Home | Opinion | Rrethi i mbyllur i tranzicionit

Rrethi i mbyllur i tranzicionit

image
Qëndrimi ballë për ballë, në llogoret e luftës pa asnjë kompromis, midis pozitës dhe opozitës, ku e para kërkon me çdo kusht vijimin e qeverisjes dhe e dyta po me çdo kusht –marrjen e pushtetit, ka bërë që shoqëria shqiptare të jetë përsëri nën efektin e kujtesave të së kaluarës së afërt, kur ajo u traumatizua nga deliri kolektiv i dhunës, i vënë në veprim nga politika dritëshkurtër dhe pa vizion. Si do të vazhdohet më tej?

 

 


Nga Astrit Kosturi

 

 

Megjithë trumbetimet e fryra të integrimeve euroatlantike në podiumet e radhës të politikës së pushtetmbajtësve shqiptarë, sipas të cilëve, ne jemi vendi i parë në botë me rritjen ekonomike më të madhe, pa kriza dhe varfëri, etj. e vërteta është se tash njëzet vjet ne vërtitemi thuajse në një jerm ekonomik e social, në një krizë politike, në tunelin e së cilës, për fat të keq, deri tani nuk duket asnjë fjollë drite. Ne gjendemi në një faliment të pashpallur, edhe pse kemi shitur të gjitha asetet publike dhe gjithçka nga pasuria jonë kombëtare e kemi kthyer në vlerë tregu, pa iu nënshtruar principeve të një strategjie kombëtare zhvillimi, siç ndodh në një vend normal.Në fillimin e viteve ’90, Shqipëria përballohej me sfidën e madhe të krijimit të së ardhmes, ku mbi pirgje iluzionesh, zhgënjimesh, mashtrimesh e keqkuptimesh të një sistemi eksperimental, për gjysmë shekulli kishin krijuar modelin se si nuk duhej ndërtuar një shtet dhe si nuk të mund të orientohej një shoqëri në kohën dhe hapësirën globale. Në rrugën nga ku më nuk mund të ktheheshim, për t’ia nisur nga fillimi, kishin mbetur të gjymtuara ëndrrat tona kolektive për një jetë tjetër, ndërsa para, në shtegun drejt së ardhmes, nxinin pikëpyetje dhe udhëkryqe.Shtegu i tranzicionit ishte më i gjatë dhe më i vështire nga ç’e kishim menduar. As populli, as intelektualët, as elita e vendit nuk e kishin llogaritur një kohëzgjatje të tillë tranzitive, aq sa, edhe sot pas njëzet vjetësh, fundi nuk duket ende askund në horizont.

Ende shqiptarët përballen me psikozat bunker të drejtimit të administratës, ende, megjithë përpjekjet për një zgjidhje definitive, ekzistojnë probleme themelore me pronën dhe mënyrat e funksionimit të saj në një shoqëri, që pretendon të jetë demokratike, prona publike dhe ajo shoqërore, pasi janë grabitur ditën për diell dhe kthyer në biznese të klaneve të lidhura me politikën, janë fshirë nga fjalori i përdorimit të përditshëm. Ende sistemi i vlerave është nuk i vetmi sistem i vlerësimit të individit në shoqërinë shqiptare. Politika, në vend që të jetë një promotore e progresit të gjithanshëm, me mefshtësinë, konfliktualitetin, botën e interesave të ngushta fisnore e klanore, i ka shërbyer dhe vijon t’i shërbejë të kundërtës, frenimit të kohës së shqiptarëve në kohën europiane dhe më gjerë.Tranzicioni nisi si një hymn i “terapisë shok”, nën marshet antikomuniste dhe ende duket se nuk ka sosur vrulli i turmave të keqpërdorura për të shkatërruar gjithçka, por pa mundur dot të ndërtohet thuajse asgjë. Ky tranzicion ishte dhe mbetet një proces i gjatë në udhëkryq, pasi nuk po arrin që të projektojë një vizion të qartë të funksionimit të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, në kushtet e demokracisë së pretenduar. Ai filloi si proces kompleks i shkatërrimit të së vjetrës dhe krijimit apo adoptimit të institucioneve te reja, por në emër të këtij “revolucioni” u përligjën vjedhjet, abuzimet, privatizimet e paligjshme, shkatërrimi i pronës së grupit dhe asaj publike, privatizimet pa kriter ose me kritere interesash klienteliste etj. Shkurt u përligj instalimi i shtetit kastë apo i shtetit klan, që nxjerr ligje dhe funksionon thjeshtë për të mbrojtur interesat e ngushta të Oborreve Politike.Projektimi i reformave dhe institucioneve u orientua drejt qëllimeve politike (pa bërë politikë kombëtare, por thjeshtë politikë të grupeve të interesave të ngushta afër selive të dy partive kryesore). Reforma ishte më e shpejtë në fushat ku kostoja politike ishte më e vogël. Tranzicioni ekonomik filloi me ndryshime rrënjësore të sistemit politik. Reformat ekonomike fillluan në kushtet e një kolapsi total ekonomik, në kushtet e një mungese të ekzistencës dhe dobësive institucionale.

