Opozita dhe çështja morale
Të flasësh për sistem korrupsioni që ka ngritur partia e që duhet goditur, të denoncosh të korruptuarit edhe brenda partisë, lidhjet me krimin e organizuar, për trafikantë e mafiozë brenda partisë, të flasësh për moral, pra, nuk ka asnjë kuptim ose ka kuptim sa për sy e faqe, si dhe sigurisht, për t’ia veshur këto të zeza vetëm kundërshtarit.
Fatos Lubonja
Një lexues i shkrimit tim “Dy të djathtat dhe opozita që na duhet”, replikonte në internet duke më shkruar: “Ç’kuptim ka të ndryshojë PS kur PD nuk ndryshon asnjëherë? – duke shprehur kështu një mendim mjaft të përhapur, sipas të cilit opozita s’ka asgjë në dorë sepse dikton maxhoranca e se, që ajo të fitojë e të bëhet maxhorancë, duhet të luftojë me mjetet e kundërshtarit. Kjo çon pastaj në idenë se ndaj një koke të ndezur si ajo e Sali Berishës duhet një kokë e ndezur si ajo e Edi Ramës, ndaj të fortëve të Berishës duhen të fortët e Ramës që ushqehen prej propaganduesve të tyre me idenë se kush kritikon njërin, është në shërbim të tjetrit. Ky është një qëndrim shumë i përhapur që mban në këmbë një sistem që prej kohësh e kam quajtur “dy bandash që luftojnë thjesht e vetëm për kontroll territori”, “dy llogoresh” e dy “gjysmë të vërtetash që së bashku bëjnë një dopio gënjeshtër”: atë se në vend që të kërkosh shpëtimin tek goditja e sistemit të bandave, ta kërkosh atë tek njëra prej tyre, duke i siguruar kësisoj vetes një skllavëri të përjetshme.
Kush ka pak kujtesë, do të sjellë ndërmend se opozitat tona janë bërë të suksesshme vetëm kur kanë kritikuar e ndryshuar vetveten, duke u bërë të ndryshme edhe nga kundërshtari. Kjo është e vërtetë si për opozitën socialiste të pas 91-shit, ashtu edhe për atë të Sali Berishës të pas 2000-shit, paçka se ndryshimet e tyre nuk kanë qenë ashtu dhe aq të thella, as të sinqerta dhe të qëndrueshme. Me bindjen se vetëm një tjetër lloj opozite do të mund të sjellë shpëtimin që kërkohet, dua të shtjelloj një numër argumentesh lidhur me zhvillimet që duhet të ndodhin në opozitën shqiptare në të mirë të vendit, jo të banditëve që e drejtojnë e shfrytëzojnë atë.
Në prag të zgjedhjeve, duke tentuar të parashikoj rezultatin, kam shkruar se ky do të përcaktohej varësisht nga tre variable. E para, se cila do të ketë më shumë fuqi manipulimi, me të cilin kuptoj kryesisht kontrollin më të madh mbi institucionet, mediat, bizneset e mëdha, paranë publike, paranë e pisët; e dyta, se cila ka krijuar më shumë pakënaqësi në publik dhe, së treti, kredibiliteti i forcave në garë. Për manipulimin, kam thënë se epërsia qëndronte tek maxhoranca, për pakënaqësinë se kjo ishte më e madhe ndaj qeverisë, kurse për sa i përket kredibilitetit, këtë e kam lënë të barabartë ashtu sikurse nuk u kam vënë rëndësi programeve, pasi edhe ato i kam vënë në nivel të barabartë mosbesueshmërie.
Rezultati, sipas meje, ishte tregues i asaj se fuqia më e madhe manipuluese fitoi. Fakti që në disa qytete fituan kandidatët socialistë, nuk e kundërshton këtë teori pasi, po të vesh re, kjo fitore i dedikohet faktit se këta fitues kanë qenë ish-kryetarë bashkish dhe në përgjithësi kanë krijuar rrjetet e tyre të fuqishme të pushtetit, çka u ka krijuar epërsi manipulative. E vërteton këtë edhe fakti se në disa nga këto qytete – si në Durrës apo Kavajë – socialistët nuk kanë fituar dot Këshillin Bashkiak. Por e vërteton edhe më shumë fakti se Ilir Meta, me gjithë akuzat e rënda për korrupsion, që iu bënë në prag të zgjedhjeve për ta fundosur, arriti të marrë më shumë vota se në zgjedhjet e mëparshme.
