Home | Opinion | Wikileaks, Kalbëzimi i Politikës dhe Morali

Wikileaks, Kalbëzimi i Politikës dhe Morali

image
Është urgjente që opozita të tregojë një moral të ri duke u diferencuar nga imoraliteti i një kabineti qeveritar që këmbëngul të qeverisë i mbushur me ministra të akuzuar për korrupsion dhe lidhje me mafien. Ndaj opozita duhet të ndërmarrë hapat e duhur për spastrimin e vetvetes që të mos mbetet e klasifikuar njësoj me një pushtet dukshëm të korruptuar.

 


Andrea Stefani

 

 

Publikimi nga “Wikileaks” i kabllogrameve të ambasadës amerikane në Tiranë lidhur me zhvillimet në politikën shqiptare, kanë shkaktuar tronditje në opinionin publik. Dhe jo vetëm për faktin se në këto dokumente flitet troç për të vërteta të hidhura për të cilat diplomacia nuk para e ka zakon të flasë. Një gjë tjetër që shqetëson publikun pavarësisht simpative politike. Është fakti se segmente të qeverisjes dhe politikës jo vetëm që komentohen si të korruptuar, por edhe të lidhur me krimin e organizuar dhe mafien. Jo pak shqiptarë pyesin: A mund të vazhdohet kështu, a mund që e qeveria dhe opozita të sillen sikur nuk ka ndodhur gjë, të vazhdojnë me debatet dhe reformat “europianizuese” duke pasur në gjirin e tyre politikanë të inkrimimuar e deri edhe mafiozë? Dhe janë jo pak ata që e kanë të qartë se mbyllja e syve para këtij skandali për përfitime afatshkurtra, do të kishte pasoja të rënda, në radhë të parë për opozitën shqiptare. Dhe bashkë me të, edhe për tërë moralin e shoqërisë.

* * *

Mjerisht nuk jemi ende në një fazë kur institucionet e zbatimit të ligjit të kenë kurajën, forcën për të vepruar me pavarësi për hetimin e shumë prej rasteve të evidentuara nga “Wikileaks” e më pas, edhe në ndëshkimin e tyre sipas ligjit dhe të drejtës. Ndërkaq, qeverisja e korruptuar e Sali Berishës jo vetëm nuk është e interesuar për të nxitur prokurorinë dhe drejtësinë në zhbirilimin e këtyre dyshimeve, por përkundrazi, do bëjë gjithçka që një gjë e tillë të mos ndodhë. Sepse mbi të gjitha, informacionet e publikuara nxjerrin të korruptuar dhe inkriminuar ministra, qeveritarë dhe vetë familjarë të Kryeministrit. Ky është dhe shkaku se përse Berisha deklaroi në publik se në kabllogramet e publikuara pa vetëm një pasqyrë të thashethemeve të shtypit të përditshëm. Nuk ka asgjë për t’u çuditur në këtë pohim të Kryeministrit. Kur ja ka dashur puna ai ka hedhur poshtë me lehtësi edhe akuza që më parë i kishte formuluar vetë për kundërshtarët e tij. I ka quajtur “fjalë kazani”. Për fatin e keq të Berishës, informacionet e ambasadës së SHBA për Departamentin e Shtetit nuk janë fjalë kazani, por një pasqyrë e saktë e realitetit politik shqiptar gjithnjë e më në kalbëzim pikërisht për faj të politikanëve si Berisha.

* * *

Në këto kushte, detyra e opozitës shqiptare është që të kontribuojë që ky kalbëzim të mos thellohet e përhapet duke përfshirë edhe gjithë shoqërinë. Por një gangrenizim total është i pashmangshëm nëse opozita politike hesht për sa po ndodh dhe e trajton skandalin “Wikileaks” ashtu sikundër dëshiron Berisha pra, si “fjalë kazani”. Opozita duhet të kërkojë me forcë që prokuroria të veprojë për hetimin e dyshimeve të publikuara. Edhe nëse mund të jetë e bindur se prokuroria, për shkaqe nga më të ndryshmet, mund të mos veprojë. Por është e rëndësishme që opozita të demonstrojë se vokacioni i saj është ndëshkimi i krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet dhe se një politikë selektive në këtë rrafsh, do të qe jo vetëm padrejtësi, por edhe korruptim i drejtësisë. Por ndërkaq ka një tjetër rrafsh ku opozita mund të jetë më e suksesshme dhe ku veprimet e saj varen vetëm nga vullneti i saj. Dhe ky rrafsh është morali. Ne do të dëshironim që qeveria të ishte e para që të largonte ministrat e përfolur. Por kjo ka pak gjasa të ndodhë, sepse i pari ndër të gjithë që duhet të largohet është vetë Kryeministri. Sepse i biri i tij rezulton i akuzuar nga shefi i shtabit të ushtrisë si organizator i tragjedisë së Gërdecit. Cili Kryeministër në botën demokratike mund të mbante dot postin pas një skandali të tillë? Mos shkojmë shumë larg, por në Italinë fqinje, qeveria “Prodi” u rrëzua vetëm sepse gruaja e Kryeministrit u përfol për korrupsion. Kjo që po ndodh sot në Tiranë dëshmon dhimbshëm se sa larg është realiteti shqiptar nga ai vërtet demokratik dhe perëndimor dhe se sa i kalbur në pikëpamje morale është ky realitet. Në fakt, Berisha ka fituar imunitet nga korrupsioni dhe ai mbetet në atë post tipikisht si një nga diktatorët e Lindjes së Mesme që nuk duan t’ia dinë për moralin. Sepse drejtësinë e kanë vrarë. Por opozita duhet të kërkojë largimin e Kryeministrit, duhet t’i bëjë të qartë publikut se një Kryeministër me pjesëtarë të familjes të përfolur për korrupsion kriminal, nuk e meriton të ketë frenat e shtetit në dorë. Pak rëndësi ka nëse një gjë e tillë ndodh apo jo. Fitorja do të jetë morale. Por që të arrihet një fitore e tillë, opozita duhet të japë shembullin e saj. Në kabllogramet e “Wikileaks” përmenden edhe disa figura të opozitës si të korruptuara apo dhe të lidhura me aktivitete kriminale. “Sjellja e sëmurë, ndoshta kriminale e shumë prej deputetëve shqiptarë është shqetësuese dhe nuk premton për zhvillim demokratik. Është gjerësisht e njohur në Shqipëri se të gjitha partitë kanë deputetë të lidhur me krimin e organizuar”, thuhet në një nga kabllogramet e ambasadës së SHBA. Është urgjente që opozita të tregojë një moral të ri duke u diferencuar nga imoraliteti i një kabineti qeveritar që këmbëngul të qeverisë i mbushur me ministra të akuzuar për korrupsion dhe lidhje me mafien. Ndaj opozita duhet të ndërmarrë hapat e duhur për spastrimin e vetvetes që të mos mbetet e klasifikuar njësoj me një pushtet dukshëm të korruptuar. Opozita duhet t’i dëshmojë publikut se ndryshe nga qeverisja berishiste, ajo është një alternativë morale ku i ka rrënjët edhe vullneti i saj për antikorrupsion dhe drejtësi. Ndryshe edhe në të ardhmen do vazhdojë ta kalojë Berishën për 10 vota dhe ky i fundit, do ia vjedhë përsëri ato.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00