pajtohem me mendimin se “Armikun fale, por emrin mos ia harro kurrë” thoshte; John F. Kenndey. Po ashtu duhet të mbrojmë qëndrimin dhe të kërkojmë sqarime zyrtare të politikave totalitare të ç’kombëtarizimit të shqiptarëve brenda shtetit dhe të asimilimit kombëtarë të milionave shqiptarë të dëbuar me marrëveshjet midis Serbisë dhe Turqisë e që këta të fundit me politikat shtetërore të tyre kanë ç’rrënjosur pothuajse gjysmën e një kombi të tërë nga identiteti kombëtarë.
Shqiptarët e turqizuar në shtetin modern Turk pa asnjë të drejtë elementare të deklarimit të identitetit të tyre, ndonëse minoriteti Turk në Kosovë me aq po të drejta të garantuara dhe të zbatuara, sa që sikurse po harrohen këto dy këndvështrime që duhet të reflektojnë esencialisht në liritë themelore të shprehjes së lirë së identitetit nacional, të besimit fetar etj, të secilit ndryshe nga tjetri si vlera hyjnore dhe njerëzore të patjetërsuara .
Popujt dhe njerëzit duhet të jenë të lirë që të deklarohen se kush janë dhe si ndjehen, ku dhe si dëshirojnë të jetojnë, që për shkaqe të ndryshme të padrejtësive historike nuk jetojnë në vendet e origjinës. Sot kjo e drejtë ju mohohet mbi pesë milion shqiptarëve që jetojnë në Turqi. Tani për cilën drejtësi dhe të pavërteta të historisë duhet të ngritet debati i ndezur, mbi pretendime për periudha aktorësh që janë të vdekur apo mbi fakte të mohimit të historisë së identitetit të miliona qytetarëve të Turqisë me prejardhje shqiptare që janë të gjallë. Ky realitet faktik i historisë së hidhur në fakt duhet të ishte temë diskutimi dhe të zbardhet e vërteta e ndryshimit të “identitetit kombëtar”, të gjakut dhe të gjenezës, e që as me parime të Islamit për të cilën kanë pretenduar se ishin zbatues dhe tani pushteti aktual, Islamo- liberal e di mirë se është e ndaluar që të tjerëve t’iu mohohet “identiteti i krijimit nga Zoti”. Për mendimin tim aktualisht ky është problemi që duhet zgjidhur me shtetin Turk, ndonëse të kaluarën historike mes nesh ka zgjidhur vet historia dhe realitetet e krijuara shekuj më parë.
(Autori ka diplomuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, aktualisht është duke përfunduar studimet e magjistraturës në Shkencat Politike)
Comments (0 posted)
Post your comment