Duke pasur parasysh tri variablet e përmendura, gjykoj se në kontekstin e debatit mbi riorientimin apo strategjitë e reja të opozitës, ajo më kryesorja është rritja e epërsisë së saj për sa i përket kredibilitetit moral.
Po të vesh re skenën politike shqiptare, do të konstatosh se tashmë është konsoliduar një numër i caktuar aktorësh të ndarë në dy partitë e mëdha dhe në disa parti më të vogla. Janë këta që bëjnë politikën. Edhe kur shfaqet ndonjë i ri apo grup të rinjsh, ky thithet shpejt e shpejt prej tyre – kryesisht prej dy partive më të mëdha – duke humbur edhe çdo lloj individualiteti qëndrimesh, idesh, projektesh, propozimesh, kritikash. Rreth partive punojnë edhe një numër jo i vogël gazetarësh, opinionistësh, analistësh që janë edhe ata pak a shumë të njëjtët, si dhe një numër biznesmenësh e mafiozësh që, ose sponsorizojnë nga jashtë, ose janë bërë tashmë deputetë apo pronarë mediash. Kohët e fundit po bëhet mbizotëruese ideja se zgjedhjet mund t’i fitosh apo t’i humbasësh vetëm nëse arrin të ndërtosh aleancat më të mëdha brenda kësaj elite politikanësh, mediash, biznesmenësh, mafiozësh. Më konkretisht thuhet p.sh. se Rama humbi sepse humbi aleancën me Metën; apo se Berisha fitoi, sepse krijoi aleancën më të madhe partiake e se e ardhmja do të përcaktohet nga raporti midis këtyre aktorëve. Po ashtu, rëndom akuzohen apo lëvdohen media për fitoren apo humbjen dhe kërkohet të blihen ato e të rekrutohen gazetarë në njërën apo tjetrën palë.
Një nga kritikët më të mëdhenj të Ramës brenda partisë, Kastriot Islami, i ka mëshuar vazhdimisht kësaj teorie. Që PS të fitojë, duhet të rregullohet me Metën, të përfshijë nanoistët, pasi e ardhmja do të vendoset nga loja që do të luhet midis këtyre aktorëve. Shumica e politikanëve dhe e gazetarëve, – me qëllim sipas meje, - deri këtu e hedhin vështrimin dhe, deri këtu e shtrijnë debatin dhe e zhvillojnë lojën e ndryshimit të strategjisë së opozitës. Flasin edhe për ndryshime kushtetuese deri edhe për gabim të PS që i mbështeti ato, për hyrje në Parlament, për ndryshim të ligjit zgjedhor, por pak ose shumë pak për kredibilitetin moral që duhet rifituar. Ky lihet mënjanë si i parëndësishëm. Të flasësh për sistem korrupsioni që ka ngritur partia e që duhet goditur, të denoncosh të korruptuarit edhe brenda partisë, lidhjet me krimin e organizuar, për trafikantë e mafiozë brenda partisë, të flasësh për moral, pra, nuk ka asnjë kuptim ose ka kuptim sa për sy e faqe, si dhe sigurisht, për t’ia veshur këto të zeza vetëm kundërshtarit. Sepse Shqipëria është kjo që është me këta njerëz që janë dhe do të jetë kështu për jetë e mot. Ilir Metën pasi e kemi bërë copë me videon që i publikuam, fare mirë mund ta bëjmë aleat, siç bëmë Dritan Priftin, edhe pse këtë e kishim denoncuar për vjedhës pak javë më parë. Këtë imoralitet, politika jonë kërkon të na e paraqesë si diçka normale, a thua se njerëzit kanë humbur çdo lloj kujtese e shqise morale. Por nëse është kështu, atëherë ç’duhej denoncimi i Metës dhe i Priftit? – një kontradiktë kjo mbi të cilën nuk ndalohet asfare të reflektohet në parti. Në fakt, banditët, karakteristikë të tyre kryesore kanë papërgjegjshmërinë. Ata me njerëzit sillen sipas moralit “përdor e hidh” dhe nuk mendojnë as për të nesërmen, as për atë se ç’thonë të tjerët.