 Ky tranzicion, me synim thellimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë provoi të ishte një dështim i plotë. E vetëquajtura politikë e këtij vendi (themi e vetëquajtura, pasi në fakt nuk kemi të bëjmë me parti politike por me grupe interesash të ngushta private) nuk arriti të na jap ne shqiptarëve një shenjë të ndërtimit të një shteti demokratik, sipas parimeve të njohura ku përparësi kanë përmbushjet e nevojave sociale të shtresave të nëpërkëmbura të shoqërisë.Kalimi nga sistemi i centralizuar dhe tërësisht i mbyllur i ekonomisë shqiptare në ekonominë e ashtuquajtur të tregut, u shoqërua me shkatërrimin e ekonomisë së saj dhe një rënie të ndjeshme të nivelit të jetesës së shqiptarëve. Mungesa e furnizimit me produktet ushqimore si dhe masat për liberalizimin e çmimeve, u shoqërua me rritje të nivelit të inflacionit në mbi 226 %. Me fillimin e periudhës së tranzicionit, u shfaq rënia e madhe e aktivitetit ekonomik; prodhimi i përgjithshëm kombëtar ra rreth 40% nga niveli i vitit 1989. Gjatë kësaj periudhe u shënuan nivelet më të larta të migracionit që kishte provuar ndonjëherë vendi gjatë shekullit të kaluar. Shkurt, e thënë troç, dështoi ndërtimi i një shteti me kapacitetet e duhura të qeverisjes në mënyrë efektive, pasi kjo qeverisje e mundshme, duket se ndeshi në ekzistencën e një rrjeti të fortë grupesh të interesit, të cilët e kanë marrë dhe e mbajnë peng jetën e këtij vendi. Falimentimi i firmave piramidale ne fillim te vitit 1997 u shoqërua me një krizë të thellë qeveritare, e cila u pasua me trazira shoqërore, që çuan në një rebelim të armatosur. Kjo krizë, jo vetëm ndaloi procesin e tranzicionit dhe të mëkëmbjes ekonomike, por shkatërroi besimin e shqiptarëve tek politika dhe shteti. Mungesa e stabilitetit politik, ekonomik e social në vitet 1997-98 i kushtoi humbjen e rreth 1.3 miliardë dollarë të kursimeve private të shqiptarëve dhe një kthim prapa të vendit.


Shoqëria shqiptare, nën okelion e politikave të ditës, të trumbetuara nën sloganet euroatlantike, shpesh, është ndier e braktisur në vizionin dhe ëndrrën e saj, për një Shqipëri ndryshe. Pas ngjarjeve të kobshme të vitit ’97, që e tronditën imazhin e sistemit të ri, duke krijuar alibinë e dhunës, shkatërrimit, djegieve e grabitjeve ditën për diell, shqiptarët e patën të vështirë të kuptonin raportet me shtetin dhe politikën e vendit të tyre, pasi nga të dyja këto ata u ndien dhe vijojnë të ndihen të tradhtuar. Shteti i tyre, duke u shkërmoqur brenda pak kohësh, si kështjellë me rërë, la tek ata shijen e trishtë të pamundësisë për t’i mbrojtur nga pjesa e errët e vetvetes dhe nga mekanizmat diabolikë të vënë në veprim nga të tjerët. Klasa politike humbi vizionin e çdo idealiteti të mundshëm dhe këtij errësimi i shërbeu aventura e protagonistëve të saj, aq të përfolur për korrupsion e keqpërdorim të besimit publik. Qeveria e vetëquajtur e majtë, që mbajti një mandat tetëvjeçar qeverisës, megjithë përpjekjet për ta nxjerrë shoqërinë shqiptare nga tuneli i krizës, nuk ia doli të krijonte një imazh të qëndrueshëm progresiv tek shqiptarët. Korrupsioni në nivele të larta, një administratë që i kishte braktisur objektivat dhe i shikonte me syze deformuese hallet e popullit, qeveritarë të zhytur në skandale e afera korruptive, ishin pjesa e përfolur e një mandatimi politik për inerci, që shumë pak arriti të ndikonte në përmirësimin e standardit të thyer demokratik. Ndërkohë, që e majta vetëkonsumohej nga defektet e një qeverisje të dobët, Berisha, i anatemuar nga viti i mbrapshtë, dalëngadalë po ngrihej për të riardhur në pushtet, për të vijuar rishtas strategjinë e uzurpimit të gjithçkaje në këtë vend. Edhe pse Qeveria e djathtë mori përsipër reforma radikale në fushën e taksave dhe të shërbimeve publike, për përmirësimin e nivelit të sjelljes së administratës, për sigurimin e një rendi të qëndrueshëm publik, për rritjen e ekonomike dhe përmirësimin e standardit të jetës së shqiptarëve etj, rezultati tregoi dhe po tregon përditë se ishin premtime boshe. Shqiptarët pretendojnë se po ndërtojnë një shoqëri të hapur, por kjo shoqëri vërtitet brenda një rrethi të mbyllur, pa kahje dalje nga ky qerthull.


Qëndrimi ballë për ballë, në llogoret e luftës pa asnjë kompromis, midis pozitës dhe opozitës, ku e para kërkon me çdo kusht vijimin e qeverisjes dhe e dyta po me çdo kusht –marrjen e pushtetit, ka bërë që shoqëria shqiptare të jetë përsëri nën efektin e kujtesave të së kaluarës së afërt, kur ajo u traumatizua nga deliri kolektiv i dhunës, i vënë në veprim nga politika dritëshkurtër dhe pa vizion. Si do të vazhdohet më tej? Ku do të shkojmë kështu ne shqiptarët? Akoma do të vazhdojmë të endemi në tunelin e errët të instinkteve tona të egra, të dhunës dhe delirit të pafre!? Një gjë e dimë mirë, pasi e shohim, e përjetojmë, e ndiejmë çdo ditë, me një fuqi kërcënuese deri në asfiksim: ne vërtitemi në një tranzicion pa krye, në një rreth të mbyllur, vicioz, ku na ka futur kjo politikë delirante deri në papërgjegjshmëri dhe nuk dihet se kur do të shohim ndonjë fjollë drite në horizont.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00