Home | Opinion | Mohimet me ngjyra

Mohimet me ngjyra

image
Pranimi i pjesshëm konsiston në mohimin jo të plotë të një ngjarjeje për të cilën rrëfimi ka formën e akuzës. Qeveria nuk thotë se nuk ka ndodhur ajo që tashmë u mor vesh se ka ndodhur, mirëpo ajo shfajësohet që nuk ka shpëtim (tjetër) meqenëse nuk kishte mundësi (alternative).

 

 

Albin Kurti

 

 


Teoria e Stanley Cohen ka nisur të përdoret gjithnjë e më shumë në analizat e retorikave të ndryshme qeveritare atëherë kur qeveritë anembanë globit mohojnë të gjeturat për (mos)veprimet e tyre. Në përgjithësi, Cohen shquan tri lloje të mohimit: mohimi kundërsulmes, pranimi i pjesshëm dhe mohimi klasik zyrtar. Studimet e tij duket që janë motivuar nga bindja që mohimet të cilat i praktikojnë qeveritë e sotme nuk janë të ngujuara te heshtja apo sekreti zyrtar, por, më parë, ato qarkullojnë si reagime të kalibruara që janë disenjuar për të krijuar përshtypjen te publiku që çështja e ngritur nga kritikët njëmend është ngritur, porse ajo nuk është përnjëmend një çështje. Le t’i përshkruajmë shkurtimisht llojet e mohimeve sipas Stanley Cohen.

Mohimi kundërsulmues është ai që ‘zbulon’ mangësi ose njolla te akuzat apo akuzuesit me qëllim të diskredimit të tyre. Pra, mohimi kundërsulmues është veti e bindjes pragmatiste se sulmi është mbrojtja më e mirë. Duhet ngadhënjyer me çdo kusht, andaj nuk duhet përjashtuar asnjë mjet. Mohimi kundërsulmues me shpejtësi e ndot kontekstin në të cilin e vetmja rregull mbetet mungesa e rregullave. Akterët e shporrin temën në prapavijë dhe situatën politike e tkurrin te pozat skenike. Të vërtetat dalin të jenë gënjeshtra, gënjeshtrat bëhen të vërteta, drejt momentit kur gjithçka është njëkohësisht edhe e vërtetë edhe gënjeshtër. Sepse, siç thuhet, varet nga pikëvështrimi, apo jo?

Pranimi i pjesshëm konsiston në mohimin jo të plotë të një ngjarjeje për të cilën rrëfimi ka formën e akuzës. Qeveria nuk thotë se nuk ka ndodhur ajo që tashmë u mor vesh se ka ndodhur, mirëpo ajo shfajësohet që nuk ka shpëtim (tjetër) meqenëse nuk kishte mundësi (alternative). Pra, s’bëhet fjalë për justifikim qeveritar përmes pretendimit që ajo që u bë ishte gjëja e drejtë dhe e duhur që duhej bërë. Këtu kemi të bëjmë me shfajësim qeveritar që thotë se s’patëm çare pa e ndërmarrë atë që e ndërmorëm. Sepse, nuk u zgjodh për të ecur në njërën nga rrugët, thotë qeveria, por u zgjodh veçse ecja në një rrugë që na kishte zgjedhur neve. Akuzën e veçantë kundër saj qeveria mëton ta rikuptimësojë në fat të përbashkët të të gjithëve (pa i lënë jashtë as akuzuesit). Domethënia e akuzës nuk është më relacion por destinacion.

Mohimi klasik zyrtar më së miri kuptohet nga tri nënllojet që ai i ngërthen. Së pari, kemi mohimin e thjeshtë e të pazbukuruar. Qeveria pohon që një ngjarje a veprim i caktuar nuk ka ndodhur fare. Ajo mohon fundamentalisht duke mos i përfillur akuzat faktike dhe as faktet akuzuese. Së dyti, kemi mohimin interpretues. Në këtë rast, qeveria konteston kuptimin e një ngjarjeje a veprimi me interpretimin e saj përkufizues dhe me përkufizimet e saj për atë interpretim. Ajo jep versionin e saj edhe me çmimin e defekteve logjike dhe konkluzave irracionale që prodhon. Dhe, së treti, kemi mohimin që nënkupton. Qeveria argumenton që është dashur të ndodhë ajo që ka ndodhur. Ajo justifikon veprime a ngjarje të caktuara dhe nuk kufizohet te shfajësimi për to sikurse te mohimi i llojit që u quajt pranim i pjesshëm.

Interesi i këtij shkrimi nuk është që secilin prej këtyre mohimeve ta ilustrojë me shembuj nga përditshmëria e reagimeve qeveritare në Kosovë. Por, besoj që kjo tipologji e mohimit mund të shërbejë sadopak në pasurimin e analizave për mohimet që i bën Qeveria e Kosovës. Po them mohimet e Qeverisë së Kosovës, pra në numrin shumës dhe jo njëjës, pasi që ajo përdor pothuajse tërë arsenalin e mohimeve të mësipërme. Duke mohuar në mënyra të ndryshme që edhe e përjashtojnë njëra-tjetrën qeveritarët kosovarë ndoshta shpresojnë ta vështirësojnë mohimin e mohimit.

Në kohën e televizorëve bardh e zi, disi edhe mohimet ishin të tilla: mohime pa ngjyra. Tash që kemi televizorë me ngjyra, me shumë ngjyra, me tepër shumë ngjyra dhe me gjithnjë e më shumë ngjyra, edhe mohimet janë bërë të tilla. Kushedi, mbase edhe llojet e mohimeve i ndjekin llojet e televizorëve dhe jo vetëm anasjelltas.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00