Sipas mendimit tim, në kushtet ku jemi, vetëm rifitimi i kredibilitetit moral të humbur mund ta bëjë opozitën të kapërcejë disavantazhet që i krijon pushteti i rritur manipulativ i maxhorancës, tani që ajo ka në dorë edhe Tiranën. Pa zgjidhur “çështjen morale” brenda saj – po huazoj këtë term nga politika italiane - Partia Socialiste jo vetëm që nuk mund t’i shërbejë vendit, por zor se mund të fitojë edhe vetëm në interes të bandës së vet.
Po çfarë duhet bërë për të fituar kredibilitetin e humbur? Kuptohet se ky është një proces që kërkon kurajë të madhe, pasi duket sheshit se partia është në duart e atyre që duhen pastruar prej saj. Së pari, do të thosha, duhet bërë debat i fortë lidhur me këtë temë, që duhet të çojë deri në autokritikë të ndershme si parti e në kërkesa për ndryshime në kryesinë e partisë, e cila në një farë kuptimi është simboli i saj. Një parti punon edhe me simbolikë dhe ata që janë bërë simbol i imoralitetit nëpërmjet korrupsionit, abuzimit e aleancave të pandershme deri me mafiozë, nuk mund të kthehen sot e të bëhen shpresë e simbol i luftës kundër korrupsionit. Mbi ta do të mbeten hijet e së kaluarës korruptive e mafioze që do të shërbejnë si një alibi për maxhorancën. Edi Rama më së pari, por edhe mjaft të tjerë pas tij, e kanë shumë të vështirë të ndryshojnë imazhin që i kanë krijuar PS gjatë më se dhjetë vjet abuzime, korrupsion e lidhje me turlilloj mafiozësh e trafikantësh.
Në këtë kontekst, kthimi i moralitetit në politikën socialiste kërkon edhe një ndryshim tjetër të rëndësishëm. Ka ardhur koha të hiqet dorë nga dikotomia: maxhoranca e keqe – opozita e mirë, sipas së cilës mjafton të jesh në opozitë që të lahesh nga mëkatet apo se, për të fituar kredibilitetin moral, mjafton denoncimi i kundërshtarit. Kjo është një lojë që nuk ecën më. Tashmë njerëzit kanë aq përvojë e dijeni, që ua ka dhënë edhe Fatos Nano i katarisisit, edhe Ilir Meta e Berisha i 2005-s në opozitë e pastaj në pushtet, për të ditur se nuk mjafton të dalësh në opozitë e të denoncosh korrupsionin e tjetrit për të vërtetuar ndershmërinë tënde apo për t’u pastruar nga e kaluara jote e pisët. E provoi edhe përvoja e dështimit të fundit të opozitës.
Ajo tentoi të krijojë një bashkim forcash nga e majta në të djathtë, të ngjashëm me Forumin për Demokraci më 97-n e të udhëheqë protesta e pastaj zgjedhjet, por dështoi. Kjo sepse harroi, jo vetëm se situata nuk ishte ajo e 97-s, por edhe se kredibiliteti i liderëve të Forumit për Demokraci më 97-n ishte krejt tjetër. Së pari, sepse njerëzit nuk i kishin provuar ata në pushtet, së dyti, sepse shoqëria civile dhe gazetarët që i mbështesnin ata ishin shumica të rinj pa privilegje, që bënin opozitë për pasionin e së drejtës dhe së vërtetës. Së treti, sepse s’kishin filluar ende të dukeshin në skenë interesa biznesmenësh e narkotrafikantësh nga ata që kapën më vonë partinë. Kurse koalicioni që krijoi opozita ishte një bashkim figurash tashmë tejet të konsumuara nga pushteti i gjatë e i korruptuar socialist, me në krye kryetarin e Bashkisë, ku s’mungonin deri ish-ministra të Berishës, të akuzuar nga vetë PS për korrupsion, njerëz që ishin marrë me biznese të pista qysh në kohën e tij, me trafiqe apo edhe nga ata që i kishin shërbyer atij në të keqe aq gjatë dhe aq shëmtuar kundër vetë PS, saqë martesa me ta mbante erë kilometra larg, se ishte thjesht pazar i pisët. Raporti i Ambasadës amerikane me titull: “Kriminelët bëjnë ligjin në Parlamentin shqiptar”, ku renditen barabar emra socialistësh e demokratësh, ishte dramatik në këtë aspekt. E pra, të pretendosh të fitosh me këtë përzierje kartash të konsumuara e të diskredituara, është të bësh një politikë sikur njerëzit të mos kenë kujtesë. Sigurisht, me kalimin e viteve e me rritjen e zullumeve të Berishës, njerëzit edhe mund të harrojnë, ashtu siç harruan të kaluarën e PS apo 97-n e Berishës, por ngulmoj megjithatë se në ndryshimet e pushteteve që kanë ndodhur më 1997-n, por edhe në ato që sollën Berishën në pushtet më 2005, kredibiliteti moral i opozitave ka qenë shumë më i madh nga ai i me të cilin është shfaqur opozita që kemi sot në zgjedhjet e fundit. PS-ja në vitet ’90 nxori në krye të saj figura krejt të reja nga ato të diktaturës, që arritën të bëhen aleate deri me ish të burgosur politikë. Berisha i 97-s kishte shumë më pak kredibilitet sesa opozita e 97-s, por premtimet e tij se do të shkatërronte sistemin e korrupsionit të ngritur nga “baronët e drogës” dhe “klanet e Zemunit” të socialistëve, e kombinimi i këtyre me eliminimin e konfliktit të interesave brenda partisë, që i detyroi kandidatët e tij të hiqnin dorë, të paktën formalisht nga bizneset, tingëllonin shumë më bindëse sesa akuzat e sotme të Ramës, të cilat s’kanë guximin as të propozojnë eliminimin e konfliktit të interesave në një parti që ka në gjirin e udhëheqjes së saj – sipas shtypit – tetë nga dhjetë më të pasurit në vend e që numrin 2, sipas Ambasadës Amerikane, e ka narkotrafikant.
Në Partinë Socialiste nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë zërat që e kanë akuzuar udhëheqjen e saj për lidhje mafioze, për vënie në shërbim të oligarkëve, për braktisje të interesave të shtresave të brishta e për nevojën e një partie tjetër. Por, për hir të së vërtetës, këta kanë qenë të pakët, shpesh jo të sinqertë, dhe janë mbytur nga shumica, duke bërë të mbretërojë ideja se pikërisht me ata, të fortët, të pasurit e mafiozët e fuqishëm do të mund të fitojmë zgjedhjet: duke ruajtur pra – sikurse thotë lexuesi im – një parti simetrike me PD. Por, le të mos harrojmë se në fakt ishte PD që u ristrukturua sipas modelit të PS e që, duke pasur radhën e pushtetit si dhe një udhëheqës më dinak e më këmbëngulës se PS-ja, arriti t’ia kalojë asaj në këtë drejtim. Ka shumë gjasa që në taktikat e reja të Ramës – i aftë të sajojë njëqind taktika e intriga, por jo të ndërtojë strategji, – të hyjë edhe teza e forcimit të partisë me kësi të mafiozësh. Unë gjykoj jo vetëm se kjo do të thotë të thellohesh në krim ndaj vendit, por edhe se këtë lloj loje e ka fituar PD. Një PS e tillë thjesht do të humbasë shansin – nëse ky i ka mbetur, – e shndërrimit në një parti me kredibilitet moral, që është bërë tashmë imperativ i politikës shqiptare. “(Fakti) …që të gjitha partitë shqiptare kanë lidhje me krimin e organizuar është një fenomen me të cilin ne dhe komuniteti ndërkombëtar do të na duhet të merremi një ditë…”, thotë raporti i Ambasadës amerikane, “Se sa kohë do të na duhet për t’i hequr nga pushteti këta rrufjanë është një çështje tjetër…”. Kjo gjë ka kohë që është bërë edhe çështje e shqiptarëve.
Një pyetje tjetër lidhur me kredibilitetin e opozitës është edhe ajo se sa garanci na jep ajo, kështu siç është, për më shumë demokraci. Sepse ne nuk kemi nevojë vetëm për një klasë politike që nuk na vjedh e mashtron, por edhe për një klasë politike që na garanton të drejta dhe liri. Këtë temë do ta trajtoj në shkrimet pasardhëse.
Comments (0 posted)
Post your comment